MË THUAJ Ç’LIBRA LEXON…

nga Dashnor Kokonozi

Ai, emri i të cilit do të kujtohet edhe si biblioklast me autodafen e Berlinit më 1933 e më pas në Dresden, Hanovër, Nuremberg etj., A. Hitleri, pra, kishte një nga bibliotekat më të pasura të Evropës. Mes kryeveprave që rëndonin në raftet e saj, specialistët gjejnë dhe ndalen më gjatë te ca lloj librash konspiracionistë, okultistë, spiritualistë, ezoterikë, duke lënë të kuptohet se diku aty duhen kërkuar rrënjët e së keqes. Kjo punë më lë mjaft dyshues. Ka qenë një kohë kur lexoja pa hesap libra të tillë, nganjëherë deri në mëngjes, por nuk mbaj mend të më ketë lindur dëshira të fus në furrë shokët e mi hebrenj të vegjëlisë, madje as të kem bërë plane të pushtoj Maqedoninë, edhe pse aty nuk mungonin sudetët tanë. Nuk dihet shumë nëse presin gjësendi nga ne, por për të qenë, aty janë.

Flitet se ishte vegjetarian, nuk i pëlqente alkooli, pinte me qejf çajra të ndryshëm dhe, të paktën në prani të tij, askush nuk guxonte të tymoste.

Nganjëherë them me vete se origjina e holokaustit dhe i gjithë atij horrori që ndodhi, do qe shpjeguar thjesht e me qartësi prej kohësh, po qe se së fundi do të zbulohej se Hitleri pinte uiski pa hesap e tymoste puro të shtrenjta Havane. Ndërkohë që U. Churchilli ishte kategorikisht kundër të dyjave.

Rrallë thuhet se lexonte një libër në natë, se qe i etur për gjithçka, sa gjente kohë, midis angazhimeve të shumta, të lexonte edhe një libër tjetër gjatë ditës.

Që biblioteka e tij duhej të ketë gëzuar emër edhe përtej Gjermanisë, kjo ka të ngjarë të jetë e vërtetë. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që më 1935 ajo u bë subjekt i një reportazhi të gazetës «The New Yorker». Më tej është marrë vesh se ai kishte nga një bibliotekë të tillë në secilën prej rezidencave të tij të njohura.

Koleksioni i veprave të plota të Shekspirit që është gjetur në biblioteken e A. Hitlerit

Kohët e fundit, T. Ryback, një ish gazetar, i ka kushtuar një libër të tërë bibliotekës së tij, libër që është përkthyer në shumë gjuhë. Natyrisht, flet për atë pjesë të bibliotekës që ka mbetur, se nga 16 mijë titujt e saj, sot gjenden jo më shumë se 1200. Kryesisht të shpërndarë në bibliotekat e universiteteve amerikane.

Më bën përshtypje se për këdo që i pëlqen të lexojë, thuhet se është i etur për libra, lexon shumë, ka pasion të madh leximin, humbet pas librave. Për Hitlerin thuhet : ishte gllabërues librash, farosës, rrufitës librash (nuk e di çfarë i ka penguar të thotë se i shqyente me dhëmbë, i mbllaçiste, i ripërtypte dhe si sigurohej mirë se nuk kishte mbetur gjë e lexueshme, i pështynte në një tas të madh). Në përfundim, nis e dyshon se mos leximi i shumtë nuk është veçse një ves i keq, se po të kishim dy të tillë që lexonin si ai, ekzistenca e njerëzimit do të qe rrezikuar seriozisht.

Më tej thuhet se ai lexonte me laps në dorë dhe se në zyrat e tij do të kishte gjithmonë një bust të Schopenhauer-it. Ai përpin librat e Clausewitz-it, biografitë e Jules César-it, të Aleksandrit të Madh. E. Kanti bashkë me Makiavelin do të gjenden në bunkerin e tij, pas vetëvrasjes.

Ndërsa përpiqesh të kuptosh kompozimin e bibliotekës së tij, sheh se është i rendit klasik, sa më nuk bëhet. Ka të ngjarë me atë të bibliotekës së secilit prej nesh.

Fillimisht është ajo pjesë që simbolikisht quhet fondi i noterit, fondi i trashëgueshëm, ai që të jep një vetëdije e të siguron se ke çfarë të duhet, se të tjerët nuk dinë më shumë se ty, se nuk je pas tyre. Siç e keni kuptuar,  është fjala për libra që nuk i prek më kush. Aty, edhe në bibliotekën e tij gjendet Don Kishoti, Udhëtimet e Guliverit, Robinson Kruzoe, Kasollja e xha Tomit, Hamleti, romanet me aventura të Karl May etj..

Pastaj është fondi aktiv, koleksioni që ushqen trurin, siç thuhet. Janë tekstet te të cilat kthehemi herë pas here, që i mbushim me shënime, i shfrytëzojmë sa nuk bëhet më, i bëjmë telef. Dhe përpiqemi të mbajmë përmendësh ndonjë paragraf etj., për të habitur, dikur shoqet e klasës e më pas kolegët e rinj të punës.

Ka edhe një pjesë të tretë, pastaj. Librat që i janë dhuruar nga autorë të ndryshëm si Junger, që i ka autografuar librin e tij « Zjarr e gjak » me fjalët : Fyhrerit kombëtar Adolf Hitler; veprat e Fichtes që Leni Riefenstahl ia dedikon me : Fuherit tim të dashur, me admirimin tim të thellë.

Dedikim i Leni Riefenstahl-it te veprat e plota të Fichtes për “Fuhrerin e saj të dashur”.

Siç mund të kuptohet, vëmendja e studiuesve është drejtuar gjithnjë te fondi i dytë. Pikërisht këtij fondi edhe T. Ryback i ka kushtuar analizën më të madhe. Ai nuk kufizohet në listimin e librave që gjenden aty, por përpiqet që të bëjë prerjen e tyre me mendimet dhe idetë politike të Hitlerit. Dhe këtu ai, sikundër Walter Benjamin-i, niset nga ideja se një koleksionues konservohet brenda koleksionit të tij.

Natyrisht, nuk mungojnë edhe manualet e ndryshëm (tankesh, p.sh.), por bie në sy se shumë vepra me subjekt spiritualitetin, okultizmin, ezoterizmin, shpesh herë të shkruara nga autorë hebrenj, janë edhe ato të pranishme në bibliotekën e tij. Dëshmia që flet më shumë për preokupimet e thella të zotit të tyre, thotë autori i librit.

Pak e çuditshme, kjo shprehje.

Më tej përmenden edhe libra mbi telepatinë, Hebreu ndërkombëtar (i Henry Fordit, ky), libra mbi astrologjinë dhe shkenca të tilla: aq paralele sa ato nuk takohen kurrë me inteligjencën, thotë ai. Kjo përsëri më tërheq vëmendjen. Hitleri është ai që është, por kur përmenden si shprehje e një inteligjence të caktuar, duhet thëne se këtë libra nuk e penguan të ulë gjysmën e botës nën çizmet e veta. Kjo flet në mënyrën e vet se sa seriozisht i merrte ai. Ndërkohë mbetet pa përgjigje pyetja përse studiuesit nxitojnë të nxjerrin përfundime për të zotin e koleksionit nisur nga librat ezoterikë dhe jo nga ata filozofikë, që gjenden po aty?

Se, veprave të Schopenhauer-it, E. Kantit etj., që janë aty në bibliotekën e tij, do t’u shtoja edhe të tjerë emra të mëdhenj, por po ndalem vetëm te J. G. Fichte) Në mendjen e A. Hitlerit ai ishte filozofi më pranë lëvizjes së tij nacional-socialiste. Fichte njihet si themelues i lëvizjes filozofike të njohur si idealizmi gjerman. Edhe pse në thelb mendoj se duhet punë e madhe për të ushqyer me të teoritë e Hitlerit, gjithsesi më lë përshtypje të veçantë tërheqja e madhe e diktatorit nazist ndaj tij. Madje shoh edhe një farë nuhatjeje prej profesionisti të filozofisë. Fichte sot po vlerësohet gjithnjë e më tepër. Madje koncepti i tezës-antitezës, sintezës që gjithë jetën na kanë thënë se është i Hegelit, sot po del se në origjinë ka qenë i tiji.

Më duket shumë punë e thjeshtëzuar pra, të thuash se filani u bë i kriminel sepse lexonte libra racistë apo pa vlerë. Nuk besoj se ndodh kështu. Për provë mund të sjell emrat e tre milion shqiptarëve që lexuan me “laps në dorë”, siç kërkohej, një kamion të tërë librash mediokër të Enver Hoxhës dhe nuk kam përshtypjen se pësuan ndonjë pezmatim të madh të trurit. Kjo, ndërkohë që edhe Hoxhës tonë nuk i mungonin hebrenjtë e tij, që ishin “klasat e përmbysura”, të “prekurit në biografi”, të cilët i mbylli edhe ai në kampe internimi, që i la të vdisnin, bashkë me fëmijët e tyre. Edhe pse kundër tyre dhe kundër borgjezisë, kapitalizmit, revizionizmit etj., ai foli po me aq urrejtje sa edhe Hitleri për hebrenjtë e botës. Edhe pse të dy urrenin artistët dhe artin bashkëkohor. Edhe pse të dy, në mënyrë të pavarur, atë art e quajtën “art të degjeneruar”…

Marrëdhënia e diktatorëve me librat është shumë më e ndërlikuar. Stalini duket se nuk lexonte aq shumë, por kishte shije të hollë për letërsinë. Thuhet edhe se mendonte që autorët duheshin shpërblyer mirë. Dhe shkrimtarët sovjetikë kurrë nuk janë paguar më mirë se sa në kohën e Stalinit. Hera herës e dërgonte ndonjërin në litar, por me synimin e mirë të ngritjes së nivelit të përgjithshëm të partishmërisë në letërsi dhe arte.

Kur kishte nevojë për ndonjë teme shkencore, ai porosiste t’ia bënin gati dhe e lexonte si të ishte e vetja. Pa asnjë kompleks. Këtë bënte edhe Enver Hoxha (kësaj i kam kushtuar një roman të tërë, të ndërtuar mbi një fakt të vërtetë), por Nexhmija këmbëngul se ai gëzohej si fëmijë kur i vinte ndonjë libër i ri, të cilin mbyllej ta lexonte në bibliotekën e tij. Nuk ka asnjë arsye të mos besojmë se është kështu. Kurrë nuk kam menduar se E. Hoxha ishte një energumen.

Po ç’rol luanin librat në materien e tij gri? Këtu ka vend për të diskutuar (sikundër për të gjithë). Kam kaluar një herë nëpër duar kopjen e tij personale të Princi-t të Makiavelit. Nuk pata koha ta krahasoj me libra të tjerë, por ishte jashtëzakonisht i nënvizuar. Po a është kjo një arsye për ta paragjykuar për metodat e tij “makjavelike? Nuk besoj.

Gjithsesi, e përfytyroj tek mbyllet në bibliotekën a zyrës së tij me një libër të ri në dorë, një libër që sapo i ka ardhur nga Franca, siç përmend e shoqja. Mund të jetë edhe traktati Mbi tolerancën i Volterit. E shoh tek e lexon, kthen faqet njëra pas tjetrës, mban ndonjë shënim. Por rastësisht, vetëm rastësisht, vëren se sekretari i tij, Kroi, i ka lënë në tavolinë letrën me lutjen e një gruaje që t’i falë jetën të birit të saj (që e kanë arrestuar në Kashar për tentativë arratisjeje), por mund të jetë edhe ndonjë vendim gjyqi me vdekje, që pret miratimin e tij për t’u ekzekutuar. Kjo e bezdis disi, ka ëndje të lexojë i qetë librin e ri. Dhe këtë nuk e fsheh. Por nuk i lë mbas dorë detyrimet që ka për popullin e tij. Kështu, pa i larguar sytë nga faqet e librit, merr një stilograf dhe mbi letër vë shpejt e shpejt shënimin e tij të njohur: të torturohet para se të pushkatohet.

Pastaj rehatohet në kolltukun e tij dhe rrëshqet në botën e mrekullueshme të librave, jo pa ndjerë pak keqardhje që po i afrohet faqeve të fundit të atij libri aq interesant mbi tolerancën.

Volterit i fërgëllon shpirti atje ku është.

Si përfundim, nuk është se kisha pritur të mësoj nga ky libër i T. Ryback se kultura, arti, poezia, muzika etj., nuk kanë materie konsistente që mund të shërbejnë si barrierë kundër barbarisë. Një ide më të strukturuar për këtë çështje kaq të rëndësishme, e kisha formuar kur lexova Kujtimet e një evropiani të Cvajgut. Para se të ikë përgjithnjë nga Vjena, ai riprodhon diku, një bisedë të tijën të fundit me mikun e tij, tashmë të plakur e të lodhur, S.Frojd, pikërisht për këtë temë; për tmerret hitleriane që nuk po kryheshin nga njerëz të dalë nga pylli. Cvajgu, përshkruan dëshpërimin e atit të psikanalizës tek i pranon se vërtet, librat, artet, kultura nuk mund të frenojnë shtazërinë. Ato nuk mund ta mbrojnë njeriun nga gjithë lemeria që qëndron fshehur në trurin e tij reptil…

Duke iu kthyer edhe një herë titullit të këtyre shënimeve, them se ne fort mirë mund t’i tregojmë njëri tjetrit librat e mençur dhe elegantë që lexojmë, mund edhe t’i citojmë herë pas here pasazhet e tyre, por kjo nuk do të thotë se dimë shumë për njëri-tjetrin….

(c) 2020, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

9 Komente

  1. Pergezime per shkrimin 🙂 Kendveshtrim shume interesant. Mesa duket dija nuk te beka me te mire. Ama besoj se te ben me te vetedijshem per rrugen qe zgjedh dhe nese je i keq kjo te te ben akoma me te keq.

    1. Shume shkrim interesant. Personalisht mendoj se njeriun nuk e bejne librat, por se njeriu zgjedh librat qe te behet ai qe do. Librat vetem e ndihmiojne ose perfeksionojne ne qellimet e tij.

  2. Ndikon ose jo lloji I librave qe lexon tek veprimet njerezore? Me duket subjekt studimi I shtrydhesve te trurit dhe besoj qe edhe ata sdo te jene dakord midis tyre me perfundimet. Interesant per informacionin dhe menyren kulturmetaforen te te shkruarit por skuptoj ku do te dale z.DKokonozi. Psh ERama nuk lexon ( pavaresisht shtirjes sikur lexon me shume se Hitler) por kjo se ka penguar te behet Sulltan I Surelit..

  3. Pak a shume kjo:-)) Por kurre nuk duhet pare si te teperta edhe te kota. Per ne qe nuk kemi talente me shumice, pra per 99% perqind te njerzimit eshte rruga mbreterore e realizimit te vetvetes. Veçse realizimi i vetvetes nuk nenkupton lumturine e komshiut…
    Siç e vini ri, shkrimi siper nuk thote asnje fjale perse ndodh keshu. Pse dy veta qe lexojne te njeten gje nisen ne horizonte te ndryshme? Eshte teme e jashtezakoneshme, por e veshtire. I vij verdalle prej vitesh…

  4. Librat sigurisht qe ndikojne mbi njeriun, si ate poshte, edhe ate lart. Ai lart duke e pasur me te madhe lopaten, jo se ndikohet me shume, por i ka te ndikuaret me shume duk.
    Rasti klasik eshte Balkan Ghosts i Robert Kaplan – liber qe per te miren tone dhe per te zezen e serbeve, i ra ne dore ne fillim Hillary Clinton dhe pastaj te shoqit. Libri i beri aq shume pershtypje Presidentit te Amerikes sa qe u be flamurtar i pare i nderhyrjes ne Ballkan.
    Libri flet per “urrejtje shekullore “ – gabimisht sipas shume historianeve, por ishte pikerisht kjo “urrejtje “ qe e beri Billin tone qe te levize nga vendi.

    1. Te tjere thone qe Billi levizi se u zbuluan breket e Levinskit, qe mund te vihen te stilizuara tek flamuri i Kosoves ne vend te yjeve. Me i besueshem gjithsesi eshte varianti se lufterat nuk varen nga humori presidencial, por llogariten me pare. Asnje liber nuk sjell lufte. Per Hitlerin thone qe kur kishte per te marre vendime te rendesishme, shkonte disa jave tek keshtjella ne alpet bavareze. Ishte tip enderrimtari si cdo piktor dhe mund te besohet qe mes reve te alpeve bavareze dhe ndonje libri komplotizmi, arrinte te shihte endrren me fund te lumtur. Me vone u be praktik si piktori yne, e shihte endrren ne ndonje bunker nen efektin e kokaines.

    2. Balkan Ghosts eshte liber me vlera ne shume aspekte,por e ka gabim kur pretendon se Hitleri mesoi te urreje nga ballkanasit ne kafenete e Vjenes apo se holocaust ka origjine ballkanase dmth filloi me genocidin armen.Hitleri mori si shembull zhdukjen e indianeve nga te bardhet dhe futjen e tyre me rezervate shembull te cilin ai e mburr ne librin e tij “Lufta ime “.

  5. Miti i “bibliotekës së liderit” nuk ndahet dot nga autoritarizmi dhe as nga imazhi i udhëheqësit të ndriçuar, mendimtar në mos filozof, që e kalon kohën me “largpamje”, duke ua lënë vdekatarëve gjërat e vogla. Tingëllon qesharake, besoj unë, të flasim për çfarë lexon Merkel-i, Macron-i, Trump-i, Giuseppe Conte-ja e aq më pak Edi Rama ose Hashim Thaçi. Le të mos i ngatërrojmë modelet. Enver Hoxha kujdesej me të madhe për ta mirëmbajtur figurën e vet prej intelektuali teoricien dhe doktrinar, të fortifikuar pas rafteve të bibliotekës, siç edhe e mbante veten për “marksist” dhe udhëheqës të proletariatit botëror. Kjo lloj megalomanie vinte me pozicionin. Shpesh i pëlqente të fotografohej pranë rafteve me libra (ndryshe nga ca sot, që preferojnë tryezat me mish, si provë që e kanë mposhtur fukarallëkun) ose duke shfletuar ndonjë “hard cover” që sapo ia kishin dërguar nga ambasada në Paris. Krahasoje këtë me ca drejtues bashkëkohorë, që janë gjithë kohës me celularin ngjitur pas veshit, shenjë modestie dhe dobësie edhe kur nuk është shenjë paaftësie për të drejtuar.

    Por, po të gjykosh edhe nga librat që përmend Hoxha tek-tuk në muhabete, leximet e tij ishin të thjeshta, divulgative, me tituj jo të zanatit revolucionar, sa për arrivistë dhe snobë që duan ta paraqitin veten si intelektualë. Nuk e përfytyroj dot duke lexuar Sartre-in, por e përfytyroj duke lexuar një biografi të Sartre-it. Siç ishte amator vetë, në të gjitha fushat, ashtu edhe tërhiqej pas amatorëve të tjerë. Ndryshe nga Hitleri, Lenini dhe Stalini, mbase edhe nga Mussolini, Hoxha pozicionohej mikroborgjez provincial, nga ata që e lëmonin egon e tyre duke qëndruar gjithnjë në kontakt me autoritete të cilave ua kuptonin fjalën. Çuditërisht për një “marksist-leninist”, shijet e tij dhe preferencat ishin tërësisht tradicionale, konservatore për të mos thënë të mykura, të privuara nga çdo lloj guximi intelektual.

    Mbaj mend të kem lexuar që, pas një takimi me Kadarenë, i pat dhuruar këtij veprën e plotë të Balzac-ut, ose diçka të ngjashme. Tani, vepra e plotë e Balzac-ut është nga ato lloj objektesh që destinohen për t’u ekspozuar në një raft – të rrallë janë ata që nisen të lexojnë Xha Gorioin ose Iluzionet e Humbura duke marrë në dorë vëllimin përkatës të veprës (“po lexoj vëllimin e 6-të të veprës së Balzakut!” nuk është nga ato replika që mund ta dëgjosh sot lirshëm në kafene). Vepra e plotë – e një shkrimtari – është edhe një farë mumifikimi, ose të paktën dërgim i tekstit në komë, për ta mbajtur në “animacion të pezulluar”, në raftin përkatës. “Intelektualët” që shkëmbejnë mes tyre objekte të tilla mbase e shohin veten në rolin e “rojtarëve” në mos të “shqytarëve” të dijes. Ose edhe të “priftërinjve” të dijes. Në kuptimin që biblioteka vjen dhe të shndërrohet në një lloj “relikuari”, ku të mbash eshtrat e paraardhësve.

  6. Perdorimi I llogjikes na ndihmon po aq sa edhe matematika ne temen vertet te komplikuar qe qëmton me finese z. Kokonozi nese ndikojne librat (kulturimi nga librat) tek veprimet e “liderave” . Arsyetimi i z Vehbiu eshte ndjelles dhe te zhyt me thelle ne keto persihatje por deri me sot ska ndonje perkufizim per fjalen “kulture” .Eshte teper shtrigane. Mgjth ja vlente

Lini një Përgjigje te Dashnor KokonoziAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin