EMRA DHE HISTORI

Ka qenë një kohë në Tiranën time të viteve 1970, kur unë dhe shumë të brezit tim nuk e dinim se ç’ishte medreseja – dhe emrin e vendit, “te Medreseja”, e lidhnim me një klinikë dentare që gjendej aty. Një shkollë fetare myslimane, një vend ku rregulloheshin dhëmbët dhe ku studionin stomatologët e ardhshëm, një kryqëzim te rruga e Dibrës – të tria këto informacione njëfarësoj bashkëjetonin, te ndërtesa, falë ndërtesës, siç bashkëjetojnë disa pallto tek e njëjta varëse.

Emrat e vendeve, në qytet, mund edhe të habitin, sidomos ata që kanë nge t’i marrin në pyetje. Rruga e Dibrës nuk të çonte gjë në Dibër, as rruga e Kavajës në Kavajë (por rruga e Durrësit të çonte në Durrës); te rruga e Postës nuk kishte postë; “te Kisha” nuk kishte kishë dhe te Varri i Bamit nuk kishte varr; rrugën e Fortuzit mund ta kem ecur me qindra në mos mijëra herë, kur veja në shkollë, por Fortuzin nuk pashë kurrë gjëkundi dhe as e dija ç’ishte (nuk di pse, e përfytyroja si burrë rrondokop, që pinte cigare në hyrje të rrugicës së vet dhe vështronte kalimtarët). Vende të tjera, me emrat e tyre, të bënin të mendoje se dikur kishin qenë diçka tjetër, ose që tani po ruanin, falë emrave, gjurmët e çfarë nuk ishin më: “te Reklamat,” “te Derri,” “te Zogu i Zi,” “te Gastronomi,” “te Libri Sovjetik,” “te mensa e Kinezëve”. Pa folur për ca emra edhe më enigmatikë, si “21-shi”, ose “Polici me dorë.”

Edhe pse të shkurtër, ndonjëherë minimalë, këta emra vendesh mëtonin të tregonin nga një histori, duke ngacmuar një përfytyrim, individual por me pretendime kolektive. Që tek emri i Tiranës vetë – ku alternoheshin pamjet e plakës që i ish përgjigjur “tjerr anë” udhëtarit kurioz, kur ky e kish pyetur se ç’bënte; tek ai komandanti osman, Sulejman Pasha, që e pat quajtur qytetin sipas emrit të një qyteti tjetër, Teheranit, që kish pushtuar dikur. Emra të tillë shpesh rreken të tregojnë historinë e emërtimit të tyre; pa çka se historia që tregojnë po aq shpesh është apokrife, në mos efekt anësor i emrit (etimologji popullore).

Ka edhe rrëfime që vijnë vetvetiu me emrin: Varri i Bamit të fton të mendosh për një varr, aq të rëndësishëm, ose ndoshta aq të vetmuar, sa mjaftoi për të pagëzuar pastaj një lagje të tërë; mensa e kinezëve sjell me vete pamje kinezësh ulur në tavolina të gjata, duke ngrënë oriz me shkopinj; rrapi i Trishit është piktura e një peme që ngrihet hijerëndë ndanë rrugës, njëlloj si Selvia, që mua më dukej gjithnjë si penel. Parkun e Xha Tomit vështirë të mos e shoqërosh mendërisht me një plak të kërrusur që kujdeset për të duke e ujitur nga pak, madje edhe kur atje nuk shkon kush më; Fusha e zezë është e zezë për një arsye: të jenë djegur vallë atje gjëra të parrëfyeshme? Pa folur për Kodrën e Kuqe… Thjeshtësia e frikshme, e ca emrave, të sugjeron edhe varfërinë e eksperiencave të përbashkëta; ndonjëherë edhe atë proces kur një mikrotoponim (lagjeje), si Vajguri (takohemi “te Vajguri”) ngjitej në karrierë, deri në rang qyteti.

Te vende të tilla, jo gjithnjë të klasifikueshme për nga rëndësia dhe protagonizmi në jetën urbane, hedhin spirancën anijet e kujtesës kolektive – duke i dhënë përjetimit të qytetit një përmasë mitike; jo vetëm ngaqë i ndihmojnë banorët ta kalojnë qytetin nga gjeografia (topografia) në histori, por edhe ngaqë i lejojnë ata vetë ta modelojnë kujtesën e tyre sipas qytetit, çfarë njihet edhe si “method of loci,” e përshtatur pastaj edhe si formë mnemoteknike. Që kjo ndodh, ka implikime të thella: meqë duke e mbajtur mend veten dhe të tjerët, sipas qytetit, ashtu edhe e ndërtojmë dhe mirëmbajmë, si ego.

Mjaft të mendosh që ka ende sot, në Tiranë, të mbijetuar nga ai brez që, kur i referohet qendrës dhe sheshit “Skënderbej”, përdor fjalët te Stalini – një emërtim që evokon imazhin e monumentit të hequr këtu e gjysmë shekulli më parë, por edhe kujtimin e një kohe kur Stalini nderohej si gjysmë perëndi; dhe të gjitha këto, në bashkëlidhje me eksperiencën në miniaturë të Tiranës së viteve 1950-1960, nën hijen e tiranit të Kremlinit; dhe kur qendra e qytetit po shndërrohej, nga hapësirë për treg dhe shkëmbime, në hapësirë për të parë dhe për t’u parë. Kësaj Tirane sovjetike, aq të hekurosur, rrënojat i kanë mbetur më shumë në emra vendesh, se në realitet.

Gjithë duke u rritur, Tirana edhe popullohej me emra njerëzish, herë të njohur e herë të panjohur, që u viheshin rrugëve, shkollave, ndërmarrjeve, kinemave… Mihal Duri, Muhamet Gjollesha, Qemal Stafa, Emin Duraku, Ali Demi, Vojo Kushi, Halim Xhelo, Hajdar Hidi, Myslym Shyri, Mine Peza, Misto Mame, Vasil Shanto; jambe si goditje çekiçi, që njëfarësoj ia mbanin ritmin kryeqytetit të dalë por edhe të ripagëzuar nga Lufta; duke na kërkuar që ta (ri)organizonim kujtesën sipas një varreze dëshmorësh simbolike. Historitë e këtyre ishin të mirënjohura – por lidhja e tyre me locus-in më e ndërmjetësuar, më arbitrare. Të shpjegoje ç’lidhje kish, për shembull, Hasan Vogli (emër i një shkolle) me një hapësirë në skaj të Tiranës së vjetër ishte ndoshta po aq e vështirë sa të shpjegoje vendin ku e kishe varur në mur fotografinë bardhezi të gjyshit të vdekur. Ose edhe, më thjesht akoma, të ftilloje emrin që të kishin vënë prindët ty vetë.

Pjesë e të bërit tiranas, pjesë e procesit të shndërrimit në tiranas, ishte edhe të kuptoje se cilët emra i kish ngulur pushteti me gozhdë në fasadën e qytetit, si “Rruga Miqësia” ose “Rruga Justin Godard”, dhe cilët emra të tjerë kishin lindur vetvetiu, ose ishin përftuar në rrjedhë të kohës, duke mbirë nga dheu i eksperiencës. “Pallatet Agimi” të bënte të mendoje për fytyra të gëzuara sovjetike, shalle pionierësh dhe lule artificiale; por “pallatet e italianëve”, “pallatet e Lanës”, “pallatet e oficerëve”, “Shallvaret”, “Liceu” ishin pjesë organike e kujtesës kolektive.

Një emër vendi vjen zakonisht me dy histori: atë që e rindërton ti vetë, me mjetet që të jep gjuha, dhe atë tjetrën, “të vërtetën”, që ti edhe mund ta dish se ekziston, por që duhet ta kërkosh dhe, me pak fat, edhe ta gjesh. Zogu i zi sugjeron një zog të zi, por edhe dyshimin për një metaforë; mendjekeqët mund të përfytyrojnë një grua lakuriqe, naivët mbase edhe shqiponjën kombëtare; derisa të gjendet një i urtë, depozitar i kujtesës së qytetit, që ta rrëfejë historinë e emrit ashtu siç ka ndodhur. Ti mund t’ia lejosh vetes të mendosh se Varri i Bamit ka lidhje me një varr, por se si ka ndodhur ky emër (Vorri Bomit, në shqiptimin lokal), duhet të ta thotë dikush, një i ditur, një mishërim foklorik i historisë së Tiranës. Kjo lloj dijeje është cilësisht e ndryshme nga ajo tjetra, me të cilën jemi mësuar, dhe që na shpjegon se vendet shpesh emërtohen sipas varreve, sepse varret e bartin emrin me vete dhe sepse varret nuk i lëviz kush, prandaj i përshtaten mirë funksionit të ri, si loci memoriae, gjatë shndërrimit gradual të një territori në hartë.

Ndodh edhe që historia “e deduktuar”, ajo që sjell me vete gjuha, të jetë më e mirëfilltë se tjetra, ose ajo që pretendon t’i përcjellë gjërat “siç kanë ngjarë.” Për Zogun e Zi, emër i kryqëzimit të Rrugës së Durrësit me Unazën, historitë e rrëfyera nuk përkojnë: disa e lidhin me një shtëpi publike të frekuentuar nga italianët gjatë Luftës; të tjerë me një çezmë publike, të zbukuruar me bareliefin e një zogu të zi; të tjerë akoma, me historinë e një djali që kish vdekur aty pari dhe një nëne që vinte për ta qarë derisa i plasi edhe asaj zemra dhe u kthye pastaj, në trajtë të një zogu të zi, për ta vazhduar vajtimin; këta të fundit kujtojnë edhe një këngë popullore: “Ku po knon një zog i zi?/ N’shpinë të vorrit djalit ri.” Rrëfimi ta ketë pjellë emrin, apo emri rrëfimin?

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa leje: kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.

 

19 Komente

  1. Fusha e Zeze quhej ashtu si ishte e shtruar me mbeturina te bluara te qymyrit kok qe mbeteshin pas djegjes neper kaldajat me qymyr te qytetit. Mbas cdo loje futbolli kembet kepucet dhe coraapet ishin sterre te zeza. Varrin e Bamit une e mbaj mend akoma varreze ku shkonim kapnim kagzoza qe ishin gjarperinj te vegjel sa pellemba qe i perdornim per te trembur gocat e klases. Menca e kinezeve ka qene vertet mence kinezesh, vend i preferuar per ato qe mblidhin stema me Macedun ku kinezet ua shperndanin kalamajve ne vend te karameleve.

  2. Rrapi Trish.
    Nejse…
    Ne Angli ka nje tradite shume te mire qe emrat lokale perjetesohen ne emra pub-esh – Hani i Dika Beut psh, qe na vjen ne Tirane edhe si emer vendi edhe si shprehje “popullore”.

    1. Një komentues në FB ma korrigjoi edhe ai Rrapin e Trishit, duke më sqaruar se emri i saktë është Rrapi i Shtishit, meqë emri lidhet me Shtish-Tufinën. Them se ka të drejtë, për historinë e fjalës. Por nuk besoj të kem qenë i vetmi që të kem përdorur formën Rrapi i Trishit. Dhe kjo, sepse Rrapi i Shtishit nuk do të kish shumë kuptim për mua dhe shumë të tjerë. Madje edhe për ata që e njihnin Shtish-Tufinën. Çfarë ka ndodhur këtu, si në raste të tjera me emra vendesh, është ai modifikim i fjalëve përmes një mekanizmi që e quajnë “etimologji popullore”, ose duke i bërë të motivueshme. Dhe në perspektivën që kam zgjedhur unë, interpretimi me etimologji popullore ka më shumë peshë se historia e mirëfilltë; sepse unë flas për “kujtesën kolektive të qytetit”, e cila mbështetet në emrat ashtu siç i përdor kolektiviteti, jo ashtu siç shpjegohen në librat e toponimisë historike.

      1. Me pelqeu ky shkrim.
        Kete mengjes m’u duk se shetita neper TIRANEN, ku me kane dhe kam lindur , jam dhe kam rritur , ku jam dhe kam shkolluar, martuar, gezuar dhe vuajtur, ku jam frymemar dhe mendoj te le frymen …

        E njoh TIRANEN , ashtu sic e pershkruani me pellembe.
        E etiketonim TIRANEN edhe prej disa nga ndertimet kryesore , sipas shkollave, Kinemave, te Petro Nini, te 11 Janari, te Qyteti Nxenesve, te Pallati i Pioniereve, te Kinemaja Re…

        Sipas Ndermarjeve te prodhimit emertoje nje lagje te tere si ne Kombinat, te Autotraktoret etj etj

        Sipas shesheve , te vogla apo te medha per nga siperfaqia te Tirana e Re, te Skenderbeu, apo nga stacione te ndryshme automjetesh si Te Treni, Te Parku, etj
        Tirana, sot ka ndryshuar.
        Shume nga keto emra toponimesh, duke mos u permendur, do harrohen….

        Tirana ka filluar te emerohet ndryshe sipas objekteve tregtare kryesisht ,p theni e ka ndertuar shtepine andej nga TEG-u….

        Ju pershendes

  3. Fusha e Zeze e kishte kete emer se ishte e shtruar me pluhur te zi qymyri, mbetje nga djegja e qymyrit kok neper kaldajet e Tiranes. Mbas cdo loje futbolli duhet te laheshe me furče qe te hiqje zgjyren e zeze nga kembet. Varrin e Bamit une e mbaj mend akoma si varreze ku shkonim te kapnim kagzoza, gjarperinj te vegjel nje pellembe qe gjate, per te trembur gocat e klases fillore (Kongresi Lushnjes). Kurse tek Menca kineze drekonin me paret e shtetit gjithe specialistet kineze te kohes dhe ishte vendi ideal per te mbledhur stema me Macedun qe kinezet ua shperndanin femijeve si karamele.

  4. Rruga e Kavajes te conte ne Kavaje dhe te con edhe sot. Rruga e Kavajes, dilte ne Kombinat (te Tekstileve St#$%@), Ndroq, Plepat dhe po te merrje majtas te conte ne Kavaje, pa kaluar nga Durresi. Rruga e Dibres e mori ate emer per shkak te dibraneve te shumte qe ndertuan shtepi ne ate rruge,” 21-shi” ishte shkurtim i 21 Dhjetorit (sipas datelindjes se St#$%@-it) emer i Ndermarrjes se Ndertimit qe i kishte zyrat ne ate zone te Kryeqytetit.

    1. Unë jam rritur tek ajo rrugë – kam luajtur në trotuaret, kam vrapuar, jam rrëzuar, kam shkuar me mijëra herë në dyqanet përreth, kam pasur shtëpitë e shokëve ku kam hyrë dhe kam dalë, e kam parë në ditë të mira dhe në ditë të këqia, e mbaj mend edhe të zbukuruar edhe të errësuar në kohëra “alarmesh ajrore”, kam parë të kalojnë atje dhe karroca me kuaj, edhe makinat e qumështit, edhe tanket (që bëheshin gati për paradën), edhe “alabakët” e ambasadave, kam prishur këpucë dhe sandale, më janë ngjitur këmbët në asfalt në verë dhe më janë mbushur këpucët me ujë në dimër, kam bërë vaksina dhe gjilpëra tek ambulanca përballë ish Lidhjes së Shkrimtarëve, jam qethur te berberi pak më tutje – madje aq shumë e kam jetuar, sa mund të them se edhe ajo rrugë më ka jetuar.

      E megjithatë, gjithë duke e quajtur Rruga e Kavajës dhe duke e ditur ku dallonte nga “Konferenca e Pezës”, si emri që ia kish dhënë shteti, kurrë e kam menduar ndonjëherë Kavajën, as kam menduar ndonjë lidhje të saj me Kavajën, as ka qenë Kavaja ndonjëherë e pranishme në jetën e banorëve atje dhe as ka qenë nisur që andej ndonjë linjë autobusash ose mjetesh të tjera për Kavajë. E shumta, kur binte fjala për drejtimin e rrugës, do të dëgjoje shprehjen “rruga e N(d)roqit”, si për ta dalluar nga tjetra që shpinte po në Durrës. Me këtë nuk e mohoj që rruga të shpinte edhe në Kavajë, por vetëm që Kavaja nuk ishte as destinacioni i saj, dhe as ndonjë vend ku shkonin rregullisht tiranasit (dhe tironsit), por më shumë një stacion në një rrugë kombëtare, që vazhdonte deri në Gjirokastër. Prandaj kish edhe një mospërputhje midis emrit të rrugës dhe natyrës së saj, jo vetëm ngaqë unë dhe shumë të tjerë si unë nuk e kemi përdorur kurrë për të shkuar në Kavajë, por edhe ngaqë unë dhe shumë të tjerë si unë, kur kanë shkuar në Kavajë, nuk i kanë rënë që andej.

      E njëjta gjë vlen edhe për “21-shin”. Sa vetë e dinin, në Tiranë, se bëhej fjalë për datëlindjen e Stalinit? Me kalimin e viteve, gjithnjë e më pak. Emri i asaj ndërmarrjeje dhe pastaj i krejt zonës erdhi duke u shkëputur nga origjina, i humbi lidhjet nga historia e rrëfimit fillestar (“në këtë datë, në vitin kaq e kaq, lindi në Gori të Rusisë udhëheqësi i madh…”) duke u kthyer në shifër. Nuk kish nevojë ta dije kuptimin e saj kalendarik, për t’u orientuar në qytet. Diçka e ngjashme me rrugët në NYC: Wall Street ka një “histori” të vetën, një arsye pse është quajtur kështu, por 14th Street ka kuptim strukturor vetëm, meqë e ka marrë emrin ngaqë gjendet midis 13th and 15th Street. Me të vetmin dallim se 21-shi i Tiranës nuk ka as kuptim strukturor – prandaj tingëllon edhe më abstrakte. Por kjo nuk e pengonte, megjithatë, që jo vetëm të përdorej si orientues në qytet, por edhe të mbushej me kujtimet tona. Sot shumë në Tiranë e përdorin akoma, por me siguri pa e ditur ç’lidhje ka me Stalinin…

      1. Une edhe pse nuk kam jetuar ne ate rruge sic thoni ju, dhe sigurisht nuk kam ate lloj lidhje me ate rruge qe keni ju, them se e kam shkelur jo pak ate rruge edhe perpara se te fillonit jeten tuaj atje. Se perse ju, ose te tjere si ju nuk e lidhni me Kavajen, nuk e ndryshon faktin qe ajo rruge eshte emertuar nga vulgu “Rruga e Kavajes” pikerisht per faktin qe kush donte te shkonte ne Kavaje i dilte me shkurt e me mire te nisej nga ajo rruge se sa nga rruga e Durrsit. U ripagezua edhe Rruga e Ndroqit, nga ata qe shkonin ne plazh dhe duke dale andej shkonin drejt e ne plazh pa kaluar nga Durresi, pra jo thjesht si nje rruge alternative per te shkuar ne Durres. Sa per ate qe thoni ju qe ajo rruge nuk ndalet ne Kavaje, por vazhdon madje deri me Gjirokaster, po te njejten gje mund te themi edhe per rrugen e Elbasanit qe nuk ndalet ne Elbasan po vazhdon me tej deri ne Korce, madje sot duke vazhduar ate rruge mund te dalesh edhe ne Greqi. E kam fjalen qe keto lloj emertimesh nuk eshte se domosdo duhet te vendosen sipas destinacionit final. Tek e fundit po te qe keshtu keto lloj emertimesh nuk do te perfshiheshin dot ne kategorite qe permendni ju, si me thene kur emri i rruges apo i vendit shkeputet nga arsyeja fillestare, fiton jeten e vet dhe edhe pasi arsyeja fillestare eshte harruar (sic me te drejte thoni ju per 21-shin) emri vazhdon te jetoje duke i lene shpesh ata qe e perdorin ate emer, te paditur per arsyen e egzistences se atij emri vete.

        Sa per 21-shin, e solla vetem sepse e dija arsyen, per te ndihmuar sado pak ata qe nuk e dine, duke qene i sigurt qe ju e dinit.

        Ju thoni:

        “Prandaj kish edhe një mospërputhje midis emrit të rrugës dhe natyrës së saj, jo vetëm ngaqë unë dhe shumë të tjerë si unë nuk e kemi përdorur kurrë për të shkuar në Kavajë, por edhe ngaqë unë dhe shumë të tjerë si unë, kur kanë shkuar në Kavajë, nuk i kanë rënë që andej.”

        Kot per kuriozitet, a mund te me tregoni se nga i keni rene per te shkuar ne Kavaje, sigurisht nqs jeni nisur nga Tirana, Jo per gje, po nqs i keni rene nga rruga e Durresit nuk duhet te keni pasur arsye tjeter vecse te qendronit ne Durres per ndonje arsye cfardo, perndryshe perse do ta zgjasnit rrugen kot. Se nuk besoj se i keni rene nga Krraba per te vajtur ne Kavaje, apo jo?

        1. E kam fjalën atje që – unë si shumë të tjerë – që nuk kemi pasur të afërm dhe as punë për të kryer në Kavajë, zakonisht jemi ndalur atje rrugës për diku tjetër; dhe në rastin tim ka qenë nga Durrësi për në Jug. Ta quash një rrugë “Rruga e Kavajës”, ose e bën sepse ajo rrugë të çon atje (destinacion kryesor) ose nuk shkon më tutje se Kavaja (capolinea). Mbase kur u ndërtua, rruga në fjalë perceptohej ashtu; por jo më, në vitet 1960. Për Tiranën ngrinin peshë Durrësi, Shkodra, Elbasani, Korça, Vlora, Berati, Gjirokastra, Saranda – por jo Kavaja. Sikur të bëje një census të makinave që niseshin nga Tirana për në jug brenda një muaji, duke i rënë nga Ndroqi, sa prej udhëtarëve do të përgjigjeshin “jemi nisur për Kavajë?”

        2. E pur si muove (ose po deshe, Eppur si muove) tha. Me gjithe arsyet tuaja solide, ajo rruge quhet rruga e Kavajes, ma merr mendja pikerisht sepse te con ne Kavaje, ose sepse te pakten kalon nga Kavaja. Nuk me duket se ka vend per persiatje te metejshme, sidomos per t’u habitur se si ka mundesi qe ajo rruge qe te con ne Kavaje na u quajtka rruga e Kavajes. Po t’i thoshin psh rruga e Stambollit, do te duhej te gjenim nje vend ku te hipnim qe te shihnim Stambollin.

          1. Kjo edhe më bëri të shkruaj: mospërputhja mes emrit të një vendi dhe kuptimit të tij aktual. Ndryshe nga sheshi Skënderbej, ku ka vërtet një statujë të Skënderbeut dhe nga rruga e Durrësit që të çon vërtet në Durrës, rruga e Kavajës zakonisht nuk përdoret për të shkuar në Kavajë, sikurse nuk përdoret rruga e Dibrës për të shkuar në Dibër dhe po ashtu, sikurse nuk ka varr te Varri i Bamit dhe as kishë te Kisha (Shën Prokopi) dhe nuk ka Fortuz te rruga e Fortuzit dhe as Zog të zi te Zogu i zi. Historia e këtyre emërtimeve, që mund të gjendet, nuk harmonizohet dot me funksionin e tyre. Te vendi i quajtur Mensa e Kinezëve kish vërtet një mensë ku hanin kinezët, por emri i vendit vazhdoi, edhe kur mensa pushoi së ekzistuari, ose kur aty nuk kish më mensë. Dhe kjo mospërputhje mes mikrotoponimeve dhe eksperiencës urbane i jep një “thellësi” qytetit, gati-gati duke e ndarë më dysh, sepse qyteti i vjetër, me gjithë banorët që shkonin në Kavajë përmes rrugës së Kavajës dhe në Dibër përmes rrugës së Dibrës, tani mbijetojnë në këto emra, që duken njëlloj si të ishin emra mbi rrasa varresh, në kuptimin që toponimia ruan një realitet përndryshe të zhdukur. Aq më tepër që ky realitet mund të jetë i ndryshëm për breza të ndryshëm. Ma merr mendja që do të ketë akoma ndonjë tiranas që thotë “takohemi te Vollga” – edhe pse sot mund të gjesh në Tiranë alamet burrash, shoferë taksish, që nuk e dinë se ku gjendet “ish-Radio Tirana”, por që menjëherë ndriçohen, kur u thua “te GABI”. Kjo që ndërron, përmes toponimeve, është një Tiranë disi e ndryshme nga ajo e Erion Velisë, me çmime ndërkombëtare; aq e ndryshme, sa vërtet mund të pyesë njeriu nëse bëhet fjalë për të njëjtin qytet, apo thjesht për një koincidencë emri. Edhe një herë, historia e saktë e emrave – të cilën zakonisht mund ta gjesh – nuk ngre peshë; çfarë ka rëndësi, janë ato rrëfime, legjenda, mite, që banorët i asociojnë me një emër të caktuar, qoftë edhe kur këto janë të shpikura krejt. Aq më tepër që aftësia për t’i përdorur saktë këta emra, tashmë të distancuar nga realiteti, dhe për të negociuar përdorimet e tyre (kur duhet përdorur njëri dhe kur tjetri) është pjesë e kompetencës të së qenit “tirons.”

        3. Nuk kam ndonje kundeshtim per boshtin e shkrimit dhe idene ne pergjithesi qe perpiqeni te perçoni, madje tashti krejt papritmas po kuptoj qe une qenkam nje tirons i vjeter ne mendjen e te cilit, pas largimit nga Shqiperia, ka mbetur ende Tirona e vjeter ajo e para 90s. Shume nga vendet qe premendni ju ne mendjen time ende kane funksionin qe kane pasur, prandaj ndoshta edhe kembengula me rrugen e Kavajes, e cila per mua vazhdon te quhet rruga e Kavajes, pikerisht sepse kush donte te shkonte ne Kavaje andej do te kalonte.

          Per kuriozitet po them se ne “Parkun e Xha Tomit” qe ju e permendni ne shkrim prej vitit 1957 deri ne vitin 1962, si nxenes i Liceut Artistik, qe ne ate kohe ishte ne Rrugen e Kavajes () luanim shpesh basketboll ne oren e Fizkultures. “Xha Tomi” ne ate kohe ishte nje mesoburre i zbritur ne Tirane prej Kuksit dhe qe banonte brenda parkut ne nje lloj kasolleje, a ngrehine te vogel me tulla. Jeta e tij ishte Parku. Ne te vertete emrin e kishte Gjetan, a Xhetan siç e shqiptonin ca te tjere. Prej ketej mesa duket per kollajllek kaloi ne Xha Toni, dhe meqe Xha Toni tingellonte artificialisht dhe ndoshta edhe per hir te “Kasolles se Xha Tomit”, shpejt u shnderrua ne Xha Tomi.

          Ne vitin 1962 u inaugurua Liceu i Ri ne rrugen e Elbasanit dhe nuk di se ç’u be me Gjetanin, a Xha Tomin.

          1. Ja, këtë të Xha Tomit nuk e dija. Unë kam jetuar mu atje ku sot është “Mulliri i Vjetër”, ngjitur me rrugën Islam Alla. Parku ishte pak më tutje, edhe pse Xha Tomi gjithnjë më intrigonte si emër – madje më vonë, kur fillova të mësoj anglisht, e thoja me mendje edhe si Uncle Tom. Por kalimi nga Gjetan/Xhetan në Xha Tom është shembull fantastik i etimologjisë popullore (Volksetymologie), një nga faktorët e ndryshimit në gjuhë. Rruga e Kavajës, kur isha unë fëmijë në vitet 1960, i ruante ca gjurmë të Paraluftës dhe të Luftës; te Pastiçeria, përballë Kishës Katolike, kish ca vrima në pllakat e dyshemesë që thoshin se i kishin bërë mitralozat e avionëve të RAF-it. Edhe te shtëpia ku rrija unë (e gjyshes sime) gjendej, në dyshemenë e sallonit, një gjurmë e errët katërkëndëshe, gati mavi, prej një kolltuku të rëndë, të djegur gjatë po atij bombardimi. Edhe tek Islam Alla, nja 30-40 metra drejt Myslym Shyrit, kish të ngulur në rrugë një gëzhojë të madhe bombe ose predhe artilerie, që një plak aty e përdorte për t’u ulur. Po tek Islam Alla mbaj mend edhe që një tip, banor i hershëm, ende mbante në garazh një nga veturat e fundit private në Tiranë…

  5. Ne mos gaboj, rruga e Dibres quhet ashtu sepse perpara se te arrinin automjetet njerezit perdornin ate rruge dhe ate drejtim per te shkuar ne kembe ose me kafshe per ne Diber.

    1. Keto emertesa, datojne perpara Urbanizimit te Tiranes.
      Nderkohe, qe popullimi i saj ka tjera fillesa, shume e shume kohe me pare. Tirana u be qudhekryqi, prej ku rrugetonin pikerisht, ne drejtimet e sotme keto rruge qe permendim edhe sot.

      Tirana u konceptua si kyeqendra nga kalonin te gjitha rruget kryesore , ne te gjitha drejtimet e qyteteruara te vendit, Dibres( rruga e vjeter qe te conte drejte lindjes, Elbasanit (juglindjes), Kavajes (jugut), Durresit (portit Detar dhe Veriut)

      Pikerisht, ketu kane burimin emertesat, e mbetura me se shumti si trashegimi ne memorien popullore, pasi pushtetet vendore kane vendosur dhe mbivendosur emra sipas interesave politike te koheve, shpesh duke bere vertete kakofoni emertimesh, te rrugeve.

      Vini re. Rruget me se shumti mbajne emra te vdekurish , qe kane lene gjurme ne Histori osé jo., sipas meje , per ceshtje interesash te ngushta pushtetmbajtesit.

      Tirana , tashme eshte nje metropol fatkeqsisht, Jo i organizur mire nga ana urbane dhe me tek.
      Por kjo eshte nje Teme me vehte.

      Dite te Mbare!

  6. Parkun e “Xha Tomit” e kam dëgjuar shpesh edhe unë. Aty bënte stërvitje ekipi i vollejbollit i Tiranës, ose “17 Nëntorit”, siç quhej atëhere. Ekipi, ku shkëlqente ndër të tjera Fahrie Hoti, dikur mundi të konkurronte denjësisht edhe me “Dinamon” e famshme të Kreshnik Tartarit. E pyeta dikur trajnerin e ekipit të femrave të Tiranës, të paharruarin Fatmir Sharofi, për prejardhjen e emrit “Xha Tomi”. Më sqaroi menjëherë se në fakt “është ‘Parku i Xhatonit”, me sa duket pas emrit të përveçëm që sqaron bukur Duledupicard.

Lini një Përgjigje te Vendet TonaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin