NOTEBOOK (1963 – 2014)

 

Fragmentet e mëposhtme janë zgjedhur nga libri i Taso Gudhelit, Distancë e prekshme, (Botimet Patakis, 2017)

përgatiti Eleana Zhako


 

Autobiografi: gënjeshtra të vërteta.

*

Në librin e mrekullueshëm “Rojtarët e njerëzve”, Perikli Koroveshi flet, përpos të tjerave, për kutërbimin e gojës të një torturuesi të tij gjatë juntës ushtarake. Ndërsa unë kam shkruar për “sy kutërbues”.

*

“Gjyqi” i Kafkës. Dy njerëzit e çuditshëm, që shkojnë një mëngjes në shtëpinë e Jozef K., për t’i komunikuar aktakuzën, hanë ushqimin e tij. Një nga juntistët e shërbimeve sekrete, që u futën në shtëpinë time në të gdhirë, shurroi para meje në lavaman. Gjithmonë vështirësohesha të besoj, që jeta imiton Artin (e madh).

*

Njerëz me ndijime të shumta jetësore, nëse ndërmarrin rrugën e shkrimit, zakonisht bëhen shkrimtarë të një libri.

*

Në një sirtar, fotografia e xhaxhait tim Joanit me mjekër. Dikush nga mbrapa kishte shkruar Rasputin. Mërira familjare.

*

Marr vargje nga një poezi ndoshta e panjohur të Ricosit, dhe poshtë saj shtoj disa vargje të mia. I lexoj sajimin tim babait dhe më thotë, që vargjet e para ia vlejnë. Siç duket, e kisha nënvlerësuar “poezinë e panjohur”.

*

I lexoj Klerit vargjet e mia. Para se t’i mbaroj, ajo më pëshpërit vazhdimin. Zhgënjim. Nuk do shkruaj më kurrë poezi.

*

Taki Kacimardhi, më rrëfen si e torturonin në zyrën e juntistit Malo. Ndodhet përtokë. Bie telefoni. I rraskapitur, polici ngre receptorin dhe me zë të ëmbël, i premton të birit të vogël, që do i sjellë biskotë në mbrëmje.

*

Cioran nuk na flet vetëm për ligësinë e Zotit, por edhe për mundësitë e humbura të Krijuesit, që të krijojë një univers njerëzor, akoma më të keq nga ai ekzistues.

*

“Nëse një Mefistofel të siguronte, që po të të merrte jetën, do mbeteshe në kujtesën kolektive si Jorgos Seferis le të themi, do pranoje?”.
“Po”, tha.
Dhe e besonte.

*

Mallëngjehesh me vargun e poetit për kujtesën që mban “shumë më tepër nga ç’kemi jetuar”. Por, çuditërisht, nuk bie dakord.

*

“U vonuat” më tha ajo.
Do mundej të gjente një fjalë më pak poetike.

*

E ëma, që ishte tip i ftohtë, nuk e kishte përgëzuar asnjëherë për arritjet e saj. Ndaj dhe mikesha ime, reagon keq ndaj çdo lavdërimi. Mundohem të gjej mënyra të ndryshme, si ta kënaq më tepër. Ndoshta duhet ta lëndoj me stil…

*

Një Raymond Carver më i mirë, është krijim i botuesit të tij, i cili duke ia shkurtuar tekstet, i bëri më lakonike. Përfundimisht, disa redaktues arrijnë të maten më së miri me shkrimtarët.

*

Orson Welles, në filmin e tij “E vërteta dhe gënjeshtra”, orvatet të tregojë, që imitimi i arrirë është i singjashëm me krijimin origjinal. Pyetje…

*

Tallja babanë tim kur bënte vetëreferenca përgjatë bisedave: “Siç them dhe në një varg timin…” Ndonjëherë së fundmi, në mënyrë të pavetëdijshme tentoj të bëj të njëjtën gjë: «Siç them në një tregim timin…”, por fatmirësisht ndaloj… Mëkatet e prindërve…

*

Jam 66, babai vdiq 83. Jam ende më i vogël se ai.

*

S’i ndahej për vite të tëra, gjer në përulje e telendisje. Me këmbëngulje të llahtarshme. Deri dhe familjes së tij iu ngjit, që t’i bëhej e domosdoshme. Madje, u përkujdes dhe për nënën e tij të moshuar. Nuk i dukej joshëse. Për më tepër, e kishte mendjen te dashuritë e tjera. Më në fund u dorëzua, ndoshta nga mërzia. U martuan. Alzheimer i parakohshëm. Ajo i shërben. S’bëhet fjalë t’i thuash ta shpjerë në ndonjë qendër trajtimi. E sheh, sesi venitet ngadalë.

*

Besoj që u maturova kur mbusha 25, pas arrestimit tim nga Junta, dhe jo pas vdekjes së babait, më vonë. Të tjerë, siç thotë dhe Michel Leiris, burrërohen në të vërtetë, pas vdekjes së babait të tyre. Teorira….

*

Trokas lehtë në mur dhe ajo më gjegjet me trokitje. Angeliki Sotiri. Në qelinë ngjitur. E detyrojnë përgjatë gjithë natës, të qëndrojë në njërën këmbë. E torturojnë kur lodhet. Torturuesi i saj, gjatë ndalesave, porosit krem (“me shumë kanellë”, thotë) nga kafe-bufeja e Sigurimit, dhe ha. Kur s’e kanë mendjen, më troket sërish.

*

Nuk i afrohej askush në rrugë. Disa e mëshironin nga larg. Madje edhe e motra kishte frikë, dhe nuk i shkonte më në shtëpi. As telefon. Kur dola nga burgu, pas ndryshimit të sistemit, të gjithë papritmas u kujtuan për mamanë…

*

Nëna flinte shpesh me motrën time në krevatin dopjo. Babai s’e akuzoi kurrë, që gjente mënyra t’i shmangej.

*

Jorgua, pak para stadit të fundit të demencës, mundej ende të lëvizte, por nuk komunikonte. Ngiste e shoqja. Kaluan para dyqanit të mbyllur të një miku. I bëri shenjë, që të ndalej. Doli, dhe u step përpara lajmërimit të vdekjes, që ishte ngjitur në derë. Më pas u kthye, u ul, dhe para se të përhumbej sërish, tha: “Hëm”.

*

Doktori na shpjegoi, që disa orë pas pushimit të zemrës, lënë hapur aparatin e elektrokardiogramës, pasi ekziston mundësia e nekrofanisë, dhe iku. Siç prisnim mbi krevatin e Vangjelit, Stavrua i hapte qepallat dhe unë më kot, përpiqesha t’i çoja në vend mjekrën e varur.

*

Ajo që më kanoset në gjumë, nuk ka vendosur ende për vendndodhjen e skenës së fundit, mendoj. Pasi ëndërroj çdo herë një banesë të ndryshme (një nga të shumtat që kam pasur), dhe supozoj që ky është problemi im.

*

Gjithë historitë janë të ndërtuara nga “materiale të brendshme”. Vetëm se, sidomos dhjetëvjeçarët e fundit, shumica e kritikëve dhe artistëve bëjnë të pamundurën, që të vihet në dyshim kjo e vërtetë e pamohueshme.

*

Një çift i afërt me mua, ishin të lidhur prej kohësh. Me mendime të avancuara e liberale në aspektin erotik. Të gjithë e dinin, që për vite me radhë, njëri ndiqte tjetrin në bëmat jashtëmartesore, pa i rënë në sy, fshehurazi dhe me vuajtje torturuese, me një ndjenjë të theksuar hedonizmi. Vështirësitë e harmonisë në çift.

*

“Po ua rrëfej pas kaq vitesh. Ndikimi juaj tek unë ka qenë vendimtar. Kalova nga adoleshenca në moshë më të rritur, falë jush”. Nuk e dinte ndërkohë, që kisha ndryshuar ide, dhe që i konsideroja ato të vjetrat, si shumë rinore… Variante maturimi.

*

Andrea Franga, më pyeti dikur se përse interesohem vetëm për anët njerëzore negative. Vështrova me habi e kërshëri shkrimtarin e Murtajës….

*

Nëse dikush vdes pa të afërm, fotografitë e tij familjare do kenë të njëjtën vlerë me një çelës të gjetur në rrugë.


 

Tasos Gudhelis (Tasos Goudelis) ka lindur në Athinë në vitin 1949. Që prej vitit 1982, bashkëpunon me poetin Kostas Mavrudhis në botimin e revistës letrare “ΤΟ ΔΕΝΤΡΟ». Ka shkruar tetë përmbledhje tregimesh, një novelë dhe tre studime për regjisorë kinemaje. Ka fituar Çmimin Kombëtar të Tregimit. Ka dhënë leksione mbi historinë e kinemasë dhe skenar filmi gjatë një periudhe 20-vjeçare. Është kryeredaktor në emisionin letrar të kanalit shtetëror të Greqisë, ERT “Epoka dhe shkrimtarë”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin