LUPUS IN FABULA

Një BMW M3 u ndal përballë tri tryezave të vogla që një kafe modeste mëhalle kish nxjerrë në trotuar për komoditetin e klientëve; një djalë me xhup të lehtë lëkure qengji, që po rrufiste me pipëz lëng pjeshke te një nga tryezat, kryqëzoi vështrimin me syzet e errëta të drejtuesit të mjetit dhe ia dalloi tjetrit sakaq tatuazhin e një koke ujku, te çaçka e kokës së rruar.

Një pëllumb fluturoi papritmas nga streha e fëlliqur e një dyqani ushqimesh, si të ish trembur nga diçka tinëzisht kërcënuese. Një pëllumb i dytë u ngrit edhe ai në fluturim nga e njëjta strehë, i trembur nga fluturimi aq i beftë i të parit.

Një i fortë i lagjes, Muni i Fajes, iu afrua Subarut të vet të parkuar përbri një kafeje mëhalle, hapi derën nga ana e shoferit dhe, pa hyrë në makinë, u zgjat drejt një xhupi prej lëkure qengji të hedhur mbi ndenjëse, prej nga nxori pastaj një paketë cigare Marlboro me mentol dhe një çakmak me trup të tejdukshëm bojë deti.

Një vajzë eskort, por jo në orarin e punës, e ulur plot elegancë në një nga tryezat e kafesë dhe duke rrëshqitur me gishtin tregues nëpër mesazhet që i kish nisur orën e fundit ish-frajerit trafikant, as që e vuri re se kamerieri ia kish sjellë tashmë çajin bimor që kish porositur.

Te spitali privat matanë rrugës, mjeku e pikasi menjëherë, te një lastër radiografike e toraksit, plumbin e shtrembër që sapo ia kish marrë jetën qytetarit të sjellë atje pak më parë nga ambulanca e shërbimit të urgjencës, gjithë duke përsëritur idiotisht me vete shprehjen anglishte dead on arrival.

Banorët e mëhallës dëgjuan dy ose tre krisma, që i identifikuan si efekte zanore standard, nga seriali televiziv Gringo, tejet i ndjekur në atë orë, sidomos nga plakat e shumta, me volumin në kupë të qiellit.

Një hitman, në një Honda ACCORD bojë qershie me targa të Kosovës, i bllokuar nga paraliza e trafikut në afërsi të ish-shkollës së qenve, e mori në sy t’i dërgojë punëdhënësit të vet një SMS të enkriptuar.

Një plumb, që kish një copë herë që fluturonte nëpër qytet, aq sa nuk e mbante më mend nga ç’tytë arme kish dalë, u përplas me trupin e butë të një burri të shkurtër, teksa ky provonte modele të ndryshme syzesh dielli te një dyqan i vogël optike. Plumbi hapi një vrimë, si të djegur cigareje, në xhaketën prej liri, depërtoi kurioz në hapësirat përbrenda dhe ia përshkoi viktimës aortën e bëshme tej për tej, para se të ngecte dhe të jepte shpirt te dërrasa e kraharorit.

Sirena e një makine të policisë e detyroi të fortin e lagjes, te kafeja buzë rrugës, që t’ia shqiptonte edhe një herë kamerierit porosinë e komplikuar për një koktej në bazë metaksaje. Ishte po kjo sirenë e çmeritur që ia nxori gjumin Nokes, një të forti tjetër, por të lagjes fqinje, i cili sapo kish rënë për të fjetur pa hequr as çorapet e lagështa nga këmbët, pas një nate të shkuar dëm me poker.

Vajza eskort por jo në orarin e punës, gjithë duke folur lehtazi me vete me lëvizje buzësh në slow motion, vendosi të konstatojë se ish-frajeri i vet trafikant nuk po u përgjigjej më mesazheve të saj të fundit, a thua se ia kish krasitur kush me darë gishtat shpatukë.

Hitman-i i ndryrë në Honda-n ACCORD bojë qershie me targa të Kosovës dhe i mbetur tashmë edhe pa cigare, e mori miratimin nga porositësi, po me SMS të enkriptuar, se “ai muhabeti” do të duhej të priste edhe pak.

Miratimi u përcoll me psherëtima çliruese nga përgjues-dekriptuesit te një furgon policie i pamarkuar aty pari, i ngecur edhe ai në trafik.

Një pupël ngjyrë qumështi, që i ra njërit prej pëllumbave të ngritur vrik fluturim nga streha e mbuluar në glasa e dyqanit të lagjes, u luhat ca kohë tekanjoze në ajrin mbi rrugëz, por pastaj erdhi dhe u ul butë e gjithë ojna, mu te gota me lëng pjeshke e djalit me xhup lëkure qengji, te tryeza në trotuar.

Djali tjetër, ai kokërruari në BMW M3, vuri një cigare në buzë, e ndezi me një çakmak Zippo, dhe pastaj u vu të kërkonte, mes kontakteve në celular, numrin e vajzës eskort Viviana, me të cilën hardallosej ndonjëherë, kur ishte ngeshëm.

Televizioni dha lajmin për ujkun me numër serial 020602 që kish cofur nga limontia, në një kafaz të paidentifikuar të parkut zoologjik të qytetit.

 

© 2020, Castigat & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Çdo ngjashmëri me ngjarje dhe persona realë është groteske.

4 Komente

  1. Me pelqeu shume. Cdo fjali nje histori me vete. Nje menyre rrefimi interesante, gjithe detaje, prej “slow motion” dhe nje atmosfere gati prej hetimi policor ku cdo detaj ka vlere te shumefishte interpretimi e kuptimi pertej aparences. Asgje nuk eshte e rastesishme tek keto personazhe. Autori te fton te lexosh ngadale, te kthehesh, te deshifrosh, te rilexosh, te qeshesh. Nje ngadalesi aksioni prej telenovele qe sikur do te ta mbaje trurin lidhur (ngecur) ketu shume gjate.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: