TURI PREJ DRURI

I hodha një sy historisë së Turit, aq të përfolur, në testin e Ministrisë së Arsimit për maturantët. Dhe, meqë pyetja rreth këtij teksti lidhej pikërisht me stilin e tij (“Cila nga fjalitë e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë më sipër?”), thashë ta këqyr edhe unë nga afër “stilin” – që të gjej çfarë nuk më shkon atje:

Barka filloi të rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit të rrëmbyer, ndërsa katër njerëzit që ndodheshin në të, bërtisnin nga euforia. Zemrat e tyre rrihnin fort, ndërsa manovronin me shkathtësi lopatat përmes ujërave të trazuara. Madje dhe Turi, i cili fillimisht ishte ndier i shqetësuar në lidhje me udhëtimin me barkë, e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të. Papritur, ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara.

Përfundimi im, që do ta arsyetoj në vijim për të ndihmuar edhe ata nxënës, studentë dhe lexues që e kanë ndier tashmë se ka diçka edhe ligjërimore që nuk shkon me historinë e Turit, është se ky tekst nuk i bën nder shqipes. Përpiqet të tingëllojë shqip, madje edhe ia del herë-herë, por shqip nuk është, dhe ja pse:

Na thuhet se në barkë kish “katër njerëz”, por – edhe pa u ndalur në atë që ky informacion numerik është i panevojshëm (mund të kishte edhe shtatë ose dy dhe historisë të mos i ndryshohej asnjë presje) – shqipja thotë “katër vetë” duke ia rezervuar “katër njerëz” konteksteve të tilla si “njëra barkë kish katër njerëz, ndërsa tjetra dy dele, një lopë dhe një qen.”

Shprehja “që ndodheshin në të” është e ngathët, burokratike, e kategorisë: “makina u përfshi nga flakët, së bashku me katër udhëtarët që ndodheshin në të” ose “helikopteri u rrëzua në det, së bashku me të sëmurin që ndodhej në të.” Askush nuk flet kështu. Turi dhe miqtë e tij nuk “ndodheshin” në barkë. Po udhëtonin me barkë. Po lundronin. Po shijonin një aventurë. Po kërkonin vdekjen. Por jo “ndodheshin në të.”

Po ashtu, Turi: “e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të.” Përplaseshin mbi çfarë? Mbi “frikën”? Shqipja do të parapëlqente: “kur valët e akullta iu përplasën… në fytyrë (në gjoks, në trup…).”

Na thuhet se këta katër njerëz (jo dele, as lopë) “bërtisnin nga euforia”. Fjala euforia është e tepërt këtu, bie ndesh edhe me tonin, edhe me leksikun e përdorur gjetiu në tekst. Gëzim, hare, ngazëllim ose edhe eksitim, etj., do të mjaftonte. Fundja edhe galdim ose gazmend. Xhanëm, edhe “bërtisnin si të ndërkryer”, etj., duke përdorur një mbiemër, në vend të një emri abstrakt.

Na thuhet: “zemrat e tyre rrihnin fort” – një shprehje po aq e ngathët sa edhe “*koka e tij dhimbte” ose “këmba ime u mpi”. Shqipes nuk i vjen dhe aq për mbarë të përdorë pronorë me emra pjesësh dhe organesh të trupit. Unë do të pëlqeja: “U rrihnin zemrat fort”, siç do të pëlqeja “i dhimbte koka” ose “m’u mpi këmba”, duke përdorur dhanoren pronësore.

Na thuhet: “manovronin me shkathtësi lopatat”. Folja manovroj – në këtë kuptim që ka në tekst dhe si folje kalimtare – kërkon si kundrinë një mjet lëvizës, p.sh. manovroj autobusin ose manovroj anijen; të thuash manovroj lopatat tingëllon po aq artificiale, sa manovroj çekiçin për të ngulur gozhdën. Aq më tepër që nuk ka ndonjë arsye, për të përdorur foljen manovroj këtu, përveçse po të jetë fjala për barkën vetë. Në fakt, edhe vazhdimi i fjalisë, “… përmes ujërave të trazuara”, i referohet logjikisht barkës; sepse është barka që manovrohet përmes ujërave të trazuara (me anë të lopatave).

Të vijmë tani te Turi. Që “fillimisht” ishte ndier… Por kjo fillimisht, ndajfolje e ngathët, mund të ish shmangur – ndoshta “në krye” ose “në fillim” do të zinin vend më mirë. Për Turin na thuhet se ishte ndier i shqetësuar “në lidhje me udhëtimin”: ja një parafjalë e burokratishtes, një nga ato vegla përtace, që zgjedhim t’i përdorim kur nuk dimë ose nuk duam të shprehemi saktë. Mbiemri i shqetësuar, në shqip, do të kërkonte parafjalën për, ose edhe me dhe nga; kjo “në lidhje me” është e një kategorie me “sa i përket”, “në raport me”… etj., e panevojshme dhe parazitare, në këtë kontekst.

Turi, na thuhet më tej, “e harroi frikën”, kur “valët e akullta përplaseshin mbi të.” Dhe pastaj: “Papritur ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara.” Por folja vështroj është përdorur këtu gabim: në shqipe, vështroj ndryshe nga shoh, shquaj, vë re etj., parakupton edhe intencionalitet, vëmendje, përqendrim: që ta vështrosh diçka, duhet ta kesh parë (një analogji, do të ishte krahasimi me anglishten watch vs. see). Prandaj papritur… vështroi është oksimoron. Ka edhe më: ky shkëmb, që “vështroi” Turi, “iu shfaq përpara”. Turit? Me logjikë, duhet t’i jetë shfaqur barkës, jo Turit, sa kohë që Turi gjendet në barkë. Edhe një nga përgjigjet e mundshme: D) “Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati e përmbysi varkën” e ngatërron lexuesin: sepse sërish duket sikur shkëmbi do të godasë Turin, jo barkën. Tani, unë nuk kam ndonjë eksperiencë me rafting (siç nuk kanë, besoj, shumë nga maturantët e testit), por sërish nuk arrij dot të besoj që Turi do t mund të përplasej me shkëmbin, nëse do të rrinte në barkë. Po atëherë, si do ta shmangte Turi shkëmbin, duke u hedhur “në të djathtë”? (E djathta është po aq relevante këtu, sa edhe forma e vetullave të Turit. U hodh anash do të mjaftonte – sepse nuk lexuesit nuk i është dhënë asnjë orientim tjetër, për të përfytyruar të djathtën dhe të majtën e Turit në rrëfim.)

Më tej akoma, na thuhet: “Turi e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të.” Ka një rregull të thjeshtë në gramatikë, të ngjashëm me “consecutio temporum” të latinishtes, dhe që rregullon raportet mes kohëve të foljes në një fjali: sa kohë që “e harroi” është në të kryerën e thjeshtë, folja pasuese duhej të ish edhe ajo në të kryerën e thjeshtë “u përplasën”: “Turi e harroi frikën kur valët e akullta u përplasën mbi të”: diçka më mirë, apo jo? Kjo e pakryer, përplaseshin, shënon zakonisht një veprim të përsëritur në të shkuarën: “Kur valët e akullta më përplaseshin në fytyrë, unë e harroja frikën”: kjo shënjon një eksperiencë të përsëritur. Të krahasohet me: “Kur valët e akullta m’u përplasën në fytyrë, unë e harrova frikën”, që shënjon një eksperiencë të vetme. Të parën, “kur valët e akullta më përplaseshin në fytyrë”, e kanë quajtur edhe “E pakryera e Proust-it” (éternel imparfait, nga Flaubert-i), një përftesë elegante për të treguar diçka që ndodhte në të shkuarën, duke e nxjerrë nga hic dhe nunc e rrëfimit tradicional: “kur ajo hynte në dhomë dhe më gjente të zhytur në kolltuk, duke thithur një puro…” etj.

Le të shtoj edhe se “e harroi frikën” nuk më dëgjohet si shqip: do të kisha thënë “i iku frika”, “i doli frika”, etj. Askush nuk thotë “e harrova frikën”…

Të vijmë tani te pleonazmat. Nëse “lumi” ishte “i rrëmbyer”, atëherë edhe “ujërat” do të ishin “të trazuara”; nëse shkëmbi është “i dhëmbëzuar”, atëherë skajet e tij do të jenë doemos “të mprehta”; dhe po ashtu: nëse Turi “vështroi diçka papritur”, atëherë kjo doemos “iu shfaq përpara”, sepse Turi nuk i ka sytë në zverk, etj. Këto përdorime nuk janë pa tjetër “të gabuara”, por ato i japin tekstit një tingëllim artificial, si të ishte i shkruar nga një dorë e kujdesshme, por e pasigurt.

Përshtypja ime: ky tekst është shkruar me stil shumë të keq; dhe e prezanton padenjësisht Ministrinë e Arsimit, që ua ka dhënë nxënësve si test. Të jep ndjesinë e një gjelle të pagatuar mirë, të një shujte që të ngec në fyt e të provokon të vjellët. Një shqipe që nuk rrëshqet, as të rrëmben, që as të ngroh as të ftoh, as të kafshon as të lëshon; një shqipe e mykur; një shqipe e drunjtë.

Është e drejta e nxënësve protestues dhe e të gjithë atyre që e duan dijen, besoj, që të kërkojnë kush është shpërblyer, me paratë e taksapaguesve, për të nxjerrë nga dora një karikaturë të tillë të shqipes.

Shënim: shumë nga vërejtjet më lart janë të diskutueshme; tek e fundit, stili është një bashkësi preferencash. Lexuesi mund të mos bjerë dakord me mua, ose edhe mund të dallojë – në shqipen time – mëkate të ngjashme (gjen sa të duash – shpesh nuk e gjej dot kohën as vullnetin e duhur për t’i lëmuar tekstet e mia si duhet). Por le të mos humbim kohë me cic-mice të tilla: flasim për një tekst që duhej të siguronte një transparencë ligjërimore të mjaftueshme, për ta ndihmuar nxënësin të përqendrohej te pyetjet. Për një tekst që duhej të ishte neutral: dhe ky neutralitet gjuhësor, me sa duket, paska qenë i pamundur, ose përtej kapacitetit të hartuesve të tekstit. Në çdo rast, unë nuk dua të ofroj ndonjë recetë, as të tregohem pedant – tekst i mirë shqip, për mua, është ai që nuk më tingëllon keq e që s’më ngec, gjithë duke i shërbyer qëllimit për të cilin e kanë hartuar. Për t’iu kthyer analogjisë me gjellën: gjella e mirë nuk të çon në mend kripën, por gjella pa kripë të bën të zgjatësh dorën drejt kripores. Për këtë “kripë” e kam fjalën.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

23 Komente

  1. Tingellon pak e cuditshme Turi ne fillim ishte i shqetesuar prej rrezikut qe paraqet udhetimi me varke nje lume te rrembyer .Por kur dallget e akullta iu perplasen mbi te i iku frika ?!!

    1. Quhet aventure, Alba. Para aventures je gjithemone i friksuar por kur aventura nis, iken frike si me magji. I ke pare ata qe ngasin makina te shpejta. Sigurisht qe kane frike para fillimit te gares, kur gara fillon dhe shpejtesia rritet, njeriu kalon ne gjendje euforike ( ups, po perdor te njejten fjale alla Turi). Po mos largohej frika prej nesh, asgje nuk do ish arritur ne kete bote.

  2. Analizes duhet ti kishe paraprire edhe nje veshtrim mbi politiken e teksteve shkollore. Ben vaki qe edhe tekstet e gjuhes shqipe e te letersise te jene perkthyer nga ndonje gramatike per te huaj apo antologji e letersise se Ballkanit.

    Megjithate, nga ana konceptuale, didaktike etj. ishte teresisht ne perputhje me objektivat e lendes, e jo sikur thone, qe nuk kishte lidhje me programin. Nese do e kuptonin, e nuk jam i sigurte sa do te ndihmonte korrigjimi gjuhesor bazuar mbi kritiken e A. Vehbiut, kjo pyetje mat shume mire aftesite dhe strategjite (competences) per te lexuar (Reading Comprehension): per te dalluar vijimisine e veprimeve (course of action), aftesite meta-konjitive etj., jo vetem per te kuptuar tekstin, por edhe per te perdorur informacionin e vleresuar ate (inference learning and evaluation). Patjeter qe ka qene ca i veshtire, sic e vura re edhe nga disa te dalluar ne Facebook, pse permban shkallen me te larte te kompetencave te leximit, ate te vleresimit kritik

    1. Shkruan:

      Analizes duhet ti kishe paraprire edhe nje veshtrim mbi politiken e teksteve shkollore.

      Me vend. Por janë gjëra që kërkojnë shumë kohë, përtej aftësive të fituara. Me një grant prej 40 mijë USD do ta kisha marrë përsipër edhe atë vështrim të plotë, duke dhënë maksimumin e kompetencës që kam.

      Përndryshe, detyrohem të mjaftohem duke ofruar gjëra falas, si të tjerë kolegë këtu te Peizazhet.

  3. Na flliqi Turi! Jam dakord me cdo cope analize ne shkrim.

    Mbaj mend para shume vjetesh (rreth 30) nisem me nje shoqe te ndertonim nje tekst/metode per te mesuar shqip. Menduam se ishte me e thjeshte t’i krijonim vete tekstet ilustruese, dhe jo t’i gjenim te gatshme ne letersi te njohur si letersi e mire. Donte shume kohe te behej ne menyren e dyte, sido qe e dinim mire se ajo ishte menyra e duhur. Pasi kryem nje 5-6 leksione, u hodha nje sy teksteve ilustruese. Per ibret! Ndoshta jo te gjitha verejtjet per tekstin e ministrise, por shume prej tyre i meritonin te gjitha tekstet tona. I thashe shoqes sime se duhet lene kjo pune. O e bejme mire, ose hic. Kam vene re tekste te ndryshme ilustruese metodash krijuar nga hartuesit e metodave: sh problematike. Dua te them qe eshte pune e veshtire, dhe do vemendje, njohje te pedagogjise dhe shkences se edukimit nepermjet tekstit, talent, sy kritik, dhe ndoshta lexim te domosdoshem prej nje tjejter syri e mendjeje te paanshme. Ne nje provim shteti, te gjitha keto kushte duhet te ishin kenaqur.

  4. Turit i iku mosha per sport me trap apo trapsport, se Turi ne Shqiperi eshte 50 vjec e siper. ( zakonisht ka qene Beni c’ne i hyri ne pjese Turi ?)

    e harroi friken, eshte me detyrim per shkak se fjalia nis me emrin ne rasen emerore ( te gjitha fjalite nisin me emrin ne emerore). I doli apo i iku frika, kerkon emrin ne dhanore ( Turit).
    Tek e njejta fjali mund te perdorej edhe ”nisen/filluan te perplaseshin ” , por meqe me pare ne fjali u perdor fjala fillimisht, perkthyesi apo hartuesi i tekstit mund ta kete pare te udhes qe te mos e perdore, duke nxjerre nje gabim te nje lloji tjeter.
    Toleranca e shqipes ne vendosjen e rendit te fjaleve ne fjali, po perdoret kunder shqipes.

  5. Pyetja e Turit eshte e qarte qe eshte nje perkthim medioker nga nje tekst anglo-sakson. Te mos themi qe mund te jete perkthyer edhe me google translate. Nuk jam dakord me futjen shabllon te elementeve te tille si “Reading Compression” sepse nuk jemi duke dhene GMAT apo SAT. Nese marrim vendimin per te pershtatur pyetje te ngjashme me e pakta ato duhet te perkthehen nga perkthyes profesionist te redaktohen nga shqiperues edhe ne fund te rishikohen nga mesuesit e gjuhes shqipe per te pare nese pyetja i pershtatet qellimit te provimit te Gjuhe Letersise.

    Jam dakord me idete e paraqitura ne artikullin e mesiperm!!!

  6. Mendoj qe analiza te tilla per perdorimin e gjuhes Shqipe vlejne shume. Kemi shume nevoje se po varferohemi nga menyea e te shprehurit. Kjo eshte maja e ajzbergut, po nxjerrim breza memece dhe gagaçe gjuhesore. Duhet te reagojme te gjithe se bashku. Sa me shume shkrime te tilla na bejne mire.

  7. Të gjithë kanë nevojë të zbrazin mërinë ndaj Ministrisë së Arsimit dhe e bëjnë… Sipas mënyrës së tyre.
    Me takt, pa takt, me ironi, sarkazëm, shpoti alegorike, etj., etj.

    Po sikur çdo vezë e flakur në fasadën e asaj Ministrie, çdo sharje e përfolje të jetë bonus për ministren dhe shpurën e saj?

    Ç’përfaqëson kjo zonjë? Duke kërkuar në Internet sheh se në Kosovë e quajnë mbesa e UDB-ashit.
    https://insajderi.com/kur-vetevendosje-pranonte-fonde-dhe-e-respektonte-si-eksperte-mbesen-e-udb-ashit-besa-shahinin/

    Pse u zgjodh pikërisht ajo? Kujt i shërbejnë ata/ai që e caktuan në atë post?

    Oh, dhe çfarë po ndodh kështu mu para syve tanë, skalitësve të rreshtave të mprehtë të blogjeve që i bëjnë nder atyre syve që kanë fatin t’i lexojnë?

    Nëse keni kohë, hidhini një sy njërit prej versioneve të shpjegimeve (që duhet thënë se sipas ekspertizës së gjithsecilit, i kemi pafund) dhe pastaj ejani të vajtojmë.

    Kolektivisht.

    Është gjëja që kemi ditur dhe dimë ta bëjmë më mirë.
    Nga jashtë dhe brenda mëmëdheut.

    *Për ata që nuk kanë kohë ta shohin videon: Yuri Bezmenov, një ish-agjent i KGB-së, tregon se si shpëlahet truri i një kombi ngadalë e pa kuptuar hiç, në 4 etapa:

    1. Demoralizim: 15-20 vjet sepse kaq është minimumi që duhet për shkollimin e një brezi.
    2. Destabilizim
    3. Krizë
    4. Normalizim

    …dhe normalitetin e duam të gjithë, apo jo? Që të pushojmë së qari, pra.

    1. Teuta, nuk besoj se mund të vlejë ky argumenti me UDB: një teori komploti që nuk i përshtatet faqes sonë. Në Kosovë e përdorin pak si shpesh, dhe po të duam të jemi konspiracistë, le të themi edhe se është në interes të UDB-ashëve vetë, që ta paraqitin mitrën e tyre si të plotfuqishme. Dhe mbase nuk ka nevojë për komplot, që të arrihet ajo që e realizon vetë logjika e sendeve:

      The best lack all conviction, while the worst
      Are full of passionate intensity.

      1. Ardian, ndjesë nëse komenti im më lart ka një pjesë disi të paqartë sepse mungonte lidhja për materialin që i referohesha.

        Që të qartësohem:
        Me “hidhini një sy njërit prej versioneve të shpjegimeve” e kisha fjalën për shpjegimet e dhëna nga Bezmenov që gjenden në një intervistë të tijën, të marrë nga G. Edward Griffin, në vitin 1984.

        Po e vendos edhe këtu lidhjen që mungonte: https://www.youtube.com/watch?v=WKxUv2o6BRg&feature=youtu.be&t=4032

        Në lidhje me teoritë konspirative, jam vërtetë kurioze të mësoj ç’merita ka ministrja e nderuar që justifikojnë mbajtjen e atij posti.

        Pastaj flasim për “ardhjen e dytë”, “të liqtë” që s’lënë kusur pa bërë dhe “të mirët” që presin me sytë nga qielli 🙂

  8. Me pak vonese per desha te them 2 fjale si i ri ne kte faqe. Jam dakort me nje pjese te te kritikave nga aspekti gramatikor/linguistik, po ka dhe ca gjera te diskutushme per mendimin tim. Une jap mesim qe prej 15 vjetesh dhe per disa vite isha perfshire dhe ne zgjedhjen e pyetjve me pergjigje alternative (Multiple Choice Questions). Ideja e kater njerezve nu dukje irrelevante, mund te kete disa arsye qe eshte perfshire ne text. E para e ben varken me shume te lekunded dhe e shton komponentin e frikes per nje te pamesuar, dhe e dyta mund te jete shtuar me qellim si ‘distractor’, element shume I rendesishem ne pyetje. Eshe detyra e studnetit te mprehte qe te seleksionoje brenda nje kohe te shkurter relevancen e informacionit qe jepet. Gjate vitit qe une isha ne detyren e seleksionimit te pyetjeve, disa student (prej rreth 300) moren nota shume te mire dhe nje ose dy arriten 100%. Kur komisioni I shqyrtimit e rishikoi pyetjet konkludoi se koeficienti I veshtiresise nuk ishte I nivelit te duhur dhe shume pytje nuk kishin mjaft distractors. Kjo con shpesh ne pakenaqsi te studenteve dhe ne I diskutojme por nuk dalin studentet ne rruge te protestojne (?!). Pashe nje fragment te emisionin me dy studente ate ftuar ne studio dhe u habita kur degjova njerin prj tyre qe tha une jam me mesatare 10.0? Ne mbi 400 studente qe une kam kaluar gjate viteve si I jashtem, nuk kam degjuar asnjehere ndonje me maximum te notave ne te gjitha lendet. Dhe e fundit, ajo “prej druri”, mu duk pak epitet paksa stigmatizues

    1. Shkruani:

      Dhe e fundit, ajo “prej druri”, mu duk pak epitet paksa stigmatizues

      Toni, meqë jam edhe i gjuhës, më bëre kurioz: çfarë të duket “stigmatizuese” te epiteti “prej druri”? Nëse e ke lexuar shkrimin me vëmendje, ai epitet i referohet gjuhës së drunjtë (langue de bois) me të cilën është prezantuar teksti. Dhe më në fund, të duket “stigmatizuese” për kë? Për Turin?

      1. Sigurisht per Turin. E besoj shpjegimin, por qellimi i mire jo gjithmone pertputhet rezultatin. Ne kohet e sotme, ky titull lehtesisht mund te behet shkas keqinterpretimesh aq me teper duke u nisur nga menyra se si portretizohet Turi ne text, (…”Madje dhe Turi, i cili fillimisht ishte ndier i shqetësuar në lidhje me udhëtimin me barkë…”) ku ai nuk eshte ai djali i egzaltuar nga nje aventure me varke, dicka normale sepse Turi edhe mund te mos kete pare ndonjehere det dhe dallge.

        1. Ndoshta Turi nuk eshte aq fiktiv sa Beni , per Gjekmarkajn psh Turi eshte Rama. Menyra e befte, si u politizua Turi dhe si te gjashtedhjetet qe paguan Rama per rrjetet sociale arriten deri ketu, deshmojne se Turi eshte bere per t’u mbrojtur, biles cdo germe e tekstit. Keta, mire qe jane analfabete funksionale ne shqip, po mbrojne edhe cdo germe te analfabetizmit te tyre.

Lini një Përgjigje te Ardian VehbiuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin