TROLL FARMS

Tema e provimit të maturës, që trajtuam në Peizazhe të fjalës me një varg shkrimesh javën që shkoi, tërhoqi vëmendjen e shumë lexuesve – aq sa, në ditë të caktuara, numri i vizitorëve u trefishua, në krahasim me mesataren.

Me vizitorët u shfaqën edhe komentues të rinj, anonimë, të cilët ndërhynë masivisht te shkrimet, për të krijuar përshtypjen e një konsensusi, përndryshe të sajuar (të shpikur).

Për fat të keq dhe, siç e vuri re tashmë ndonjë prej kolegëve, gati të gjithë këta komentues të rinj dukeshin si mëditës të një ferme trollësh (angl. troll farm) – të mobilizuar me një synim praktik.

Flitet prej kohësh se zyrat e marrëdhënieve me publikun, të afërta me qeverinë dhe pushtetin, mbajnë në këmbë njësi të tilla, me të cilat përpiqen të manipulojnë debatin në rrjetet sociale dhe, sipas rastit, të baltosin persona të caktuar.

Nuk kam prova që komentet tek ne erdhën nga ndonjë troll farm dhe aq më pak që këtë mësymje e urdhëruan “nga lart”; por mund të provoj, megjithatë, se të gjitha komentet anonime, për të cilat flas, erdhën nga dy-tre burime vetëm (të identifikueshme nga IP-të; në shembujt më poshtë, këto IP i kam errësuar pjesërisht).

Adresa IP, për ata që nuk e dinë, është një adresë unike, në formën e një vargu numrash, që identifikon një pajisje në Internet ose në një rrjet lokal, duke lejuar një sistem që të njihet prej sistemeve të tjera.

Kjo adresë funksionon, në Internet, në mënyrë të ngjashme me adresën e një shtëpie ose të një zyre, për shërbimin postar.

Adresat IP nuk janë informacion i mbrojtur, as konfidencial, janë po aq të fshehta sa edhe adresa postare (lutem mos e diskutoni këtë në komentet).

Administratori i sajtit Peizazhe të fjalës ka akses në adresat IP të komentuesve – çfarë i shërben, mes të tjerash, edhe për të moderuar komentet.

Hidhini tani një sy komenteve të mëposhtme, siç shfaqen te faqja e moderimit të komenteve, për ta verifikuar ju vetë se grupi i “mësuesve” të shqetësuar për provimin dhe trajtimin e tij në Peizazhet shkruanin nga të njëjtat vende (zyra, bodrume, bunkerë), duke u identifikuar me adresa e-maili me gjasë të rreme:

Grupi i bodrumit 21

Grupi i bodrumit 43

Grupi i bodrumit 172

 

Njësite të tilla guerrilase hit and run, që godasin në rrjetet sociale dhe në faqet e komenteve të revistave dhe sajteve si yni synojnë të krijojnë bindje të rreme te lexuesi – kryesisht në lidhje me perceptimin e konsensusit ndaj një teme delikate.

Me pak përjashtime, trollët në komentet e mësipërme nuk i shkelën rregullat e diskutimit te Peizazhet, nuk fyen dhe nuk sulmuan kënd ad hominem – por megjithatë gënjyen. Pikëpamjet e shprehura në ato komente erdhën si fotokopje të një direktive të rëndomtë, duke pasur si efekt të menjëhershëm përçudnimin e diskutimit rreth një teme që pat ngjallur shumë interes.

Ashtu u dëmtua jo vetëm revista jonë, Peizazhet, por edhe lexuesit e saj. Me gjasë një person i vetëm, e shumta dy ose tre, që mund ta kish shprehur mendimin e vet lirisht në përkrahje ose në kundërshtim të tezave të esesë në fjalë, na u paraqit i shumëfishuar, në dhjetëra kopje të zbehta, që recitonin të njëjtat formula. Ka diçka diabolike te ky shumëfishim, diçka demoniake, prej ferri. E ka të vështirë njeriu të mos dyshojë se të njëjtët avatarë, të njëjtat identitete prekare, nuk marrin pjesë në sondazhe, votime, debate, ndërhyrje në emisionet televizive dhe në transmetimet live në Internet – gjithnjë për të deformuar perceptimin e “masës” nga publiku dhe, në analizë të fundit, për të manipuluar mekanizmat demokratikë të vendimmarrjes, përfshi edhe proceset elektorale.

Është për të ardhur keq, që e vetmja zgjidhje praktike, përballë kësaj murtaje, është ngritja e mureve dhe rimëkëmbja e autoriteteve të kontrollit.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi në mediat. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.

17 Komente

  1. Praktika dubioze e mosfiltrimit të trollave në gazetat online lë shkak për manipulim të vetëdijshëm opinioni prej redaktorëve, të cilëve u është dhënë akses në administrimin e websajtit përmes programeve si WordPress, Joomla apo Typo3.

  2. Ke absolutisht te drejte. Anonimiteti dhe shfrytezimi industrial i tij ne rrjetet sociale eshte bere kanceri i shoqerise sot. Transgender qe identifikohen si burra per te luftuar grate, balliste te veshur si antifashiste qe ti marrin per trumpiste, gjytyryme qe identifikohen si drere ose karroca dore per te luftuar per veganizmin apo kunder makinave me benzine… pa folur pastaj per ca qe I bejne te gjitha keto bashke thjesht se marrin rrogen apo se jetojne vetem si kanarina ne kafaz ne nje bachelor ne katin e 37 me pamje nga veriu dhe Alexa eshte e vetmja gje qe u kthen pergjigje. Personalisht perpiqem t’i evitoj debatet me persona qe dukshem refuzojne te japin cdo lloj identifikimi personal ne muhabet. Jetojme ne kohe te cuditshme!

  3. Çfarë tjetër do promovonin bodrumet e rilindjes përveç një shkrimi që i konsideronte arritjet e albanologjisë si sporadike?

    E keqja është se jo rrallë ia arrijnë qëllimit në shkatërrimin e debatit publik. Dhe shumica e atyre që kanë diçka për të thënë me të drejtë stepen. Natyrshëm vjen që opinioni i përgjithshëm të mbështesë alternativën “fituese”. Sepse kush do të identifikohet me humbësin? Nuk ke cfarë t’I thuash si strategji. Shumë e kopsitur.

    1. Mendoj se nuk eshte pune “rilindje” apo blu, e kuqe, roze apo portokall. Eshte problem madhor, thjeshte shqiptar – 30 vjecar. Ata qe iken para disa vitesh ishin I njejti brume. Problem i madh eshte qe specialistet e vertete i menjanojne, s’pyet njeri per cilesi por vec te rrembeje parate.

      Te kaloje te Moikom Zeqo. Nje akademik i rangut evropian dhe me gjere, i pa-lejuar te drejtoje aty ku e meritonte.

      1. Amantia,

        Ngjyrat mund të jenë shqetësimi juaj, jo i imi. Fola për rilindjen sepse është e njohur që e ka përdorur propagandën kundër kulturës, dhe nuk do më dukej çudi që edhe në këtë rast të bënte të njëjtën gjë.

        Sipas mendimit tim i vetmi kontribut i shkrimit “PROVIMI PËRBALLË DIJES”, ku u sulën “trollat” dhe të ngjashmit e tyre, ishte vënia në dukje e arritjeve të albanologjisë, që sipas autores, janë vetëm “gramatikore” dhe për më tepër “sporadike”. Përndryshe asgjë nuk gjeta në atë shkrim që të sqaronte se si dhe nga i nxirrte këto përfundime autorja. Unë nuk hyra në dabat në atë temë, dhe as kam ndërmend të hyj se nuk jam specialist i fushës, por si shumëkush i njoh përpjekjet e specialistëve të albanologjisë, dhe i gjej sulme të tilla të pajustifikuara, kurse mbrojtjen dhe propagandimin e tyre dashakeq.

  4. Ups…, keta paskan qene partizane te maskuar si gjermane. Ta kisha ditur kete, nuk do komentoja kunder “partizaneve”. Bej shaka.
    Keta s’dinin dhe te mbroheshin. Fol lloqe Kavaje- jo rruge Kavaje. Rruga s’ka faj.

    1. Ndjesë. Disa prej komenteve që dalin më lart, nuk ishin lejuar të kalonin – i kam marrë nga dosja e të padëshiruarave. Të tjerat, si komente, kanë qenë korrekte – dhe mua nuk më pëlqen të paragjykoj.

      Dhe gjithsesi, Amantia, ti mund ta ndërrosh pseudonimin që nesër, nëse ndihesh e lënduar.

  5. Z. Vehbiu,
    Në jetë e rëndësishme është të shprehësh mendimin tënd. Pastaj se me çfarë llagapi shkruan, kjo është diçka e dorës së dytë. Nuk e bën më pak të rëndësishëm Mehdi bej Frashërin fakti që shkruajti si Lumo Skëndo. Personalisht mendoj se rëndësi ka se çfarë thotë një njeri dhe jo çfarë qyrku ka veshur. Në atë kohë Mehdi bej Frashërin kishte një arsye, por edhe sot ka ca arsye të tjera që e detyrojnë individin të shkruajë anonim. Ku është thënë se ndalohet kjo gjë? Po të ishte kështu, ju do ta kishit ndaluar në median tuaj.
    Po jua them edhe unë se shkrimi i komenteve është bërë nga e njëjta adresë, pasi ndodheshim bashkë me kolegët në të njëjtin ambient dhe, padyshim, tema e ditës nuk mund të mungonte. Ç’rëndësi ka se nga kemi shkruar: në fushë, në mal apo në det? Por ajo që na çudit më shumë është se ju shpreheni me kaq siguri që kanë qenë “bodrume të partisë” (?!) A nuk mendoni që lexuesit tuaj po i thoni një të pavërtetë?!
    Po ta them unë që ka qenë kompjuter personal. Këtë sqarim po e jap vetëm se ndihemi të fyer nga etiketimet e përdorura. Në një nga mesazhet ne e kemi thënë që jemi mësues, vetëm se nuk kemi treguar shkollën, që të na gjenit lehtësisht. Dhe atëherë çfarë do mendonit?
    Por, duke parë se si jemi trajtuar në shkrimin tuaj, bëmë mirë që nuk e shkruam emrin e shkollës, madje akoma më mirë që nuk kemi dhënë emrat tanë të vërtetë. Ja pra, një nga arsyet pse njeriu shkruan anonim, sepse mund të telendiset pa të drejtë.
    Unë që po ju shkruaj, ju kam njohur që në fakultet. Ndërkohë që ju ishit duke mbaruar fakultetin, unë sapo e kisha filluar. Padyshim ju respektoja për emrin që gëzonit në atë kohë dhe në vazhdën e atij respekti po ju pergjigjem. Kam shkruar me emrin Vjollca dhe e kam thënë që jam mësuese. Çfarë kam bërë për t’u sulmuar si “punonjëse partie”? Të gjithë thamë atë që mendonim si gjithe komentuesit e tjerë në këtë faqe …
    Mendoj që një ndjesë publike do të ishte gjëja e duhur që duhet të bëni në median tuaj. Kjo veçse do t’ua rriste edhe me shumç vlerat si medie e fjalës së lirë, pasi mendoj që lexuesin tuaj ose dhe demokracinë nuk e mbron një artikull, i cili pa fakte fare supozon që disa mësues janë punonjës partie.

    (Mund ta verifikoni, lehtesisht është i njëjti komjuter)

    1. Përshëndetje, “Vjollca”, mund të jetë edhe kështu siç thoni ju: nuk kam prova të tjera nga ato që solla më lart. Megjithatë, nuk ju besoj në sa shkruani.

      Tani vërej se keni zgjedhur pozicionin e viktimës, për ta vazhduar këtë debat. Dhe thoni:

      Por ajo që na çudit më shumë është se ju shpreheni me kaq siguri që kanë qenë “bodrume të partisë” (?!) A nuk mendoni që lexuesit tuaj po i thoni një të pavërtetë?!

      Vërtet, unë kam folur për “bodrume” në shkrim, por jo për “parti”; dhe shprehjen “bodrume të partisë”, që ju e keni vënë në thonjëza, nuk e kam përdorur.

      Sikurse nuk kam përdorur shprehjen “punonjëse partie”. Jam kurioz të di ku i keni gjetur, si e keni lexuar shkrimin tim dhe nëse këtë metodë e përdorni edhe për tekste të tjera (përfshi edhe testet), çfarë do të ishte alarmante për një mësues ose grup mësuesish.

      Kjo teknikë, për t’i vendosur tjetrit fjalë në gojë, është edhe ajo tipike për trollët – çfarë ma konfirmon dyshimin që kisha shprehur në shkrim.

      Askush, veç jush, nuk mund ta dijë me siguri si i keni shkruar ato komente; por fjalët tuaja dhe mënyra si jeni shprehur ju tradhtojnë. Jeni sjellë si trollë, pavarësisht nëse jeni apo jo të organizuar.

      Dhe këtë e keni bërë në një faqe që administrohet prej meje, prandaj mos prisni ndonjë mirëkuptim. Aq më keq po të keni qenë një grup mësuesish “në një shkollë periferike të qytetit të Vlorës.”

  6. Epo kjo!!!!!! Ke pare ti keshtu!? Ne vend te ulin koken dhe mos ndihen, vine/vjen ( se u beme lemsh, s’dime sa vete jane) dhe kerkon llogari.
    Njerez jo vetem te rrezikshem por dhe te pa-turp.
    Na paska qene nje kompjuter dhe e paskan marre me rradhe gjithe shoket dhe shoqet e Turit!!!!!
    Per gjithe kete mbrojtje qe po i bejne Turit, e meritojne qe Turi-katrahuri t’u bleje nga nje kompjuter te gjitheve qe mos ndodhin me keto “keqkuptime”.

    Kujtojne se duke permendur Lumo Skendo, u rritet piaca. Epo kjo !!!!!

  7. Çfarë përgjigje zhgënjyese! Unë besoja në qytetarinë tuaj…
    Sa keq kur sinqeriteti perdhoset me fjalë të kota. Vërtet fjalët në thonjëza nuk janë thënë “copy paste” nga ju, por atë kanë nënkuptuar….
    Krahasimet dhe epitetet e perdorura nga ju nuk janë shumë të përshtatshme. Në një debat duhet të fitojë ai që analizon dhe argumenton problemin dhe jo ai që fyen.
    Ruaja një konsideratë për ju nga koha e largët e fakultetit dhe me këtë respekt u fola dhe kolegeve të mi, por qenkam gabuar.

    Nuk kam ndërmend të vazhdoj më. Nuk ia vlen…

    1. Që thua ti inatçorja llakatundase, në zhargonin e internetit, trollat janë një grusht i papërfillshëm individësh, anonmiteti i shumëfishtë i të cilëve identifikohet lehtazi jo vetëm përmes IP-së, por dhe përmes postimeve të qëllimshme e të dëmshme për sa i përket zhvillimit konstruktiv të debatit. Përsëritja rishtazi e postimeve të tilla pa sens synon provokimin emocional të lexuesve, pavarësisht se dikush prej tyre i përçmon ato në heshtje, e dikush tjetër i demaskon turpshëm duke i etiketuar si rakitikë bodrumesh.

  8. Llakatundin ku ta gjesh sot se behesh pronar tokash, afer detit, afer mbretit. Vec nje te keqe ka. Nuk ka shume kompjutura. Por kete do ta rregulloje Turi. Pas gjithe ketyre “heroizmave” te tyre, nga nje kompjuter per koke do kene.

    1. Perpiqem ta perfytyroj kete situaten ne nje shkolle fshati, ku mesuesit kthejne pergjigje ne rrjetet sociale nga I vetmi laptop qe I ka ardhur njeri nga Italia. Nderkohe qe Vjollca shkruan, Marikes nuk I ze vendin vend.
      – He moj e mbarove?
      – E mbarova e mbarova por lemë ta lexoj dhe njehere para se ta nis.
      – Ehuuu, shtype tani dhe nise se po e harroj mendimin.
      – O Vjollca, po mua do ma japesh njehere moj – pyet, Endri nga cepi I tavolines.
      – TA jep motra, mos ki merak.
      – Hajde plasi ketej – thote nen ze Taqua qe po hapte nderkohe perden e dhomes qe te hynte me shume drite.
      – Cfare plasi mor budalla, cfare plasi! Po ne nje vend e keni mendjen. Ne vend qe ne te jemi te bashkuar si trup pedagogjik…
      – Eh, lere lere fare – thote Marika. E humba fillin une. Jepja Endrit me mire sa te me vijne prape mendimet.
      – Si ta kesh – pergjigjet Vjollca qe sapo e kishte mbaruar korrektimin dhe qe pasi shtyp Enter ia jep laptopin Endrit.
      Endrit ne moment I shkelqejne syte dhe fillon te shtype me dy gishtat tregues si I nderkryer. E mbaron dhe pa I hedhur as edhe nje sy per ta korigjuar shtyp butonin per ta nisur. Nderkohe askush nuk pipetin si per ti dhene kohen dhe qetesine e duhur mesazhi per te mberritur ne vendin e duhur.
      Kur papritur ne mes te qetesise Endri kercen perpjete, perplas grushtin mbi tavoline dhe bertet: Mamin ku ta kesh. Iku prape interneti.

Lini një Përgjigje te Ardian VehbiuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin