PËR MAKS VELON (1935-2020)

nga Elidor Mëhilli

Maksi ishte artist. Në projektim shfaqi talent si pak të tjerë, sidomos në një vend ku projektimi bëhej me direktiva dhe ku ndodhte që damka për “liberalizëm” të zbukurohej edhe me burg. Talenti ishte dhe një nga pikat e tij të dobëta, pasi nën diktaturë smira mes kolegëve të kushtonte shtrenjtë.

Në një vend ku mediokriteti vishej e vishet me pushtet dhe lavdi, dhuntia bruto dhe moskokëçarja e Maksit e bënte shpesh të dukej si një njeri jashtë loje. Guximi për të jetuar më lirshëm nën diktaturë, siç del në rrëfimet për të, të tjerëve ju dukej si lajthitje. Për çudi, e ushtroi moskokëçarjen e tij ndaj pushtetit jo vetëm gjatë diktaturës, por edhe për dekada më pas, kur shefat e dikurshëm u bënë pronarë dhe ministra.

Përveç arkitekturës dhe pikturës, Maksi shkruante, skiconte, imagjinonte. Burimi i këtyre ishte një kuriozitet që mua më dukej gati i pashtershëm. Rezultati ishte një angazhim publik që vazhdoi deri në vitet e fundit të jetës.

Po ta shohim jetën dhe krijimtarinë e tij si një lloj pasqyre përkundrejt të shkuarës, aty përftohet e shëmtuara kolektive por edhe bukuria shqiptare. Llogaritë me diktaturën i bënte pa përtesë, po as babëzinë urbane të tranzicionit s’e honepsi dot. Ishte i dhënë pas të bukurës—sidomos të bukurës atje ku të tjerët ose s’e shihnin, ose e injoronin. Fjalën “primitiv” e përdorte si çekiç në publik. Ama në vizatime e studime “primitiven” e vlerësonte, e kremtonte, donte ta ruante për shqiptarët që do të vijnë më pas.

Të shihje Maksin tek ekspozonte jashtë Shqipërisë në vitet ’90-‘00 ishte, të paktën për mua, edhe një lloj karme kozmike e rivendosur në vend, një fill shprese në një kohë mizore, kur fjala kyç e kulturës ishte fjala “kallash.” Ishte nga arsyet kryesore pse u lidha me arkitekturën. Nuk kisha model tjetër lokal si ai—njëlloj i interesuar për fjalën, për figurën, si dhe për hapësirën. “Është i veçantë”, thoshte ime më, kur dilte në televizor ato vite—flokët në kaos total, duart që lëviznin pa pushim sikur skiconin në ajër.

Shkroi artikuj, ese, tregime të shkurtra, romane, poezi. Spaçin nuk e harroi, por as nuk e la ta përkufizonte si njeri. Prodhoi me qindra vizatime me bojë të zezë dhe me furçë, edhe pse nuk mund të zëvendësonin qindra vepra që ia dogjën pas arrestimit. I dhimbseshin.

Shprehte ide—për fenë; për primitiven dhe modernen në një botë jo bardh-e-zi si skicat me bojë dhe me furçë; për çështjet ndërshqiptare—me të cilat shumë prej atyre që e admironin nuk ishin dakord. Jepte e merrte sikur në një betejë pa mbarim.

Dëshmitë e veta i quajti “Kohë antishenjë” (botuar në vitin 2000) dhe janë reflektime me vlerë historike edhe sot.  Libri “Paralel me arkitekturën” (botuar në 1998) mbetet një tekst themelor për projektimin si marrëdhënie e individit me pushtetin, ku jo domosdoshmërisht pushteti ka fjalën e fundit. Mua më pëlqen edhe “Historia e një cope guri” botuar pa shumë bujë në vitin 2006. Maksi kishte aftësinë të shikonte njerëzoren tek fragmenti. “Betonizimi i demokracisë” quhet koleksioni i dhjetëra artikujve, intervistave, studimeve botuar në vitin 2013.

Për shtypin dhe median ishte personazh interesant, sidomos në koklavitje publike që bënin zhurmë, si ajo e pashallarëve të kuq të Kadaresë, në kapërcyell të viteve 2000, apo kur lëshonte ndonjë të fortë gjatë intervistave. Më pak vëmendje tërhiqnin albumet e vizatimeve, skicat, reflektimet mbi artin dhe kulturën materiale popullore që përgatiste me pasion, me ndihmën e një grushti bashkëpunëtorësh të përkushtuar.

Kur shikon këto kupton sa e vështirë është ta futësh Maksin në kuti—qoftë si pjesë të burgologjisë së viteve ’90-‘00, qoftë si arkitekt, qoftë si kritik të urbanizmit kur na e shisnin zhvatjen si zhvillim. Botimi i dosjes së Sigurimit së fundmi pati jehonë. Por dosja e Maksit duket kaq e mjerë në krahasim me 30 vjet radiografi të shoqërisë shqiptare mes diktaturës dhe klientelizmit, mes planit kolektivist dhe betonit privat.

Na ka lënë pas diçka të rrallë jo vetëm për Shqipërinë por edhe për studimin e kulturës në gjithë ish-botën komuniste: një rast të vyer për të kuptuar fijet mes individit (përmes biografisë dhe autobiografisë) veprës (si në tekst dhe në hapësirë) dhe sistemit politik. Sistemin e vuajti, por pati fatin të thotë të tijën pas vuajtjes dhe foli edhe për ca që s’e patën atë fat.

Koha ishte vërtet antishenjë.

Atëherë, tha, shëno ku të mundësh, kudo: kështu mbijetohet.

Rreth Autorit

Elidor Mëhilli mban gradën Assistent Professor në historinë europiane dhe ndërkombëtare në Hunter College, City University of New York. Ka mbaruar studimet e doktoraturës në Princeton University (2005-2011), studimet e larta në Cornell University (2000-2005), dhe ka mbajtur poste akademike të shkurtra në Columbia University (2011-2012) dhe University of Pennsylvania (2012-2013). Punime të tjera të tij mund të shihen këtu: www.elidormehilli.com. Jeton në Nju Jork.

Author Archive Page

10 Komente

  1. Një shkrim i bukur për shumëdimensionalin z. Velo. Mbas kaq kohësh lexova një shqipe të merituar. Përgëzime

  2. Ishte kontributi i Maks Velos, me vlerë, falë talentit të tij të jashtëzakonshëm, apo falë mosbindjes? Mendoj se janë dy gjëra të ndryshme. Është një gjë të jesh i talentuar dhe një tjetër të përdorësh mosbindjen si trap për të kaluar lumin e anonimitetit (jo domosdoshmërisht i njëjti lum si ai mediokritetit). Aq më tepër në arkitekturë, ku çdo shtypje dhe rregullim apo direktivë, idealisht do mund të shiheshin si një mundësi për t’u shfrytëzuar, për të përshfaqur talent edhe më shumë. Nuk pretendoj të njoh gjithë punën e tij, por me ç’kam parë, kam frikë se në arkitekturë, në Shqipëri (por edhe gjetkë madje edhe sot), ngatërrojnë talentin me njëfarë rebelizmi snob të padiskutueshëm. Nuk arrij të shoh sesi jashtë Shqipërisë komuniste puna e tij do të hante bukë veç.

    “Po ta shohim jetën dhe krijimtarinë e tij si një lloj pasqyre përkundrejt të shkuarës, aty përftohet e shëmtuara kolektive por edhe bukuria shqiptare.”

    Personalisht, nuk arrij të shoh sesi pallati me kube është më i bukur se parafabrikatët kinezë, kur më duket e qartë që gjuha e modernizmit që përdoret është e njëjta.

  3. Elidor: Ky eshte profili ndoshta me i plote qe kam lexuar keto dite per figuren e Maks Velos. Ai ishte pioneer i mirefillte i modernismit ne Shqiperi, ne kuptimin e plote te fjales. E si i tille ai kurresesi nuk mund te pranonte “primitivismat”, “kaosin”, “dhunen” qe po i behej qytetit si pasoje e trazirave post-totalitare. Ju thoni qe ai e donte te bukuren, duke nenkuptuar ketu te bukuren moderniste, ate te pastren, ate me linja e volume te qarta, te rregullta, qe i pelqejne mendjes dhe syrit racional (po flas ketu per vepren arkitektonike). Asaj qe arkitektet vazhdojne ta enderrojne me gjithe forcen e idealizmit utopik qe u kultivohet ne brendesine e tyre. Megjithe simpatine dhe vleresimin per kerkimin e tij formal (volumor/ estetik) si projekt te pashterrur te jetes se tij, qe i hapi dhe peripecirat qe ne i njohim, personalisht ndjej nje keqardhje qe Maksi nuk shkoi pertej kesaj deshire te tij per kete lloj “te bukure”. Si pjese e profilit te tij te spikatur, qendrimi fanatik ndaj modernizmit tregon konsistence ne qendrimet e tij dhe kjo eshte per t’u vleresuar. Fundja ne frymen e modernizmit, ai refuzon te zgjeroje nocionin e estetikes pertej racionales duke deshtuar, njesoj si modernistet ne bote, te lidhen me njerezit, duke e pare rolin e arkitektit si eksperti (me ne krah politiken) qe jep zgjidhjet per qytetin, qe i ve freret “primitiveve qe perndryshe marrin kot”. Me vjen keq qe analiza e tij estetike qendron ne keto terma, duke bere qe shpirti i tij i trazuar ne shume raste te kaloje ne ekstreme elitiste diskriminuese ndaj shqiptareve te veriut apo edhe ne qendrime islamofobe. Fatkeqesisht, ai eshte misherim i paster i komunitetit te arkitekteve elitar ne Shqiperi qe nuk denjuan asnjehere te ulen nga froni i “zotit kontrollues te qytetit” per te mos u lidhur kurre me kontekstin kompleks te qyteteve shqiptare qe kane kaq shume nevoje per nje kontribut modest profesional.

    Kleopatra, cfare do te thote: “Nuk arrij të shoh sesi jashtë Shqipërisë komuniste puna e tij do të hante bukë veç.”? Si mund te shkeputet artisti nga konteksti ku zhvillon vepren e tij? Ky eshte nje reagim mizor, ules vlerash lokale qe fatkeqesisht e gjej ne shume mendje shqiptare. C’eshte kjo pamjaftueshmeri, ky presion ndaj artistit, intelektualit shqiptar? Perse u dashka me patjeter te vendoset artisti shqiptar ne presionin per te qene i pranuar apo i spikatur ne nje konkurs imagjinar me artiste te tjere ne bote. Cdo artist e levron artin e tij i pozicionuar diku ne nje lokalitet, ne nje kontekst, ne nje situate, e jo ne eter internacional. Me gjithe ndikimet nga jashte, Maksi ishte aty, ne Shqiperine totalitariste, dhe post-socialiste. Arti i tij nuk mund te kuptohet i shkeputur nga keto realitete.

  4. I ndjeri eshte arkitekti i dy ndertesave te njohura ne Tirane; shkolles Emin Duraku, dhe pallatit ku ka jetuar Ismail Kadare dhe Dritero Agolli.
    Kjo te pakten sipas internetit.
    architectuul.com

    1. I ndjeri, zotëri, gjithë jetën dhe aktivitetin e tij e kaloi në një vënd, ku liria jo vetëm ka qënë një ndjenjë ë përbuzur skajshmërisht, por nëse çfaqje qoftë edhe më të voglin respekt për të, më e pakta që ambienti të siguronte ishte plasja e buzës në mënyrë të pamëshirshme e të pambarimtë. Në të tilla kushte, më shumë se dy ndërtesa mund të priteshin nga “arkitektë të shpirtit njerëzor” të lidhur fort shpirtërisht me një “ideologji frymëzuese” siç ishte ajo që për busull kishte mësimet e Partisë,por jo nga i ndjeri. Pra, flasim për arkitekt të cilët realizuan vepra monumentale që i përkasin asaj periudhe, siç janë, p.sh, pallatet parafabrikat, ose fabrikat e silazhit.

      1. Cdo person qe ka qene arkitekti i dy ndertesave te klasit A (per nga rendesia dhe lokacioni) ne kryeqytet meriton t’i permenden keto vepra ne nekrologji, ne mes te levdimeve te tjera, mendoj une. Ky ishte edhe qellimi im-informimi.

  5. Kerkoj ndjese qe nuk e shtjellova me gjere komentin per te shmangur cdo keqkuptim. Nuk dua absolutisht te mohoj kontributin, por mendova qe diskutimi i punes se tij eshte me vlere per arkitekturen e momentit ne Shqiperi.

    Cka dua te them me ate fjali eshte qe vepra e tij (pallati me kube specifikisht, meqe e permenda), nese do te ishte ndertuar kudo tjeter jashte Shqiperise komuniste, do te ishte nje nder shume godina te tjera, mbartese te nje zeitgeist-i te caktuar, dhe jo dicka e jashtezakonshme apo shprehese e nje talenti te rralle. Aq me pak nje banese shqiptare. Me vien keq te mendoj qe kjo ndertese, apo te tjera te ngjashme, mund te shikohen dhe vleresohen me shume per faktin qe perfaqesojne rezistence ndaj nje pushteti, sesa per kontributin arkitektonik ne vetvete ne nie dialog direkt dhe universal me terrenin dhe natyren. Per mendimin tim, kjo e redukton arkitekturen ne nje vegel personale shprehjeje te nie hubrisi intelektual, ne nie kohe kur per nga impakti, pergjegjesia e arkitektures qendron ndaj te gjithe qytetareve dhe fshatareve, dhe jo ideve te nje pakice arkitektesh dhe zhvilluesish qe e mendojne veten vizionare.

    “Si mund te shkeputet artisti nga konteksti ku zhvillon vepren e tij?” Ironikisht, kjo veper ne rastin konkret injoron katerciperisht kontekstin, ashtu sikunder edhe ndertesat “me direktiva”. Kujtoj ketu planin e Le Corbusier per te rrafshuar zemren e Parisit. Duke qene pjese e modernizmit, mund t’a zhvendosesh kudo ne bote ku modernizmi nderhyri dhe do te qendroje pa problem. Mund te permend Frank Lloyd Wright si nie arkitekt qe refuzoi t’i bindet stilt internacional duke mbrojtur pa kompromis lidhjen e arkitektures me lokalitetin dhe eshte pikerisht kjo qe nuk ndodh, jo vetem ne pallatin me kube, por edhe ne cfare po ndertohet sot kryesisht ne Tirane. Eshte ky shqetesim qe me shtyu te komentoj.

    Kultura shqiptare ka shume per te dhene ne arkitekture, pa qene nevoja per te importuar modernizmin si ne te shkuaren, dhe post modernizmin si sot. Ironikisht, pamjet me frymezuese te fshatrave apo qyteteve vernakulare shqiptare rreze maleve, jane realizuar nga ato qe ju i quani “primitive qe perndryshe marrin kot”. Te vetmit “primitive”, ne fakt, qe e kane shkaterruar pluralizmin e arkitektures ne planet, jane modernistet.

    1. Kleopatra: Interesant se si fjalet transformohen nga goja ne goje, e ne kete rast nga komenti ne koment. Kur jane te shkruara te pakten eshte e mundur t’u kthehemi. Do te lutesha ta lexoje edhe njehere ate qe kam shkruar. Besoj do e kuptosh qe shprehjen “primitive qe perndryshe marrin kot” e kam vene ne thonjza per te thene qe ashtu i konsideronte i ndjeri njerezit qe ndertuan pa leje gjate tranzicionit, jo se une i quaj ashtu, perkundrazi. Une kam bere nje kritike te ngjashme me ate tuajen ne lidhje me deshtimin e arkitektit si profesionist (pra, jo vetem Maksit) per t’u lidhur me njerezit, duke e konsideruar agjensine e vete njerezve si subjekt per t’u kontrolluar dhe jo per t’u perfshire ne procesin e dizenjimit.
      Ne lidhje me modernizmin, sic dhe ju e dini, ishte nje levizje nderkombetare, filozofi jete qe u reflektua ne fusha te ndryshme te kultures, jo vetem ne arkitekture. Ajo erdhi si nevoje per t’u shkeputur nga format prapanike te tradites, ne kohen e revolucioni industrial dhe zhvillimeve social-ekonomike te shek 19-20 qe tregonin per fillimin e nje stili te ri jete. Trendet e modernizmit u reflektuan ne veshje, ne sjellje/ rituale, ne art, ne kulturen materiale, ne design, etj. Ne arkitekture lindi si nje nevoje e domosdoshme e lidhur si me teknikat e reja te ndertimit, ashtu edhe me clirimin e design-it nga ornamentet e teperta folklorike apo aristokrate qofshin. Ne nivel qyteti u be akomodimin i automobilit ne projektimin e rrugeve te gjera, cka ndikoi shkeputjen nga tradita e qyteteve te vjetra me rruge te ngushta e shkalle te ulet ndertimi. Kritikat ndaj kesaj levizje, qe shpesh e gjejme te kete nxitur dhe imagjinate utopike, kane qene te shumta. Nje prej tyre ka qene dhe ajo qe ju permendni, lidhja me kontekstin. Ketu keni bere nje kapercim me fjalen kontekst. Kur po flisja per Velon, nuk po diskutoja lidhjen e tij me kontekstin fizik, gje qe edhe ajo nuk me duket aq e munguar dhe fatale sa e beni ju. Une po fisja per kontekstin politik, social, kulturor. Levizja e tij moderniste ka qene thellesisht e lidhur me kontekstin Shqiptar. Ai, si askush tjeter ka deshiruar nje modernizim te kultures shqiptare, qe me pas eshte reflektuar edhe ne arkitekturen e tij. Kjo deshire e tij e madhe e ka cuar edhe ne gafa pasionante ne te shprehur qe kane tingelluar deri diskriminuese. Kjo eshte ajo per te cilen une shpreha keqardhje ne komentin e meparshem. Thelle, thelle, mendoj qe duhet vleresuar aspirata dhe perpjekja e tij dhe e brezit te tij per te modernizuar shoqerine shqiptare, pavaresisht elitizmit qe e karakterizonte komunitetin e arkitektures ne ate kohe dhe qe vazhdon deri diku te jete trasheguar edhe ne ditet e sotme midis arkitekteve. Po ky eshte problem i gjithe shkollave te arkitektures ne bote. Perpjekja e momentit qe jetojme eshte t’i mesojme arkitekteve te lidhen me njerezit e te dizenjojne me ta. Prandaj, gjithnje e me shume shohim perpjekje te huazimit te metodave te fushave humane, si psh antropologjia, ne studime arkitektonike, etj, etj.

      1. Ne komentin e meparshem une ve ne dyshim pikerisht rolin e modernizmit. Ju thoni qe deshira e Velos ishte te modernizonte kulturen shqiptare dhe une qelloj te mos jem dakord me metoden e ndjekur per t’a bere kete. Perderisa po shkruaj ne lidhje me arkitekturen, dhe perderisa ai ishte arkitekt, po e lexoj kete deshire vetem ne kete fushe, per hir dhe te argumentit. Si arkitektura qe u zhvillua ne Europen perendimore dhe ca me ndryshe ne ShBA, dhe si ajo qe u zhvillua ne bllokun komunist, jane te njejtat ane te se njejtes medalje. Te dyja keto arkitektura jane ne thelb moderniste dhe racionaliste: te frymezuara duke filluar qe nga Malevich, konstruktivistet, e deri te kuzhina e Frankfurtit. Kane te dyja karakter internacional: njera e perhapur ne krahun Atlantik tjetra ne ate sovjetik. Te dyja, ne fund te fundit, jane vetem stile te te shprehurit, perderisa e hedhin ideologjine nga dritarja; politika merr vendimin (mendoj ketu per Pruitt-Igoe). Duke qene keshtu, perballja e pallatit me kube me parafabrikatet (ndertesa modulare dhe per rrjedhoje moderniste) me duket e stisur (sic them me lart: sprove e hubrisit intelektual) ose ndoshta thjesht e pa kuptuar nga te dyja palet dhe e importuar shabllon. Ne realitet, keto dy arkitektura (ane te se njejtes medalje), mund te kundervihen me arkitekturat vernakulare te cdo vendi, qe tregojne me shume per nje ndertim gjenuin lokal. Vlera e arkitekturave vernakulare nuk qendron vetem ne mbrojtjen dhe restaurimin e tyre, por edhe ne te kuptuarit e teknologjise (techne-s, know how-it). Keshtu, po them qe njesimi i deshires per te modernizuar e qene modern duke importuar ne arkitekture, me emancipimin, tregon ne fakt ate qe ju ne komentin e pare e quani pamjaftueshmerine e intelektualit (shqiptar ne rastin ne fjale). Sjell ketu ne vemendje nje deklarate te Erion Veliajt, qe thote me krenari, ne injorance ekstreme te konteksit, qe ndertesa e re e gjimnazit Sami Frasheri do te jete ne stil skandinav. Po pse duhet te jete ne stil skandinav? Perfytyroni kryebashkiakun e Stockholm-it te deklaroje se po nderton nje shkolle ne stil shqiptar, ne Stockholm. Mendoj se te modernizuarit dhe emancipuarit skandinave, me e pakta, do te cuditeshin. Pak a shume, ne te kaluaren, shqiptareve u thuhej nga njeri krah: “Une po ju emancipoj me modernizmin me kube” dhe nga krahu tjeter: “Ne po ju emancipojme me parafabrikate”. Emancipimi real, mendimi im ky, vjen nga amplifikimi i arkitekturave lokale (Kruja e vjeter, Berati, lagjja Kala ne Elbasan, etj.) prandaj permenda dhe Frank Lloyd Wright atehere, dhe mund te permend Wang Shu sot. Ironikisht, vete Le Corbusier gjente frymezim per format primitive te zhveshura nga ornamentet, te ndertesat gotike katalanase qe per nga natyra jane krejtsisht rajonale. Dikush mund te argumentoje qe modernizmi vete eshte klimaksi i arkitektures vernakulare Europiane dhe vertete mund te jete po pse u dashka pjesa tjeter e botes te importoje vernakularitetin e njerit kontinent?

  6. Une nuk ia njoh krijimtarine Maks Velos, (padiskutim do interesohem me shume ne te ardhmen), por zeri i ketij njeriu me ka pelqyer, sepse ishte nje ze i pavarur nga te gjithe zerat e tjere. E thosh mendimin e tij, packa se shume njerezve u digjte miza nen kesule.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin