THIS WILL KILL THAT… AND THIS

nga Blerina Kanxha

Në agun e 17 majit, mediat patën reagime të ndryshme rreth lajmit se godina e Teatrit Kombëtar, u shemb. Disa media e transmetuan si lajm neutral, si një ngjarje që thjesht ndodhi e disa të tjera patën nervin të shprehnin keqardhjen. Moslistimi i godinës si monument kulturor ka zemëruar shumëkënd, jo thjesht për faktin se ishte një shenjë mosrespektimi, porse ishte prologu i fatit të godinës. Sot, jo vetëm godina është rrënuar, por edhe rekuizita, kostumet, duke vënë përposhtë gjithë historinë që ka jetuar në atë ndërtesë për vite të tëra.

Disa e lexojnë si një kulm i një romani distopik, ndaj nuk është më me vend të thuash se të lexosh Orwell-in apo Huxley-n të jep më kënaqësi estetike: ne po e jetojmë atë realitet. Ashtu siç operonte Ministra e së Vërtetës tek libri ‘1984’ i George Orwell, në të cilin çdo lajm që mendohej të ishte i rremë hidhej në një hulli të kujtesës. Njëjtë sikur çdo lajmi të ‘rremë’ në lidhje me funksionalitetin e teatrit i është përgjigjur një kundër lajm nga bashkia e Tiranës apo Kryeministria. Nëse godina e teatrit ishte sipas ekspertëve që protestonin, në gjendje normale për të funksionuar, për kahun tjetër të ekspertëve që Kryeministri citon, teatri ishte një gërmadhë, dopolavoro, një ngrehinë e padobishme.

Në fjalët e monsinjor Frolos (Claude Frollo) te Notre-Dame de Paris e Hugo-it, ‘libri’ pra informacioni, risia, shpërndarja e dijes, makineritë e shtypjes do të shembnin të vjetrën, themelin, arkitekturën (ceci tuera cela). Në libër, Frolo, u ankohet vizitorëve të Katedrales duke vërejtur mahnitjen e tyre ndaj makinerisë së shtypjes e njëkohësisht duke ndjerë hijen e Katedrales mandej. Për të, arkitektura ishte forma më e pastër e shkrimit të historisë, e vërteta vetë, ndërsa libri, produkt i makinerisë veçse do të hidhte baltë mbi të.

Lajmi është se, ‘this’ (duke nënkuptuar shpërndarjen e informacionit), pra risia, nuk shembi vetëm arkitekturën, por edhe vetë lirinë e shpërndarjes së informacionit. Shumëkush u zgjua të protestojë online vetëm dy ditë më parë duke u kërkuar artistëve dhe grupeve të interesit të mbanin qëndrim. Disa prej tyre u zgjuan nga gjumi letargjik e thanë se kauza e teatrit ishte e frymëzuar prej interesave të partive opozitare. Të gjithë, ranë në hullinë e kujtesës, kur fadroma rrënoi së pari fasadën e Teatrit Kombëtar.

Qytetarët e Shqipërisë stepen sa herë përmendet fjala politikë a parti, sepse politika/partia është e ndotur, e rrezikshme dhe me të asnjëherë nuk ia dilet mbanë. Por politika ka marrë frerët e medias, duke u kthyer vetë në një të tillë. Ashtu si në shoqëritë e sunduara nga diktati, lajmi i duhur vjen nga një burim i cili është ‘i vërtetë’. Pos revoltës për prishjen/shprishjen e teatrit, prezenca në media e ekspertëve të cilët shprehnin qartë se projekti i ri do të ishte zgjidhje ideale: zaptoi editorialet, lajmin online, duke treguar kështu se për çdo hap të çmaskimit të këtij meskiniteti, do të vinte një goditje tjetër prej medias të ndërtuar tanimë nga forca politike në pushtet.

Problemi i vërtetë është se ne rebelohemi ndaj kujtesës, nuk duam ta përballim të shkuarën. Ndërkaq, harresa është synim i pushtetarëve, një mjet efikas për të përfituar edhe më shumë prej kësaj marrëdhënieje me të kaluarën.

Gjithë dhuna e shtypur në vetëdijen e shqiptarëve para viteve ‘90 ka bërë që të kthejë përmbys çdo rrënjë identiteti në Shqipëri. Kështu jo vetëm Teatri Kombëtar, por edhe objekte te tjera kulturore do të rrënohen për aq kohë sa ‘this’, pra informacioni, manipulohet prej një dore të vetme, e cila për çdo lajm që kundërshton versionin e qeverisë, do të gjenerojë disafish lajme të tjera, të mbysë zërin kundër.

Prej këtij kahu duhet të zërë rrënjë kultura e të ruajturit e kujtesës si formë rezistence, për të mos e lëshuar prej duarsh të shkuarën. Ashtu siç Umberto Eco shprehet në artikullin e tij ‘Against the loss of memory’ : kur një akt censurues fshin një pjesë të kujtesës së shoqërisë, shoqëria vetë përjeton kriza identiteti’.[1]

Për aq kohë sa klika e pushtetarëve është e bindur se zhdukja e godinave në të cilat zhvillohet aktivitet kulturor, do të sjellë shumë herë më shumë fitime nëse do të kthehen në kupola biznesi, memoria, do qëndrojë si ato kukullat e shëmtuara që vërejmë në shtëpitë tona për të larguar zogjtë natën.

Vitet e fundit ka patur një rritje të kuriozitetit për të mësuar të shkruarën, për të rishkruar historinë, ndërsa sot kërkohet të fshihen faqe të tëra histori.

Teksa në Tiranë drita e hënës tirrej, bashkë më të po sulmohej kultura, historia, demokracia dhe e drejta e qytetarit për të protesuar. Duke pritur barbarin, kuptoj se gjatë gjithë kësaj kohe, barbarët i kemi patur mes nesh, madje i kemi zgjedhur vetë të jenë mbi ne.

© 2020, Blerina Kanxha. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Përkthim i autores

3 Komente

  1. Disa prej tyre u zgjuan nga gjumi letargjik e thanë se kauza e teatrit ishte e frymëzuar prej interesave të partive opozitare.

    Ah, jo jo, nuk ishte njeri duke fjetur, te pakten jo nga ky grup qe besojne kete me lart – grup ku edhe mburrem se bej pjese.
    Njerezia mund te jene indiferente per fatin e kesaj apo asaj godine, por shumica e mbajne nje sy hapur ne veprimet e aktoreve politike ne vend, pavaresisht se nuk jane te tere aq te motivuar sa te lene komente ne internet.
    Asnje njeri nuk ishte duke fjetur. As ata qe dolen dhe me sinqeritet u perpoqen te mbronin godinen, por qe nuk u erdhi merak nga shoku ne krah – ky i fundit i fresket nga te tjera beteja te partive politike, e tepert ti permend fushebetejat urbane te opozites.
    As kur ajo parta hodhi shashkat dhe i keputi doren asaj vajzes polices, nuk po flinim, as ne as keta “te kujteses kulturore”. Nuk po flinim, por po veshtronim dhe po mbanim shenime (ne kujtese) .
    Dhe tek jemi te kujtesa, gjithe keto dite, kam pritur qe ndonje nga keta te kujteses kulturore, te kujtohen e ti pyesin ato partite pse nuk e kishin listuar godinen e teatrit ne listen e objekteve te mbrojtura. Ajo do e kishte zgjidhur punen, apo jo?
    Lista, them, jo e pyetura tani. E pyetura tani, do me ulte mua dyshimet mbi qellimet e verteta te grupit te kujteses, por kjo tani eshte ceshtje e kaluar – pse nuk iu turren keta te kujteses atyre te PD-se, te pakten deri ne betejen e ardhshme urbane.

    Kjo shporta e “the deplorables” ku po i fusni njerezit qe nuk ndajne opinionet dhe pasionet tuaja, po behet pak e bezdishme. Me rezultate jo fort te favorshme per ju, me duket mua, por mund ta kem edhe gabim.

  2. Me aksion blic, sot në katër e gjysëm të mëngjezit, 17 maj 2020, ditë e djelë, u kry bacë!! Bam-bam-bam,… u zgjuam befas, … si krisma mitralozi në luftë, … ishte fadroma e jo mitraloz, … sidoqoftë luftë … pandemi dhe … dhe muri 80 vjeçar ……..
    (vazhdimi i ketij emocioni gjindet tek faqja ime: fjale cimbuese, shkrimi i fundit tek viti 2020, Theatro ra).
    Mendoj se me teatrin nuk u shemb kujtesa, por nje pjese e saj, sic ka ndodhur gjithnje dhe ne e kemi te veshtire ta pranojme.

  3. E bukura eshte se ne Shqiperi te gjithe akuzohen se po bejne politike vetem qeveria jo. Rrjedhimisht asnje nuk duhet te merret me politike pervec qeverise. Kjo eshte e folura e re (newspeak) e njeriut te ri shqiptar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin