GRUAJA NË KUFI

Poezia më poshtë, që ma dërgoi një mik dhe koleg nga Tirana, pa ma “zbuluar” autorin, më tërhoqi vëmendjen, si tipike për ato vite – është e 1986-ës – kur letërsia shqipe e realizmit socialist e kish humbur pusullën, dhe kur poetët, madje edhe ata më entuziastët, po vinin re se nuk kish mbetur më asgjë “poetike”, në realitetin e Shqipërisë së mjerë që la pas Enver Hoxha.

M’u duk tipike dhe përfaqësuese për një lloj krijimi të atyre kohëve, kur poetët ishin tërhequr nga temat e mëdha – hidrocentralet, antenat, rafineritë, oxhaqet e nalta – për t’u fokusuar në gjërat e vogla, të jetës së përditshme të “njeriut të ri”, ose për të pikturuar të bukurën intime, të fshehur; madje të bukurën që lëngon në një agoni të butë, larg shkëlqimit të metropolit.

Është një lloj poezie minimaliste që e ndesh shpesh të lëvruar, nga një shkollë e tërë poetësh, që kanë dalë – estetikisht – nga vëllimet Motive me diell dhe sidomos Koha, të Ismail Kadaresë poet. Kënga e tyre nuk është ajo e fitimtarit kokorroç, që e mban armikun në shënjestër të maliherit dhe ia përtyp kockat me dhëmbë, por e një intelektuali inferior prej qytetit, keqot dhe pak parazit, që përpiqet me çdo kusht të gjejë arsye për t’u ekzaltuar për të shpëtuar nga ankthi i ndjenjës së fajit: Ah, gruri në fushë! Ah, shamia e tornitores! Ah, kallot e xha Hasanit! Ah, stallierja që nuk e zë gjumi për viçin e sëmurë…

Autori i kësaj vjershe ka zgjedhur të këndojë për gruan e kufitarit – më saktë, të “komandantit të postës së kufirit”, figurë emblematike e simbologjisë së Shqipërisë kështjellë e papushtueshme dhe e tokës që nuk lëmë njeri të na e prekë. Kjo tokë nuk është “ara e bujkut”, por ajo tjetra, ku janë varrosur bashkë heronj dhe armiq; humus i historisë si njëpasnjëshmëri vdekjesh, nga ku buron “vlaga”, drogë e të marrëve që atëbotë jepnin e merrnin, me aq sa mundnin, që të mos i humbnin shpresat para katastrofës.

Le të kujtojmë edhe se “komandanti i postës së kufirit”, në ato kohë, kryesisht merrej me ndjekjen dhe, sipas rastit, asgjësimin e të gjithë atyre që kërkonin të arratiseshin; një figurë në thelb edhe më antipatike se gardiani i burgut ose hetuesi i hetuesisë politike; ishin madje vitet kur qëllonte ndonjëherë që të vrarët në kufi i tërhiqnin zvarrë dhe i ekspozonin në fshatrat e zonës, për të tmerruar popullatën; ky ishte edhe komandanti i qenve, që shqyenin mishrat e qyqarëve që kërkonin të iknin dhe të cilëve qen u kanë kënduar gjithashtu me afsh poetët.

Por komandanti është tani mik dhe mikpritës i heroit lirik (“unit” të vjershës), që ka vajtur të pijë kafe dhe pastaj të hajë darkë me të në shtëpinë “me dru panje të palatuar” – vëreni thjeshtësinë që përcjell ky epitet, i palatuar; komandanti, që me siguri e ka ngritur shtëpinë me duart e veta, nuk ka dashur ta latojë drurin e panjës; e ka lënë të ashpër, siç i ka hije luftëtarit të skajeve, në një botë ku nuk ka vend për stërhollime.

Gjithsesi, vjersha i kushtohet “gruas” së këtij ushtaraku, kësaj Ajkune të një Muji të tipit të ri, që nuk lufton më shkjaun përtej (“kreshnik” etimologjikisht do të thotë “kufitar”), por shkjaun brenda nesh, armikun e klasës, atë që nuk na do të mirën, atë që e urren mënyrën tonë të jetësës në shtëpi me dru panje të palatuar, etj.

Kjo grua e kufitarit, teksa rrëmon në dollapë duke gatitur darkën, “rrëzon pa dashur një palë këpucë të bardha”, “me majë dhe takë të hollë”, të mbuluara me pluhur. Këpuca me takë, ky simbol i feminilitetit urban por edhe fetish i fetisheve, bie ndesh me mjedisin rustik të shtëpisë së kufitarit; dhe gruaja e pranon, në fakt, se “i ka mbathur vetëm një herë, ditën e martesës”, madje duke i thënë këto fjalë “me një zë prekës dhe të ëmbël.” Ky është edhe fokusi i tablosë, për ta thënë me një term të analizës barthes-iane të fotografisë; këpuca grarishte mbetur e paveshur.

Çfarë do të thotë kjo? Një analogji është ajo e këpucës që shkel në kontrast me kufirin që shkelet; jo më kot, puna e komandantit të postës së kufirit është të mos lejojë shkeljen e kufirit; që unë do ta lexoja edhe si kufirin tabu të seksit me gruan. Një analogji tjetër, do të ishte ajo e këpucës që është veshur vetëm ditën e martesës (lexo: kur është konsumuar martesa), e cila sërish të çon te mungesa e seksit më pas; që nga dita e dasmës, gruaja e kufitarit nuk ka pasur më mundësinë të jetë “nuse” dhe të ndajë shtrat me të shoqin dhe të dëgjojë dërrasat e dyshemesë që kërcasin, sipas ritmit të aktit. Ky privim seksual, në trajtë kujtimi të ndrydhur, që gruaja e mban të fshehur në një raft.

Dhe ja një efekt i papritur i poemës: heroi lirik, i ftuar për darkë nga komandanti i postës së kufirit, zbulon se amvisa e shtëpisë, gruaja e mikpritësit të tij, po lëngon në heshtje, ngaqë i shoqi nuk bën dashuri me të, nuk e trajton si “femër”, ndoshta për shkak të stresit që i sjell detyra e shenjtë. Zëri “prekës dhe i ëmbël”, me të cilin gruaja – tashmë objekt sa i vjershës aq edhe i dëshirës së poetit – rrëfen për shkretëtirën e saj seksuale, konfirmon edhe ai nënshtrimin ndaj agonisë së butë, pse jo edhe të ëmbël, të jetesës në zgrip të shoqërisë. Edhe vetë folja mbath, që sjell në mendje zbath, i referohet erotikës së shtratit bashkëshortor: e njëjta grua që ka mbathur atëherë këpucët, më pas do të ketë zbathur të brendshmet, si pjesë e të njëjtit ritual; të brendshmet e linjta po aq të bardha sa edhe këpucët, duke u bërë gati për të shijuar majën dhe takën e hollë të komandantit dhëndër. Por shtrati bashkëshortor është tani po aq i akullt sa edhe dëbora që fillon të bjerë përjashta, e bardhë si këpucët e dasmës së çiftit dikur; dhe zjarri që digjet në vatrën e pasioneve të fshehura të gruas, nuk i prek dot shufrat prej panje të kafazit ku e ka mbyllur këtë grua jeta. Situatë që fsheh, nën cipën e mërzisë së saj rurale, një melodramë si te The Bridges of Madison County.

Heroi lirik, deri më tash i nanuritur në fantazitë e seksit me një grua që ende nuk i ka zbathur… këpucët me taka, befas e mbledh veten, i lidh pantallonat, dhe e mbyll vjershën me nota optimiste: kjo familje ka edhe fëmijë, që dynden në mes të fantazisë së tij, me hapa dhe zëra të hareshëm; tek e fundit, edhe melankolia seksuale e gruas së komandantit, mund të jetë më shumë produkt i ditëve dhe netëve që asaj i është dashur të rrijë vetëm, teksa i shoqi përleshet me shkelësit përjashta, në mes të bozhureve, se i asaj çfarë ndodh realisht brenda mureve prej panje. Dhe, meqë jemi në temë, bozhuret i quajnë ndryshe edhe lule gjaku; dhe janë po aq të kuqe sa edhe hëna, që i fanitet poetit në dritare (“nata me bozhure dhe hënë të kuqe”); kjo e kuqe mund të jetë, pra, edhe gjaku i dëshmorëve të rënë për të mbrojtur kufirin, sikurse mund të jetë gjaku i shkelësve, arratisësve të vrarë nga komandanti me duart e veta prej druri panje, ose të shqyer nga qentë; njëlloj siç mund të jetë gjaku i natës së parë të martesës, prej gruas që ka humbur virgjërinë, mbi çarçafët e bardhë.

Kjo grua, të sugjeron vjersha, që mbahet e mbyllur në shtëpi nga komandanti i postës së kufirit, nuk është veçse Shqipëria vetë, tashmë e neglizhuar, e privuar nga kënaqësitë e shtratit dhe të shpimeve; me të vetmin ngushëllim fëmijët, që hyjnë në skenë pasi ajo – gjithnjë simbolikisht – e ka hapur derën; sa kohë që hapja e derës është drejtpërdrejt në antagonizëm me mbylljen e Shqipërisë brenda kufijve të saj, që e garanton burri kufitar.

Me gjithë këtë përplasje simbolikash primordiale – zjarri dhe akulli, vatra dhe dëbora, mbyllja dhe hapja, nata dhe dita, e bardha dhe e kuqja – vjersha mbetet e dobët, dhe dështon artistikisht mu në finale, kur autori fut në skenë fëmijët, si për një happy end të detyruar, biletë hyrjeje për botimin. Lexuesi nuk gjen dot arsye, pse të ndiejë dhemshuri për një grua që nuk i ka veshur më këpucët e dasmës; teksa i shoqi, komandanti i postës së kufirit, na shfaqet vetëm si grepi ku të varim pastaj tablonë që na pikturohet. Aq më tepër që ky personazh është modular, në kuptimin që në vend të tij mund të dilte një naftëtar pararojë, një shpyllëzues, një minator kromi, një sharrëtar, një inxhinier digash, një veteriner kooperative; mjaft të jetë dikush i distancuar nga bota “e rreme” prej nga vjen autori i vjershës; dhe në fakt poezia e viteve 1980 është e mbushur me krijesa të tilla, minimale, që e vuajnë ekzistencën e tyre në periferi të Shqipërisë dhe domethënëse vetëm ngaqë ashtu, në atë lloj agonie, gjendej aso kohe edhe Shqipëria vetë.

Sa i vetëdijshëm të ketë qenë autori për këto efekte, sa t’i ketë kërkuar këto lexime? Nuk mund ta dimë dhe as na duhet që ta dimë – një vjershë nuk ka nevojë për synimet e autorit të saj, që të funksionojë. Kjo “Grua e kufitarit” do të mund të shpëtohej, po të hiqeshin dy vargjet e fundit; si skicë e një situate tensioni seksual të akumuluar, e një gruaje seksualisht të shpërfillur, viktimë edhe e sistemit që i mbyllte njerëzit dyfish: edhe brenda “kufirit shtetëror”, edhe brenda kafazeve të roleve sociale (“gruaja që po përgatiste darkën”).

Nga ana e vargëzimit, poezia është sërish bijë e kohës kur është shkruar; vargjet janë të gjata, të papenguara nga ndonjë ndjenjë mase ose përkore; aq sa të lënë përshtypjen se po flitet për diçka sublime, me ekran të gjerë, panoramike – çfarë bie pastaj në kontrast me temën minimaliste të trekëndëshit seksual. Poezia qëllimisht nuk ka figuracion leksikor të spikatur – autori beson se ndjesinë poetike mund ta përcjellë po aq minimalisht sa ç’ka përcjellë temën, me penelata të kursyera; mjaftohet të filmojë, duke nënkuptuar se poezinë e përmban jeta vetë, dhe klishetë përkatëse: bozhuret, pllazet e dëborës, zjarri në vatër, zërat e hareshëm të fëmijëve. Por ky varg kaq i gjatë, për shkak edhe të mbylljes konvencionale, jep edhe efekt komik, paradoksal: duhet të jetë njeriu i pirë, dhe jo me kafe, që të ekzaltohet me një mbrëmje të tillë kaq të mërzitshme, duke bërë muhabet me një personazh i cili, në analizë të fundit, e ka për detyrë shtetërore të kapë a të vrasë njerëz që nuk i bëjnë keq kujt, por që kërkojnë të ikin prej burgut i të cilit ky është gardiani krenar.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi në mediat. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

19 Komente

  1. Pasi lexova disa herë poezinë, habitem se si një tekst kaq mediokër, parë me vëmendjen e duhur, flet kaq shumë. Ndoshta me të vërtetë poezia i ka kapërcyer edhe qëllimet e vetë autorit (vallë, a do ta kishte ribotuar në kohën e sotme?). Tani po ndryshoj mendim për tekstet mediokre. Vërteton shprehjen se edhe ora e prishur është e saktë dy herë në ditë. Por nuk mundem të mos vë re një çudi të madhe: gruaja e kufitarit po përgatit darkën, kërkon nëpër rafte (po ç’u kujtua të kërkojë, teksa përgatit darkën?), dhe prej andej dalin këpucët. Në raft të kuzhinës i ka futur këpucët?

        1. Te “gaze” ta kisha fjalën. A ishte grua (shkrimtarja) nga qyteti që me një lloj epërsie, qante hallin e kësaj shtëpiakeje të lënë pas dore (seksualisht ose jo)? Do kishte qenë pikëvështrim interesant… Megjithatë, po të ishte grua do të thoshte “nën hapat e gruas së tij”, se do distanconte të ngjashmen nga vetja. Hipoteza bie…:D

    1. edhe une ate mendova, Koli, por pastaj m’u kujtua se gjyshja nga Kolonja ne musender kish dysheke, karamele, fotografite e te motrave ne Amerike, vegla pune te gjyshit, velenxa, zinxhire te zinj per te varur kusite, jasteke mbushur me kashte, molle te thara, postiqe deleje, dhe trendeline.

  2. Hahaa Ardian. Rrofsh! E zbuluam më në fund një disidentI

    Por, më duhet të mos bie dakort me ju për dy vargjet e fundit. Ato dëshmojnë se autori përveç se disident është edhe profet. Hyrja e fëmijëve sinjalizon ardhjen e demokracisë

  3. Poeti tingellon jaran. Do ti bleje nje pale te kuqe. Me siguri do te jete nje nga ata te vraret ne kufi, femijet e te cileve rrojne ne shtepine e kufitarit.

    1. te dy shume intime, dhe s’te lene te largohesh kollaj. dhe te dy tragjike ne menyra te ndryshme. Te kapin mat dhe ua ben te afert personazhet dhe ua gjen te shkuaren e te tashmen, do s’do.
      Une besoj se si poezi ka nje gjuhe as te natyrshme e as te kerkuar, pa asnje lloj ritmi, pa puls. Por momenti poetik eshte i mrekullueshem dhe sensual. ajy hyrja e femijeve eshte me shume si harac qe duhej paguar, sesa si prishje e imazhit sensual

  4. Perpjekja e prozatorit per te pershkruar jeten me sakrifica te kufitarit e te gruas se tij, duket se zhvleresohet nga pyetja; ne cilen mobilje i ka vene gruaja e kufitarit kepucet e dasmes dhe pse ? Sidoqofte komandanti i nje poste kufitare ka qene oficer dhe me siguri nuk jetonte ne shtepi te tille, qe pershkruhet e ndertuar si hauri i lopes. Ne rast se autori vertet ka dashur te personifikoje Shqiperine me gruan e kufitarit, atehere dy rreshtat e fundit, shtrojne pyetjen ke kane baba shqiptaret?

  5. Faleminderit për analizën kritike. Pas leximit u rikujtova, se sa e trishtuar është mungesa e kritikës letrare të letërsisë shqipe, që fatkeqësisht mungon krejtësisht. Po përcjell më poshtë një mesazh privat që më erdhi, pasi i sugjerova shkrimin një mikeje:

    “… Nuk e di me qesh a me kja!
    Po na shkodrant jena kopila na met mendja te heroi lirik dmth viktima! Gruja e komandantit do te ket ken ******* [origjina e supozuar e fshirë prej meje], se jan shume qeflije. Sa here vishin per “vizit” meshkuj ajo bate te njejtin veprim, thote te njejten fjali, per me i gicilu fantazin seksuale, te meshkujve te asaj kohe! Bile edhe fmit e kishin per detyr me hi pikerisht ne at moment ne dhom, per me ja ba te kjart viktimes, qe i shoqi e kishte kry detyren biologjike me gru! Nuk po hi aq thelle, po na e gjej adresen e komandantit se na duhet!
    Edhe un te sugjeroj nji Film Belg fantastik „ das brandneue Testament“

  6. Dhe ja një efekt i papritur i poemës: heroi lirik, i ftuar për darkë nga komandanti i postës së kufirit, zbulon se amvisa e shtëpisë, gruaja e mikpritësit të tij, po lëngon në heshtje, ngaqë i shoqi nuk bën dashuri me të, nuk e trajton si “femër”, ndoshta për shkak të stresit që i sjell detyra e shenjtë. …”

    Sikur te jete e kunderta.Te syrgjynosur ne nje pike kufitare te privuar nga defrimet e tjera ,kinema ,teater etj seksi te ishte defrimi I tyre I vetem ?

  7. Ju,
    Qe neser do te vini.
    Me punet, grindjet tona
    Mos guxoni te talleni o te gjore.

    Nese kravatet i kemi pasur te zakonshem
    Varret do t’i kemi madheshtore.

    Ismail Kadare

    Perifrazim nga Poeme e Blinduar

    Eshte e veshtire te hamendesosh se perse miku i Vehbiut ka zgjedhur ti percjelle atij kete poezi “minimaliste”, aq me teper qe, sipas vete Vehbiut dhe shumices se komentuesve ketu, kjo eshte nje poezi e dobet, naive dhe me nje narrative mediokre, pa nerv dhe pa varg te perpunuar, pa ndjesira poetike te rafinuara dhe pa nje figuracion leksikor te spikatur.

    Veshtiresia e hamendesimit se perse miku i Vehbiut ja ka percjelle atij kete bicim poezie idilike per nje gjaksor dhe kriminel sic eshte ai oficeri i kufirit dhe folezes se tij familjare, shtohet edhe me shume nese merret parasysh se Vehbiu eshte nje personalitet i letrave dhe me shije shume te perpunuara ne pertypjen e poezise.

    Por, gjykoj, meqe jemi ne fushen e interpretimit dhe cfrenimit te fantazise, po i lejoj vetes te mendoj se derguesi e njeh prirjen, talentin, aftesine dhe kenaqesine e Vehbiut per te ndertuar, si nje paleontolog i specializuar i kohes se monizmit, nga nje eshter e vockel ne formen e nje vargezimi medioker, skeletin dhe veshjen e monstres diktature si dhe te deformimeve te krijeses se saj, “njeriut te ri”, qofte ky njeri oficer i kufirit, saldador a montator, minator apo naftetar, inxhinier digash te hidrocentraleve apo projektues bonifikimesh te Ultesires Perendimore te Shqiperise, mjek a mesues i katundit, agronom a bari i kooperatives, tornitor a punonjes i instituteve te albanologjise, historise a folklorit, taktorist apo balerin ne Ansamblin e Kengeve dhe te Valleve Popullore.

    Ketej rrjedh edhe egzaltimi i shumices se komentuesve, qe nga ata qe rivleresojne rendesine e kritikes letrare ne letersi, deri tek ata qe rizbulojne se si, nga kritika dhe analiza qofte edhe e nje poezie pa vlera, naive dhe mediokre, mund te perftosh persiastje estetike dhe kenaqesira te eperme meditimi,mund te kesh rastin qe nga nje pale kepuce me taka dhe nga zeri i zbutur i gruas se ofcerit te kufirit, te shijosh perfytyrimet “minimaliste” erotike te trekendeshit seksual.

    Narrativa dhe artikulacionet e Vehbiut ne analizen e tij kritike te ketij soneti pothuaj baritor, ku mbeshteten edhe spekulimet ideologjike dhe prurjet e xhveshura propogandistike te tij, kane dy boshte kryesore dhe ca pako variacione qe mbeshtillen rreth ketyre boshteve:

    1. Oficeri i kufirit eshte nje vrases dhe nje makine qe mban vendin te izoluar.
    Ai, madje as nuk e meriton nje fole familjare, as edhe nje vleresim per sakrificen qe ben.
    Ai nuk eshte nje ushtarak ne detyre, si gjithe ushtaraket ne detyre kudo neper bote, te cdo shteti, qe ne zbatim te detyres se dhene nuk ndalen para asgjeje, as para cfarosjeve dhe krimeve kunder njerezimit.

    Jo, ai eshte nje perfaqsues i diktatures ne postin e tij dhe, si i tille, eshte armik, i percmuar dhe i urryer nga Vehbiu.

    2. Gruaja e kufitarit, eshte ne nje depresion seksual sepse i shoqi, duke kryer nate e dite detyren e tij monstruoze, e ka lene pas dore dhenuk ka ka kohe t’ja plotesoje asaj nevojat e veta seksuale.

    Dhe, prandaj, vazhdon fantazine dhe spekullimin e tij frojdist Vehbiu nepermjet simbolikes se kepuceve te bardha me taka te holla qe te “cpojne”, asaj i meket zeri dhe flirton me te ftuarin e shtepise, eshte gati per nje romance, duke na krijuar keshtu trekendeshin seksual.

    Sigurisht, i nxitur nga ky sfond fantazish seksuale, dikush nga komentuesit, nuk ja perton te na sjelle edhe mesazhin pervers te nje mikeshe te tij, nje kopileshe, qe tallet me kete grua te gjore, me kete grua qe, te pakten, ka pasur dinjitetin dhe kurajon te ndjeke te shoqin atje ku e ka hedhur detyra.

    Dua me kete rast te kujtoj se, trekendeshat apo edhe katerkendeshat seksuale, te tjerre nga boshesia e jetes se cifteve dhe mungesat apo impotencat seksuale reciproke, nga deshirat per eksperienca seksuale shumeplaneshe, dhe perverse po te doni, jane prezente me shume se kudo neper apartamentet komode apo studjot e hapsirave urbane, sidomos ne vendet e civilizuara dhe demokratike, pakrahasimisht me izbat e kufitareve qofte edhe te vendeve nen diktature.

    Mund te vazhdoj edhe me gjate keshtu, mund te gjej pothuaj ne cdo paragraf te analizes se Vehbiut, spekullimin dhe paragjykimin me nje synim te qarte perbaltjen e nje kohe te perenduar ne Shqiperi, nje synim qe eshte lajtmotivi i shume persiatjeve dhe meditimeve tij.
    Edhe per dukuri qe kane egzistuar dhe egzistojne sot e gjithe diten, pothuaj kudo ne bote, pa perjashtim.

    Por, nuk dua te vazhdoj sepse druaj se do e rendoj repliken time dhe, pa te drejte, do te deformoj vleresimin tim te sinqerte per kontributin shumeplanesh te Vehbiut ne kulturen, publicistiken dhe mendimin kritik shqiptar.

    Pa dyshim, Vehbiu artikulon bukur frazen, e shtjellon fantazine ne nivele artistike,
    Pa dyshim, Vehbiy te rremben dhe me mjeshterine e tij, te ben te harrosh te ndalosh dhe te marresh fryme per te pyetur veten: A thua kjo eshte nje analize, nje kritike letrare apo eshte nje spekullim mjeshteror letrar, ku qasja paragjykuese ndaj nje periudhe kohore dhe aplikimi abuziv frojdjan, e kthen nje sonet narrativ naiv, gati-gati ne nje tabllo me gjak, me krim dhe me seks?

  8. Poezi e thjeshte por kuptimin e ka brenda. Jeta ne ato shkrepa dhe male nuk e ka egersuat kete grua te embel dhe te bute. S’behet fjale per mungese seksi. Futja e femijeve ne shtepi simbolizon lumturine familjare. S’ka egersi ne fjalet e gruas, ka vec mall per humbjen e bulevardit. Por kur femijet futen plot gjalleri, bulevardit dhe takave i’u bie vlera. Ne ate shtepi te thjeshte, mes malesh, diku, kjo grua eshte feminiteti vete…

  9. Vehbiu vendos nje paralele midis personazhit tek “ The Bridges of Madison County” dhe gruas ne kufi. Nuk dime a eshte kjo grua kufitari e ardhur nga shtresa e lexuar dhe e lemuar si personazhi ne film. Tek “ Madison….” ajo u martua me nje fshatar te mire, punetor, te ndershem, te pashem por me nje diference kulturore-intelektuale te madhe. Per hir te femijeve dhe ndoshta te tij, ajo s’u rebelua.
    Gruaja e kufitarit ka mall per qytetin. Nuk dime c’lidhje shpirterore ka me burrin, cfare interesash intelektuale ka.
    Shume zhurme per kete grua kufiri…

  10. Po kexoja nje interviste te W. Herzog Te The Guardian, e mu kujtua ky shkrimi e poezia. Lexo Ardian, dhe per ne qe nuk kemi kohe 🙂

    Ideally, he would be out on a shoot right now. Until then there are books. Herzog reads voraciously; he says that all the good directors do. It doesn’t even have to be great literature. His friend, the documentary maker Errol Morris, recently recommended that he read a real piece of crap. “It was a bad book by a failed lion tamer. His arm was bitten off by a lion. He wrote with the other arm. And it’s a wonderful book to read because you have to comb the content against the texture and it gives you fabulous insights into human nature. It is the same with trash movies, trash TV. WrestleMania. The Kardashians. I’m fascinated by it. So I don’t say read Tolstoy and nothing else. Read everything. See everything. The poet must not avert his eyes.”

Lini një Përgjigje te sokol.çungaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin