PËR MOIKOMIN – VIZITORIN NDRYSHE

Kjo ditë nisi me lajm të keq: qenka ndarë nga kjo botë Moikom Zeqoja. Madje mjafton të them: Moikomi, dhe kam folur. Emër që nuk kish nevojë për mbiemrin, mit i shkronjës shqip, i kulturës shqip, që funksiononte si institucion. I sëmurë prej kohësh, i drobitur, i mpakur, nuk kish lejuar t’i humbiste asnjë foton drite, nga shkrimet. Moikomi – që artistët e mbanin më shumë për dijetar erudit, dhe dijetarët për artist erudit; ishte edhe produkt, edhe viktimë e kuriozitetit të tij gargantuan. Poet, prozator, historian, arkeolog, studiues, bibliofil madje biblioman. Nuk ka emër që ta përmbajë. Librat e tij na zbukurojnë bibliotekat. E tërhiqte pa masë e shkuara, por vetëm e fermentuar në simbolikë: e lexonte me qasjen e një mistiku. E tërhiqte e shkuara shqiptare, si një lloj manifestimi i shpirtit – Anima Mundi; madje deri atje sa ta lexonte botën në prizmin e kësaj shqiptarie të amshuar. Marr tani nga rafti një libër të tijin, ndoshta për të më të dashurin (këtë Anima Mundi, i vetmi që gjithnjë më pyeste nëse e kisha lexuar) dhe e hap në një faqe kuturu.

Lexoj:

Procesi i rikrijimit të njeriut është një “imitatio Dei.” Poetët janë shkrimtarët e fjalëve, dhe si pasojë janë të papërkthyeshëm, sepse kur i përkthejnë fjalët e tyre ato zhduken. Rrëfimtari i një tregimi është një rrëfimtar pa qenie. Sepse vetë tregimi është tregimtari i vërtetë. Tregimi tregohet vetë. Në këtë kuptim, Patriarku është para së gjithash Matriarku (bëjnë fëmijë), domethënë ky është Zoti. Imitatio Dei, është njëkohësisht edhe “Imitatio Deae”.

Kështu dua ta kujtoj Moikomin: edhe të iluminuar, edhe të pakuptueshëm, edhe rrëfyes edhe të rrëfyer. Racional të kthjellët, aq sa mund të jetë i tillë zhbiruesi i teksteve të shkruara; por edhe irracional e të mjegullt, sa ç’mund të jetë, madje sa ç’duhet të jetë, poeti. Kish një lloj mahnitjeje intelektuale, ndaj gjërave që gjente – gjërave që kujtonte se gjente – e cila nuk e linte të arsyetonte ftohtë. Një mahnitje që e shtynte drejt analogjive. Moikomi ishte mistik i Mesjetës, i maskuar si njeri i Rilindjes, Renaissance man. Nisej të zbulonte diçka por gjithnjë zbulonte diçka tjetër, hutohej dhe harronte për ku ishte nisur, dhe pastaj harronte edhe ku kish mbërritur. Studiuesit ndonjëherë nuk bindeshin, madje prisnin që t’i shkrihej dylli me të cilin kish ngjitur flatrat që t’i thoshin: “të thamë që do të rrëzoheshe!”; njerëzit e artit trembeshin prej dijes së tij dhe e gjykonin si tepër cerebral, për të qenë artist.

Përsiatjet e tij janë gjithnjë analogjike. Nga e ngjashmja, tek e ngjashmja. Kur flet për Nostradamus-in, një tjetër mistik me të cilin do të jetë ndier shpirtërisht i afërt dhe për të cilin ka shkruar një libër, i përmend një kalim me anije për nga Durrësi i tij (po aq kozmopolit sa edhe Moikomi vetë), sikurse i përmend arbëreshët e Kalabrisë së origjinës. I përmend “Mesharin” e Buzukut, një libër i botuar në të njëjtin vit, 1555, me atë kur botoi Nostradamus-i profecitë. Pastaj përmend disa katrena ku ky “profet” flet për shqiptarët, dhe supozon se ai mund ta ketë njohur Barletin. Pastaj kalon te stratiotët, dhe te Lufta e Kosovës, që mund të jetë përmendur edhe ajo te katrenat. Nuk është se ia beson profecitë – por ia admiron vizionin. Sikurse beson si kabalist i mirë se, po të zotërojë alfabetin e duhur, mund të nxjerrë nga një tekst gjithçka.

Metoda e Moikomit, nëse mund ta quaj kështu, nuk ishte mirëfilli shkencore: atje ku të tjerët e përvetësonin dijen si tekst, ai e shkoqiste si kod. Kam dyshuar për një ndikim, në misticizmin e tij, nga sufizmi bektashi; i përthyer në ezoterizmin perëndimor. Kur ia lexon përsiatjet – dhe nuk janë pak – gjithnjë të duket sikur ai përshkruan majën e ajsbergut, duke e lënë pjesën tjetër nën ujë; dhe jo ngaqë luan me lexuesin, por ngaqë forca e tij, si autor, i ka rrënjët te sekreti. Madje mund të thuash se Moikomi zbulonte një pjesë të vogël të këtij sekreti, për lexuesin, në mënyrë që ta bënte këtë të vetëdijshëm për pjesën tjetër. Shkruante – dhe nuk shkruante pak – që të ankohej, që të psherëtinte, për çfarë nuk mund të shkruhej. Sendërgjonte harta planetesh dhe galaktikash që lexuesi përndryshe nuk do t’i kish vizituar dot kurrë. Nuk shihte as shkelte botë të tjera, por shihte dhe vizitonte ndryshe; e merrte të njohurën dhe të thoshte: ja e panjohura. Madje ndonjëherë edhe: ja e panjohshmja!

Edhe pse ka shkruar poezi, dhe shumë të mira, poezia më e mirë e Moikomit shprehet pikërisht te kjo aftësi për të vendosur lidhje mes shkronjave simbolike të botës, dhe për t’i qepur këto në fjalë dhe metafora. Ambicia e tij ishte që në vepër të përfshinte mbarë botën e letrave. Por unë tani e kam të vështirë të përfytyroj se cila botë letrash mund ta përmbajë veprën e Moikomit.

Të qoftë dheu i lehtë, i dashur mik.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

5 Komente

  1. Moikomi, ky fenomen i rralle ne kete boten tone shqiptare. Iku jo vetem nje enciklopedi e nje truri te vetem por dhe nje i pazvendesueshem. Kjo eshte dhimbje me e madhe se ikja vete e Moikomit.

  2. Per ne qe nuk e njohim, une vete i kam lexuar dy a tre artikuj, ky shkrim shume i sinqerte eshte edhe nje lloj hyrje ne mendimin filozofik te brezit te Moikomit. Keta intelektuale i shoh si te babezitur per dije e solipsist ne qasje tek rrembejne cte gjejne perpara ne biblioteke a ne shitoret e rrugeve, por pa sistem, gjithmone me nje thes librash mbi sup, konfident per cdo gje ne lidhje me to, te sakte vetem per peshen ne kg te thesit.

    Si i kemi perceptuar ne keta? 14-18 vjec i shihja me habi, gati si shembull polymathesh, ne versionin e pare vinin ne modelin e mesuesit te gjimnazit, sociologji apo filozofi a histori, qe fliste per cdo gje, vec temes se dites; ne familje ishte ndonje burre teze a ndonje tjeter qe mbahej si i mencuri i fisit (qe pyetej per gjithcka, nga prejardhja e shqiptareve, tek ceshtja e interpretimit ligjor te kodit te punes). Me 20 e kusur me dukeshin te cmendur me teorite e tyre pellazgjike e shenjterimin e E. Hoxhes. Me 30 me vinte keq qe nuk ishin perballur me tjeter gje e nerv nuk kisha ti degjoja. Me 40 e rruges, Zot ndoshta po behemi si keta. Robi kerkon te sintetizoje gjithcka qe ka perjetuar, ti jape kujtim etj., andaj edhe analogjite. E kur te marren per te rroitur, s‘ngel tjeter vec te besosh te dija e fshehur. Te mendosh qe Leo Strauss e kabala flasin per te njejten gje. Njeriu ruhet nga pasojat: tregohu budalla te te mos cilesojne rrezik! Ec e gjeje se kush eshte i cmendur, ata qe mendojne se je, apo ti me paranojen tende.

    Ja edhe nga Elvis Hoxha nje nekrologji e ngjashme, qe deshmon se sa afer jane perceptimet dhe respekti i brezit te ri te intelektualeve shqiptare mbi brezin e meparshem. Shume te bukura te dyja. Keta kane shtruar te tjera detyra.

    Elvis Hoxha, Facebook.

    Moikom Zeqo kishte diçka të veçantë. Afronte emrat, ngjarjet, datat. Në sjelljen e tij bota të dukej njësh. Atij i ngjante se tërësia e sendeve duhej shkruar. E takova gjithnjë mes miqsh, miqsh të tij, të mitë, miqsh të letërsisë së githanshme. Ai ishte gjithnjë në lirinë e kohës tjetër, asaj ku njeriu ka vetëm një uri, atë të të thënit: “Unë isha aty!”
    Pak rëndësi kishte vërtetësia e Moikomit, e faktit dhe të thënës së Moikomit. Ishte uria e tij për të thënë se ai kishte qenë aty ku kishte ndodhur diçka, ku kishte ndodhur ngjarja e madhe dhe fakti i imët. Tani që mbaroi, mund të them i qetë se ai ishte antipodi: përkundër financës së neoliberalëve që mbajnë sot pushtetet, ai ishte neoliberali i kulturës që ruante dijen në anarki. Kështu lëvizte pa mbarim, mes urisë enciklopedike dhe rrëfimit anarkik.
    Ishte pa dyshim narrator me etje më të madhe për të folur, sa më shumë rrallohen veshët. Shpejtësia e të thënit rritej me kalimin e ditëve të tij, me frikën se nëse një prej sendeve i shpëtonte pa e thënë, sendin nuk do të mund ta linte mes nesh. Ndoshta ishte performator i ekzistencës: sendi zhduket po qe se nuk e thua. Mes dy kohëve dhe dy regjimeve të mendimit në të cilët jetoi, bredhjet e tij nëpër lëndë nuk ishin të kujdesshme, por mbetej justifikimi: uri për të ditur dhe etje për të folur.
    Për pak po merakosesha se ai nuk kishte asnjë sëmundje. Dhe këtë dilemë e zgjidhi nata që shkoi. Ndërkohë, ne të tjerët do takohemi me njëri-tjetrin dhe do të adresojmë mes nesh shprehjen e tij të parë në ccdo takim: “More djalë!” Sepse kjo ishte mënyra se si ai i hidhte të tjerët në rini të përhershme duke e mbajtur për vete rolin e dëshmitarit të plakur që na ka hequr një barrë: peshën e rrëfimit. Këtej e tutje edhe ne jemi të lirë të plakemi.

    1. Moikomi i përket racës së fisme të të dashuruarve me librat. Asaj race që nuk ka drojë ta shpallë dashurinë, punë e madhe ç’mendojnë të tjerët!

      Lexonte “pa sistem”? Varet çfarë kupton me sistem.

      Ja si këshillon Ray Bradbury për “sistemin”:

      “For the next thousand nights, before you go to bed every night, read one short story. That’ll take you ten minutes, 15 minutes. Okay, then read one poem a night from the vast history of poetry […] Read the great poets, go back and read Shakespeare, read Alexander Pope, read Robert Frost. But one poem a night, one short story a night, one essay a night, for the next 1,000 nights.

      From various fields: archaeology, zoology, biology, all the great philosophers of time, comparing them. Read the essays of Aldous Huxley, read Lauren Eisley, great anthropologist […] I want you to read essays in every field. On politics, analyzing literature, pick your own. But that means that every night then, before you go to bed, you’re stuffing your head with one poem, one short story, one essay—at the end of a thousand nights, Jesus God, you’ll be full of stuff, won’t you?”

      Për më gjatë: https://youtu.be/_W-r7ABrMYU?t=491

  3. Ky shkrim është kaq i paanshëm dhe i mënçur! Uroj të jetë prijëtar i të tjerë shkrimeve për gjykimin e figurave të artit e kulturës, sepse e thënë pa dorashka, na mungon kjo lloj ndershmërie dhe mprehtësie në publicistikën dhe studimet letrare shqiptare…Urimet e mia më të sinqerta autorit!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin