MOSHATARË DHE PROFETË

– George Orwell dhe Ernest Koliqi
nën tmerrin e imagjinatës dhe mbi rrënjët e traditës –

nga Visar Zhiti

“1984”- roman dhe “Rrajët lëvizin”- dramë. Dy vepra fantastike të së ardhmes… së shkuar tashmë. Romani është i famshëm, i përket gjuhës botërore, anglishtes dhe është përkthyer në shumë gjuhë të tjera dhe vazhdon të kujtohet, kurse drama është e vogël, pak fleta, e shkruar në gjuhën e një vendi të vogël, shqip, që harrohej me qëllim, duke e nxjerrë jashtë dhe nga letërsia e asaj gjuhe.

Të dy autorët e tyre, shkrimtari anglez George Orwell dhe shkrimtari shqiptar Ernest Koliqi kanë lindur në shekullin XX, në vitin e tij të tretë, 1903, e vetmja gjë e përbashkët, rastësi natyrisht. Ndërkaq Orwell-i lindi jashtë atdheut të tij, në Indi, perandoria angleze, mund të themi, kurse Koliqi lindi në Shqipëri, perandoria otomane, ndërsa Orwell-i do të bëhej i majtë ideologjikisht, deri dhe komunist, që shkoi dhe në Spanjë në luftën civile krah republikanëve, kurse Koliqi do të ishte  i djathtë, madje dhe ministër nën pushtimin fashist.

Orwelli do të kthehej të vdiste në atdhe, në Londër, nga tuberkulozi në 1950, Koliqi kishte ikur për të vdekur jashtë atdheut, në 1975 në Romë. Për të vdekur për së dyti, se në atdhe e kishin dënuar me pushkatim fitimtarët, atë dhe veprën e tij

Orwell-i, shkrimtar dhe gazetar i njohur, mbas Luftës së Dytë Botërore, në 1949, boton romanin “1984”, një imagjinatë e frikshme, sipas së cilës në vitin e titullit të veprës, gati e gjithë bota dominohej nga një totalitarizëm i rreptë, mizor, udhëhequr nga një parti e vetme, sunduese me “Vëllanë e Madh” në krye (Big Brother). Policia shtetërore e pranishme kudo, e dukshme dhe e padukshme, kontrollonte dhe drejtonte gjithçka, jo vetëm veprimet, po deri edhe mendimet e ndjenjat, një nënshtrimin masiv kapitullues, një shoqëri “trushpëlarë”, aq sa hitleriane, po aq dhe staliniste, e të dyjave bashkë, si mos më keq.

Orwell e njihte romanin distopik “Ne”, të shkrimtarit sovjetik Evgenij Ivanoviç Zamjatin, të shkruar në vitet 1919-1921 dhe botuar për herë të parë në anglisht në 1924. Në Bashkimin Sovjetik s’ishte lejuar të dilte atëherë ajo satirë marramendëse e totalitarizmit të Bashkimit Sovjetik, e gjitha një utopi negative. Fundi i botës vërtet.

Kujtoj vitin 1984, më gjeti në burg. S’isha më i burgosur i ri, por as i vjetër, nga ata që kishin bërë mbi 15 vjet burg, 20, 25, 30, edhe 40 vjet, që kur kishte mbaruar Lufta, por s’kishte nisur ende paqja.

Në oborrin e burgut, në stendën ku vendosej gazeta politike “Zëri i Popullit” ishte një shkrim kritik për “1984”. Aty gjeta se paskësh një roman të tillë dhe gazeta e partisë në Shqipëri e bënte copë-copë, që ja erdhi dhe ky vit dhe alarmi që kishte dhënë autori borgjezo-revizionist se ç’ishte komunizmi dhe që në 1984 duhej të binte, ishin të rreme. Komunizmi do të triumfonte në të gjithë botën së shpejti, sipas gazetës së partisë, sidomos po të kishte një luftë të tretë botërore…

Bashkëmoshatari i Orwell-it, shkrimtari Ernest Koliqi, që nuk besoj se njiheshin, shkruajti në Romë dramën me një dukë/akt, “Rrajët lëvizin”, titullin e së cilës e mori nga një varg i poetit Tomas Eliot. Ngjarjet e dramës ndodhin në vendlindjen e autorit, në Shkodër, në perspektivë, kanë ardhur vitet ’70, flitet për shekullin e kaluar, pra jemi një dhjetvjeçar para 1984 oruelliane dhe çudia është se aty parashikohet e  kundërtën e Orwellit, jo fitorja botërore, por rënia e komunizmit.

Unikale dhe largpamëse deri në mrekulli, e brishte, madje dhe lirike, trama e saj e ka forcën jo te konflikti i brendshëm, me fare pak personazhe e dialogë të zakonshëm, po te konflikti historik, i popujve, ndërkombëtari, te rënia e natyrshme e komunizmit.

Vepra, sa klasike është dhe risi, etj, por ajo mbetet profetike si asnjë vepër tjetër në të gjithë letrat në perandorinë komuniste. Koliqi ishte i pari dhe i vetmi shkrimtar që parashikoi rënien e asaj perandorie me një vepër letrare, kur totalitarizmi stalinist ishte në kulmin e vet, në mesnatën e rëndë në vendin e tij..

Autori si një orakull kishte parashikuar vdekjen e vet në ato vite dhe të diktaturës. Saktësia është tronditëse për parashikimin e parë, por ndodhi dhe parashikimi i dytë, pak më vonë se vitet e tij dhe i Orwellit, në vitet ’90, por krizat e tatëpjetës kishin nisur që në kohërat e tyre.

Koliqi si një AntiOrwell ose Orwell pozitiv me dramën e vet vegoi fitoren e njeriut në shoqërinë totalitariste.

Kuptohet që regjimi në Shqipëri e mori informacionin nga rrugët e fshehta diplomatike të saj, që shkrimtari i arratisur Ernest Koliqi, armik i betuar i popullit dhe i Partisë, që meriton plumbin ballit, ka botuar në Romë në revistën e tij reaksionare që del shqip, “Shejzat”, dramën më reaksionare “Rrajët lëvizin”…

Kritikës cinike dhe mediokre të realizmit socialist i vinte më për mbarë heshtja vrastare dhe ashtu bëri si zakonisht, por në leksionet e studentëve të letërsisë, i mbaj mend dhe i diskutonim me njëri-tjetrin, në njërën nga dispensat si e shaptilografuar, ishte dhe një fletë nga fundi që e godiste ashpër dramën e Koliqit, si frojdiste i cila kërkon të thotë se regjimi socialist në Shqipëri bëri ndryshime të mëdha, shkatërroi dhe vrau shumëçka dhe sipas autorit reaksionar, d.m.th. Koliqit, vetëm përsipër, se nëntokë, rrënjët e jetës janë gjallë dhe lëvizin….

Me një ngazëllim djallëzor kritika socrealiste tha atëhere se Koliqi nga dy parashikimet që bëri, gjeti veç atë të vdekjes së vet.

Ne si studentë, rrethi më i ngushtë yni, i ngazëllehej kumtit koliqian, duke na pataksur që paskësh një drame të tillë, nga Koliqi, ja aty e ka shtëpinë, te rruga matanë, jo shumë larg institutit tonë, që ja, përtej vendit tonë, u folka për rënie të komunizmit, nuk qenka i përjetshëm dhe diskutonim që këtë pasazh lektori e kishte futur për të rroposur Koliqin apo me dinakëri, për të bërë me dije se ç’është shkruar. Gjithsesi ne i ishim mirënjohës për kritikën dhe shikonim se kishte shkrimtarë të tjerë shqiptarë më përtej, jo si tek ne…

Në dramën “Rrajët lëvizin” bien dhe kambanat e së dielës në kishat e qytetit të Ernest Koliqit, ku ishim studentë, se ndërkaq, sipas parashikimeve të dramës ishin ripahur kishat, që diktatura ateiste i kishte shtetëzuar bashkë me xhamitë duke i kthyer në kinema, ku shikonim filmat e socrealizmit, në pallate sporti, ku zhvillonim dhe mësimin e fizkulturës apo në magazina ushtrie, ku na jepnin uniformat dhe armën, që të stërviteshim për të luftuar imperializmin dhe revizionizmin botëror dhe nëse na sulmonin të dy njëherësh, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik, ne të fitonim..

Ndërkaq erdhi dita që “1984” të botohej dhe në Shqipëri, dhe jo vetëm me një përkthim. Kam gjetur atë të Çelo Hoxhës dhe më ka pëlqyer, e ka dhënë tmerrin dhe absurdin dhe në gjuhë.

Ndërsa drama “Rrajët lëvizin” vazhdon të jetë si një kambanë e madhe, bie dhe bie dhe harrojmë ta dëgjojmë… Me të do të mund të mburrej çdo skenë, nder për kulturën, për inteligjencën në të gjithë Evropës Lindore. Ishte dhënë kështu kumti i madh që atëherë dhe vinte nga letërsia shqipe, nga pjesa e dënuar e saj.

Teatri ku u prit gjatë se mos do ta vinin në skenë ndonjëherë, sa po e shëmbën, brenda parashikimit oruellian dhe jashtë parashikimit koliqian. Me shpresë për në teatrin e ri.

 

(Nga libri në proces “Kartela të Realizmit të dënuar”)       

(c) 2020, Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Titulli i shkrimit origjinal: DY SHKRIMTARË MOSHATARË,  PROFETË TË KOMUNIZMIT TË ASNJËRIT…

2 Komente

  1. M’u duk me interes ky shkrim i z. Zhiti, veçanërisht paralelja që heq, sado që duhen ruajtur përmasat. Këtë dramë të Koliqit kam patur rast ta lexoj mjaft herët, diku nga fillimi i viteve ’80, në bibliotekën mjaft të pasur të Institutit, ku nuk mbaj mend të ketë qene koleksioni i plotë i Shejzave, por vetëm dy numra, në njërin prej të cilëve gjendej edhe drama “Rranjët lëvizin”.

    Natyrisht kam nevojë për një lexim tjetër për të pasur një ide më të qartë të nivelit të saj. Por kujtoj fare mirë, se kur e lexova së pari, thashë me vete se kam lexuar dramën e parë “frojdiste”, ku stuhia e asaj që po ndodhte në mjediset që të kujtonin oborret e familjet shkodrane, prekte vetëm sipërfaqen e gjërave (gjë që ishte e vërtetë), ndërkohë që gjithçka që ziente e vepronte nën nënndërgjegje, mbetej e paprekur (gjë që është po aq e vërtetë).

    E kuptoj edhe z. Zhiti tek shpreh mllefin e tij për kritikët marksistë (ah sikur të ishin vêrtet të tille!) dhe sidomos inatin pêr atë “dispensen” ku drama në fjalë kritikohej, por mbase atij nuk i kujtohet mire se cili e kishte bere atë, se nuk besoj se do te ishte aq i ashpër.

    Une të paktën dhe shumë të tjerë nuk e gjykonim aq keq, se aty gjenim një informacion të mirë për letërsinë bashkëkohore. kishim dëgjuar për F. Kafkën, por nuk kishim ide të qarta të subjekteve të romaneve të tij, etj. Ishte si librat e A. Uçit, ku ai kritikonte Kandinskin, fvj., por më shumë se kjo ne na interesonin të përdornim fotot e librit për të njohur veprat e Kandinskit dhe të shume të tjerëve.

    Por nuk është kjo më e rëndësishmja, madje kjo nuk ka rëndësi fare.

    Duke lexuar këtë ese të veçantë (që vetëm tani m’u dha mundësia), nuk ka si të mos mendosh edhe për kriteret e vlerësimit të autorëve të ndaluar, të mallkuar a kritikuar nga regjimi nopran i kaluar.
    Nganjëherë kam përshtypjen se gabimisht lihet të kuptohet se sa më shumë ta ketë kritikuar regjimi i shkuar një vepër a autor aq më e mirë është ajo, ai.
    Gati të besosh në një aplikim të ligjeve të fizikës në letërsi. Tê themi ai ligji që e sheh tensionin si rezultat të diferencës së potencialeve. Pra sa më e madhe të jetë kritika që i êshtë bërë një vepre, aq më i madh është tensioni, pra niveli i saj artistik.

    Do të ishte mjaft me i thjeshtë vlerësimi i letersisë po qe se do te mbeshtetej te disa elemente invariabel, te fiksuar e pranuar nje here e mire.
    Veçse kam frikë se nuk funksionon kështu.

    1. Kendvështrimi i Lyss me duket interesant dhe me vlera, madje i vèrtetê ashtu siç e shikon ai, por mendoj se në rastin e veprës se Koliqit, më saktë e ndjej -dhe kjo ka me rendesi per mua tani, – se Visar Zhiti ka te drejtë.
      Padrejtesia ndaj veprës se Koliqit eshte e madhe, tani e tepruar dhe e pa durueshme per kritikë letrare. Ernest Koliqi eshte tejet i rendesishem per letersine shqipe, jo vetëm themeltar, por dhe i arrirë, pra dhe maje dhe krahasimi i dramës se tij me “84” eshte, mendoj, i gjetur, por me vlerë vetëm në kritiken e letrave shqipe dhe interesi ketu eshte i jashtzakobshem.
      Per sa u perket dispencave te atehershme, ato me “letersine dekadante”, atëhere jepnin informacion marramendes, te munguar, krijonin imazh, kundershti, shkurt ishin dhe të bukura ne kohën e shëmtise se kritike socrealisre, por duke mbetur po atë mendim dhe në kushtet evlirisë se nendimit, mendoj se nuk benin me atë efekt, ne mis te kundert.
      Drama “ Rrajet levizim” duhet te zërë vend ne letrat shqipe, e meriton plotë sushi, por e prapsin ende, kjo trysni jep ndonjehere kundertrysnine fizike ne fushen e mendimi kritik, ku në kushtet specifike shqiptare eshte e domosdoshme, mendoj, dhe i bashkohem Visarit…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin