BESËTYTNI

nga Castigat

Vajzës ende të virgjër, që e mundojnë ëndrrat, i duhet shkrirë një flutur nate në supë. Sëpatën që të ka lënduar, shpëlaje me uthull, që ta harrojë erën e gjakut. Gruaja që i shëtit mitra në trup, duhet të bjerë me burrin me sy të lidhur. Qeni që del nga varreza, po të çalojë, sjell një porosi nga të vdekurit. Qenin që derdh lot, e ka parë ujku në sy. Njeriun që i di harfet, mos e qas në shtëpi po nuk pate lyer, se të lexon muret. Para se të bjerë tërmeti, gorica i shkund vetë kokrrat. Vajzës përtace i duhet futur një vetull maçoku nën fanellë. Djemve të vetëm nuk u trashet zëri pa i pickuar zekthi. Lopës që gëlltit thithlopën i del qumështi me flluska. Kur psherëtin i vdekuri, xherahu të kthejë hakun. Gruaja e shlyen mëkatin e ditës kur i lan këmbët mysafirit. Kur vdes plaku me kafshatën në gojë, jepi me vete përsheshin në gropë. Mos i bërtit fëmijës, kur sjell me vete plaçkë nga ëndrra që ka parë. Peshku që i plas syri në tigan të kujton se ke lënë lulet pa ujitur. Po të jetë grip, e shëron gjaku i mpiksur i rosës së therur. Për ta ndalur tërmetin menjëherë, ngul një thikë në dhé. Një mace mund t’i bëjë magji maces tjetër, po të jenë të dyja duke fjetur. Hardhuca që i merr erë trëndafilit bëhet e padukshme deri sa të perëndojë dielli. Po ta harrosh foshnjën përjashta, ta ndërrojnë vitot me një kukull. Hiqu sikur nuk e di, që ujku të ka parë kur je futur në pyll. Po derdhe ujët e hollë në hi, ke hyrë në hasmëri me tymin. Kur djersit i sapovdekuri, shtëpisë do t’i hyjë flaka në dimër. Para se t’ia çosh kujt vazon me lakër turshi, kontrolloje për gjarpër të mbytur. Një burrë i martuar, mund të lidhë kurorë të dytë me një gjësend, si me një avlli ose një kuti duhani: fëmijët që ka me këtë, ia rrit gruaja e parë.

 

© 2020, Castigat. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. Pjesa e pare, deri tek peshku qe i plas syri ne tigan ( perjashtuar) ka strukturen e bestytnise, kurse pjesa e dyte duket si tallje, ironi.
    Bestytnia duhet te jete e paverifikueshme ose aq veshtiresisht e verifikueshme saqe te jete e pamundur per brezin ( psh gjasat qe te bjere nje termet ne kohen kur goricat jane kokerr, mund te jene zero per nje brez e fshat/krahine te caktuar, perndryshe ngulja e nje thike kur bie termeti qe ta ndalesh eshte me rezultat te verifikueshem, pra nuk i permbush kriteret e besueshmerise).

Lini një Përgjigje te Dies Irae Anuloje përgjigjen

Këtë e pëlqejnë %d blogues: