GABOVE, BESË!

nga Ilir Yzeiri

Ky konstrukt me dy pjesë i titullit, kjo sintagmë me një folje dhe një emër, formë elegante qortimi, është përdorur nga at Gjergj Fishta dhe i drejtohej një figure të dalluar të Rilindjes, Ministrit të Arsimit të kohës së Mbretërisë Shqiptare, zotit Hilë Mosi. Çfarë kishte ndodhur? Jemi në vitin 1932. Hilë Mosi është ministër arsimi dhe në emër të kësaj ministrie ka vendosur të bëjë reformën më të thellë – shtetëzimin e shkollave shqiptare dhe heqjen e subvencionit për shkollat fetare. «Hylli i Dritës» boton një editorial të gjatë me titullin «Rrymë të reja arsimore» ku jo vetëm kritikon këtë reformë, por paraqet një gjendje të zymtë të Shqipërisë mbushur me hajdutë, korrupsion e zvetënim moral. Hilë Mosi i kundërpërgjigjet me një shkrim tjetër në fletoren «Besa» të Tiranës dhe aty, në atë shkrim, ai nuk kursen asgjë dhe i fyen, i ofendon dhe përpiqet të zhbëjë krejtësisht punën, sidomos të artikullshkruesit, por, bashkë me të, edhe të klerit në përgjithësi. Arrogant, u jep leksione atdhedashurie dhe përparimi krejt klerit katolik. Ja si shkruan At Daniel Gjeçaj në librin e tij « Gjergj Fishta – Jeta dhe vepra »[1] :

 «Me Hilë Mosi-n Ministër Arsimi u shfaqën qartë simptomat e këtij plani dërmues. Filluen, nën mbrojtjen e tij të qesin krye dhe të marrin fuqi parimet antifetare e laike… Atë Anton Harapi, nën titull « Rrymë të reja arsimore » i tërhiqte vërejtjen, sidomos arsimit të kohës mbi rreziqe që vetë arsimtarët po i përgatitshin vetit e kombit me anë të njaj edukate shkollore, e cila s’ishte as e shëndoshë as shqiptare. Vetë ministri i përgjigjej këtij artikulli ndër rreshta të një letre, të cilën ai për fat posi person privat, e publikonte në fletoren e Tiranës, në «Besa» të 4 nandorit 1932. Në te e cilësonte autorin e kryeartikullit të Hyllit posi pesimist, shpirtzi, të sëmunë shpirtënisht e s’dij çka tjetër. Kësaj letre publike iu përgjegjë Fishta jo ma vonë se një muej mbas në « Hyllin e Dritës » (HD. 1932, fq 593-610), me atë « Letër e Hapun », të cilën opinioni publik i asaj periudhe e pagëzoi ma thjeshtë me denominativin e dy fjalëve të para, me të cilat niste vetë letra. «Gabove Hilë!» Asht kjo nji shprehje e nënvizueme shi në parathanien e polemikës e skalitun mirë posi fillim e mbarim i artikullit” (f. 142-143) .

Krahasimi gjithmonë çalon, thoshin antikët e vjetër dhe në këtë rast ju, zonja Besë, nuk kini asnjë lidhje me z. Hilë Mosi, aq sa mund të kem unë lidhje me Fishtën. Mirëpo, në karrierën time të gjatë si gazetar, sa herë që kam dashur të polemizoj me ata që unë i çmoj, sa herë që në vend të polemikës që djeg si acid, kam dashur të ndërtoj një polemikë me argumente, i jam referuar kësaj Letre të Fishtës që në memorien kolektive tonën ka hyrë me sintagmën « Gabove, Hilë! ». Mesa di unë këtë thënie Hilë Mosit ia ka shqiptuar Fan Noli, në një nga seancat e Parlamentit Shqiptar të vitit 1924 kur Mosi, ashtu i rrëmbyer nga zjarri patriotik, iu kundërvu atyre që i quante të vjetër dhe citoi gabim edhe një argument nga historia dhe Noli nga vendi ia pat: « Gabove, Hilë! » Edhe ju, zonja Besë, me reagimin tuaj në FB, në të cilin reagim ofendonit dhe fyenit pedagogët e universitetit që qortuan testin e maturës shtetërore në provimin e gjuhë-letërsisë, sipas meje, gabuat, u ngarkuat me më shumë patetizëm negativ sesa iu dikton posti që mbani dhe pozicioni si zonjë. Ju shkruani në Facebook:

«I kam ndjekur me shumë vëmendje mbireagimet e disa pedagogëve për provimin e Maturës Shtetërore. Kur e zhvesh këtë mbireagim nga petku politik dhe e adreson atë vetëm në aspektin e tij akademik, e kupton qartë se burimin e ka tek frika që këta pedagogë kanë ndaj kërkesave të kohës për një mësimdhënie dhe vlerësim shumë më të dobishëm se sa ai që ushtrojnë.»

Gjëja e parë që bie në sy në këtë tekst tuajin, është gjuha pak e drunjtë dhe një lloj kanosjeje e lehtë që ju u bëni pedagogëve të universitetit duke shpallur se ata paskan « frikë ndaj kërkesave të kohës për mësimdhënie dhe vlerësim shumë më të dobishëm sesa ai që ushtrojnë ». E thënë nga ministrja e Arsimit, një konstatim i tillë është pak i rëndë dhe do të duhej të shoqërohej me një ekspertizë. Ju nuk mund ta dini dhe nuk mund ta matni frikën në universitete sepse ato (universitetet) janë të pavarur dhe kontrolli mbi to bëhet në mënyra të tjera. E formuluar ashtu, është më tepër një kërcënim në distancë që nuk shkon me profilin tuaj.

Pjesa tjetër e tekstit tuaj ngre një çështje që për ata që nuk e njohin arsimin në Shqipëri, do të duhej të mendonin se në Shqipëri, arsimi parauniversitar ka arritur nivele aq të larta, sa edhe pedagogët e universiteteve nuk i kuptojnë dot.  Ju luani me një sofizëm sepse thoni që « studentët nuk e zgjidhën dot sipas hamendjes që bënte një pedagoge, por nxënësit e zgjidhën. » Mirëpo, pikërisht pse nxënësit nuk e zgjidhën, pikërisht pse ata dolën duke qarë nga ai provim, pikërisht pse ata u mblodhën para ministrisë dhe protestuan, pikërisht pse në ligjërimin urban u fut edhe « Turi », pra pikërisht pse ai test prodhoi edhe satirë e karikaturë, në të u përfshinë të gjithë. Ju nuk zgjodhët të ishit në anën qoftë edhe të një nxënësi apo edhe të një pedagogu që e qortoi atë test. Përkundrazi, i ikët debatit dhe i paraqitët të gjithë ata që e kundërshtuan atë test si njerëz të manipuluar nga politika dhe si frikacakë. Kjo më duket se përsëri nuk shkon me formatin tuaj si ministre. Aq më tepër të bësh diversion mes arsimit parauniversitar dhe atij universitar, nuk më duket një gjetje e qëlluar për të trembur ata që mendojnë ndryshe.

Zonja Besë!

Nuk doja që të polemizoja me ju për shumë arsye. E para, kam besuar se formimi juaj kulturor e atdhetar do t’ju shfaqte më të përkorë, të paktën në komunikim. Me këtë reagimin tuaj agresiv dhe fyes ndaj atyre profesorëve të universiteteve që e qortuan me fakte testin e gjuhë-letërsisë dhe, veçanërisht, dy zonjave të nderuara dhe dy nga pedagoget më të afta që kanë universitetet shqiptare sot, Teuta Toska dhe Lili Sula, ju, sipas mendimit tim, keni shkelur në një dërrasë jo të fortë për të mbajtur atë artikulim tuajin. Më lejoni që të hap një parantezë pak më të gjerë duke besuar se do ta mirëkuptoni shqetësimin dhe mërzinë që ka shkaktuar në një rreth të gjerë intelektualësh ai reagimi juaj. Ju jeni emëruar në krye të asaj Ministrie pa pasur lidhje konkrete me kontekstin tonë, pra, vini të drejtoni arsimin shqiptar pa bërë asnjë ditë shkollë në këtë vend. Më shumë i ngjanit një ëndrre romantike që ka në bazë atë epokë që e ëndërrojmë të gjithë, kur Shqipëria e Kosova të jenë një shtet e të kenë një ministri arsimi. Ju, pra, në një farë mënyre i keni paraprirë kësaj romantike. Mirëpo, në rastin më të parë ju e lëshuat veten dhe e harruat këtë përmasë dhe u përfshitë në fyerje e në stilin e ligjërimit politik shqiptar, për fat të keq, njësoj në të dy anët e kufirit, duke treguar me këtë rast një agresivitet të pajustifikuar. Mirëpo përpara se të fyenit pedagoget e universiteteve të Shqipërisë, ju, zonja Besë,  do të ishte mirë që të mbanit në vështrim edhe këtë përmasë.

Mendoj se reagimi juaj ishte i nxituar, i pamatur dhe jashtë profilit që ju përfaqësoni. Për mua është e pakuptueshme se si mezi pritët që të tregoni një lloj agresiviteti të fshehur të cilin nuk e kuptoj se nga ka zënë vend në vetëdijen tuaj. Ju e lypët me çdo kusht që zemërimi i sinqertë i maturantëve që u shqetësuan me testin e gjuhë-letërsisë, të politizohej, por ai nuk u politizua në asnjë çast. Ndaj tij reaguan jo vetëm dy pedagoget e nderuara, por edhe autorë ekspertë dhe intelektualë publikë te Peizazhe të fjalës, me kredencialet të pacen, pa folur për reagime të tjera njëlloj dinjitoze gjetiu, nga njerëz që u dhimbset shumë arsimi në Shqipëri : pasionin nuk e garanton një emërim qeveritar çfarëdo !

Maturantët dhe studentët shqiptarë protestuan fuqishëm para disa vjetësh dhe ju e dini mirë se çfarë ishte ai manifestim, sepse e kishte zanafillën poshtë dritares suaj. Deklaratat politike të opozitës janë një gjë normale në demokraci dhe ju veç do të përfitonit, po t’i ndanit ato deklarata nga shqetësimet e opinionit publik, të arsimtarëve dhe të pedagogëve dhe të intelektualëve dhe ekspertëve të ndryshëm.

Tani dua të them dy fjalë për reformën kurrikulare që ju e mburrni aq shumë sa ajo, gjithë sipas jush, nuk po kuptohet as nga profesorët e universiteteve, madje i ka kapërcyer edhe ata. Në këtë rast, për ta shtensionuar pak situatën, po ju citoj një fragment nga letra e Fishtës për Hilë Mosin, sepse më duket se shkon, në kuptimin që optimizmi juaj të mallëngjen aq shumë, sa mundet njeriu edhe të qajë nga gëzimi. Ja si thotë Fishta : … « ju optimist dhe optimist fort… sa me thanë nieri kur u shef tue dalë prej ministrijet a prej çdo vendit tjetër po vall, ky si nuk i futka gishtat në vesh e s’ia niska kangës së madhe ashtu « maje krahit » mbasi bejta qet edhe vetë » (HD, Gabove Hilë ! 1932, nr 12. F 14).

Zonja ministre!

Reformën kurrikulare, të paktën në lëmë të gjuhës e të letërsisë, e njoh mirë, madje këto mendime që do t’ju shpreh këtu, i kam thënë edhe në një takim të zgjeruar që kemi bërë në mjediset e QSHA-së para dy vjetësh. Eureka e atyre që e mbrojnë atë janë «kompetencat». Me anë të tyre, kurrikulat synojnë që fëmija ynë të fitojë në lëmë të gjuhës në shkollën e mesme këto « kompetenca »: « Të folurit për të komunikuar dhe për të mësuar. – Të dëgjuarit e teksteve të ndryshme. – Të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale. – Të lexuarit e teksteve të ndryshme. – Përvetësimi i rregullave gramatikore, drejtshkrimore dhe të pikësimit. »[2]

Nëse e lexon gjithë përmbajtjen e tekstit për këtë lëndë, të krijohet përshtypja se synimi i kësaj kurrikule është të përgatisë një fëmijë ashtu si Lej Feni në Kinën maoiste, sepse « kompetencat » nuk shoqërohen edhe me tekste që do të duhej të ishin ndërtuar sipas programeve që reflektojnë dijet moderne në lëmë të komunikimit, teorisë së tekstit, pragmatikës, medies, narratologjisë për të kapërcyer kështu prapambetjen tragjike që kanë disiplinat e kësaj fushe te ne për shkak të izolimit disavjeçar dhe të traditës së sociologjizmit vulgar prej së cilës nuk po shkëputemi dot. E supozojmë se ato qindra faqe që përshkruajnë se si arrihen «kompetencat», janë të sakta nga ana pedagogjike, po nga ana shkencore e dijes çfarë u mësohet fëmijëve apo nxënësve tanë. Po e ilustroj me një shembull këtë që thashë. Një nga «kompetencat» është të aftësohemi për të folur që të komunikojmë dhe që të mësojmë. I ftoj të gjithë ata që merren me semiologji që të ma zbërthejnë këtë thënie. Nuk dua të përfshihem në debat më tej, vetëm se dua t’ju kujtoj, zonja ministre, se kurrikulave u mungon thelbi shkencor. Fëmijët tanë nuk e dinë se çfarë është komunikimi, nuk dinë se çfarë është thënia dhe cilat janë funksionet që merr gjuha në ligjërim, fëmijët tanë nuk kanë asnjë nocion për llojet e teksteve sepse ato njohuri që u jepen në tekstet tuaja janë të sipërfaqshme dhe ngatërrojnë esenë me tekstin. Si i fiton ato «kompetenca » nxënësi në shkollë, me cilat tekste, me cilat teori? Ajo shkollë që thoni ju se nuk po kuptohet nga universiteti, mbështetet në përvojën empirike të mësuesve që bëjnë punë titanike nganjëherë që të mbyllin gollet që kanë programet dhe tekstet që miratoni ju. Dhe në vendin tonë, siç e keni vënë re, nëse keni pasur vëmendje,  zotëron një ligjërim që mbështetet në format banale të rrëfimit delirant të botës sipas egos së sëmurë të gjithsecilit që e merr fjalën në publik.

Besoj se e keni vënë re, zonja ministre, që në vendin tonë, por edhe në Kosovë mungojnë shkollat e mesme klasike, ato që do të duhet të përgatisnin studentë edhe në fushat e latinishtes, greqishtes së vjetër apo të dijes mesjetare. Studiuesit tanë të albanologjisë po largohen gjithnjë e më shpejt nga kjo atmosferë toksike, teksa mejdanin ua kemi dorëzuar pellazgologëve dhe të mbijetuarve të Atlantidës, që bëjnë ligjin edhe në studiot televizive me fantazmagoritë e tyre. Unë do të isha vërtet entuziast, sikundër ju, nëse në kurrikulat e arsimit parauniversitar do të ishte edhe formimi në shkolla të veçanta i fëmijëve tanë të talentuar edhe me këtë dije. Pastaj këtë punë ta vijonim edhe më lart. Ju e dini, ashtu si unë, se dija mbi origjinën e gjuhës, kombit dhe ajo mbi kulturën që kanë trashëguar shqiptarët, nuk do të shuhet kurrë. Për këtë do të ishte mirë të hidhej një vështrim te kurrikulat e fqinjëve tanë për të parë se sa rëndësi i kushtojnë ata kësaj ane të dijes.

Mirëpo, në vend që debatin ta kishit drejtuar në këto përmasa, ju, zonja ministre, për fat të keq, fyet pedagoget tuaja dhe i akuzuat ata që ju kundërshtonin se po bëjnë politikë. Ju nuk kishit përse kërkoni ndjesë, por si nuk u gjend një nëpunës burokrat nga vartësit tuaj që ta bënte një gjë të tillë ? Do të kishin mjaftuar vetëm lotët e një vajze maturante në televizion që dikush, ndoshta edhe pse nuk kishte bërë asnjë gabim, të kërkonte ndjesë. Unë vetë mendova se ju, kur ta merrnit fjalën në publik, ashtu si në daljet gjatë pandemisë që ishit e saktë dhe konstruktive, do të kishit në krah një nëpunës që të kërkonte ndjesë. Mirëpo ju i frymëzuat ata me shembullin tuaj që të tregoheshin agresivë, arrogantë dhe të pandjeshëm. Për këtë mendoj se ju shkon ajo sintagmë e Fishtës: Gabove, Besë!

 

© 2020, Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Biblioteka Françeskane « At Gjergj Fishta », Kolana e shkrimtarëve françeskanë, AT DANIEL GJEÇAJ, GJERGJ FISHTA- JETA DHE VEPRA, Botime françeskane, Shkodër 2007, faqe 142-143.

[2] https://ascap.edu.al/ëp-content/uploads/2019/01/Gjuh%C3%AB-shqipe-3.pdf

Rreth Autorit

Prof. dr. Ilir Yzeiri ështe pedagog i letërsisë shqipe të realizmit socialist dhe i komunikimit në Universitetin A. Xhuvani në Elbasan. Jeton prej vitesh në Tiranë dhe është gjithashtu një nga gazetarët e njohur të vendit. Ka botuar librat “Poetika” (Tiranë, 2000), “KADARE, AGOLLI, ARAPI- figuracioni në poezinë e viteve '60” (Tiranë, 2011). Ndërsa libri i tij i fundit “Semiopragmatika e realizmit socialist” ( Tiranë, 2013) është pjesa e parë e një serie me studime për realizmin socialist në Shqipëri. Pjesa e dytë e kësaj serie doli në janar të vitit 2020 me titullin “Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri”, Botime ÇABEJ . Po në janar të vitit 2020 ai ka botuar edhe monografinë “Erosi & Thanatosi në mjerim – Një vështrim semiologjik për romanin Lumi i vdekur të Jakov Xoxës.”

Author Archive Page

22 Komente

  1. Ne fakt, zonja ministre nuk duhej te prononcohej fare ne publik. Se pari duhej te dilte dhe te mbronte testin drejtuesja e institucionit qe e ka hartuar ate, konkretisht drejtuesja e tij, znj. REZANA VRAPI. Se pari sepse eshte pergjegjesi direkte institucionale e saj, se dyti se nuk i mungon pervoja shumevjecare ne punen e hartimit te testeve te letersise edhe thjesht si redaktore, pastaj si specialiste e tani si drejtuese e atij institucioni. Mesa i kam ndjekur debatet, ajo thjesht eshte pyetur thjesht sikur te ishte nje nder specialistet e fushes, aspak si pergjegjesja direkt e nivelit shkencor e pedagogjik te testit konret. Thjesht ka fshehur koken si struci, eshte nje nder aftesite dhe kompetencat kryesore te saj.
    Ministrja nuk eshte specialiste per zbatimin e standardeve dhe kritereve te Programit te pergjithshem te letersise, per formulimin e rekomandimeve dhe ndertimin e strategjive te mesimdhenies /-nxenies, si dhe per hartimin e testeve dhe kontrollit te pervetesimit te dijeve dhe aftesimin sioas kompetencave tek nxenesit me ane te tyre. Ne komisionin e specialisteve te ministrise per keto probleme, ben pjese dhe ajo vete. Pra, eshte shume e cuditshme dhe hileqare qe personi, i cili mban pergjegjesi direkte per keto mangesi te vena re, nuk preket aspak ne ligjerimin publik, nuk prononcohet, nuk perballet, nuk mban asnje pergjegjesi publike! Marrja e kesaj pergjegjesie dhe prononcimi qofte per te mbrojtur punen e institucionit te vet, qofte per te pranuar gabimet e mundshme, do te bente te njohur publikisht kapacitetin e saj si specialiste e letersise ne kete institucion qe nga koha kur kane filluar per here te pare te behen provimet e Matures Shteterore.
    Nisur nga ky moment, pra, nga momenti qe goditja e maturanteve, e pegagogeve dhe e opinionit u drejtua vetem ndaj ministres Shahini, ceshtja u be politike, thjesht sepse pozicioni i ministrit eshte politik, jo profesional e teknik. Pervec kesaj, po te shohesh me pak vemendje emrat e prononcuar vetem te listes se pedagogeve kunder testit dhe kunder ministres, pa veshtiresi ve re se jane te njejtet “armiq” te perhershem POLITIKE ANTI-PS KUNDER strategjise se arsimit, kunder programit te universiteteve, kunder kritereve te zgjedhjeve ne universitete, kunder teatrit te ri, kunder teksteve te reja, kunder cdo gjeje qe ben qeveria e majte! Pra jane nje grupim apo FORCE SULMI e perhershme ANTI-PS, qe mbajne si mburoje te qenet pegagoge dhe titujt e tyre akademike, sado qe ka shume te tjere qe ua kontestojne edhe ato…
    Mundet qe pergjigjja e znj. ministre nuk ishte me e mira e mundshme, por qe te ishte edhe ajo politike, kjo eshte plotesisht e justifikuar. Sepse: se pari sulmi ishte politik, i fshehur pas akademizmit, dhe se dyti sepse ministrja perfaqeson nje person politik ne ate post, pavaresisht se arsimi eshte i depolitizuar.

    1. Pervec kesaj, po te shohesh me pak vemendje emrat e prononcuar vetem te listes se pedagogeve kunder testit dhe kunder ministres, pa veshtiresi ve re se jane te njejtet “armiq” te perhershem POLITIKE ANTI-PS KUNDER strategjise se arsimit, kunder programit te universiteteve, kunder kritereve te zgjedhjeve ne universitete, kunder teatrit te ri, kunder teksteve te reja, kunder cdo gjeje qe ben qeveria e majte!

      Me argeton pa mase ky koment, sidomos nese ke parasysh artikullshkruesin, i cili ka shkelqyer tek tuk edhe si avokat i Rilindjes, sic qe rasti i shembjes se teatrit tani se fundmi. Biles u surprizova nga ky qendrim i shkoqur per problemin e testit. Prisja ndonje reagim alla Sander Lleshaj, po ta kisha paragjykuar nga pozicionet e kaluara. E kote te pretendohet se ka FORCE SULMI, kur nje dore personash angazhohen dhe ngelin ne klase Besen dhe lukunine e saj per mungese kompetencash. Keta kot kerkojne modernizimin ne arsim kur as vete nuk jane ne gjendje te shkojne pertej mesimit permendsh.

  2. Edhe une mendoj se ministri nuk duhet te dilte fare te prononcohej.
    Prononcimi i Ministrise eshte vete puna e saj. Mbase heres tjeter behet me mire, por sot per sot produkti final eshte, sic ta thote llafi-final, dhe asnje lloj prononcimi nuk mund ta ndryshoje.
    Vendimet e agjencive shteterore e kane kete vecori. Jane finale, megjithese jo edhe perfekte.
    Ankohu, por eshte pune e kote qe ta vesh ne dyshim legjitimitetin e agjensise, vendimeve dhe produkteve te saj.
    Eshte gjithashtu pune e kote perpjekja per te qene pale.
    Nuk je!
    Packa se mund te jeshe “i fushes “. Packa se pretendon se nuk kerkon te jeshe pale.
    Qe ne momentin qe e shfaq opinionin tend dhe pastaj ja mban per te madhe tjetrit pse nuk pergjigjet, ti kerkon te jeshe pale.
    Pune e kote.

    1. Interesant kendveshtrimi, nqs qeveria e menderos, hesht se s’ke ca ben. Ne fakt, nqs qeveria e menderos teorikisht dhe rrallehere praktikisht, qeveria perfundon ne halen e gomares, kurse me shpesh humbet zgjedhjet. Keshtu qe nuk eshte ekuacioni aq i thjeshte, sa ne kohe te dulles dhe nuk jane te gjithe dele si njerezit e kohes se dulles

  3. Sot kishte shkruar ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj (me cilësinë e qytetarit) në mbrojtje të ministres së Arsimit.

    http://www.gazetatema.net/2020/06/22/per-besen/

    Akuzonte kritikuesit si “burra që janë bashkuar” kundër znj. Shahini, por që janë më shumë përgjegjës se ministrja, për gjendjen ku ndodhet “arsimi shqiptar” (lapsus për “arsimi në Shqipëri”).

    Supozon se “Besa sulmohet se është një rast ndryshe: nuk ka studiuar në Shqipëri, nuk është nga Tirana, tingëllon pak gegnisht kur flet, vjen nga Kosova…”. Vetëm këto janë mëkatet e saj, thotë z. Lleshaj.

    Nuk e pranon që kritikat mund t’i bëhen ministres edhe nga ata që besojnë se ajo ka gabuar.

    Kundërvënien ndaj saj e ngatërron me çështje të identitetit.

    Ata që “shajnë Besën për provimin e Maturës Shtetërore” i quan “skizofrenë.”

    Shpjegon se ata që e kanë shkatërruar arsimin në Shqipëri nuk kanë gojë të kritikojnë sot ministren, e cila përpiqet të modernizojë sistemin.

    Thotë se “Besa kërkon një shkollë ku nxënësit dhe studentët të mësojnë si të mendojnë dhe jo çfarë të mendojnë, një shkollë që frymëzon dhe jo një shkollë që indoktrinon.”

    Shumë mirë: ja një platformë mbi të cilën mund të diskutohet. Sepse ministrja Shahini mund ta ketë “të mirë” objektivin dhe megjithatë të ketë dështuar në mënyrën si përpiqet ta arrijë.

    Nëse kritikohet mu për këtë dështim, atëherë ç’hyn këtu gegnishtja, apo që është grua dhe nga Kosova, dhe që ka studiuar jashtë? Ç’kuptim ka të thuash që “si kosovare ajo është po aq, në mos edhe më shumë, shqiptare se ju”?

    Nuk kam dëgjuar që ministres Shahini t’i vihet në diskutim “sa shqiptare” është. Mund t’i jetë përmendur mungesa e eksperiencës me arsimin në Shqipëri.

    Po ashtu, cilësinë e kosovares ministres Shahini nuk ia dhanë kritikuesit e saj, por më parë mbështetësit e saj – shumë qytetarë, nga të dy anët e spektrit politik, gjykojnë se ajo u emërua në atë post si ngaqë ishte nga Kosova. Me sa të drejtë?

    Në rrethana normale, në krye të ministrisë së Arsimit duhej të ishte emëruar një specialist me përvojë nga arsimi në Shqipëri. Aq më tepër që arsimi në Kosovë nuk është dhe aq më i përparuar se ai në Shqipëri.

    Që të sjellësh diçka të re, që ta modernizosh sistemin, duhet ta njohësh dhe ta dish ku çalon. Edhe po të pranojmë se znj. Shahini ka vizion shumë të qartë për ku duhet të synojë arsimi publik në Shqipëri, asaj mund t’i mungojë njohja e sistemit ekzistues.

    Siç mund t’i mungojë aftësia për të seleksionuar ekspertë të zotët, që ta ndihmojnë. Si mund t’i seleksionojë, kur nuk ka punuar më parë me ta?

    Sa e lidhur ka qenë ministrja me arsimin në Shqipëri, para se të emërohej në atë detyrë?

    Janë pyetje legjitime, që mund t’i bëjë kushdo. Madje edhe SKIZOFRENËT, që meritojnë të mbrohen ndaj abuzimeve po aq sa gratë, folësit e gegnishtes dhe kosovarët që përmend z.Lleshaj si “pakica”.

    Te shkrimi i z. Yzeiri më lart ministrja dhe politikat e dikasterit të saj kritikohen me argumente të fushës, jo me pasion dhe anësi politike. Do të ishte mirë që mbrojtësit e znj. Shahini të merreshin me këto argumente, në vend që të harxhonin kot fishekë me “viktimat dhe autorët e një sistemi të dështuar.”

  4. Iliri nuk u pergjigjet kritikave ketu, cfare shkon kunder filozofise se Peizazheve per nje komunikim te njerrafshem ndermjet autorit dhe lexuesit, andaj u mata dy here te shkruaj.

    Megjithate, se pari krahasimi me rastin e Hil Mosit pa kurrfare konteksti, apo relevance, me ceshtjen, eshte nje perpjekje per gaslighting: lexo A. vehbiun se c‘eshte kjo ne komunikim. Per rastin ne fjale Shqiperia ka nje vendim te gjykates se te drejtave te njeriu te lejoje shkollat, sidomos ato te pakicave, cfare synonte edhe ky ligj te mbyllte.

    Se dyti, kurrikulat hartohen me konsulence nga pedagoge universiteti. Ka me siguri nje vendim ministri te kene perfshire se paku nje. Keshtu ka qene te IZHA para disa vitesh, besoj se eshte ende.

    Se treti, sulmi ndaj Vrapit eshte thjeshte per te ndihmuar partine, scapegoat. Duhet injoruar.

    Meqe ka qene gazetar, mire ish qe Autori ti mbahej zejes se vete, e te fliste per gabime ne komunikim, pa i hyre kritikes se permbajtjes. Sic thote gjermani, kepucar qendroi zanatit.

    Se treti, se perse doi hynte ne pune shkollimi ketu, sikur autorit ne Elbasan, vec ai e di. Shqiperia pajton me qindra keshilltar te huaj, e nuk u themi te bejme shkollen tone, edhe pse pas disa ditesh e jete nate, keta behen si te jeshin lindur ketu.

    E ndjej te nevojshme te flas, me shume per te balancuar debatin ketu. Disclaimer: nuku jam nga ata te bodrumeve 🙂

    1. Po mendoja të njëjtën gjë për krahasimin me Hilë Mosin, si për të dhënë përshtypjen sikur kjo ministre ka ndonjë lloj agjencie, siç mund të ketë pasur Mosi. Fakti që këto u përgjigjen vetëm kritikave politike, dhe anashkalojnë çdo përgjegjësi profesionale flet shumë për statusin e tyre.

      Mund të jetë përpjekje e sinqertë t’i drejtohesh Besës, por mbetet fallco gjithësesi përsa kohë ajo është thjesht kukull, dhe të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për këtë status.

      1. une vazhdoj ti meshoj se problemi eshte sulmi personal. Une nuk e kuptoj kete ti pervishesh ministres gjanem… edhe pse kjo e ben lehte veten tabele qitje … metode e vjeter kjo pune, dili zot punes tende edhe kur te komandojne te tjeret, qe te te djegin e flakin tutje.

        Une them se duhet ta kish ilustruar kritiken p.sh. me veten. Si e gjykon ky nga praktika mesimore vetjake, nga filozofia e tij e mesimdhenies, nga ndonje fillozofi a ndonje ideologji qe e perdor si premise ne argumentet e veta, gjithe kete diskutim? Shkurt, ka ndonje shembull qe mund ta percjelle ketu konkretisht, nje bisede ne klase, nje ese e nje studenti qe ky e ka frymezuar, nje trajtim pedagogjik apo didaktik qe ky keshillon, si projekt kundershtues – (anti-hegjemonial do thoshte nje neogramscian, E. Qesari)?

        e ne fund studentet jane ata qe habiten me Fugen, Tarifen & Co. Keni degjuar per ndonje student te tyre? Cfare trashegimie kane keta, jo patjeter ne shkolla mejtimi, por ne njerez? Me duket se ish diku nje student i Fuges, qe filloi te publikoj qe gjate studimeve master… C’behet ky fillozof i frymezuar jo nga mendimi fillozofik i Fuges, por nga zelli i tij per te prodhuar libra? Ka ndonje gje te thote ky per shkollen, per dijen?

        1. Shkrimi nuk më duket si sulm personal. Përkundrazi, është një shkrim që kërkon mirëbesimin e atij që kritikohet. Asgjë të keqe nuk ka këtu. Përveçse, kjo përqasje do ishte normale sikur mos të dihej plotësisht se nuk ka gjë mirëbesim tek Besa, apo tek ndonjë tjetër ministër i rilindjes. Qëndrimi i saj nuk është gjë i ndryshëm nga ai i ndonjë komentuesi këtu, që edhe të drejtën për ta diskutuar problemin e vënë në diskutim. Këtyre nuk u kërkon dot gjë mirëkuptim, sepse përndryshe të vënë në lojë. Shahini nuk dëgjon nga ai vesh, por, duke i folur, thjesht krijohet iluzioni sikur po të dëgjon.

          Në Shqipëri ka një shoqëri civile që po luan rolin e Bashkimeve Profesionale si në kohë të Adil Çarçanit, që bënte sikur ishte opozita e Partisë së Punës. Prandaj i ke edhe gjithë këto trolla këtu tek PF. Edhe emrat i kanë si të asaj kohe.

        2. Shkruan:

          une vazhdoj ti meshoj se problemi eshte sulmi personal. Une nuk e kuptoj kete ti pervishesh ministres gjanem

          Po të ishte “sulm personal”, shkrimi nuk do të ishte botuar te Peizazhet. Por një ministre paguhet edhe për t’u ekspozuar personalisht, ndaj kritikave të publikut dhe në mediat, për veprimtarinë e ministrisë që drejton. Si institucion, ministria është e gjitha në dispozicion të ministrit.

  5. Në lidhje me komentet që i bëhen shkrimit tim, mendoj se në komentin e Fuka-Erit janë sqaruar mirë të gjitha dhe nuk kam çfarë te shtoj tjetër. Me qenë se një komentues i jo-bodrumeve (Durimpaku) po më kërkon t’i pergjigjem, dua të them ketu vetem kaq: me anë te ilustrimit me Hilë Mosin, nuk kam dashur të sugjestionoj askënd aq më pak ata që nuk e dinë historinë e përplasjes mes Hilë Mosit e Fishtës. Kam dashur të theksoj sintagmen “Gabove Hilë”, te cilën dikush nuk e ka kuptuar. Sa per keshillën që te lexoj Vehbiun kete e kam per nder sepse ka mbi 30 vjet, qe nga koha kur ishim bashkë studentë që e lexoj me shumë vëmndje dhe kënaqësi. Ndërsa ne lëmë të komunikimit, edhe Ardi ka një libër të përkthyer nga unë me titullin “Hyrje në teoritë e komunikimit” (478 faqe) që e çmon shumë. Unë jap lëndën e teorive të komunikimit prej disa vjetësh dhë letërsinë gjithashtu. Ndaj nuk e di kush duhet te merret me kundrat, sepse une kam vite që merrem me gastlighting po të perdorja ne kuptimin e pare punen e gazetarit.

    1. Ju faleminderit per pergjigjen.

      Disclaimer: u bera si pare e kuqe ketu e kam pune te tjera, por nuk mund te heshti edhe kur pellitja e polic Sandrit degjohet ca me shume.

      Ju thoni: “Gjëja e parë që bie në sy në këtë tekst tuajin, është gjuha pak e drunjtë dhe një lloj kanosjeje e lehtë që ju u bëni pedagogëve të universitetit duke shpallur se ata paskan « frikë ndaj kërkesave të kohës për mësimdhënie dhe vlerësim shumë më të dobishëm sesa ai që ushtrojnë ». E thënë nga ministrja e Arsimit, një konstatim i tillë është pak i rëndë dhe do të duhej të shoqërohej me një ekspertizë. Ju nuk mund ta dini dhe nuk mund ta matni frikën në universitete sepse ato (universitetet) janë të pavarur dhe kontrolli mbi to bëhet në mënyra të tjera. E formuluar ashtu, është më tepër një kërcënim në distancë që nuk shkon me profilin tuaj.”

      Dakord, qe kete sulm ndaj universitetit ju ndoshta e lidhni me konfliktin e UT me Edi Ramen qe prej 2014, edhe pse ai i rreshtoi ne nje salle Dhorin me shoke dhe diti ti trullose, sikur studentet ne rruge etj. Por per te dale jashte kesaj gracke te komunikimit, ku kritika, dukshem me premise politike, zhvillohet ne lemin e kurrikules se universitetit dhe metodave te vleresimit te performances akadamike, ju duhet te qendroni pikerisht te permbajtja, e jo ta delegjitimonit tezen e ministres. Eshte e kot te zgjatem, por ministria e arsimit ka akses ne vleresimet e akreditimit, ne vleresimet e studenteve per universitetet, pedagoget etj., qe deri dje jane zhvilluar nga Agjencia e Akreditimit. Gjithashtu, shteti eshte i investuar ne arsimin e larte dhe ka te detyre/drejte te kritikoje se largu, pa nderhyre ne lirine akademike, qasjet e ndryshme metodike, dhe ministria e arsimit ka ekspertizen per ta kryer kete detyre e te drejte. Sa i perket frikes, kush me mire se ajo i di letrat qe i vine nga pedagoge per pushime te padrejta nga puna, luftera personale ndermjet departamenteve e pedagogeve? Te gjitha shkojne te ministri, si femija te prindi. Te gjithe duan ta perdorin autoritetin e saj.

      Dmth., se pari, ka nje rrafsh diskursi ketu qe per publikun jashte nuk eshte i qarte. Psh. cfare eshte ky kercenim? Kujt i sherben? Cfare nenkupton etj. Une nuk e shoh veten time audience te mesazhit tuaj. Nuk i kuptoj keto kercenime. Teuta siper ka qartesuar disa pozicione, sikur edhe Eri, e behet fjale per sulme politike, por drejtuar nje eksperti te edukimit qe kerkon te identifikoje metodat, qasjet e te tjera koncepte ne sherbim te permiresimit te mesimdhenies dhe vleresimit, keto jane llafe boshe… shkurt, une e shumekush jashte shtetit, qe nuk i ndjek debatet televizive ne vend, nuk i kuptojme keto nenkuptime.

  6. Nese Durimpakut do t’i duhet që ta përdorë herë tjetër shprehjen shqip “kundraxhi rri te kundrat”, po ia jap dhe latinisht që të bëj përshtypje më shumë e të duket pak gaslight . “Sutor, ne ultra crepidam”

      1. Dakord po si thote T Roosevelt:
        “ It is not the critic who counts; not the man who points out how the strong man stumbles, or where the doer of deeds could have done them better. The credit belongs to the man who is actually in the arena,…”

        1. Dhe unë do t’i thoja T Roosevelt-it: I beg to differ, sir. Ndërsa Albës: je duke folur kot më kot. Ky muhabeti për “strong man” ka nja një shekull që bie erë naftalinë (të paktën). Apo mos e ke fjalën për ministrin Lleshaj?

  7. Si i interesuar ne fushen e edukimit, mendoj se nuk mund te kete progress ne arsim deri kur konkluzionet bombastike si “GABOVE, BESË!”, te zevendesohet me “Pune e mire, por ka vend per permirsime”, pa pike cuditese (!). E kisha fjalen me teper per pjesen kurrikulare te kritikes. Dhe ne kte aspekt, nuk besoj se kam nevoje te kujtoj se nje nga mesimet e para te Komunikimit efektiv dhe te Mesuarit eshte “How to give feed-back”, (ndjese per mos shqiperimin) qe duhet te debatohen neper salla universitetesh dhe jo ne rruge dhe ne ambiente publike.

      1. Ardian, e shikoj që paske ngel gjithë natën zgjuar për tu dhënë përgjigje shokëve të Bashkimeve Profesionale, dhe kritikave të tyre konstruktive: si duhet të ishte titulli; kush janë nevoja për formulimin e testeve nga posht lartë; çfarë duhet të përmbajë një kritikë letrare; etj.

        Shumë lart ia kan ngritur stekën këta Pejzazheve të Fjalës.

      2. Absolutisht..jam dakord Ardian, dhe kjo eshte padyshim nje nga forcat e Peisazhe te Fjales. Sidoqofte nuk eshte cudi te dali tek tuk ndonjeri qe ka nostalgji subkoshiente per gjyqet publike dhe flete rrufe-style te menyres se trajtimit te problemeve. Shpresoj qe mendesia “all or nothing” te zbehet..por do kohe ..e kuptoj.

  8. Me duket se cdo problematike qe ngrihet ne shoqerine civile shqiptare e merr pergjigjen ose nga llogorja politike ( e ka thene armiku i klases per te hedhur balte mbi pushtetin) ose akoma me keq nga llogorja personale ( e thote se e ka inat) Kjo as nuk e ngre nivelin e diskutimin e as nuk con gjekundi. Per ministren, pa hyre ne detaje mendoj pozicioni qe mban ka funksion te dyfishte si politikane dhe si teknike. Si politikane i takon te pergjet sepse per ate pune i ka marre votat , si teknike i takon te pergjigjet sepse per ate pune paguhet ( nga taksat) . Persa i perket testit, une nuk jam studiuese e shqipes etj etj, po mjafton syri i nje shqipfolesi te zakonshem te dalloje se te pakten teksi eshte nje shqiperim ( i keq) i nje teksi te huazuar nga aglishtja. Plot fjale te huaja dhe fjali te ndertuara keq. Persa i perket metodave te reja ne mesimdhenies e gjuhes, pershtypja ime eshte se keto vitet e tranzicionit reformimi i arsimit perfshi ketu edhe mesimin e gjuhes ka qene pak a shume nje ” copy -paste” i metodave te huazuara andej ketej ku ngjitja eshte bere keq. Zhvillimi i gjuhes po con ( me duket mua) jo ne nje pasurim te saj, po ne nje tjetersim – mballosje me fjale te huaja me nga nje bisht prapa qe shiten per shqip. Duke filluar qe nga fjala “kompetence” psh qe mund te thuhet fare bukur “aftesi” (aftesim). Mendoj se shqipja eshte aq e pasur sa te mos kemi nevoje ta arnojme me fjale te huaja.

Lini një Përgjigje te I. Y.Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin