MURGJ TË NËNDHESHËM

Kur vizitova Bunk’artin 1 në Tiranë – atë në periferi –më la posaçërisht mbresë një dhomë që na e paraqitën si “dhoma e gjumit” e një patriarku të lartë të kohës, Enverit ose mbase Mehmetit (tani s’më kujtohet tamam): e mobiluar thjesht dhe pa shije, me produkte të “Misto Mames”; krevati spartan i mbuluar me një batanije të lodhur dhe i rrethuar nga një brerore myku. Te komodina në kokën e krevatit, a te tryeza përbri, gjendej edhe një radio me llamba, dhe diku aty rrotull një raft i vogël me libra shqip, mes të cilëve spikaste Mërgata e qyqeve e N. Jorgaqit (vëllimi i 2-të); të gjithë dukshëm të lexuar, me shpinat copë-copë.

Pyeta veten: kush pritej që t’i kish lexuar ata libra, nga perspektiva e vizitorit të muzeut? Sa kohë që Enveri dhe Mehmeti, veç e veç a të dy bashkë, nuk kishin pasur kurrë fatin e keq të strukeshin aty, për t’u mbrojtur nga armët atomike të koalicionit unik NATO-Traktat i Varshavës? Me fjalë të tjera, sa kohë që ajo dhomë, e rezervuar për kokën e shtetit, nuk ishte përdorur kurrë? Shpinat e rrjepura të romaneve të realizmit socialist, që me gjasë duhej të shënjonin lexime të gjata netëve në rrethimin imperialisto-revizionist, i referoheshin në fakt një realiteti alternativ, kur bunkeri qenkësh përdorur dhe paskësh siguruar vijueshmërinë e pushtetit totalitar.

M’u kujtua sakaq një fjalim i Richard Nixon-it i vitit 1969, i nxjerrë nga kushedi ç’arkiv sekret, me të cilin presidenti i atëhershëm i SHBA-ve do të lajmëronte botën që astronautët e Apollo 11 kishin vdekur, që të tre, gjatë një aksidenti kozmik; sikurse m’u kujtua një batutë, ndoshta shaka, e Umberto Eco-s, për një kishë në Spanjë, ku u ruajtkësh si relike mumja e Jesu Krishtit fëmijë. Mendova që Bunkartit i kishin dhënë tipare edhe të muzeut, edhe të një instalacioni, në kuptimin që ai shëmbëllente një realitet me pretendime për të qenë më i vërtetë se ai përjashta; realitet që i duhej për të përligjur deri edhe ekzistencën e vet, sa kohë që – njëfarësoj – i paskësh “mbijetuar” luftës atomike, bashkë me ngarkesën e vyer në gji. Mendova që ky modelim i historisë alternative, me Enver Hoxhën që (ri)lexonte Jorgaqin i mbyllur në një bunker atomik, i tejkalonte kufijtë e riprodhimit të historisë, për t’iu afruar fantashkencës.

Në çdo rast, kuratorët e atyre dhomave e kishin kapërcyer veten, me zgjedhjet e sendeve dhe të orendive, meqë ajo dhomë e shprehte më mirë edhe se vila e Enverit natyrën e fantazive dhe të fetisheve të atyre që udhëhiqnin shtetin në vitet e Luftës së Ftohtë. Në vend të Balzakut dhe të Hygoit, në vend të veprave të Marksit dhe të Leninit, në vend të Sun Tsu-së dhe Klausewitz-it, udhëheqësi i ngujuar nën dhe mbante pranë vetes një dorë librash të përdorur, si ata që sot i gjen, shtrirë si të sëmurët terminalë në spital, tek ura e Lanës përbri parkut Rinia: mungonte veç ndonjë roman i Henry Barbusse-it, dhe koleksioni i lidhur i revistës Në Shërbim të Popullit. Asgjë të përbashkët nuk kish ai raft me çfarë kemi parë nga biblioteka reale e Enverit, përfshi këtu edhe raftet dikur të ekspozuara te Muzeu Enver Hoxha, ish-Piramida. Vizitorit i duhej kështu të supozonte se, në momente kritike për kombin, lideri do t’i kthehej vlagës së dheut, duke u groposur, përmes kockës, te palca.

Një gjë që brezat e rinj sot e kanë zor ta rrokin në plotësinë e saj, është që pushteti nuk ka nevojë për korrupsionin material, për të gjetur veten; dhe se ka një takëm diktatorësh, ku unë do të përfshija edhe Enverin, që kanë parapëlqyer t’i tregohen botës madje edhe vetes si kursimtarë të virtytshëm, në mos indiferentë ndaj gëzimeve të mishit. E kemi më të lehtë ta përfytyrojmë diktatorin absolut si të zhytur në luks (p.sh. duke u pllaquritur me vasha të virgjra në llixhat), se të bindemi që konsumi i spikatur aq tipik për ekzibicionistët e sotëm nouveaux riches, mbetet fazë më e ulët, më e pasigurt, më e pafuqishme, përkundrejt murgërisë. Edhe pse Enveri mburrej që e arnonte ombrellën e vet (ose të paktën që urdhëronte rojet që t’ia arnonin), imazhin e liderit asket e ka mishëruar Stalini – me rutinat prej seminaristi fetar dhe përçmimin ndaj lakejve të tij, skllevër të së mirave materiale (që ai ua blatonte pa hesap).

Ja si e përshkruan I.Kadareja, te Dimri i vetmisë së madhe “thjeshtësinë” e Stalinit – i bazuar, me gjasë, te kujtimet e Enverit vetë:

Atij [Enverit] iu kujtua takimi i parë në jetën e tij me Stalinin. […] Stalini u takua me të në kohë të muzgut. Biseda ishte e shkurtër. E di që jeni ngushtë për vete, tha Enver Hoxha në mbarim të saj, por ne jemi dhe më keq. S’kemi bukë. Stalini dëgjonte. Ai e ftoi të hanin darkë bashkë. Ai ishte vetëm. Në një tryezë druri dikush kishte vënë ca kupa të mbuluara. Ishin gjellët. Stalini u ul dhe i tha atij: Ulu të hamë. Enët e mbuluara dukeshin si enigma. Stalini zbuloi njërën prej tyre. “Ha”, tha ai përsëri. Enver Hoxhës nuk i hahej, megjithatë, zbuloi njërën prej enigmave. Të tjerat rrinin aty pranë, përbri. Ne do t’ju paguajmë me para për të gjitha, tha Enver Hoxha, ndonëse tani për tani… Tjetri e vështroi. Kur të keni, tha.

(Onufri 2012, f. 159-160)

Stalini vetëm, tryeza prej druri, gjellët në kupat e mbuluara… imazhi evokon një mensë murgjish (refektor); ku thjeshtësia kalon nga teatri në realitet. Lideri murg i revolucionit – tek i cili Enver Hoxha do të ketë njohur sakaq Cimourdain-in ish-prift, të Vitit 93 të Hugo-it – i tregon rishtarit si ta sundojë oborrin e vet: duke e bërë të ndihet në faj (anglishtja ka një folje për këtë: to guilt). Si të lakmosh për një vilë të re buzë detit, kur eprori yt arnon ombrellën dhe dërgon këpucët te këpucari? Enveri e admiroi gjithë jetën këtë model të liderit të pakorruptueshëm, që e shtyn darkën me një kothere bukë dhe pak çaj të vakët; kultivar i pandryshkshëm burgjesh dhe torturash; i paepur përballë mishit, i patundueshëm. E admiroi, edhe pse – siç do të pritej nga një mikroborgjez i llojit të tij – nuk do ta arrinte dot, por veç do ta ushtronte herë pas here, si hobby (diçka e ngjashme mund të thuhet edhe për binjakun e tij më të vogël, Mehmetin).

E megjithatë, imazhi i liderit, që projekton dekori i dhomës përkatëse në Bunkart, i afrohet dramatikisht idealit asketik; sa kohë që më tepër se dhomë, i shpaloset publikut si qeli meditimi dhe vuajtjesh, meditimi nëpërmjet vuajtjesh, me një lugë të zbrazët supe që e shtrëngon në dorë si Hamleti kafkën; ku izolimi, për shkak të pranojës së rrethimit, i shërbente elevacionit të vetëdijes në një rrafsh të epërm, edhe më larg tundimeve materiale përjashta. Aq sa ta bëjë vizitorin e tanishëm të dyshojë se lideri totalitar nuk mund ta realizonte veten të plotë, përveçse nën dhé, i ndarë nga bota, i vetë-burgosur, i tërhequr, me një radio primitive që atje poshtë nuk kap asgjë (mendjes që arrin gjithçka i mjafton edhe statika e sinjalit zero). Diçka të ngjashme e përjeton edhe Maoja, te romani tjetër politik i Kadaresë, “Koncerti”, kur tërhiqet në shpellë për t’u pastruar nga entropia e botës.

Dhe duke qenë Bunk’arti vetë mishërim tipik i kitsch-it historik, me të cilin i qaset totalitarizmit kultura e sotme në Shqipëri, atëherë vetë spektakli që ia ofron ai teatër turistit, që ka ardhur aty për t’u dëfryer, ka për efekt paralizën totale të gjykimit: asi imazhesh tani evokojnë, për publikun, ndoshta bunkerin ku ishte fshehur Saddam-i gjatë pushtimit amerikan të Irakut, ose koliben ku mbahet një gjeneral i kapur peng nga guerrilasit në Kolombi; jo shtabin e përgjithshëm të revolucionit botëror dhe as pultin e komandës të vendit të vetëm socialist në botë. Gjithë duke përcjellë idenë se, sado që narrativa e një Shqipërie të bombarduar atomikisht nga armiqtë e vet është sa alternative aq edhe pagjasë, në fakt totalitarizmi që të gjithë ne përjetuam dhe praktikat e tij politike i përgjigjeshin – më së miri – atij realiteti që nuk ndodhi, si skena dhe skenografi e një pjese teatrale që nuk u luajt dot kurrë. Me fjalë të tjera, për të na bërë të gjithëve ne të tjerëve të marrim në pyetje kujtesën.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet çdo lloj riprodhimi në mediat. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

4 Komente

  1. Gjatë njërës prej vizitave të mia në Bunkart 1 rasti e solli të hyja aty bashkë me një grup gjimnazistësh. Pa dashje, teksa i shpjegoja personit që shoqëroja ca prej këtyre falsiteteve të ekspozitës (se muze nuk quhet, jo e jo), dëgjoja edhe komentet e gjimnazistëve. Adhurim dhe përulje mbanin fjalët e tyre për atë lavdi të diktaturës. Dëgjoja si thoshin “sot s’jemi as gjysma e ç’kemi qenë”. U mallëngjyen nga dushi me vajguri tek dhoma e “komandantit” (dmth, kaq falsitet, sa në një bunker nëntokësor do të kishte funksionuar një dush me vajguri që jo vetëm do të bënte tym, por dhe do të kishte funksionuar si gjurmë e sigurt i vendndodhjes së strehimit, po të ndizej ditën!), u ngazëllyen nga kundërgazet dhe armatimet, s’u bënë fare përshtypje dhomat ku paraqiteshin krimet e komunizmit, por u morën gjatë me uniformat ushtarake, sistemin e ajrimit, dhomat e ushtarëve. Jo vetëm kitsch historik por, ca më keq, glorifikim i Ushtrisë Popullore dhe Diktaturës së Proletariatit përmes dezinformimit dhe kurimit të së keqes.

    1. Tamam! Është për të pyetur nëse këta që e sajuan instalacionin (se unë kështu po dua ta quaj) nuk i parashikuan dot efektet që ky do të kishte te vizitorët vendës, apo e kishin mendjen vetëm te si të tërhiqnin turistët, apo e dinin dhe e synonin këtë efekt “kondrapedal”. Diçka e ngjashme mbaj mend të ketë ndodhur edhe me vilën e Enver Hoxhës, kur u hap një herë. Një brez i tërë, i papërgatitur për të lexuar të shkuarën e prindërve të vet. Nuk po them që ta dënojnë a priori, por të paktën ta kuptojnë njëfarësoj. Dhe janë po këta pastaj që të dalin dhe të japin ujë në bisht të lugës, kur bie fjala për Bylisin ose ndonjë gjë tjetër të superkomplikuar të lashtësisë ose të Mesjetës. Më ka bërë përshtypje një herë, në një takim me studentët, u ngrit njëri për të më bërë një pyetje për censurën totalitare, që i kish të gjitha premisat të rreme. Nuk dija se nga ta nisja, në përgjigje.

      1. Distanca kohore me diktaturën po shtohet, teksa ndërgjegjësimi është i vakët. Po kalon edhe brezi i dytë i atyre që nuk njohin komunizmin, por dinë frazat “ashtu ishte koha” apo “bënë detyrën”, njësoj si ata që e jetuan dhe justifikojnë sistemin. Krimet dhe dhuna nuk janë cool, nuk kthehen dot në slogane, por kërkojnë përqendrim dhe energji mendore. Rrezik harrese.

  2. Udheheqesve te revolucioneve nuk u shkon zhytja ne luks, nuk jane realisht as te atij tipi, perndryshe nuk do kishin udhehequr ndonje revolucion po do ishin marre me biznes dhe me pasurimin nepermjet marredhenieve te mira me pushtetin. Edhe Saliu qe udhehoqi ( ose e vune te udheheqe) revolucionin demokratik nuk eshte akuzuar ndonjehere si hedonist, ndryshe psh nga rivali i tij Nano ( ne rolin e kunder-revolucionarit bllokmen ose pseudo revolucionarit alternativ). Ne kushtet e nje pushteti pa limit kohor, i cili nuk vjen nga leku, si ne rastet e revolucioneve, i rendesishem eshte burimi, zakonisht ideor e ideologjik, nderkohe qe luksi eshte vetiu keq, sepse revolucionet luftojne edhe kunder luksit te te rrezuarve ( blloku si koncept luksi, Saliu qe banon ne apartament). Perndryshe nqs pushteti vjen nga nje komponent i rendesishem leku, si sot ose si ne kohet e komandanteve te mercenareve ( nder me te famshmit, Davidi, Dionizi i vjeter, Cezari, Timurlengu, Nadiir Shahu, Ali Pashe Tepelena e Mehmet Aliu) atehere edhe jeta ne luks ka vlere per marrjen ose mbajtjen e pushtetit. Ne pergjithesi pushteti u ka ngrene njerezve shume kohe dhe pak a shume kane qene te detyruar te zgjidhnin mes ushtrimit te pushtetit dhe luksit. Kur kane zgjedhur luksin, pushtetin real ua kane marre veziret e shogunet, duke i lene formalisht ne krye ( ose jane rrezuar). Nderkaq imazhi asket eshte me i hershem se murgjit, e kane dhene spartanet dhe ka pasur imitues te jetes spartane qysh ne kohe te Spartes. Kush ka marre modelin e jetes spartane, ka dashur edhe te hiqet si luftetar i madh. Ne rastin e bunkereve, qe jane thjesht llogore te fortifikuara, pritet qe udheheqesi i revolucionit te beje jete spartane ose thjesht jete ushtari.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: