ÇËSHTJA CAMAJ DHE KOLIQI – NËN VËZHGIM…

nga Visar Zhiti

Ndërsa kisha kujtuar se e kisha mbaruar librin tim “Kartela të Realizmit të dënuar”, ku merrem me letërsinë tjetër, atë që erdhi nga burgjet dhe internimet dhe me ata autorë që u përndoqën, që u dënuan me burgje e pushkatime e një pjesë u arratisën, gjej te “Peizazhet e Fjalës” një shkrim për shkrimtarët e shquar të letërsisë shqipe, Martin Camaj e Ernest Koliqi,, të dy të ikur pasi vendoset diktatura komuniste në Shqipëri. E lexova menjëherë. Jo se ishte e panjohur si çështje. Është folur dhe përfolur kolaboracionizmi i Ernest Koliqit, teksa Martin Camaj është lënë në heshtje dyshuese, duke ua mpakur edhe tani meritat e mëdha të tyre, vlerat themeltare që kanë për letrat shqipe, duke i europianizuar ato dhe duke qenë thellësisht kombëtare.  

Në librin në fjalë, flas paksa edhe për bashkëpunimin e shkrimtarëve me policinë sekrete dhe me Sigurimin e Shtetit; por u ula ta përditësoj këtë kartelë, sipas të dhënave që na u ofruan dje, me gjykimin tim, sipas përvojës nga vij, nga ajo e të persekutuarve, jo nga ajo e persekutorëve.

Ja, kartela:

BASHKËPUNËTORË TË POLICISË SEKRETE

DHE ABUZIMI ME ÇËSHTJEN…

Dhe përsëri rikthehen në fillim, te banalizimi, kalohet në sulme të tjera, të goditen figurat e burgut, simbolet e vuajtjes…

Dhe përflitet deri edhe në media se mjaft nga intelektualët, jo vetëm shkrimtarë të realizmit socialist, por edhe nga të persekutuarit, kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit diktatorial dhe nxirrnin herë pas here emra, edhe kur nuk ishin hapur dosjet, sa ç’është lejuar të hapen tani…

Jo se s’ka të thyer në radhët e të persekutuarve, mbase dhe mjaft, për fat të keq, por së pari duhen goditur diktatura, ata që i thyen dhe si, me ç’tortura dhe të vihen para drejtësisë dhe të drejtën morale për t’i përçmuar, nëse do të duhet, e kanë, së pari, po bashkëvuajtësit e tyre dhe jo ata që ishin pjesë e diktaturës dhe që i vunë me dhunë nën shërbim, jo për çështje kombëtare a në zbulimin e armikut, keqbërësit, etj, por për përçarje dhe dënime të së tjerëve, për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit apo të atyre që donin të arratiseshin e deri në çështje të rëndomta ordinere, të paligjshme dhe të pamoralshme… etj.

Janë përdorur tortura të llahtarshme, fizike dhe psikologjike, uri e rrahje çmendurake, thesi në kokë si në mesjetë, varje nëpër çengela etj., deri te përdhunimet e grave e të vajzave të familjes së atij që i kërkohej bashkëpunimi dhe ku: në prani të tij! Turpi, rënia dhe degjenerimi më parë, e përsëris, janë të atyre që ua kërkuan bashkëpunimin me dhunë viktimave, sesa të vetë viktimave, dhe ndëshkimi që vonon, duhet të nisë tek ata.

Patjetër edhe për bashkëpunëtorët e Sigurimit, cilëtdoqofshin, të veprojë drejtësia, sipas dëmit që u kanë shkaktuar të tjerëve dhe shoqërisë..

Njerëz që qëndruan dhe refuzuan bashkëpunimin me të keqen, për fat ka, dhe nuk janë pak, janë të shumtë dhe atje ku ishte tejet e vështirë, në burgje e internime. Vërtet ishte heroike,  e di në vetë të parë ç’sakrificë e rëndë është.

Lexojmë në shënimet postume që botohen, se edhe studiuesit të shquar Injac Zamputti, me origjinë italiane, i ishte kërkuar të informonte fshehurazi për kolegun e vet, dijetarin Eqrem Çabej. (Që thoshin se kishte qenë në burg, por jo, kishte pasur të shoqen). Profesor Injaci nuk pranoi kurrsesi, por u vetëmbyll e bënte jetë murgu mbi libra, gjithë ankth në pritje të arrestimit, me vite.

Studiuesi i zellshëm dhe korrekt Agron Alibali gjen në arkivat amerikane dokumente dhe i botoi së fundmi që tregojnë përpjekjet për bashkëpunime agjenturore të së huajve si me kritikun nga Kosova Krist Maloki dhe dijetarin Eqrem Çabej, etj, dhe qëndrimet e profesorëve kanë qenë dinjitoze dhe shembullore.

Krist Maloki vinte nga Austria dhe kishte nënshtetësinë e atij vendi; ikte prapë atje, por profesor Çabejin mund ta priste dhe burgu dhe më keq mbase, kur çështjet lidheshin me Enverin.

E vërteta duhet, është e domosdoshme. E vërteta është e rëndësishme. Më rëndësi ka njohja e së vërtetës se sa mbulimi i saj. E vërteta është kokëfortë, por jo studiuesi. Rëndësi kanë dhe qëllimi i asaj të vërtete dhe përdorimi ose shpërdorimi i saj, sa vlen ajo dhe sa ndikon dhe sa duhet, etj, etj. Dokumenti mund të jetë i vërtetë, por s’është ajo e vërteta.

Arrestimin fshehurazi, para se të arratisej, të shkrimtarit të shquar nga diaspora, Martin Camaj, e dëshmon dhe një studiues tjetër, Auron Tare, pasionant i zbulimeve agjenturore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai rinxjerr atë që e ka shpjeguar edhe studiuesi Kastriot Dervishi, dokumentin e vitit 1948, ku 23 vjeçari nga Dukagjini, pasi izolohet forcërisht, sillet në zyrat e Sigurimit të Shtetit dhe merret në pyetje nga kapteri II Fadil Kapisyzi. Pastaj studiuesi Tare e lë të qetë kapterin II dhe e vijon hetimin vetë: ç’ka bërë viktima më pas, ku ka shkuar dhe hamendësime të tjera përtej dokumentit dhe fakteve, pa na zbërthyer si e qysh ka vepruar Sigurimi mbi të arrestuarin, me ç’të drejtë dhe me ç’urdhra, shefat e tij, sistemi, koha, partia, kthetrat, pra lë bishat dhe merret me prenë.

Sipas deklaratës-fotokopje në dosje, Matin Camaj ka pranuar “përfshirjen e tij në ndihmesën për të arratisurit antikomunistë, por në rrëfimin e tij për oficerët e Sigurimit (sa ishin, 2, 5, 10, ndërroheshin me radhë ujqërit, ç’tortura përdornin, etj? – shën. imi) të bie në sy se Camaj ka dëshmuar gjithashtu kundër disa prej mësuesve të vet fretër jezuitë (duhej etërit jezuitë, jo fretërit; shënimi im, V.Zh.), në veçanti Padër Fausti, Padër Dajani, Padër Roza. Duhet thënë se Padër Xhovani Fausti (jezuit italian, – shënimi im, V.Zh.) dhe Padër Danjel Dajani ishin dënuar ndërkohë me pushkatim në gyqin e famshëm të Shkodrës kundër klerit katolik.

Kaq, vetëm se duhet thënë që “ishin të pushkatuar” dhe jo pse dhe nga cilët? Po gjyqi paskësh qenë i famshëm dhe jo gjyq terroristësh të indoktrinuar? Dhe Camaj dëshmoi kundër mësuesve të tij? Po mbase tha atë të vërtetë, që ia kishin mësuar mësuesit e tij dhe që e pohuan në gjyq se ishin antikomunistë dhe në pushtet kishin ardhur me force një bandë vrastarësh. Mbas 5 ditësh Camaj “doli nga zyrat e Sigurimit të Shkodrës… pasi pranoi të rekrutohej si informator” – na informon studiuesi dhe vazhdon: “në shtator të 1948 (pra mbas 4 muajsh, – shën. imi) Martin Camaj arratiset drejt Jugosllavisë së bashku me një numër eksponentësh lokalë antikomunistë.” Janë 36 veta gjithsej, të rinj dhe burra malësorë, ndoca me gratë me motrat. Ikën dhe do të iknin dhe më pas. Ndryshe si do të mund të shpëtonin?

Jemi para një të vërtete me dokumente virtuale, që s’ka siguri se sa e mbartin ato atë të vërtetë. Dhe tjetër është e vërteta e të përndjekurit dhe tjetër e vërteta e Sigurimit të Shtetit, qoftë dhe në të njëjtat dokumente.

Na sillen për të pasur njohje apo për të arritur një njollosje të re? Nëse e vërteta është një njollë mbi lëkurë, a nuk duhet zbuluar dhe ai që ia bëri atë njollë ose ata? Dhe pse? Dhe kush është më pis, ai që njollosën apo ata që njollosnin? Po kur është plagë thike në mish? Mjeku merret me kurimin e saj, kriminalisti me zbulimin e çështjes, nëse është krim, etj. Studiuesi sjell të vërtetën e plotë, nëse duhet, për ata që u duhet. Hetimet e studiuesit në fjalë janë kapërcime që kanë për logjikë atë që do të donte hetuesi i Camajt, nëse do ta kishin arrestuar prapë.

Për Martin Camajn shkrimtar, autoritet i lartë i kulturës Kombëtare, duhet ditur shumëçka. E mbajtur larg ashtu si ai, e ndaluar dhe e panjohur e gjithë vepra e tij në vitet e diktaturës, ne na duhet zbulimi dhe njohja e vlerave të tij, pastaj, kur ai ishte 23 vjeç ç’bëri Sigurimi i shtetit me të duhet ta dimë, për të ditur dhe kuptuar se ç’bënte Sigurimi i shtetit, deri ku shkonte, ç’bënte me të rinjtë, me intelektualët e ardhshëm, sa dëmtonte vendin për të mbrojtur sistemin, etj.

Gjykoj se Martin Camaj shkrimtar, intelektual europian, është tjetër dhe s’ka asgjë të ngjashme me atë të dosjes së Sigurimit të shtetit, të 23 vjeçarit që u iku për të qenë i lirë dhe që të bëhej ai që u bë. Jeta e tij e mëtejshme dhe vepra nuk duken gjëkundi se kanë qenë në shërbim të Sigurimit të shtetit, të atij aksidenti, rrethanat e të cilit janë të paqarta nga studiuesi, por të qarta nga realiteti. Sigurimi i shtetit ishte shkatërrimtar dhe ai iku.

Tani është rasti dhe koha për të zbuluar dhe gjykuar Sigurimin e shtetit dhe të dënohet ky për dëmet e shkaktuara. Pastaj, e përsëris, të gjykohen dhe bashkëpunëtorët, sa dëm kanë sjellë ndaj të tjerëve, ç’karrierë kanë bërë, sa dekorata e famë morën apo ia mbathën edhe ata maleve, duke marrë arratinë.

Studiuesit që vazhdojnë të përndjekin viktimat dhe jo ndjekësit e atyre barbarë, bëhen pjesë e kësaj përndjekje dhe jo ithtarë të së vërtetës që na duhet.

Është e kuptueshme që ata që arratiseshin nga diktatura e tmerrshme e vendosur në Shqipëri, kudo që të shkonin, s’do të mund të ishin të qetë, as të lirë si emigrantë politikë, sidomos me të dalë në Jugosllavinë e Titos, që ose do t’i kthenin nga erdhën ose t’i mbanin siç do të donin. Ndërkaq përndjekja do të vazhdonte nga Sigurimi i Shtetit fantazmë dhe jashtë, në Jugosllavi, në Greqi e Itali, në Gjermani e deri në SHBA. Kështu del.

Teknologjia sa primitive, po aq dhe barbare e Sigurimit të Shtetit, tani ishte me përvojat e sofistikuara sovjetike dhe naziste dhe nuk përjashtohet dhe mundësia si fillesë e të qenit në shërbim e disa prej të arratisurve, por dhe shkëputja e menjëhershme e tyre, por dhe falsifikimet e dykahshme.

I arratisuri Reshat Agaj në kujtimet e veta “Vëllai i pengut” tregon se me të kaluar kufirin për në Greqi, kërkon atasheun ushtarak amerikan dhe i rrëfehet se e ka dërguar Sigurimi i shtetit, duke i mbajtur peng një vëlla në burg, të cilin para se ta pushkatonin, punonte me kazmë në tunelin sekret që lidhte nëntokë Komitetin Qendror me Kryeministrinë në Tiranë.

Pjetër Arbnori që nga burgu i Burrelit pati guximin e madh të dërgonte një letër lart në shtet, që nuk pranonte asgjë nga ato që mund të kish thënë gjatë torturave, në delirin e vdekjes.

Sigurimi i shtetit gjithsesi synonte përndjekjet dhe terrorin aq sa ishte e mundur edhe jashtë vendit ndaj të arratisurve. Qëllimi ishte, mendoj, i disadrejtimshëm: neutralizimi i armikut të ikur, i kundërshtarit, i veprimtarive të organizatave të tyre kundër sistemit diktatorial komunist në Shqipëri. Kërcënime të vazhdueshme atyre edhe duke u dëmtuar familjet e mbetura në atdhe, përhapjen me mënyra dhe mjete që i di veç Sigurimi, për t’i bërë të dyshimta ikjet dhe qëndrimet në vendet e huaja, në diasporë e më gjerë, duke dekonspiruar apo sajuar, me qëllim përçarjen e mëtejshme të diasporës dhe duke penguar kështu veprimtaritë e shteteve perëndimore, që mund të ndërmerrnin me diasporën kundër Shqipërisë së Enver Hoxhës, përmbysjes së tij.

Sigurimi i Shtetit del se ka qenë hiperaktiv, duke kërkuar dhe arritur dhe zhdukjen fizike të personaliteteve më të spikatur jashtë, jo vetëm politikanë, por dhe shkrimtarë, duke ua ndërlikuar jetën dhe përkushtimin krijues, etj.

Natyrisht, ata s’mund të ishin aq të lirë si azilantë politikë, si shkrimtarë besoj se po. Plotësisht. Vepra e tyre shkencore e albanologjisë dhe ajo letrare ishte në shërbim të gjuhës dhe letërsisë shqipe, realitet shpirtëror shqiptar, mbetet kulturë dhe identitet kombëtar, ndërkaq mund të mos e kenë shmangur përfshirjen e tyre në veprimtaritë e hapura dhe të fshehta kundër sistemit tiranik të Enver Hoxhës së pathyeshëm, sipas nostalgjikëve të tij, kur ai vetë, Enveri, ka qenë dhe ka bërë edhe agjentin, aleatin e dyshimtë dhe kundër-aleatin ende më të dyshimtë, dhe shërbëtorin e të huajve deri në përulësi, vetëm që të sundojë duke e shtypur pa mëshirë popullin e tij, duke dëmtuar shpesh e më shpesh interesat e Shqipërisë.

Shkrimtarët e realizmit socialist të tij ai i përdori dhe i keqpërdori shume më rëndë se ç’mund të bënte armiku. Ai u shprishi dhe më të shenjtën e tyre, krijimtarinë. Vlerat duhen veçuar nga fati i autorit dhe duhen nderuar.

Dhe s’ka pse të turfullohet ndaj konferencave në Tiranë dhe në Prishtinë ku dalin vlerat si shkrimtarë dhe personalitete të kulturës të Ernest Koliqit dhe të Martin Camajt, të cilët bënë art, ku te Koliqi s’ka asgjë fashiste dhe te Camaj s’ka asgjë antikomuniste. Këta ishin estetikisht kundështarë të realizmit socialist. Dhe kur veprat nuk ishin në shërbim të kauzës politike të sistemit, sipas sundimtarëve, ato ishin kundër.

Mendimi kritik i qytetëruar ka etikën e njerëzores dhe jo të vrasësve të saj. Thënë me terma të tanishëm, është në mbrojtje të së drejtave të njeriut dhe nuk njeh si thyerje ato që janë arritur me forcë, me dhunë e tortura, psikike e fizike, ku Sigurimi i shtetit shqiptar ishte lavdimadh deri në tmerr dhe asgjësim në këtë drejtim.

Mendimi kritik i qytetëruar e njeh të vërtetën, madje do të thosha se nuk e ndjen nevojën e kërkimit të saj se ajo është e natyrshme brenda atij mendimi dhe veprimeve të përgjegjshme qytetare, del në mbrojtje të viktimës dhe jo anash e anash apo hapur në mbrojtje të persekutorëve..

Mund dhe duhet të mësohet dhe nga qëndrimi kritik që u mbajt me poetin amerikan Ezra Pound, ndër më të mëdhenjtë e poezisë moderne të shekullit XX në botë, por që ishte me bindje fashiste, madje mbas luftës e nxjerrin dhe në gjyq si të tillë. Por si poet çmohet nga të gjithë bota e kulturës.

Ka monstra të mrekullueshme, qenie njerëzore që kanë zgjedhur anën e gabuar të historisë me ide kriminale e krime ideologjike, por duke i dhuruar botës njëlloj copëza bukurie me artin e tyre.  Celine ishte antisemit,  Heidegger nazist, Caravaggio vrasës…” – shkruan një shkrimtar i ri italian dhe pyet për Ezra Pound-in nëse është e drejtë të gjykohet për të kaluarën  fashiste dhe jo për veprën e tij.

Shpesh ata janë viktima apo të gabuarit e ideologjive që marrin pushtet tiranik. Ne jemi shumë larg këtij të gjykuari, por dhe të atij realiteti. Shkrimtarët shqiptarë ndërkaq nuk kanë qenë të lirë. Edhe Ernest Koliqi ka shërbyer nën pushtimin fashist, edhe duke i besuar, gjithsesi në totatlitarizëm, kurse Martin Camaj ka qenë i përndjekur i regjimit komunist dhe të dy ikën nga atdheu, por jo nga dashuria për atdhe, as nga meraku për Shqipërinë dhe shërbimi ndaj saj.. Natyrisht këtë s’ka si ta ketë dosja armike e Sigurimit, por vepra e tyre, që  është jo vetëm e bukur dhe me rëndësi, por më shqiptare se ata që dolën në krye të Shqipërisë si fitimtarë dhe e atyre që i shërbyen realizmit socialist të tyre.

Ndërkaq vepra e tyre ka të ardhme. E kundërshtarëve të tyre ka vetëm të shkuar. Duket sikur Sigurimi i mbetur i shtetit vazhdon luftën ndryshe ndaj të ikurve, më parë duke i shpallur dezertorë, tradhtarë, të dënuar me vdekje, kurse sot dhe si të dërguar nga Sigurimi i shtetit, përndryshe të vënë në shërbim të agjenturave të huaja kundër regjimit, që e identifikojnë me atdheun.

Ata studiues agjenturorë do të ishin më të dobishëm, nëse do ta kishin parësore t’i shërbenin të sotmes dhe jo të djeshmes, të na zbulonin me dokumente se si ka vepruar diktatura dhe diktatorët, Sigurimi i tmerrshëm i shtetit ndaj shkrimtarëve dhe artistëve brenda dhe jashtë vendit, me ata vetë, nëse mëtojnë të kalojnë sinoret.

Studimi i asisojshëm i ngjan një hetuesie pas vdekjes me tortura kufomës.

Dosja e shkrimtarit Martin Camaj me ato dokumente ashtu nuk është vepër e tij, por e Sigurimit të Shtetit dhe nuk duhet gjykuar shkrimtari, por kapteri II, oficerët e sigurimit deri te shefi i tyre i lartë, Enver Hoxha. Kjo është vërteta reale.

*   *   *

Shkrimtari nobelist Hermann Hesse thotë në një poezi të vetën: më mirë të të vrasin komunistët, sesa të jesh komunist. E thotë dhe për nazistët. Mund ta vazhdonim, më mirë të të vrasë e keqja, se sa të jesh i keq.

Atëherë kemi ç’të nxjerrim më parë e ç’përgjegjësi. Dhe kurajën e ndëshkimit sipas fajit a dëmit. Shoqëria shqiptare të jetë e aftë që të shpalosë vlerat e larta morale deri në heroizëm tronditës, edhe aty ku janë mbuluar me gjak e baltë e përbaltje. Për vetedukim të tanishëm dhe të së ardhmes.

Nëse do të mundet.

*   *   *

Të gjithë kanë kryqin e tyre mbi shpinë, por disa e kanë në formën e drapër-dhe-çekanit.

(c) 2020, Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

9 Komente

  1. kur intelektualet vene ne barazpeshe nazizmin me komunizmin harrojne nje fakt, qe demokracite Europiane u bashkuan me komunizmin per te luftuar fashizmin. Nuk u falet studiuesve dhe mendimtareve te bejne keto reduktime, si komunizmi ekstremi i majte dhe fashizmi ekstrem i djathte, dhe si rrjedhoje me rregullen e 3-shit komunizmi i barabarte me fashizmin. Mesa duket disa nuk mbajne as kryqin e tyre mbi shpine.

    1. Sheqere,
      Europa nuk arriti të pushtohej dot ndonjëherë nga komunizmi. Po të ishte pushtuar sot me siguri do flisnin ndryshe. Kurse me Shqipërinë ndodhi e kundërta.
      Por ju kur i hipni tjetrit në kurriz nuk keni zemër as t”ia lëshoni dot frerin.
      Thonë këtej “With friends like you, who needs enemies?”

      1. Arithmetika e Sheqeres eshte e thjeshte ne fakt. U bashkuan vertet per nja 6 vjet dhe pastaj e luftuan per 40 vjet.

        E verteta e hidhur eshte se nazistet u zhduken dhe u penduan ndersa komunistet as u zhduken, as u penduan, dhe kane lene trashegimtaret biologjike e shpirterore te leshojne helm. Per te mos folur per cfare po i bejne keta te fundit, si politikane, Shqiperise e shqiptareve.

        1. SolAl, e thashe edhe diku tjeter, jeni bere te frikshem. Me keto ide-fikse (budallalleqe) ne koken tuaj po beheni si komunistet njehere e nje kohe. Kush jane keta trashegimtare o njeri? Komunizmi ka marre fund, per 30 vjet ne Shqiperi lulezon ligji i xhungles & korrupsionit. S’ka as te majte dhe as te djathte sic duhet te jene, ka vec grabites. Ata qe iken ishin njesoj. S’e mohon dot.
          Ju doni vec nje ze , ashtu sic mendoni vete. Sheqeria ka opinionin e saj. Ti me vrap te shpallesh luften. Ca te tjere gati te shpallin luften veri-jug.

          1. Çudi, ju mëndjehapurit që përndryshe jeni të gatshëm t’i pranoni vërtetësinë e dosjeve të shërbimeve të fshehta pa i diskutuar, dhe pavarësisht se kush i ka shkruar, keni frikë të pranoni një të vërtet të hapur në ditën për diell, atë që: Shqipërai sot drejtohet politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht nga trashëgimtarët direkt të komunizmit, pinjollë të ish-byrosë politike, dhe ish drejtues e zyrtarë të regjimit komunist. Kjo nuk mohohet dot! Po ja që disa njësoj si në kohë të komunizmit kanë frikë edhe ta mendojnë, jo më ta thonë hapur. Dhe pastaj flasim për Mite!

            Miti më i madh është që “këta që janë sot nuk kanë asnjë lidhje me komunizmin e djeshëm”. Po të thuash të kundërtën të thonë “Po lufton me mullinjtë e erës.” “Je i çmëndur”, “je i fantaksur, dhe po lufton me fantazma”.
            Kush e di, mbase jemi vërtet të çmëndur, dhe vërtet luftojmë me mullinjtë e erës!

            Por le të jemi të qartë: këta zotërinj, qofshin edhe komunist, kanë të drejtë të shprehen po aq sa gjithë të tjerët. Për këtë jam dakort me Ardianin në shkrimin jetër. Por nuk është ky debati real. Debati është mbi të vërtetën.
            Sa për dakortësinë me pluralizmin dhe kumbajanë? Not so much. Po të jetë për pluralizëm, ndihem shumë më mirë në getot e Neë Yorkut, ndaj, besoj se nuk flas vetëm për vete, nuk ndjejmë nevojën të vijmë në jug të Shqipërisë, dhe as kami ndonjë iluzion se jemi të ftuar. Edhe ata që janë atje, po u vidhen tokat dhe pronat ditë-përditë.

            Dhe mos u shqetësoni kot se nuk ka luftë civile në Shqipëri. Ju e fituat atë përfundimisht në dyzetëekatrën. Por ajo që s’keni fituar është ekskluziviteti mbi të vërtetën.

  2. Thote autori

    Ata studiues agjenturorë do të ishin më të dobishëm, nëse do ta kishin parësore t’i shërbenin të sotmes dhe jo të djeshmes, të na zbulonin me dokumente se si ka vepruar diktatura dhe diktatorët, Sigurimi i tmerrshëm i shtetit ndaj shkrimtarëve dhe artistëve brenda dhe jashtë vendit, me ata vetë, nëse mëtojnë të kalojnë sinoret

    Nuk jam dakord ti perzgjidhen temat studiuesve. Ka tema per te gjithe e vullnet pacin. Duhen pare edhe keto bemat e sigurimit, sidomos ato vrasjet jashte-gjyqesore, extra-judicial, dhe kriminelet qe u bene drejtora e zune ofiqe te rehatshne ne administrate etj. Por duhen pare edhe keto lidhjet. Jo vetem per nje lloj kureshtjeje, por edhe per te kuptuar se me cfare logjike operative punonte ky aparat. Nuk besoj qe qellimi eshte te ndoten figurat, sesa te hidhet drite edhe mbi hijet e tyre.

    Nuk mund te lihen disa tema pa prekur per hir te disa ideve apo ndjeshmerive. Studiuesi shkon tej ketyre. I pergjigjet jo brezit apo kolektivit, por nje komuniteti boteror e mbare-epokash. Keto imponime jane gracka. Patjeter qe eshte lufte narrativash. Por p.sh.ai libri juaj mbi ferrin, qe mua me ka pelqyer shume, eshte thjeshte biografik. Veshtire te kaloj standardet e nje prove shkencore, pse jo me kot Arbeni dy shkrime me pare flet per harresen e kujtesen qe na manipulon ne. Ama, libri juaj perben nje fillese dhe kontekst emocional qe cdo studiues serioz duhet ta kete parasysh kur gjykon, sic thoni edhe ju, 23 vjecaret apo adolishentet, nen driten e akuzave makabre per tradheti etj.

    1. Këtu nuk bëhet fjalë për “tema tabu”, siç e karakterizoni ju, por bëhet fjalë për mënyrën / metodën se si duhen prekur këto tema. Për shembull dihet mirë se si i mbledh informacionin një Kadastër; se si e administron provën një Gjykatë; apo edhe se si e mblidhte infomacionin Ministria e Bujqësisë për ndërzimin artificial, dhe korrje-shirjet. Por si i mbildhte dhe si i administronte provat dhe dëshmit Sigurimi i Shtetit dhe Prokuroria e Enver Hoxhës, ende nuk dihet qartë. Po ashtu, pak apo aspak dimë edhe për CIA-n. Këta i kanë metodat sekrete, dhe cfraë nxjerrin janë për konsum mediatik.

      Pra, a mund të merren dhe pranohen këto prova si pikënisje, apo edhe më tutje si burimi kryesor për të dalluar dritë hijet e njërzve të kulturës si Camaj dhe Koliqi? Kush e bën dot dallimin këtu se cilat janë hije dhe cilat njolla? Kush është garancia? As koincidencat, as hamendësimet, nuk mund të jenë garanci! Aq më tepër që në spiunazh, ndëritimi, apo rikonstruktimi i koincidencave për të ç’orientuar dhe krijuar konfuzion, është metoda më e rëndomtë. Edhe qëllimi primar i këtyre dukumentave ky ishte, të krijohej përshtjellim, dhe jo të merrej vesh se sa tanke kishte Enver Hoxha, apo se ku fshihej. Aq më tepër sot duhet pasur kujdes kur perdoret ky informacioni i dalë nga këto metoda, qe siç e thotë me të drejtë Z. Zhiti, rindërton profilin e viktimës, në emër të çmitizimit.

  3. Dosja e shkrimtarit Martin Camaj me ato dokumente ashtu nuk është vepër e tij, por e Sigurimit të Shtetit dhe nuk duhet gjykuar shkrimtari, por kapteri II, oficerët e sigurimit deri te shefi i tyre i lartë, Enver Hoxha. Kjo është vërteta reale…”
    Dakord por a nuk duhet te gjykojme me te njejten Leniency te gjithe informants e sigurimit te shtetit .Cdonjerit I kane bere presion ne njefare menyre ,te pakte ishin ata qe e kane bere per englendi.

  4. Lemsh kjo pune. Me gjithe respektin qe kam per Zhitin, me duhet te them qe eshte nxehur kot. Edhe sikur Camaj te bente loje agjenturore( vete s’e besoj aspak.) kjo s’ja ul vleren letrare. Ne, shqiptaret, per dreq sec kemi nje mentalitet te mbrapçte, i shikojme njerzit bardhe e zi. O I duam te paster 100% ose s’i duam hic. Perendimi s’e ka problem hic, i thote pa komplekse te mira e te liga bashke.

    Gjithe zhurmen qe behej ne Shqiperi per disidencen e Kadarese, nje studius amerikan e lakonizoi ne titullin e shkrimit te tij: “ disident apo jo, Ismail Kadare eshte shkrimtar i madh”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin