PAS PERDES

nga Arben Dedja

*

GJERGJ ELEZ ALIA: Doktor, po juve kush iu çoi lajm të vini?

MJEKU: Jot motër, Gjergj djali. Nuk është?

GJERGJ ELEZ ALIA: Ah, e kuptova… Jo, e kam çuar të më mbathë kalin. Bile po vonohet ca dhe u bëra merak.

MJEKU: Kalin? Pse, ç’ka ndodhur?

GJERGJ ELEZ ALIA: Si? Nuk dini gjë ju? Ka dalë një baloz i zi prej detit e do tim për tim kah nji dash të pjekun, tim për tim kah nji vashë me i a djergun… 

MJEKU: Mos more! Edhe plot thagma të tjera do, besoj. Këto fjalët e fundit për vashën po më duken si fjalë të pista, por nuk i kuptoj mirë, se nuk jam vendali…

GJERGJ ELEZ ALIA: Ashtu janë, besa! Po çudi, pra, doktor, si nuk ju ka nxjerrë edhe ju rreng balozi?

MJEKU: Jo, jo. S’e besoj ta bëjë ndonjëherë. I leverdis ta ketë mirë me doktorin, gjithsesi. Ku i dihet, apo jo? Po ti, ç’ke ndërmend?

GJERGJ ELEZ ALIA: Ta grish në dyluftim! Ta mund, qenin.

MJEKU: Një minutë, një minutë, Gjergj. Je me nëntë plagë në trup, ke nëntë vjet që lëngon dhe tani… fap! do të fillosh luftën. Eshtë e kundërindikuar.

GJERGJ ELEZ ALIA: Nuk e kam luksin tuaj, doktor. Jam vetëm një kreshnik i gjorë e i harruar. Po bëtë shumë mirë që erdhët, se do të më ndihni t’i hip kalit. Hajt, bre! Mos u tutni! Apo keni frikë se po iu firet klientela?

 

*

JASMAN DAKA: Avash! Ulu. Freskohu. Ku janë krushqit? Nusja? Merr frymë thellë, mblidhe mendjen dhe fol.

DËSHMITARI: Iku, Jasman, iku. Erdhi dikush, ngjante si lypës aq i lodhur e i pluhurosur dukej, i tha diçka më zë të ulët, pastaj shpërveshi mëngën e rreckosur e i tregoi llërën dhe ajo, nusja de, hopa, la kalin e dasmës, hipi mbi vithet e doriut dhe ia mbathi me të.

JASMAN DAKA: E morët vesh si quhej, dobare?

DËSHMITARI: Njëri nga dasmorët që u gjend aty afër tha që sikur quhej Aga Ymeri.

JASMAN DAKA: Aga Ymeri, the? Është burri i parë. Çfarë tersi.

DËSHMITARI: Nusja, bile, la një porosi për ty, Jasman.

JASMAN DAKA: Pa ta dëgjojmë…

DËSHMITARI: Po të më lindë djalë, tha, do të të bëjë ty kumbar; po të më lindë çikë – do të të bëjë mik.

JASMAN DAKA: Edhe këtë kishim mangut.

 

*

PLAKA E PARË: Hanko, arrin të dallosh gjë, moj? Ka rënë mjegulla, po mua më duket se muri që ngritën dje është ende në këmbë.

PLAKA E DYTË: Të keqen e murit! E paskan bërë flinë, domethënë. Dihet kujt i ra bixha?

PLAKA E PARË: Po personi është i muruar, moj shpirto, është brenda në mur. Qysh ta dalloj, unë e shkreta?

PLAKA E DYTË: Të presim ca. Pa dale! Diçka duket, ja, shihe mirë. Nuk e paskan kallur të gjithin brenda.

PLAKA E PARË: Ustallarë, gjasme!

(Pas tre orësh, kur mjegulla davaritet)

PLAKA E PARË: Pa shih ç’bëhet, moj xhane! Kanë sjellë një djep pranë personit që është në mur. Po i jep sisë, apo më bëjnë sytë? Ua, ç’e tundka djepin me njërën këmbë, që ia paskan lënë jashtë edhe atë.

PLAKA E DYTË: Ah, e mora vesh. Kanë muruar më të voglën e kunatave, se ajo ka fëmijë gjiri. Korba!

PLAKA E PARË: Gjithmonë i treti i vëllezërve, e treta e motrave, më i vogli i fëmijëve e pëson, ke parë ti?

PLAKA E DYTË: Ç’t’i bësh fatit! Hm, fatit. Të jetë thjesht fat, thua?

PLAKA E PARË: Të ndihmojë, të paktën, kjo fli e rëndë, që muret vërtet të mos rrëzohen.

PLAKA E DYTË: Shenjti vetë e tha me gojë.

PLAKA E PARË: Aman! Shenjti! E kishte fjalën për furtunat, për tërmetet. Që janë pjellë e shpirtit të tokës. Hajt, edhe për luftërat, këtë dije epërore. Se edhe lufta ka shpirt. Po s’ka ç’t’i bëjë flija asaj që është pjellë e mendjes, moj jo. S’ka ç’t’u bëjë fadromave.

(c) 2020, Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.​

1 Koment

  1. E mrekullueshme! Pres tani të dëgjoj mbi Doruntinën dhe Ajkunën. Shpresoj vërtet që kjo të jetë e para e një serie që do vijojë.

Lini një Përgjigje te sophieshqipAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin