SI PO E PËRCJELLIM MAKS VELON

Më lanë shije të hidhur shumë nga fjalët që lexova për Maks Velon, poshtë e lart në mediat online: vura re një përqendrim te ndërhyrjet e tij në çështje të politikës kulturore dhe të shoqërisë civile, sidomos në polemikë të ashpër me pushtetin; dhe një shpërfillje të artistit dhe autorit dhe të persekutuarit Maks Velo – balanca anonte nga raporti i të ndjerit me kryeministrin Rama dhe politikat e tij urbanistike dhe kulturore, jo nga virtytet intelektuale dhe njerëzore të Velos vetë dhe rrugëtimi i tij në dhjetëvjeçarët. Të thuash se ishte kundërvënia e Velos me pushtetin që i dha këtij profil, edhe pse e vërteta duket të ketë qenë ndryshe: ishte profili i Velos, si artist, arkitekt, intelektual dhe autor, që u jepte peshë dhe nerv ndërhyrjeve të tij publike. Çfarë vlere do të kishte protesta e fuqishme e këtij njeriu, kundër prishjes së stadiumit Qemal Stafa dhe në mbrojtje të ndërtesës së ish Teatrit Popullor, jashtë kontekstit të trajektores së tij personale, si një nga arkitektët modernistë në Shqipërinë e viteve 1960-1970 dhe pastaj si një nga intelektualët që e pagoi shtrenjtë, tepër shtrenjtë, përpjekjen e tij për të bërë diçka, sado të vogël, por shpresëdhënëse, në mes të errësirës? Çfarë kuptimi do të kishte opozita e tij sot ndaj Ramës dhe politikave kulturore të këtij të fundit, po të mos marrim parasysh se dikur edhe Rama edhe Veloja ishin të rreshtuar në të njëjtin krah, anti-totalitar dhe antikonformist, në emër të rikthimit të lirisë së fjalës dhe të shprehjes në jetën publike? Është e padenjë, për të ndjerin dhe për miqtë por edhe për armiqtë e tij, që të na e prezantojnë tani thjesht si opozitar të një kryeministri dhe të një qeverie që sot janë nesër jo, dhe që – në botën ku jetonte dhe do të jetojë Veloja – kanë më pak rëndësi se edhe vizatimet e Ramës vetë? Politika ka vendin e vet, në hapësirën që i takon; por Maks Velon po duam ta kujtojmë si artist, arkitekt dhe intelektual – jo si opozitar që merr dritë dhe fiton vëmendje përmes politikave të cilave ka qëlluar t’u kundërvihej. Për ta thënë shkurt: nuk ishte Rama, as qeveria e sotme, as polemikat e nevojshme për stadiumin kombëtar dhe godinën e teatrit, që e vendosën Maks Velon në panteonin intelektual të Shqipërisë sot. Si figurë kyçe që bashkon të djeshmen totalitare me të sotmen post-totalitare, Maksin nuk duhet ta lëmë të na ikë si të ishte një deputet a partiak çfarëdo, pjesë dhe instrument organizmash kolektive të interesuara për pushtetin – përkundrazi, te kundërshtimi i tij edhe dje edhe sot, mund të gjejmë arsyen për të themeluar dhe artikuluar në vijim një ligjërim publik të rezistencës ndaj meskinitetit, politik dhe njerëzor.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

5 Komente

  1. Besoj se fakti qe percillet keshtu nuk eshte rastesor. Shumica e atyre mesazheve qe kam lexuar anon ne dy dimensionet qe jo vec nuk i bejne nder, por e vene ne loje: opozitar “i cartur” kunder Tiranes se rilindasve dhe krejt i lajthitur ne ceshtje te etnopopulizmit sa edhe antinacionalizmit qe nuk i takonin hic. Te gjitha pushtetet e quajten te roitur, sido qe tani qellon qe edhe i perkulen. Kur nuk te vrasin e te lene te jetosh, duke e ditur qe je kunder tyre, edhe ne kohe te Enverit damken “i cmendur” te vinin. Dhe ne komunizem gjithsecili e kercente ate valle per te cilen ia vinin shamine ne dore, pa shume dengla e me gojen kycur, duke folur ose fershellyer rrugeve te Tiranes sikur ta shihte veten krejt vetem. Ne kohen e demokracise (:)), ben vaki qe edhe flet ose hedh vickla publike si ato per mbrojtjen e teatrit dhe Tiranes se vjeter. Por njelloj s’ta var kush, dhe njelloj te quajne te cmendur peshpeshet qe zbresin nga lart poshte dhe jo anasjelltas. Eshte i tille krijimi i diskursit dominant ne cdo sistem. Populli thjesht ndjek kete diskurs ne nivelin e rrjeteve sociale, diskurs qe s’lindi tani qe ai vdiq, por qe e mbeshtolli dhe e ndoqi gjithe jeten. Keshtu te neutralizojne, te bejne te parrezikshem. Discursi dominant rreth Velos u ndertua pikerisht keshtu: ne te duam se ti je i vecante, por je edhe i lajthitur ne shumicen e gjerave per te cilat flet publikisht. Ndaj fol sa te duash. Kujt i prish pune!
    Eshte cdinjitizimi i njeriut dhe i asaj qe individi i talentuar i jep shoqerise po nuk diti te respektoje institucionin dhe te beje peruljen e padukshme ose te dukshme ndaj se ciles institucioni politik eshte hypersensitiv.

    1. Vetem se Velos nuk ia veshi njeri kete rol me zor ne periudhen pasdiktatures. Ai e mori vete ate me deshire. Velo ngelet figure kontroverse. Jo dhe aq per parimet sesa qendrimet. Vitet e fundit dukej sikur e kishte kuptuar edhe vete kete. Dua te them kete rol ku e kishte futur veten dhe mua personalisht me eshte dukur sikur ishte modifikuar, sikur i kishte puqur veprimet me parimet.

  2. Jetoj prej me shume se 20 viteve larg Shqiperise. Mund te them qe e njoh pak personazhin e Maks Velos, perveç disa intervistave apo shkrimeve te tijat. Mungesa e nje artist si Maks Velo do ndikoje sadopak per vendin ku ai u rrit, u burgos, u lirua dhe ku punoi e krijoi me nje energji te madhe.
    Megjithese ishte nje personazh me nje intelekt dhe fjalor te veçante per publikun e mbas viteve 90-te, ai arriti ta shprehte ne menyre te lire mendimin e tij. Por kjo liri sot ka nje çmim: ajo zhgarrivitet, injorohet dhe neperkembet nga gazetat ne Tirane te cilat i percjellin publikut disa tituj apo shkrime te nje cilesia shume te ulet. Te tilla shkrime apo lajme shkurt, jane te padenja per vepren e tij.Liria e te shprehurit qe dikur te nxinte jeten neper burgjet sadiste te komunisteve, sot ajo te demton per faktin se publiku dhe mendimet e tij i nenshtrohen nje politike te ashper qe ble e shet gazetare e analiste politike ne teatrin absurd televiziv shqiptar.
    Ishte kenaqesi te lexoja keto dy shkrime ne blogun tuaj mbi Maks Velon.

  3. Nuk e di nwse PTF e ka trajtuar ndonjehere ne faqet e saj “fenomenin” Maks Velo!? Nwse jo, atehere do thoja shkurt, qarte e thjeshte, se edhe ju jeni kujtuar si kofini pas te vjelit per te mbeshtetur nje ze ne shkretetire.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin