REHABILITUESI

nga Arjan Shahini

Nuk e di nëse i ndjeri Gilman Bakalli e ka përfshirë karakterin e „rehabilituesit“ në fjalorin e tij të tranzicionit (Alfabeti i tranzicionit: 1990-2016, UET Press, 2017), por le mos ta përmendim më këtë karakter. Më interesant është të diskutojmë mbi Valët e Kondratiev (K-wave).

Analistë të sistemit global ekonomik mendojnë se tanimë jemi në valën e pestë, që ka filluar në 1984 dhe gjendet në ciklin e poshtëm (downswing) prej 2008-10. Vërejtur nga kjo pikëpamje, edhe cikli i „kozmopolitanizmës“ ka marrë rrokopujën. Ky është një shpjegim për ri-gjallërimin e së djathtës dhe politikave kombëtariste në vendet kapitaliste. Nëse analiza e E. Qesarit mbi përçarjen e BE-së ka sikletosur ndokënd: mbani mend se gjendemi thjeshtë në ciklin e radhës.

Në po të njëjtin cikël të tatposhtëm e të zhurmshëm jemi në fushën e kulturës. Vetëm se parë nga sipër vala aktuale e anti-kozmopolitanizmës mund të jetë bekim për zhvillimin e teatrit kombëtar. Problemi në Shqipëri është se rrathët na kapin me vonesa disa-vjeçare. Lipset pra durim.

Interesante është që ishin elementë kryesisht të së djathtës shqiptare, si Ergys Mërtiri, të cilët u angazhuan për mbrojtjen e teatrit kombëtar. Kjo dukuri nuk është vërejtur tjetërkund në Evropën Lindore, ku p.sh. në Poloni e djathta ka synuar të zaptojë më parë mjetet e komunikimit masiv si radio apo televizionet, dhe nuk ka çarë kokën për teatrot.

Studiues të ndryshëm e lidhin lindjen dhe zhdukjen e teatrit kombëtar me rolin e shtetit kombëtar. Teatrot kombëtare sipas tyre kanë qenë të nevojshme për formimin e shtetit, pasi mbartin e përcjellin simbolet e kulturës dhe identitetit kombëtar.[1] Mjetet e komunikimit masiv elektronik dhe privatizimi (komercializimi, konkurrenca dhe subvencionimet shtetërore për nismat private) e kanë zhbërë këtë rol të teatrove. Për pasojë numri i shfaqjeve ka rënë gjithkund në teatrot europiane.

Sikur edhe në Shqipëri. Gjatë stabilizimit dhe ndërtimit të shtetit shqiptar numri i teatrove dhe shfaqjeve u rrit gjatë regjimit totalitar. Kjo edhe në kuadër të shtet-formimit socialist. Ne vitin 1970 ishin 9 teatro (3072 vende, së bashku me Teatrin Kombëtar), 14 estrada (5600 vende në dispozicion, edhe të teatrove) dhe 96 kinema (26.6 mijë vende). Pjesëmarrja më e madhe kuptohet që ka qenë në estrada, të cilat ishin paracaktuar për proletariatin dhe sillnin të ardhura edhe për buxhetin e shtetit. Fshatarësia më shumë preferonte ansamblin e këngëve dhe valleve. Sot Instituti i Statistikave nuk ka shifra mbi teatrot që kanë ngelur, por besoj se formalisht janë 5-6 teatro dhe ndoshta 2-3 kinema. Viti 2019 shënoi uljen më të madhe të spektatorëve për teatrin kombëtar.

 

Frekuentimi i disa institucioneve te kultures

Sikur është diskutuar këtu te Peizazhet, kush kërkon argëtim shërbehet më mirë nga televizori dhe parlamenti (politainment). Audienca e këtyre shfaqjeve është i njëjti grup i synuar për estradat e rretheve gjatë regjimit totalitar. Nga pikëpamja ekonomike është e pamundur që një teatër të mbijetojë në kushtet e ekonomisë së tregut me Ibsen & Co. Andaj, në meny duhet shtuar Ermal Mamaqi me ndonjë narcocorrido apo ndonjë i ngjashëm që i ka shpëtuar estradës së ushtrisë pse u rrokullis sistemi. Këta kanë veti që i vlerëson tregu dhe sjellin të ardhura. Një tjetër grup shërbehet paq nga shoqëria civile. Sidomos ajo që synon shoqërinë globale civile, nga sa vërehet nga mesazhet në gjuhën e huaj.

Bjerrja e shtetit është e pashmangshme, e kombit është ndoshta rrugës, dhe teatri kombëtar na muar të keqen. Kështu që, më mirë se revoltat teatrore, është të presim valën e radhës nga Perëndimi. Edhe pse rrathët, sikur u evidentua, na cekin disa vite me vonesë.

 

Frekuentimi i teatrove dhe estradave ne 1970Numri i shfaqjeve ne estrada dhe teatro, 1970

(c) 2020, Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Klaic, D. (2008). National Theatres Undermined by the Withering of the Nation-State. In National Theatres in a Changing Europe (pp. 217-227). Palgrave Macmillan, London.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin