BRUMBULLI NË DRITARE

Kur po përgatisja, javën që shkoi, esenë për vdekjen e Roland Barthes-it (Brinjëza), ende nuk dija hollësi rreth muajit që ai ish dergjur në spital, para se të jepte shpirt; por veç isha tërhequr pas detajit të asaj copëze të brinjës që ai mbante në sirtar. Mirëpo pastaj më gozhdoi pas faqes rrëfimi i ditëve të fundit, dhe veçanërisht respiratori (ventilatori) pas së cilit e kishin lidhur, që ta ndihmonin të merrte frymë. Natyrisht, ky detaj m’u duk tejet pertinent për të sotmen time, në një New York të vënë poshtë nga epidemia dhe kur raportet në media, për të gjithë ata që vdesin në spitale me tubin e respiratorit në gojë, të dalin përpara çdo minutë.

Reagimi im i parë: ja një përkim a koincidencë për të cilën ia vlen të shkruash. Koincidencat gjithnjë intrigojnë, sepse duket sikur i sjell në qenie një mekanizëm tjetër nga kauzaliteti: Jungu pat shkruar për këto, duke i pagëzuar si sinkronicitete. Ai rrëfen një eksperiencë nga praktika e vet psikanalitike, kur një paciente po i rrëfente një ëndërr me një stoli në trajtë brumbulli prej floriri që ia kishin dhuruar, dhe mu në atë moment një brumbull u përplas pas xhamit të dritares së studios (i ngjashëm me brumbullin Chrysina, që duket vërtet si prej ari). Të gjithëve nga kanë ndodhur koincidenca të tilla – të cilat zakonisht na bëjnë të mendojmë se po na materializohet mu para syve një kuptim “më i thellë” madje “më sekret” i realitetit.

Edhe mua gjithnjë më pëlqen të zbuloj koincidencat, t’i përshkruaj, madje të ndërtoj mbi to një argument: edhe kur nuk bindin plotësisht, ato i shërbejnë si kontekst kauzalitetit, ose edhe vetë arsyes. Esenë për Barthes-in mund ta kisha çuar deri në fund ose jo, por nga momenti kur më doli përpara tubi i respiratorit, m’u duk sikur një “autoritet” po më urdhëronte të shkruaja; në kuptimin që imazhi po shndërrohej nga ilustrues, në imperativ. Dhe kjo jo për arsyen banale që një shkrim i kësaj natyre duhet “lidhur” me të tashmen për t’u përligjur – por më tepër ngaqë ngjashmëritë, edhe kur nuk janë tërësisht koincidenca, shërbejnë për të ndërtuar një emërues të përbashkët, midis dy realiteteve. Dhe, siç e mbajmë mend nga aritmetika, ky emërues i përbashkët shërben për të kryer disa veprime me thyesat, p.sh. mbledhjet dhe zbritjet; ose edhe thjesht për t’i krahasuar.

Por sinkroniciteti nuk është e vetmja mënyrë për ta shpjeguar pse na tërheqin koincidencat, pse na duken kaq të kuptimshme, pse na paraqiten si manifestime të një realiteti më të thellë. Po të kish ndodhur, bie fjala, që këto ditë një kritik a shkrimtar a filozof i madh të ish goditur nga një furgon lavanderie kur kapërcente rrugën dhe të kish përfunduar në spital, atëherë unë ndoshta do ta kisha vendosur aksidentin që plagosi Barthes-in në kontekstin e aksidentit të tanishëm, dhe nuk do t’i kisha kushtuar ndonjë vëmendje të veçantë intubimit dhe trakeotomisë. Për të njëjtën arsye, sikur të kisha ruajtur edhe unë në sirtar, bie fjala, ndonjë dhëmballë timen të hequr para shumë vjetësh, rrëfimi i Barthes-it për brinjëzën do të më ishte lexuar ndryshe. Dua të them, se çfarë zgjedhim të vëmë në fokus, nga një mori faktesh të rrëfyera ose të përjetuara, këtë na e dikton edhe eksperienca e përditshme.

Ishte trauma e të jetuarit në një qytet të plagosur nga Covid-19 dhe makthi i të marrit frymë me ventilator, që i dha, për mua, theksim të veçantë momenteve të fundit të Barthes-it në spital. Për të njëjtën arsye, një grua shtatzënë do të vërë re se i dalin përpara, në pazar, më shumë gra shtatzëna se zakonisht; për të njëjtën arsye, kur ti po gatitesh të udhëtosh me avion, të qëllon të dëgjosh pak si më shpesh, në lajmet, për aksidente fluturimi; ndërsa kur tundohesh të mos i deklarosh të gjitha të ardhurat vjetore, dëgjon për miq a kolegë të tutë që po i auditon rrufeshëm autoriteti i taksave dhe tatimeve. Po ashtu, kur të ka kafshuar një qen i rastit në park dhe të ka kapur ankthi mos sëmuresh nga tërbimi, menjëherë të mbetet syri, në ekran, te lajmi për një dhelpër të tërbuar diku në Rusi ose në Angli (kjo, mu kur je duke shfletuar uebin, për t’u njohur me simptomat e hershme të sëmundjes). Të thuash se po kërkon konfirmim, në botën përreth, të asaj që po të ndodh ty.

Për të njëjtën arsye, fjalët e Foucault-it për përpjekjet që duhet të bëjë gjithkush “për të mbijetuar në spital” dhe se “ta lësh veten të vdesësh (se laisser mourir) është efekt neutral i spitalizimit (l’état neutre de l’hospitalisation), i cili kërkon mundim, për t’u kundërshtuar”, të cilat i pata cituar në esenë për Barthes-in, më lanë vragë të thellë, dhe jo ngaqë më tingëlluan të arsyeshme, dhe as ngaqë i kish thënë Foucault-i; por sepse vetëm pak ditë më parë, duke lexuar për një të sëmurë rëndë me Covid-19, i cili kish refuzuar të shtrohej në spital për të vdekur pastaj në shtëpi, edhe unë kisha menduar se, në momente epidemish dhe kaosi, spitalet marrin hijen e fabrikave të vdekjes – duke e shoqëruar këtë mendim me imazhin real të një kamioni të madh frigorifer, që po e ngarkonin me kufoma, te një spital në Queens; gjithë duke risjellë në mendje çfarë ka shkruar Foucault-i për spitalet.

Por ky efekt, i ngjashëm me të mirënjohurin selection bias, nuk është për t’u shpërfillur, si “zhurmë” gnoseologjike; sepse shpesh na nxit të mësojmë më tepër për botën, duke nga ushqyer kuriozitetin. Një historian i torturuar nga hemorroidet, do të intrigohet veçanërisht nga fakti (ose edhe “legjenda”) që Napoleoni e humbi betejën vendimtare të Waterloo-së, ngaqë po e mundonin keq hemorroidet; madje edhe do të shtyhet ta hetojë këtë dhe të ndërmarrë një studim; me po aq zell sa edhe një historian tjetër, që e ka ndërtuar karrierën mbi mitin e pathyeshmërisë së Napoleonit (me të cilin është identifikuar, në mënyrë megalomaniakale).

I njëjti faktoid do të mund të ngushëllonte një student të munduar nga hemorroidet, ditën që është rrëzuar në provim: sinkroniciteti mund të jetë edhe komik.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. Ky eshte ai problem i raportit te rastesise me domosdoshmerine, ku (po e vazhdoj ne formen pllakative) dialektika jone materialiste na mesonte se te dyja jane pjese te njera tjetres.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin