TELA

nga Arben Dedja

Aq kanë qenë dënga me retorikë vitet e formimit tim (kjo vlen për gjithë brezin që i takoj), sa mezi ç’prisja t’ia jepja munxët (asaj, de, retorikës). Natyrisht, nuk nënkuptoj këtu retorikën si teknikë ligjërimi të Greqinë e Lashtë, që me epokën klasike e mesjetare fitoi atë komponent estetik sa të studiohej si një nga tre artet liberale; kam parasysh retorikën si mënyrë të shprehuri e fryrë, fortingëlluese, emfatike, në thelb boshe. Dhe, meqë çdo gjë në jetë më kaloka nga poezia, në kuptimin që aty treni i rrëkëllyer e ka, gjithsesi, një stacion, një ditë, kur kisha kohë që kisha ardhur në mendt e mia, e zgjodha, pak si rastësisht, poetin që e konsideroj më antiretorikun: Philip Larkin (1922-85). Larkin lindi në Coventry, studioi në Oxford dhe punoi tërë jetën si bibliotekar në University of Hull (qyteza simpatike Hull, Anglia Veriore). Në të gjallë botoi katër vëllime me poezi.

Ritmikisht, poezia e Larkin-it është në blank verse tradicional anglosakson (pentametër jambik), për më tepër edhe e rimuar, pa eksperimentime, nganjëherë parodike. Poeti flet në mënyrë të drejtpërdrejtë, të qartë dhe krejt antimoderniste për përditshmërinë, vetminë, vdekjen. Ton pa emfazë, pa sentimentalizëm.

Tani imagjinoni dikë që ka ditëlindjen, mbush një moshë, diku aty nga fundi i rinisë dhe fillimi i burrërisë (të themi 30 vjeç?) dhe ti, bashkë me dhuratën, i shkruan në një pusullë poezinë Wires, të Larkin-it. Nuk e di sa mirë do ta presë. Ose shkon akoma më tutje: një miku i lind fëmija i parë dhe ti, fap!, i dërgon për ta përshëndoshur poezinë e Larkin-it: This be the verse. Ruajna Zot!

Që të përkthehet kjo lloj poezie nuk është fort kollaj, kryesisht për t’i dhënë tonin e duhur në gjuhën tjetër, bashkë me faktin që Larkin zakonisht përshkruan një skenë, një vegim, por pa ia sqaruar kuptimin.

Por përpara se të jap versionin tim të dy poezive që përmenda, desha të rrëfej një tjetër udhëtim letrar, vetëm në dukje i ndryshëm, mbi retorikën (ose më mirë mbi mungesën e saj).

Pata ndeshur një shkrim të linguistit Gian Luigi Beccaria (ka lindur një ditë përpara Kadaresë), analizë e një vepre të rezistencës italiane: Banditi të Pietro Chiodi-t, kujtime në formë ditari të një partizani piemontez dhe që Beccaria i kish kuruar një ribotim të vitit 2002 tek Einaudi. Pietro Chiodi (1915-70), partizan dhe filozof italian, një nga ekspertët më të mëdhenj të Heiddeger-it në Itali dhe nga përkthyesit e tij të parë jashtë Gjermanie, e pat botuar libërthin e tij me kujtime nga mali menjëherë pas luftës. Imagjinoj që atyre vitesh retorika e fitores dhe e heroizmave të fitimtarëve duhet të ketë qenë në kupë të qiellit. Por gjëja më e rëndësishme që Pietro Chiodi i ka vënë qëllim vetes, gozhda e tij në tru sa i përket anës estetike të veprës, duket se është pikërisht kjo: të mos bëhet për asnjë çast pre e retorikës, bile të bëjë të kundërtën. Këtë theksonte Beccaria, gjë që më bëri kurioz. Ndaj e kërkova dhe e gjeta librin (në botimin e tij të parë, 1946) në një fond të Universitetit të Padovës (Biblioteca del Centro di Ateneo per la Storia della Resistenza e dell’età contemporanea). Dhe ja, për shembull, si autori, pak ditë pas çlirimit të Italisë, rrëfen vizitën në vendin ku disa nga shokët dhe bashkëluftëtarët e tij ishin varur nga nazi-fashistët (ai vetë shpëtoi, se pak më parë e transferuan në një burg tjetër). Shkruan Pietro Chiodi (fq. 168):

5 maj. – Sot shkova në Carignano. Përshkova të njëjtën rrugë që ata patën bërë. Pak jashtë Carignano-s është një stacion i vogël tramvajesh me një mejhane përballë. Midis mejhanes dhe rrugës ka një skarpat. Mbi atë skarpat hodha vështrimin gjatë përpara meje. Ky qe rripi i fundit i tokës italiane që ata patën parë. Dukej blloku i stacionit, prapa do pemëve, dhe kodra në largësi. Kundruall, mbi një godinë të ulët ishte shkruar: “Halè”.

Po le t’u kthehemi poezive.

Wires | Tela

The widest prairies have electric fences,
For though old cattle know they must not stray
Young steers are always scenting purer water
Not here but anywhere. Beyond the wires

Leads them to blunder up against the wires
Whose muscle-shredding violence gives no quarter.
Young steers become old cattle from that day,
Electric limits to their widest senses.

 

Gardh elektrik kanë kullotat e mëdha,
se edhe pse rri urtë gjedhi i vjetër
mëzetërit nuhasin kroin e kulluar
veç diku tjetër. E ç’ka përtej telash

i bën që turravrap të hidhen telash
pa dert për muskujt dhunshëm fijezuar.
Qysh nga ajo ditë bëhen pleq mëzetërit,
caqe elektrikë për shqisat pa pra.

 

This be the verse | Qofshin këto vargjet

They fuck you up, your mum and dad.
They may not mean to, but they do.
They filled you with the faults they had
And add some extra, just for you.

But they were fucked up in their turn
By fools in old-style hats and coats,
Who half the time were soppy-stern
And half at one another’s throats.

Man hands on misery to man.
It deepens like a coastal shelf.
Get out as early as you can,
And don’t have any kids yourself.

Pak a shumë në shqip, do ta thoshim:

Ta rrasën, mami edhe babi.
Jo se u desh qejfi, po… bac, u kry!
Të citën me cenet që patën
plus me ca ekstra, sa për ty.

Po atyre ua rrasën vetë
ca trapa veshur mos-e-pyet,
gjysmën e kohës qullsa-të-rreptë
dhe gjysmën në të tjetrit fyt.

Njerëzia dorazi e bart kobin.
Kredhur sharrnajë në thellësi.
Shtëpisë shpèjto bëja topin,
e kalamaj të tu mos ki.

 

(c) 2020, Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

5 Komente

  1. Arben, vura re se aq sa je teorikisht fort kunder komunikimit retorik, aq je pro tij ne menyren si shkruan. Mund edhe te ndodhe xhanem, por mosperputhja me kapi mat. Madje edhe ne dy poezite qe ke perkthyer… shume elemente, si rendi i pazakonte i gjymtyreve, zgjedhja e leksikut te nje niveli te ngarkuar stilistik, emotiv ose konotativ, neogramatizmat qe perdor (ca rrjedhore shumes, per shembull) rezultojne ne nje perkthim qe nuk i pershtatet origjinalit dhe qe del kunder parimit qe ti thua se ndjek.

    1. Ndoshta, Eda. Por unë rrëfej këtu rrugën time drejt një poeti (për mendimin tim fare pak i njohur në Shqipëri) dhe e bëj ashtu siç di. Nuk merakosem ta bëj në mënyrë antiretorike, meqë po flas për një poet që nuk i pëlqen retorika.
      Sa i përket përkthimit të poezive aty gjithmonë është ai ekuilibri i vështirë mes kuptimit dhe tingullit që duhet të rrinë të dyja mbërthyer në kafazin e formës. Duhet ta terezitësh punën sa më mirë duke tërhequr diku e diku duke lëshuar. Ndaj them që është i vështirë. Përndryshe vetë rima, e përdorur në shekullin e XX, është retorikë. Por po të jetë, unë mundohem gjithnjë ta jap. Vetë fjala “sharrnajë” është aq e papërdorshme në shqip, prodhim libresk, aq retorike (po të kemi parasysh mbaresën -najë; krahaso: “sherr” dhe “sherrnajë”, ky i fundit një sherr i një niveli më të lartë, më intelektual, po themi), megjithatë jam i kënaqur që e gjeta se, gjithsesi, fjala “sharrë” i jep një lloj vrazhdësie.
      Aty nga mesi i viteve ’90 revista “Mehr Licht!” organizoi një konkurs për përkthimin e “Stopping by woods…” të Frost-it. Çmimi i parë 100USD. U paraqitën 21 versione. Unë nuk fitova. Kur lexova përkthimin fitues, them se imi qe më i mirë.

      1. Mund ta kthejme ne nje perpjekje kolektive, por jam dakord me iden se perkthyesi ka lirine ta rishpike poezine. Ky Larkin mos kushtezon njohjen e anglishtes se pub-eve, pasi ke rrotulluar disa litra birre poshte dhe nje kileje kikirave gaz-sjellese?

        They fuck you up, your mum and dad.
        They may not mean to, but they do.
        They filled you with the faults they had
        And add some extra, just for you.

        Ta rras paq, mami e babi
        ndoshta pa dashje, po ja qe e bejne
        te mbushin me veset e tyre
        te shtojne e te ca tjera, per mesele

        But they were fucked up in their turn
        By fools in old-style hats and coats,
        Who half the time were soppy-stern
        And half at one another’s throats.

        Po edhe ata vete kane qene te dhjere
        nga ca debile me pardesy, e shapka krese
        qe gjysmen e kohes ngashereheshin rrepte
        e kacafyteshin ne tjetren pjese.

        Man hands on misery to man.
        It deepens like a coastal shelf.
        Get out as early as you can,
        And don’t have any kids yourself.

        Duart e robit ne dertin e tjetrit
        shkojne thelle si hojet e detit
        sa me shpejte ik
        e femije kesaj dynjaje mos i sill

        shih edhe ketu te https://peizazhe.com/2020/04/29/devs/

  2. As far as rhetoric goes… ate e pollen fshataret,… tha.
    Kur u kthyen te syrgjynosurit ne Sirakuze te Sicilise, andej nga shek 5 pes, nga ku oligarket sapo ishin perzene, te gjithe kerkonin tokat e tyre qe ua kishin sekuestruar dikur. E meqe qyteti s’kishte arkiva, rane dakort qe secili nga lutesit, te kerkonin token e tyre para qytetit, duke ua mbushur mendjen se pse ajo cope toke ishte e tyre dhe jo e dikujt tjeter. Cfare eshte interesante ne kontekst eshte fakti se Sirakuza ishte nje koloni spartane, asketet me te medhenj ne bote, par excellence ( diku nga shk 6 pes, ne Sparte pat ndodhur nje kunder-revolucion qe i vuri fre cdo lloj perpjekje ne fusha te “panevojshme” si puna e artit, kultures, filozofise etj etj)

    Por nga te gjithe retoricienet e vjeter, favoriti im ngelet Protagoras. Jo per relativizmin e tij moral e pertej, kur thote se “njeriu eshte masa e cdo gjeje”. Por si kapitalist qe jam, me terheq fakti se ne piken me te larte te aktivitetit te vet, nje vit studim me te, kushtonte 10 vjet pune te nje punetori krahu. Po ta perkthesh me ditet e sotme, duke menduar se raportet ne zanate ngele pak a shume ne te njejtin kanal,pavaresisht nga epoka, atehere, nese nje punetor krahu sot ben diku midis 25000 deri ne 30000 USD ne vit, nje vit studim nen Pitagoren do te te kushtonte 250,000 deri ne 300,000 USD. Jo keq. 10 studente po te kesh, dhe….

    Do te ishte interesante te sillesh ndonje fragment nga kujtimet e Pietro Chiodi-it ketu. Jo per gje, por me duket si kontradikte ne vetvehte te jesh ndjekes dhe njohes i Heidegger, e te dalesh maleve, partizan me pushke ne dore. Po t’i kishte rene ne dore ndonje psikoanalisti ky signor Chiodi, kushedi se cfare do kishte nzjerre. Vdekja per liri a ka me teper vlere se sa vdekja duke vjedhur nje banke? Protagoras me siguri do te thoshte se nuk ka.

    Sa per poetin, ai reflekton British psyche te mes shekullit te 20, te nje populli qe mbasi sapo ka humbur perandorine e vet, s’ka me energji ne vetvehte, dhe se edhe ate pak qe i ka mbetur, gjeja me e mire qe sheh te beje me te, eshte t’ia heqi vehtes, e te bjere rehat si ai edhe ata rredh e qark tij.
    Nihil sub sole novum… tha

    Kurse une, sikur te rilindja dot edhe njehere do te doja te gjeja nje vajze, mundesisht Germanic stock ose Korean stock. Te kisha te pakten tre femije prej saj. Tu mesoja te lexonin qe ne moshen 3-4 vjec. Tu mesoja qe te programonin qe ne moshen 7-8 vjec. Tu mesoja muzike, tu mesoja sport, tu mesoja matematike dhe shkence.
    A ben dot njeriu nje Leibniz me plan? Nuk e di. Por eshte nje qellim fisnik mendoj.
    Po ta pyesja dot Protagoren, me siguri qe do te me thoshte se po, behet. Puna eshte se sa do te me kushtonte per te marre nje pergjigje te tille…..

  3. E di qe nganjehere iu jap te drejte spartaneve?
    E keqja e poeteve te ketij lloji, duke perifrazuar Chesterton, nuk eshte se shohin te keqen ne bote, por se shohin VETEM te keqen.

Lini një Përgjigje te edaderhemiAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin