BETONIM APO LIRI E TEPRUAR?

– përsiatje për standardin gjuhësor të shqipes –

nga Qëndrim Morina

Gjuhët standarde jo doemos janë rrjedhim i një procesi të natyrshëm zhvillimi të një varianti gjuhësor, por fryt i ndërhyrjes së vullnetshme, në kohë të caktuara, për qëllime të caktuara. Si një variant artificial, gjuha standarde ka nevojë për kujdesin e vazhdueshëm të bashkësisë gjuhësore që e flet. Prandaj, planifikimi gjuhësor është quajtur edhe si zhvillim i gjuhës (language development).

Duke marrë parasysh domenet në të cilat përdoret shqipja standarde (shkollë, administratë, medie, institucione, etj.), ajo me të drejtë ka devijim në të folur e në të shkruar. Dhe, nga shumë studiues (Lafe, Memushaj, Likaj, etj.) është konsideruar se ky standard po devijon, shkatërrohet e dhunohet.

Padyshim, pajtohemi që domenet përkatëse ku flitet e shkruhet ky standard kanë aty-këtu devijim dhe do të duhej t’i kushtonin një rëndësi më të madhe – sidomos në të shkruar, por të themi që po dhunohet e shkatërrohet, mendojmë që janë epitete të ngutshme, duke marrë parasysh fazën e standardizimit të shqipes, sfidat dhe kohën (komuniste) kur është mbajtur Kongresi i Drejtshkrimit (1972).

A është shqipja e standardizuar?

Kur dëshirojmë të thurim lavde apo kritika për standardin gjuhësor të shqipes, duhet t’i ngremë disa pikëpyetje dhe të kuptojmë disa të dhëna, akull të ftohtë dhe pa ndjenja gardiane.

  1. Ç’është standardi gjuhësor?
  2. Kur ka filluar standardizimi i shqipes dhe cilët faktorë kanë ndikuar në zhvillimin apo moszhvillimin e tij?
  3. A është gjuha standarde vetë gjuha?
  4. Çfarë roli kanë dialektet në këtë zeje?
  5. A i ka kaluar shqipja të gjitha fazat e zhvillimit për të marrë epitetin ‘’standardizim”?

Koncepti “gjuhë standarde” tingëllon disi si i turbullt. “Gjuhët standarde janë produkt i një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë dhe të pamenduar nga ana e shoqërisë” (Hudson, 2002:43).

Sipas linguistëve (Haugen 1996; Mathiot dhe Garvin 1959) gjuha standarde duhet të kalojë disa procedura që të marrë epitetin “standardizim”:

  1. Përzgjedhja,
  2. Kodifikimi,
  3. Kultivimi i funksionit dhe
  4. Pranimi

T’u ndalemi këtyre çështjeve veç e veç.

Duke marrë parasysh se formimi i gjuhës standarde ka kaluar nëpër një rrugë historike të gjatë më se një shekull, idetë e para për formimin e saj qenë shfaqur në kohën e Rilindjes Kombëtare, do të thotë nga mesi i shek. XIX dhe ndikuan disa faktorë, si: politikë, ekonomikë, socialë, kulturorë, etj. (Munishi, 2013: 15).

  • Përzgjedhja, nënkupton, që një formë a tjetër të zgjidhet një variant i caktuar, për të kultivuar gjuhën standarde në disa domene përkatëse. Në rastin e shqipes u zgjodh varianti toskë, në një epërsi të madhe, krahasuar me variantin gegë – pra, me shumë pak barasvlerë.
  • Kodifikimi, nënkupton që folësit duhet të shkruajnë format e sakta – të përzgjedhura nga varianti që është standardizuar – në këtë rast të variantit toskë. Në Kongresin e Drejtshkrimit (1972) u propozua dhe u pranua një tufë rregullash, që herë-herë ishin edhe të pa-argumentueshme shkencërisht, sepse shihej dhe shihet edhe sot, që mungoi argumentimi shkencor, karshi elitave politike të asaj kohe (komuniste).
  • Kultivimi – një gjuhë standarde që përzgjidhet e kodifikohet, më patjetër kërkon edhe kultivimin e saj.
  • Pranimi – gjuha standarde kur pothuajse kalon me sukses të gjitha fazat e standardizimit, ajo kërkon edhe fazën e rishikimit – në mënyrë që të maten dhe testohen gabimet e mundshme të kohës, që përfundimisht të shkojë edhe deri te faza e fundit, e që është pranimi. Pra, një gjuhë pranohet që është standardizuar kur kalon nëpër këtë rrugë dhe kalon me sukses fazat e cekura më lart.

A i ka kaluar shqipja këto faza? Standardi gjuhësor i shqipes ka kaluar fazën e përzgjedhjes, kodifikimit, kultivimit (jo mjaftueshëm), por që i mungojnë ajo e rishikimit dhe pranimit.

Duke marrë parasysh kriteret dhe përmbushjen e tyre, mund të përfundojmë që gjuha shqipe nuk është e standardizuar, por që posedon një tufë rregullash, që herë-herë po i shërbejnë për të mirë e herë-herë po e ngulfasin atë.

Një çështje tjetër që ngatërrohet shumë shpesh në diskursin publik dhe nganjëherë edhe në atë shkencor (fushë të ngushtë – gjuhësisë) është mosqartësimi apo moskuptimi i drejtë i fjalës standard. Siç thamë edhe më lart, standardi është vetëm një varietet artificial dhe nuk përbën gjuhën në tërësi. Pra, standardi nuk është gjuha.

Një pikë ku gjithmonë ekziston debat është që standardi dhe dialektet nuk janë një, por nuk janë edhe shumë të ndryshëm. Dallimi i vetëm që ekziston mes standardit dhe dialekteve është prestigji: një standard ka një prestigj, që një dialekt nuk e ka. (Hudson, 2002; 42)

Ndikimi i internetit në shkrimin e shqipes standarde

Me futjen në përdorim të pajisjeve elektronike është shtuar pesha e asaj që shumë herë quhet edhe si gjuhë e internetit, me të cilën duhet kuptuar ligjërimi elektronik – një lloj i ri i shfaqjes së gjuhës, krahas ligjërimit të përditshëm.

Ligjërimi elektronik ka marrë hov edhe me krijimin e rrjeteve sociale, duke u përdorur për komunikim midis individëve për një mesazh më të shpejtë. Madje, kohët e fundit, në këto rrjete sociale (Facebook, Instagram, Snap, etj.) është bërë njëfarë kriteri për shkrimin e shqipes standarde – për të cilin, nëse eventualisht dështon në shkrimin e formave të sakta, të korrigjojnë dhe të përqeshin, kjo është një ndihmesë, sepse krijon një përdorim paralel me atë të librave e gazetave.

Mirëpo, për shkak të kohës dhe shpejtësisë së shkrimit, gabimet janë të natyrshme. Këto rrjete sociale kanë zëvendësuar shkronjën ë me e dhe ç me q. Pothuajse, shumica e kuptojnë këtë marrëveshje dhe nuk e cilësojnë si mosdije.

Pa asnjë dyshim, gjuha e internetit është pasqyrë e mirë e shfaqjes së njohjes së standardit gjuhësor, por nuk është përgjegjëse për “prishjen” e tij. Pra, ajo vetëm zbulon disa të meta të zbatimit dhe tregon shkallën e përvetësimit nga folësit që e shkruajnë.

Mbrojtja e standardit gjuhësor

Kur flasim dhe diskutojmë për varietetin standard të gjuhës shqipe duhet të jemi në gjendje të dallojmë dy aspekte: njëri aspekt është ai i përdorimit, një tjetër aspekt është ai i vështrimeve teorike rreth standardit.

Duke u nisur nga kjo kuptojmë që ky standard (aktual) duhet t’i shërbejë folësve dhe jo e kundërta. Duke marrë parasysh atë që thamë më lart (shih. A është shqipja e standardizuar?), përfunduam që gjuha standarde ka nevojë për kalimin e disa etapave vijuese për një përdorim më të mirë.

Nisur nga kjo, gjuhëtari Rami Memushaj (2015; 373) thotë se gjuha standarde është një mal që s’e shemb dot duke i hapur ca tunele. Në këtë drejtim bie ndesh së pari ajo që përmendëm për fazat e standardizimit dhe së dyti që standardi gjuhësor duhet të jetë në shërbim të folësve dhe jo e kundërta.

Pra, kur themi përmirësim nuk nënkuptojmë përmbysje, sepse mendojmë që ky standard, me pak të meta që ka, lirisht mund të konsiderohet si një nga arritjet më të mëdha të shek. XX. Por, shoqëria jonë, sa i përket standardit duhet të jetë më e hapur, sepse gjer tash kemi dy lloje qëndrimesh:

  1. qëndrim i betonuar – i atyre që thonë që nuk duhet hequr asnjë tullë kësaj ndërtese, dhe
  2. liri e tepruar – e atyre që për çdo pikë a presjeje duhet të mbahen kongrese e të ndërhyjnë në të.

Në gjithë këtë katrahurë, mendojmë se duhet gjetur një rrugë e mesme.

Këto dy lloje qëndrimesh mund të sjellin edhe teori konspirative për mbrojtjen me ligj të standardit gjuhësor, që mund të vijnë nga ata që e duan gjuhën dhe që ia duan të mirën. Por, një çështje duhet sqaruar: nga kush ta mbrojmë atë standard?

  • Nëse mendohet të mbrohet nga ata që kanë një liri të tepruar mbi standardin – ndoshta edhe mund të pranohej;
  • Nëse mendohet të mbrohet nga ata që po bëjnë shkelje normative – ndoshta edhe mund të

Por, nuk duhet harruar një gjë: ata janë folës të shqipes dhe nuk mund t’ua ndalojmë atyre të flasin e shkruajnë gjuhën (gjuhën 2.) e tyre. Kjo është shkelje normative e standardizimit.

Thamë këtë sepse kohët e fundit (vitet e fundit) ka qarkulluar një ide e disa gjuhëtarëve nga Shqipëria, si: Memushaj, Lafe, Shkurtaj, që t’i drejtohen me një letër-propozim kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të mbrohet që shqipja standarde me ligj të veçantë. Kjo ngjalli shumë debat mes gjuhëtarëve nga Shqipëria dhe Kosova, që pashmangshëm, po kyçemi edhe ne.

Prof. Seit Mansaku, këtë letër e quajti si fyese. “Letra e profesorëve për Ramën, fyese” (gazeta “Dita”, 2014).

Mendojmë që propozimi i profesorëve ishte i ngutshëm, jo dashakeq, por i pamenduar mirë – sepse asnjëherë nuk duhet harruar atë që standardi gjuhësor ndihmohet nga varietetet e tjera (dialektet) që të mbijetojë. Dhe, si mund të mbrohet një varietet i caktuar me ligj të veçantë karshi të tjerëve?

Propozimi i gjuhëtarëve të lartpërmendur ka tri defekte:

  1. i pasaktë – nuk mund të flitet për shkatërrim të gjuhës;
  2. johistorik – sepse shqipen nuk kanë mundur ta shkatërrojnë as perandoritë më të fuqishme, e lë më folësit e saj, dhe
  3. i pamenduar mirë – sepse nuk mund ta mbrojmë një varietet gjuhësor prej folësve të tij shqiptarë.

Krejt në fund, duhet ta përsërisim edhe njëherë që përmirësimi i standardit nuk nënkupton përmbysjen e tij. Dhe, kjo bie ndesh me thënien e shkrimtarit, Rexhep Qosja, që “Shqiptarët janë i vetmi komb, ajka e të cilit kritikon gjuhën standarde”.

 

(c) 2020, Qëndrim Morina. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Literatura:

Hudson, Richard: Sociolinguistika, Dituria, Tiranë, 2016.

Kostallari, Androkli: Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj, Tiranë, 1973.

Akademia (revistë për kulturë, gjuhë, media), Armagedoni, nr.2, prill, 2018. Memushaj, Rami: Për shqipen standarde III, Tiranë, 2018.

Munishi, Shkumbin: Pikëpamjet e Androkli Kostallarit për gjuhën standarde shqipe, ZeroPrint, Prishtinë, 2013.

2 Komente

  1. ju lutem loboni per krijimin e nje programi ne word per kontrollin e shqiptimit automatik (spell check), se po kalojme me shume kohe me redaktime e korrigjime se sa me krijime

  2. Standarti vjen e behet dialekt me vete, pasi kapercen fazen e sociolektit. Para ca kohesh lexova turq te Azise qendrore ( uzbeke me duket), qe ankoheshin se persishtja/dari qe flasin taxhiket nuk eshte aspak antike, por hyrje e mijevjecarit te dyte ( pra nga ca shekuj tek e shumta 1 mije vjet). Argumentin e zgjeronin edhe me afganet qe flasin dari/ persishte moderne, po merakun e kishin me shume me taxhiket. Ne fakt, taxhiket shtrihen ne Baktriane qe flisnin nje gjuhe iraniane te njejte me sogdianishten dhe rrenjesisht te ndryshme nga persishtja ( diicka si gjuhet oil e oc te neolatinishtes ne France e Katalonje). Sogdianishtja ka lulezuar ne shek. 8 ( lingua franca e rruges se mendafshit) dhe u zhduk pas dyndjeve mongole. Atehere uzbeket kane te drejte, gjuha dari/ persishtja.moderne ka hyre ne baktriana/taxhikistan e afganistani verior pas dyndjeve mongole te shek 13. E vetnja menyre qe ka hyre ka qene pikerisht si gjuhe zyrtare e administratave turko-mongole dhe jo nepernjet ndonje emigrimi te persianeve drejt Afganistanit dhe Taxhikistanit. Pra, ky standarti qe flasin e shkruajne administratat, krijon nje sociolekt e pastaj nje dialekt qe zevendeson edhe dialekte e gjuhe te tera. Bash njesoj si darishtja/persishtja ne Taxhikistanin e sogdianishtes. Po aq njesoj sa greqishtja mesjetare kishtare qe vjen nga Azia e vogel dhe zevendeson greqishten cakonishte te Peloponezit dhe shqipen e cobancen e Epirit. Standarti ne afatgjate eshte kafshe shume e rrezikshme dhe ne fillim gllaberon dialektin prej te cilit ka dale( pastaj variantet me te aferta). Ne rastin tone, toskerishtja veriore mund te quhet variant i shqipes ne rrezik zhdukjeje. Per te shpetuar toskerishten veriore ne standart duhet te hyjne sa me shume elemente gege te jete e mundur.

Lini një Përgjigje te Dies IraeAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin