KATËR PYETJE PËR ZGJEDHJET

nga Agron Alibali

Reforma e shumëtrumbetuar zgjedhore ofron më në fund një shans të rrallë për bërjen e gjërave për së mbari në Shqipëri.  Pavarësisht nga ecejaket propozimet e kundërpropozimet e pafund, është koha kur klasa politike të ngrihet në rolin e saj të rëndësishëm vizionar dhe të miratojë një reformë zgjedhore që të sigurojë integritetin e padiskutueshëm të procesit zgjedhor, por para së gjithash, të garantojë zgjerimin e hapësirave vendimmarrëse të zgjedhësve. Shkurt, askush nuk duhet të trembet nëse zgjedhësve u jepen më shumë hapësira dhe mundësi për ta thënë fjalën e tyre drejtpërdrejt (përmes referendumeve), dhe me përfaqësim (nëse u lejohet të shprehen lirisht me votë për përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe në organet e pushtetit vendor).  Në këtë kuadër, disa pyetje lindin natyrshëm:

  1. Sistemi zgjedhor: pranohet botërisht se sistemi i tashëm zgjedhur nuk funksionon. Flitet sot për sistem danez, sikurse është folur dikur për sistem spanjoll, gjerman etj. Harrohet ndërkohë që kemi edhe një sistem shqiptar, i miratuar me konsensus në gjysmën e parë të viteve 1990. Ky ishte sistemi mikst, maxhoritar i përzier me atë proporcional. Zgjedhësit votonin direkt për kandidatin e propozuar nga partitë, apo edhe për kandidatë të pavarur (që kishin lehtësira në kandidim dhe numëroheshin për vendet në maxhoritar), dhe njëkohësisht për listat e partive, që numëroheshin për vendet në proporcional. A ishte ky sistem i përkryer? Asnjë nuk është. Sistemi i përzier u bë problematik me dukurinë e “Dushkut”, ku në raundin e dytë partitë orientuan zgjedhësit e tyre të votonin për PBDNJ-në, në mënyrë që t’i linin hapësirë në Kuvend asaj partie që nuk merrte dot vota më shumë për shkak të zhvendosjes në Greqi të zgjedhësve minoritarë. Mirëpo defektet e Dushkut, që ishin më shumë rrjedhojë e trysnive të parregullta të Brukselit dhe Athinës, duhet të çonin në përmirësimin e sistemit, dhe jo në ndryshimin e tij. Çka u arrit me reformën OSBE – Kastriot Islami, që solli në sistemin “proporcional rajonal”, i cili u çimentua më vonë edhe me ndryshimet kushtetuese të v. 2008 dhe me reformën e dështuar të pushtetit vendor. E gjithë historia e pakëndshme e zgjedhjeve në Shqipëri përcjell një mesazh të qartë: populli, zgjedhësit, kërkojnë më shumë hapësirë për vendimmarrje në problemet e vendit në rrafsh qendror dhe vendor. Populli, zgjedhësit, nuk e duan sistemin e imponuar të tanishëm, ku kryetarët e partive kanë në dorë gjithçka. Në këto kushte do të ishte ideale të kalohej në sistem maxhoritar të pastër, që shënon lidhjen më të drejtpërdrejtë zgjedhës – deputet, duke çmontuar përfundimisht “diktaturën e kryetarit të partisë”. Por në mungesë të tij, pse të mos rikthehet sistemi shqiptar, domethënë ai i përzier, maxhoritar/proporcional? Thuhet me të drejtë se ndryshimi i sistemit lyp ndryshimin e Kushtetutës. Por pse të mos ndryshohet Neni 64 i Kushtetutës? Neni i ri mund të shprehet fare thjesht: “Sistemi zgjedhor është maxhoritar i korrektuar”, ose të mos shprehet fare për formën e sistemit zgjedhor, por ta lërë atë që të “përcaktohet me ligj”? Nisma mund të vijë nga Partia Demokratike, dhe kjo do ta legjitimonte plotësisht ndryshimin kushtetues në Kuvendin e tanishëm, pavarësisht mospjesëmarrjes së PD-së në të.
  2. Referendumet: Kryeministri i Shqipërisë u shpreh para disa kohësh se “nuk jemi si Zvicra”. Sikurse dihet, Zvicra njihet jo vetëm për neutralitetin e vet legjendar, por edhe për shpirtin e pavarësisë (zviceranët kanë edhe shërbim të detyruar ushtarak), pjesëmarrjen e popullit në vendimmarrje përmes demokracisë së drejtpërdrejtë me referendume, si edhe për faktin se kanë refuzuar të jenë pjesë e BE-së, madje shumë kohë përpara Brexit-it. Po të analizojmë më në hollësi, tradita shqiptarët kanë shumë pika takimi me popullin zviceran. Këtu do të ndalemi vetëm në pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje. Dihet se kuvendet legjendare të shqiptarëve ishin shprehje autentike e demokracisë, fakt që pranohej edhe nga studiues të njohur të huaj. Shqiptari e ka në gen, në deje, pjesëmarrjen në vendimmarrje. Ligji i tanishëm për referendumet krijon pengesa të jashtëzakonshme në ushtrimin e kësaj të drejte themelore. Pse të mos çlirohet ky ligj nga zinxhirët bllokues, duke i mundësuar shtetasve shqiptarë pjesëmarrjen e zhdërvjellët dhe të shpeshtë në vendimmarrje përmes referendumeve vendore dhe kombëtare, ashtu sikurse është përvoja zvicerane, por edhe vetë tradita shumëshekullore e së drejtës zakonore vendase?
  3. Listat e zgjedhësve: Të gjithë jemi dëshmitarë të lëvizjeve masive të popullsisë këto tre dekadat e fundit. Po ashtu, organizmat përkatëse kanë bërë punë të lavdërueshme në mbajtjen dhe freskimin e listave të zgjedhësve. Megjithatë, sistemi i përfshirjes automatike universale të zgjedhësve le shteg për abuzime, me gjithë anët e veta pozitive. Për të shmangur mundësitë e shpërdorimit, ndofta lind nevoja që çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë që ka të drejtën për të zgjedhur, përveç përfshirjes automatike nga organizmat përkatëse, të ndërmarrë vetë një hap plotësues të konfirmimit të regjistrimit. Kjo do të ndihmonte integritetin e procesit zgjedhor, si dhe do të rriste shkallën e ndërgjegjësimit të zgjedhësve në pjesëmarrjen, ose jo, të tyre në votime. Pse të mos parashikohet në reformën e tanishme edhe detyrimi i zgjedhësve për të konfirmuar regjistrimin e tyre në votime?
  4. Koha e zgjedhjeve: Tjetër kopjim i çuditshëm i praktikave të vendeve të tjera, me histori, ligje e traditë të ndryshme nga Shqipëria, është nocioni se zgjedhjet duhen bërë pa tjetër në qershor. Paraleli me modelin amerikan, ku zgjedhjet bëhen në nëntor është afërmendsh. Mirëpo zgjedhjet në një sistem parlamentar, sikurse është ai shqiptar, bëhen në çdo kohë të vitit, në varësi të raporteve politike-parlamentare që ndryshojnë në mënyrë të paparashikueshme. Kështu ndodh në Angli, në Greqi, Itali, etj, sa për të dhënë disa shembuj. Ideja fikse se “jemi në pushtet për 4 vjet, dhe se zgjedhjet e ardhshme do të bëhen vetëm qershorin përkatës”, (apo në tetor tani) e çimentuar me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, është alogjike, kundër praktikës kushtetuese e parlamentare të vendit, dhe madje e dëmshme për një demokraci të gjallë dhe të zhdërvjellët. Pse të mos liberalizohen kushtet për mocionet e besimit e mosbesimit në Kuvend, dhe të hiqet dorë nga datat fikse të votimit në qershor?

Këto janë thjesht disa ide të hedhura në trajtë pyetjesh. Politikanët shqiptarë – duhet thënë  – deri tani e menaxhuan më së miri situatën e jashtëzakonshme të pandemisë. Ndër deklaratat e dhëna herë pas here u theksua dikur pak a shumë se “nuk jemi të përhershëm në detyrë apo në politikë”.  Vlerësimi që historia i bën një udhëheqësi [legacy] mbështetet përgjithësisht në kriterin se “si e gjeti ai apo ajo vendin në detyrë, dhe si e la”. A e la më mirë, apo më keq? Politikanët shqiptarë kanë përpara vetes shansin historik të miratimit të një reforme zgjedhore që do të zgjeronte ndjeshëm hapësirat e pjesëmarrjes së popullit në vendimmarrje, dhe që do ta rriste cilësisht nivelin e demokracisë në vend.

© 2020, Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Lejohet riprodhimi, me kusht që të shënohet qartazi autori dhe të përmendet vendi i botimit fillestar.

11 Komente

  1. Ne radhe te pare duhet te ndajme mendjen nese partite e vogla duhet te ekzistojne apo jo, dmth jane mire apo jane keq. Nqs jane mire atehere sistemi duhet te jete sa me afer proporcionalit kombetar te kulluar. Gjithsesi problemi aktual nuk lidhet me partite e kryetaret, por me delegjitimimin e deputetit Deputeti duket si kategoria me e padobishme qe ekziston meqe thjesht shtyp butonin dhe ngre doren disa here ne vit, sipas urdherave, gje qe mund ta beje me nje trajnim disaditor edhe nje majmun i llojit shimpanze apo makak. Pra, ketu perfaqesimi ka hyre ne kolpas te plote dhe nuk eshte fenomen vetem shqiptar, thjesht ne perendim eshte ne krize, ne Shqiperi eshte ne kolaps. Sistemi i ri zgjedhor duhet te rilegjitimoje parlamentin ose te hedhe nje hap perfundimtar ne zhdukjen e sistemit parlamentar, per nje presidencial ose gjysem-presidencial. Keta do bejne ca manikyr , e shumta nje lifting te lehte sipas urdherit te stilistit amerikan qe rri ne rrugen e Elbasanit dhe do genjejne popullin me lugen bosh, si me reformat e ketyre 30 vjeteve, perfshire se fundmi Spakun dhe reformen me groteske ne historine e drejtesise, ndoshta boterore ( ne Shqiperi jane bere shume reforna ne drejtesi ne 108 vjet, po kjo ia kaloi edhe juristeve te plepave, edhe gjyqeve partizane).

  2. Sistem mazhoritar them une si ne 1992 .Perzgjedhja e deputeteve te behet nepermjet primaries brenda partive , por ne fund te dites sistemet jane po aq te drejta sa njerezit qe I zbatojne ato .

  3. …pranohet botërisht se sistemi i tashëm zgjedhur nuk funksionon.

    Jo boterisht.
    Ne te vertete pakkush mendon qe eshte sistemi shkaktari i problemeve elektorale ne Shqiperi dhe jo administrimi i votes se hedhur.

      1. Nga fakti qe ne momentin ku po flasim, ka nje tryeze ku nga 4 pjesemarres (PS, PD, LSI, dhe goca e Azemit) vetem nje person po kerkon nderrimin e sistemit dhe jo thjeshte permiresimin e atij egzistuesit.
        Ato 3 partite e para perfaqesojne ne total dicka me shume se c’perfaqeson ajo goca e Azemit, si “statistike” …

        1. Ne fakt po thone qe kerkese per sistemin ka edhe ambasada e ShBA dhe kjo nisur nga fakti se edhe sistemi i tanishem u imponua nga te huajt, e ben ate pakkush ne “boterisht”.

          Nese sistemi nuk perben problem por vetem administrimi, atehere ndryshimi i sistemit s’ka pse te pengohet. Njeri prej atyre te tavolines, ai qe eshte kryetar i PD-se thote se “per sistemin fjalen e kane shqiptaret” dhe vete preferon mazhoritarin. Por edhe ai njesoj si dikush tjeter shton se nuk eshte problem sistemi, por administrimi.

  4. Një tjetër zgjidhje absurde që ofron “parlamentarizmi” alla-shqiptar është në momentin e rotacionit politik, kur zgjedhjet e kryera [në qershor] i fiton partia opozitare.

    A ju kujtohet përvoja e sistemit presidencial në Amerikë? Presidenti zgjidhet një herë në 4 vjet në fillim të nëntorit, kurse detyrën e merr në mes të janarit të vitit pasues.

    Si pasojë e një interpretimi krejt alogjik të Gjykatës Kushtetuese, në mos gabohem, – nëse partia opozitare në Shqipëri i fiton zgjedhjet [gjithnjë në qershor], atëhere ajo duhet të presë shtatorin që të marrë në dorë çelësat e qeverisë. Dhe si pasojë, dy muajt e verës partia humbëse vijon të drejtojë e pashqetësuar vendin, paçka rezultatit të zgjedhjeve.

    E pra, praktika e zakonshme e republikave parlamentare është krejt ndryshe. Partia që humbet zgjedhjet dorëzon çelësat fill, maksimumi brenda javës. Në Angi, p.sh., nëse zgjedhjet bëhen në fundjavë, kryeministri i ri të hënën në mëngjes është në detyrë!

    Pra, në Shqipëri kemi një biçim sistemi “hibrid” krejt të çoroditur. Në letër, më saktë në Kushtetutë, Shqipëria është Republikë Parlamentare. Në praktikë, për rotacionin zbatohen praktika të një republika presidenciale.

    Natyrisht, guzhinjerët ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it që kanë gatuar çorbën juridiko-zgjedhore shqiptare nuk flasin fare për këto mospërputhje.

    A do ta trajtojnë dhe zgjidhin edhe këtë ngërç absurd politikanët shqiptarë në kuadrin e reformës zgjedhore?

    1. Nëse nuk e kam gabim, këto reformat parazgjedhore të ligjit zgjedhor janë bërë një ushtrim rutinë përpara çdo votimi? Apo jo? Kemi pasur ndonjëherë një rast të vetëm kur ligji i zgjedhjeve nuk është ndryshuar para votimit? Çfarë domëthënë që në mes të lojës të ndrysosh rregullat – me konsensus apo pa konsensus nuk ka rëndësi? Imagjinoje këtë lloj paradoksi në një ndeshje futbolli, pra të negociosh ndryshimin e rregullave në mes të lojës. Por ja që ne ja lejojmë vetes ta ushtrojmë këtë absurditet me gjënë më të rëndësishme, ligjin themelor të shtetit.

      Për mendimin tim partitë politike nuk duhet të kenë të drejtë të ndryshojnë ligjin e zgjedhjeve. Për këtë duhet themeluar një Asamble Kushtetuese t’i bëjë këto punë. Edhe kjo thjeshtë për t’i propozuar ndryshimet kushtetuese. Përndryshe ndryshimet kushtetuese duhet të miratohet me referendum.

      Megjithatë, unë jam i mendimit se më shumë se ligji, në të vërtet çalon zbatimi i ligjit. Kjo nuk rregullohet me konsensus, por me vullnetin e atyre që zbatojnë ligjin. Me këtë kulturë që kemi, zbatimi i përpiktë i ligjit nuk ka për të ndodhur në Shqipëri edhe për 500 vjet.

  5. Nuk me duket e paarsyeshme qe ne Shqiperi te kete dy-tre muaj kohe midis dites se votimit dhe marrjes ne dore te celsave. Ne Shqiperi akoma nuk kemi arritur te numerojme votat ne nje kohe te krahasueshme me pjesen tjeter te Europes.
    Pastaj duhet lene dhe vend per ankimet, vendimet e gjykates dhe apelimet perkatese.
    Dy-tre muaj nuk jane kohe e gjate per keto pune. Qeveria nderkohe (nese ka humbur zgjedhjet) eshte qeveri caretaker dhe nuk mund te marre (nuk duhet te marre) vendime afatgjata. Por kjo rregullohet me ligj me vehte dhe nuk ka lidhje me sistemin e zgjedhjeve.
    Me pelqen shume kur shikoj se si ne te njejtin shkrim therritet ne ndihme eksperienca e huaj dhe po aty rezilepsen te huajt per sistemin egzistues. Shume konseguente si menyre te menduari.

  6. Mendoj se qasjet per ndryshimin shumeperfolur te sistemit elektoral ne Shqiperi jane goxha interesante dhe ia vlen te shqyrtohen e lexohen por une do te doja qe te kishte me shume fokus te kompleksiteti i problemeve te shoqerise shqiptare dhe hapat urgjente qe duhen nderrmare ne fusha ndoshta me te rendesishme se perfaqesueshmeria politike, ndonese te lidhura direkt apo indirekt me sferen politike.
    Edhe pse jam plotesisht mbeshtetes i ndryshimeve ne sistemin zgjedhor, mendoj qe fillimi i ndryshimeve ne Shqiperi duhet te ndodhe ne sfera te tjera. Te mos harrojme se diskurset qe lidhen me çeshtje ligjore (neni x pika y, shembujt e sistemeve zgjedhore ne x apo y shtet europian) ndodhin pothuaj gjithmone mes intelektualesh dhe te pjesa derrmuese e popullit te thjeshte krijohet perceptimi se duke qene se nje ide e tille ka mbeshtetje unanime nga intelektualet e televizioneve dhe se mund te zgjidhen njerez me shkoll’ ne parlament, ndryshimet e shumepritura ne Shqiperi do te vijne.
    Si dikush qe ka jetuar ne Shqiperi dhe jo shume pesimist, jam skeptik se ndryshimet do te fillojne nga ketu. Se pari, sa fuqi vendimarrjeje do te kene njerezit e ndershem dhe me shkoll’ te zgjedhur nga listat e hapura? Si konkretisht do te perballen ata me grupet kriminale lokale qe kane te gjithe firma ndertimi neper rrethe, me ndikimin e ketyre grupeve ne vete partine e tyre apo me mafiozet brenda partise se tyre? Se dyti, ne çfare menyre do te implementojne ata politika progresiste (fjala vjen mbeshtetjen e sindikatave) ne nje sistem ku punetoret shfrytezohen nga pronaret e mesem e te medhenj lidhur ngushte me vete partite e tyre? Dhe se treti, a nuk eshte rasti i Kosoves per te marre shembull? Vjosa Osmani doli e dyta ne zgjedhjet e pergjithshme dhe kontrollin e morri garda e vjeter e partise, ndersa gjithe klika e vjeter e politikaneve rrezoi qeverine Kurti, te zgjedhur demokratikisht, ne kohe pandemie.

    Pra ndryshime ne Shqiperi duhen bere, duhet te nisin nga riorientimi i ekonomise dhe levizjet nga poshte, nga organizimi dhe njohja e te drejtave te punetoreve , mesueseve, infermiereve, studenteve etj. te cilet duke qene shume, nuk jane as te kercenueshem as te korruptueshem por kane potencial per te vene nen presion cdo lloj qeverie te mundshme per te bere ndryshime te verteta. Ndryshe, te presesh se krijuesit e nje sistemi, ne te cilin investohet prej 30 vjetesh nga oligarke, biznese, media dhe politikane, pikerisht qe zhvatja e publikes dhe parase te vije ne piken ku ka ardhur, te ndryshoje vullnet per ta zhbere kete eshte deri diku e pakuptimte. Pra ata jane krijuesit e ketij sistemi pikerisht sepse krijojne para qe ta kthejne ne pushtet dhe pushtet qe e kthejne ne para.
    Dhe trumpetimi i ketij fenomeni me te madhe krijon idene ne popull se me listat e hapura do te jene fillimi i shpetimit te Shqiperise, nderkohe qe eshte diçka tejet e pamjaftueshme.

Lini një Përgjigje te koviAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin