NJË SKICË NË TRI KOHË

1. Chipmunk

Një pasdite që po shëtisnim në Prospect Park (Brooklyn), pamë një chipmunk (që disa e quajnë edhe ketër amerikan), i cili – gjithë duke përtypur ndonjë farë a lende dushku – po lëshonte një lloj cicërime: çip-çip-çip, të cilën e kishim dëgjuar kaq e kaq herë, por gjithnjë duke e kujtuar si prej zogu. Çip-çip-çip, dhe prapë, me kokën të kthyer në profil të kthjellët nga ne. Kë thërriste vallë dhe pse? Chipmunk-ët na pëlqejnë shumë dhe kur i ndeshim, në pyll, besojmë se na sjellin pak fat, ose të paktën gëzim. Përveçse janë edhe të bukur. I kishim ditur të heshtur, por jo. Cicërikëshin si zogjtë. Çip-çip-çip, me një farë alarmi të tendosur. Pritëm të shohim ç’do të ndodhte më pas, por nuk ndodhi asgjë: yni vazhdoi të cicërijë në intervale të rregullta, si sirena e ndonjë detektori tymi që po i shter bateria. Më pas qëmtuam në Google dhe mësuam se këtë lloj sinjali, çip-çip-çip, kafshëzat tona e përdorin për të lajmëruar njëri-tjetrin për rrezikun “nga toka”; dhe se ky tingëllon ndryshe nga sinjali për rrezikun “nga ajri”. Me gjasë, rreziku për të cilin po lajmëronte chipmunk-u ishim ne vetë.

 

2. Historia e një kopshti zoologjik

Një grua që kish lindur e deformuar keq në fytyrë, me njërin sy pothuajse në mes të faqes dhe nofullën aq të kithtë, sa nuk arrinte t’i mbyllte buzët dhe i mbeteshin përjashta dhëmbët e përparmë të çrregullt si gurë varri, jetonte me ndonjë shërbesë të vogël pastrimi, në zgrip të pazarit te qyteti i vjetër, derisa kaloi një ditë aty pari një njeri i i urtë dhe kur e vuri re këtë grua kaq të pafat nga pamja e pyeti si ishte dhe nga ishte, i dha një mexhite dhe e këshilloi që të merrte një mace, ta stërviste me durim dhe pastaj t’ua tregonte blerësve, kureshtarëve dhe vizitorëve në pazar, madje edhe bisedoi me një nga tyxharët aty pari që t’ia jepnin Zurit, se kështu e kish emrin gruaja, një hapësirë të vogël midis dyqaneve të çerturinave, ku ta tregonte zotësinë e saj për t’u folur kafshëzave. Dhe Zuri, që macet i kish pasur fort për zemër që e vogël, sepse janë të vetmet, thoshte, që më shohin ashtu siç jam, jo ashtu siç dukem, e zgjodhi vërtet një kotele nga të rrugës dhe filloi t’i mësojë disa marifete të vogla por të këndshme, si që t’i hipte së zonjës në shpatulla ose t’i lëpinte veshin dhe të kthente kokën kur ta thërrisnin me emër, Zuri, se ashtu ia kish vënë emrin edhe maces, si vetes. Kur e çeli Zuri sehirin e vet, vuri edhe një djalë nga e njëjta rrugë ku kish gjetur kotelen që të mblidhte hakun, dhe pastaj e vuri Zurin tjetër që të jepte shfaqje në sytë e njerëzve, që nuk vonuan dhe u mblodhën për të parë, çdo ditë e më shumë, sidomos kur ishin vizitorë nga qytete dhe vise të tjera, në kërkim të kurioziteteve dhe emocioneve të forta. Aq sa u hap pastaj lajmi anembanë, që te aksh pazar në aksh qytet ndanë rrugës që të shpinte në kryeqendrën e mbretërisë, ia vlente të ndaleshe vetëm për të parë Zurin, dhe njerëzit filluan të vijnë mizëri, madje kish edhe grupe që niseshin posaçërisht me karvane, për ta shijuar këtë atraksion të rrallë, në kohëra që kishin qëlluar përndryshe të mërzitshme. Ashtu edhe Zurit iu shtua shumë puna, derisa çoi fjalë në fshatin e vet të largët, për t’u kërkuar që t’i dërgonin dikë nga familja për ta ndihmuar dhe ata pa humbur kohë i dërguan të motrën, Aifan, që ishte më e vogël se Zuri, por edhe më e deformuar në fytyrë, me njërin sy pak si të fikur dhe të mbuluar përgjysmë nga një zhapë lëkure të brirtë, një gungë si bri të cungët në mes të ballit të ulët, syrin tjetër të varur në mes të faqes dhe dhëmbët e anës së majtë përjashta, si çatalle që i rriteshin si t’i kish thonj dhe duhej t’i shkurtonte herë pas here me limë, që të mund të hante dot akoma. Aifa gjeti edhe ajo një kotele, të cilën e quajti edhe atë Aifa, dhe shumë shpejt sehirin zunë ta quajnë Zuri & Aifa, aq sa vendalinjtë, kur qëllonte që i pyeste ndonjë vizitor se ku ta shihte Zurin, e korrigjonin: Zurin dhe Aifan! Dhe me të drejtë, sepse tashmë dy motrat, dhe dy macet që nuk ishin motra por që shkonin si motra, po tërhiqnin gjithnjë e më shumë vizitorë dhe kureshtarë, madje edhe pasi ia rritën pak çmimin biletës së hyrjes.

 

3. Ink

Kamerierja e vetme, te lokali ndanë udhës ku u ndalëm për drekë, binte menjëherë në sy për ca tatuazhe të mëdha në kofshët e plota, ku tigra të ndërkryer paraqiteshin duke ia shqyer lëkurën, për t’i treguar muskujt e përgjakur dhe pejzat poshtë. Ishte zheg dhe lokalin nuk e freskonte veç një ventilator i plogët në tavan, që vërtitej si helika e ndonjë motobarke në ujëra të llurbëta; prandaj edhe minifundi i kamerieres i detyrohej më shumë hallit, se nevojës për të tërhequr motoristët e rrallë. Kur kamerierja na solli vezët e fërguara, shoqja ime e pyeti, si me lezet, për tatuazhet, me të njëjtin ton të shkujdesur që do ta kish pyetur për vathët, çfarë më dha edhe mua kohë që t’ia kundroja kamerieres këmbët më gjatë se ç’do ta lejonte përndryshe etiketa – dhe ashtu dallova se tatuazhet e mëdha prej plagësh aq groteske i mbulonin mjeshtërisht ca cikatrice të mëdha plagësh të mirëfillta edhe më groteske, pa çka se tigrat sy-zgurdulluar ishin të vizatuar me bojë vetëm; dhe se, përndryshe, nuk e kish të lehtë njeriu të shquante çfarë ishte sajim dhe çfarë realitet, në shalët e asaj vajze, edhe pse mund të lexonte atje historinë e një gjymtimi të pa-paralajmëruar. I hutuar pas enigmës që kisha përpara, dëgjoja si nëpër tym shpjegimin e kamerieres, për një aksident që i paskësh ndodhur në fëmijëri, kur një mushkë e sertë, me gjasë e trembur nga një grerëz, e kish hedhur vajzën përdhé në xhadenë e shtruar me çakull, për ta tërhequr pastaj zvarrë pas vetes për një copë herë, nga freri që i ish ngatërruar te syri i këmbës. Mjekët ia kishin ndalur pastaj gjakun dhe shpëtuar jetën, por shenjat përçudnuese nuk ia kishin shmangur dot; prandaj edhe kjo ish dënuar ta çonte jetën e mbërthyer në pantallona që ia mbulonin shenjat e llahtarshme, dhe ashtu edhe do ta kish vazhduar, po të mos kish zbuluar një ditë magjinë e artit. I thashë atij tipit që tigrat të m’i linte qëllimisht të shëmtuar, tha, si të bërë nga një dorë fëmije, dhe ta kullonte gjithë aftësinë e vet te mishrat e shqyer; tha pastaj edhe se herë pas here plagët e vjetra i dhimbnin, por kjo mund të ishte edhe efekt anësor i tatuazheve vetë, siç mund të ishte efekt anësor edhe bindja që ato shenja plagësh nuk i përkisnin më.

© 2020, Castigat & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: