QYTETE NË HAPËSIRË DHE NË KOHË

Te Qytetet e padukshme Italo Calvino-s, nën sythin “Qyteti dhe kujtesa”, gjen edhe copëzën që po e sjell më poshtë, të përkthyer; i bindur se se përmban embrionet (së paku embrionet) e një analize të frytshme të shtrirjes së qytetit në kohë, përkrah edhe një shpjegimi të kitsch-it me të cilin i qasemi ndonjëherë së shkuarës së qytetit.

MAURILIA

Në Maurilia, udhëtarin e ftojnë të vizitojë qytetin dhe, në të njëjtën kohë, të kundrojë ca kartolina të vjetra të ilustruara, që e tregojnë qytetin siç ishte më parë: i njëjti shesh, me një pulë në vend të stacionit të autobusëve; kioska e muzikës në vend të mbikalimit, dy zonjusha me ombrellë të bardhë, në vend të fabrikës së lëndëve plasëse. Për të mos i zhgënjyer banorët, udhëtari duhet të lëvdojë qytetin që del në kartolinat dhe ta preferojë ndaj atij të tanishmit, por gjithnjë duke u kujdesur që ta mbajë keqardhjen ndaj ndryshimeve brenda caqeve precize: duke pranuar që, në krahasim me Maurilian e dikurshme provinciale, madhështia dhe mbrothësia e Maurilias tashmë metropol nuk e kompensojnë dot një farë hijeshie të humbur, e cila gjithsesi vetëm tani mund të shijohet, përmes kartolinave të vjetra; teksa dikur, i ndodhur përballë Maurilias provinciale, hijeshinë nuk e gjeje gjëkundi, dhe aq më pak do ta kishe gjetur tani, po të kish mbetur Maurilia e pandryshuar; dhe që, në çdo rast, metropoli ka këtë virtyt tërheqjeje më tepër, që nëpërmjet trajtës që ka marrë tani, të lejon të rikujtosh trajtën si ka qenë.

Dhe kujdes mos i thoni kujt se ndonjëherë qytete të ndryshme ndjekin njëri-tjetrin mbi të njëjtin dhé, nën të njëjtin emër, lindin dhe vdesin pa rënë në sy, pa komunikuar dot mes tyre. Qëllon që edhe emrat e banorëve mbeten po ata, sikurse theksi i të folurit, madje edhe tiparet e fytyrave; por zotat që rronin nën emrat dhe mbi trojet kanë ikur pa lajmëruar, për t’ua lënë vendin zotave të huaj. Është kot të pyesësh nëse këta të tjerët janë më të mirë apo më të këqinj se të parët, meqë mes tyre nuk ekziston asnjë marrëdhënie, njëlloj sikurse kartolinat e dikurshme nuk tregojnë Maurilian siç ishte, por një qytet tjetër që, rastësisht, quhej edhe ai Maurilia.

Italo Calvino, Le Città invisibili. Le città e la memoria 5.

Janë dy realitete përballë: qyteti siç është sot, dhe qyteti siç ka qenë; të parin e perceptojmë drejtpërdrejt, qoftë edhe minimalisht ose duke “e shkelur”; të dytin e marrim të ndërmjetësuar nga fotot, pikturat, gërmadhat, dokumentet, përshkrimet letrare, kujtimet. Vende-vende, e shkuara dhe e tashmja bashkëjetojnë, kudo ku gjen rrënoja ose edhe stile të dikurshme, të rrethuara nga konteksti i së tashmes. Calvino-ja përmend kartolinat, sepse këto janë foto përfaqësuese të qytetit zakonisht për ata që nuk e njohin; një kartolinë nga Parisi do të tregojë kullën Eiffel ose Harkun e Triumfit; unë që e vizitoj këtë qytet, ia dërgoj kartolinën dikujt tjetër, për t’i thënë: ja ku kam qenë, dhe ku të kam kujtuar, etj. Ndryshe nga fotoja që nxjerr ti, dhe që e përmban nënshkrimin tënd në çdo element, kartolina standard kërkon ta dëbojë autorin nga korniza, për të na dhënë një pamje të qytetit siç e shohim ne që shohim kartolinën. Madje ka edhe më: kartolina përcjell ato pamje të qytetit që banorëve atje u duket se e përfaqësojnë qytetin më mirë, në sytë e vizitorëve; pra, pamje të qytetit siç e shohin ata, dhe siç do të duan që ta shihnim edhe ne. Kartolina është gjithnjë mesazh dashurie për qytetin. Por kartolina e vjetër, ose riprodhimi i një qyteti të vjetër, na sjell përpara botën urbane të qytetarëve që nuk janë më: një kartolinë e Tiranës, me ndërtesën e Bashkisë, i referohet Tiranës së një brezi që tashmë është vjetruar, në mos ka dalë krejt nga skena; njëlloj si një kartolinë e New York-ut, me pamje të stacionit hekurudhor Pennsylvania, të cilin e shkatërruan në vitet 1960, për t’i lënë vend kompleksit të Madison Square Garden.

Mbaj mend, ende fëmijë, kur një e afërmja ime pat vizituar një qytet të vogël në Francë, La Rochelle, dhe na pat dërguar që andej një kartolinë që dukej “ndryshe” – paraqiste hyrjen e portit, por si kish qenë kjo vite më parë; dhe këtë mund ta vije re ngaqë fotoja ishte e ngjyrosur lehtë, nëpërmjet retushimit; një dorë i kish shtuar pak rozë dhe pak të gjelbër dhe pak akuamarin, për ta bërë pamjen si prej qelqi. Tani që shfletoj rishtas pamje të La Rochelle-ës online, më duket se porti nuk ka ndryshuar shumë; e megjithatë, ngjyrosja me dorë, kinse artizanale, i jepte kartolinës një tis vjetërsie; përfytyroni si do të dukej, për shembull, një kartolinë bardhezi e Kullës në Kalanë e Krujës, pak të ngjyrosur. Tani jam në gjendje ta kuptoj që ngjyrosja e kartolinës mund të ketë edhe synime artistike (semiotike), ose për ta bërë të duket e vjetruar diçka që është thjesht e vjetër; sikurse e di që kullat e hyrjes në portin e La Rochelle, Tour de la Lanterne dhe Tour de la Chaîne, janë aq të vjetra, sa të mos kenë nevojë të vjetrohen; dhe se, më në fund, për një qytet jo shumë të njohur, si ky, pakkujt do t’i interesonte të dijë “si ka qenë”, në krahasim me “si është”.

Tani, në reflektimin e vet, Calvino-ja kujdeset të theksojë se, “për të mos i zhgënjyer banorët, udhëtari duhet të lëvdojë qytetin që del në kartolinat dhe ta preferojë ndaj atij të tanishmit”; qytetarët e Maurilia-s duan që vizitori t’ua pëlqejë qytetin si ka qenë, duke u ndaluar te “hijeshia e humbur”, paçka se kjo hijeshi vetëm tani mund të shijohet, në krahasim me qytetin modern; “teksa dikur, i ndodhur përballë Maurilias provinciale, hijeshinë nuk e gjeje gjëkundi, dhe aq më pak do ta kishe gjetur tani, po të kish mbetur Maurilia e pandryshuar”. Ka pra, një bukuri të qytetit të cilën vizitori e percepton drejtpërdrejt – p.sh. te San Pietro-ja në Romë ose muzeu Guggenheim në Bilbao (të shprehur përmes ndërtesave të bukura, në kontekstin që kanë krijuar); ka edhe një bukuri tjetër, të cilën vizitori arrin ta pikasë vetëm në kontekstin e ndryshimit, ose në atë masë që ajo bukuri nuk ekziston më, është zhdukur bashkë me ndërtesat dhe arkitekturën që e mishëronin (p.sh. Bastille në Paris).

Calvino-ja shkon edhe më tej, duke zhbiruar thelbin e identitetit: çfarë na bën vallë të besojmë se Maurilia e dikurshme, e kartolinave, është “i njëjti qytet” me këtë të sotmin, përtej identitetit të emrit dhe të një pakti mes këtij emri dhe gjeografisë përkatëse? Çfarë raporti do të kishte Kruja e çerekshekullit të Skënderbeut me këtë të sotmen, përtej identitetit në emër dhe narrativës historike të miratuar dhe tashmë të konsoliduar? Ka peizazhe – realiste – të New York City-t të para dy shekujve, si kjo Maiden Lane, nga John Stobart, që e imagjinon rrugën në fjalë siç ishte në vitin 1800; dhe këtu vështirë të mos përsëritësh, me Calvino-n, se kjo pikturë nuk tregon New York City-n siç ishte, por “një qytet tjetër që rastësisht, quhej edhe ai” New York City.

Maiden Lane, 1800 (e imagjinuar)

Ndonjëherë, këtë bashkëjetesë periudhash historike dhe “qytetesh të ndryshme” e ndesh të shtrirë në hapësirë: p.sh. Roma e lashtësisë (edhe ajo me shtresat e saj), ajo e Krishterimit të hershëm, Roma mesjetare, Roma e Porta Pia-s dhe e krijimit të Italisë, Roma e Mussolini-t (EUR, Foro Italico) dhe kështu me radhë; mund të pyesë, vizitori, nëse këto Roma kaq të ndryshme arrijnë të përftojnë një sintaksë mes tyre, të themeluar mbi emrin e përbashkët. Përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje e ndërlikojnë edhe monumente si Altare della Patria, i cili më shumë i referohet, estetikisht dhe simbolikisht, jo aq një realiteti urban dinamik, sa një ideologjie a vizioni për atë realitet; diçka e ngjashme mund të thuhet, në Tiranë, për ish-muzeun Hoxha (Piramidën), ose për Muzeun Gjergj Kastrioti në Krujë, të cilat përfaqësojnë më shumë ideologjinë historike të kohës kur u ndërtuan, se kohën vetë. Në kartolinat dhe pamjet ilustruese për Krujën, ai muze, i ngritur në vitet 1970 dhe emblemë e kitsch-it kombëtarist totalitar, përdoret tashmë si ilustrim bruto i lavdisë mesjetare të Kastriotit, duke u identifikuar si “kështjella e Krujës”; një tjetër provë, edhe pse e panevojshme, se edhe kur duam të përfytyrojmë historinë e qyteteve, jemi të pambrojtur nga mistifikimi. Që ky manipulim me simbolikën e arkitekturës nuk është epifenomen i modernitetit, mjafton një ndërtesë kurioze, e njohur si “Piramide Cestia” e Caius Cestius-it, e cila – lexoj – i tërhiqte shumë udhëtarët, në shekullin XVI; dhe që i referohet edhe historisë së Romës vetë, edhe asaj të Egjiptit të lashtë, në mënyrë tejet të ndërmjetësuar (aq sa, në Mesjetë, shumëkush madje edhe vetë Petrarca e merrte për varrin e Remit, vëllait të Romulit).

Për t’u kthyer tek Tirana, do të sillja në vëmendje Tyrben e Kapllan Pashës, të klasifikuar si “monument i trashëgimisë kulturore i kategorisë së 1-rë”, për të cilën qarkullojnë kartolina deri edhe të fillimshekullit XX. Itineraret turistike të kryeqytetit gjithnjë e përfshijnë një vizitë te kjo tyrbe, edhe pse Tirana së cilës ajo i referohet drejtpërdejt a gjeografikisht, dhe tërthorazi ose historikisht (nëpërmjet Kapllan Pashës) nuk ka shumë të përbashkëta me të sotmen – aq sa duket sikur i plotëson kriteret për ta cilësuar, me Calvino-n, “qytet tjetër që, rastësisht, quhej edhe ai…”. Tek e fundit, distanca në kohë mund të funksionojë ngjashëm me distancën në hapësirë – nëse pranojmë se vijueshmëria (kontinuiteti) nuk mund të merret si e mirëqenë.

Do të doja ta diskutoja edhe më tej këtë koncept dhe kontradiktë, me shpresë se kolegët do të ngacmohen aq sa të sjellin argumentet e tyre, për një temë që ka qenë rregullisht e pranishme te faqja jonë.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

8 Komente

  1. Gjithmone kam qene e mahnitur nga truri/mendja njerezore si organi qe ben perpjekje galopante per te kapur nocionet kohe e hapesire, per t’i unifikuar ato. Por nderkohe ato rreshkasin ne forme vegimesh apo ndjeshmerish, nderkohe qe ne vazhdojme me perditshmerine tone.
    E njesoj si per qytetet e Calvinos, po mendoja per personin tim te pozicionuar ne Rome, ne Tirane, ne New York City si nje person qe plotesoj kriteret per ta quajtur me Calvino-n, “njeri tjetër që, rastësisht, quhej edhe ajo…”. Vertete jemi ne njerezit qe i ndertojme qytetet, por ne fakt nuk jemi ne zotet e materies qe i formeson. Materia/Qyteti ka thellesisht ndikim tek ne. Ajo na zoteron ne po njesoj, na formeson po njesoj.

  2. Tek e fundit, distanca në kohë mund të funksionojë ngjashëm me distancën në hapësirë – nëse pranojmë se vijueshmëria (kontinuiteti) nuk mund të merret si e mirëqenë.

    Kur vjen puna te qytetet mendoj se për distanca kohore jo shumë të gjata dhe kur nuk ka thyerje apo hope drastike në zhvillimin e tyre, vijueshmëria e qyteteve mund të merret si e mirëqenë (by default). Fjala është për epokat paqësore të historisë dhe kur nuk ka katastrofa natyrore të rënda; kur s’ka luftëra shkatërrimtare ose tërmete, epidemi, përmbytje etj. që të ndryshojnë rrënjësisht popullsinë ekzistuese ose ekonominë e qyteteve (me shfarosje ose reduktim në masë, shpërngulje ose dyndje të jashtme masive, shkatërrim apo falimentim të bazës ekonomike etj). Në këto periudha të qeta, ndryshimi i qytetit është kryesisht i brendshëm (organik) dhe gradual (pa hope të mëdha), çka mundëson edhe vazhdueshmërinë e qytetit, në kuptimin e identitetit kulturor, ekonomik, politik dhe historik. Natyrisht që edhe brenda këtij procesi organik ka ndyshime – diku më shumë e diku më pak, herë më ngadalë e herë më shpejt – dhe nga akumulimi i tyre me kalimin e kohës – dekada, shekuj – ngjashmëria e qytetit me atë të fillimeve të tij zbehet ose zhduket.

    Nëse qytetin e reduktojmë te individët dhe te infrastruktura e tij atëherë injorojmë thelbin se çfarë e bën qytetin qytet: komunitetin që krijohet nga ndërveprimi social midis banorëve të tij – kulturor, ekonomik, politik – nga gjuha dhe historia e përbashkët dhe nga ndjesia për përkatësinë në këtë komunitet. Ky koncept për qytetin më duket i thjeshtëzuar dhe mekanik, si një grumbull godinash, rrugësh dhe shuma aritmetike e personave brenda tij në momentin e vëzhgimit.

    Në rastin e komunitetit, përveç dimensionit kohor dhe atij hapësinor, duhet konsideruar edhe një dimension i tretë, ai i identitetit, i cili nuk ka precizionin e sahatit apo të metrit etalon, por që eshtë megjithatë real dhe mund të thuhet edhe përcaktues, kur vjen puna te vijueshmëria e një qyteti; brenda caqeve të caktuara kohore dhe hapësinore, sigurisht.

    Konstatimi i Calvino-s se “mes tyre nuk ekziston asnjë marrëdhënie“, edhe pse ekstrem, mund të pranohet megjithatë nëse bëhet fjalë për një hop sasior dhe cilësor në zhvillimin e qytetit, me kalimin e Maurilias nga një qytet i vogël provincial në një metropol modern.

    Ndërsa vëzhgimi tjetër i Calvino-s – që banorët e sotëm e gjykojnë gabim të shkuarën e qytetit (hijeshinë e presupozuar dhe romantikën e humbur të Maurilias së dikurshme provinciale) – ky natyrisht që është konstatim i saktë. Kemi të bëjmë me një vlerësim subjektiv dhe të gabuar të njerëzve që priren ta shohin të shkuarën me syzet e të sotmes, duke projektuar mentalitetin, konceptet dhe rrethanat aktuale mbi të shkuarën. Është një rreng që na punon mendja dhe që shmanget me vështirësi.

  3. Ne pergjithesi jam dakort me Gjilperen. Per mendimin tim eshte anashkaluar oermasa kryesore e qytetit dnth permasa politike, dnrh analizat zbatojne njefare principi antropik ku vezhguesi i takon nje shtrese te caktuar te qytetit Si tek ktahasimi i famshem i Budes per universin si elefant, ku njerezit me syte e mbyllur prekin dhembet e fildishit dhe thone qe universi eshte fildish, prekin bishtin dhe thone eshte bisht e me radhe, edhe ne rastin e ketushem “principi antropik” e ben te njeanshem dhe rrjedhimisht te gabueshem analizen. Calvino ne nje version te ngjashem me te djaloshit te rruges Gluk te Celentanos, nuk arrin te kaperdije qe ku ishte bari tani eshte nje qytet. Nga ana tjeter aspekti biologjik sikunder veren me te drejte Gjilpera eshte i parendesishem ne vijueshmerine identitare te qytetit. 200 familjet origjinare te Romes, kur Roma e lashte mberriti 1 milion banore shume shume mund te jene shtuar biologjikisht ne 2 mije familje nga 200 mije familjet e Romes, pra 1%. dhe mund te jene reduktuar diku afer zeros ne fund te shek 5 kur Roma pothuajse u zhduk si qytet nga braktisja dhe masakrat. Tek rasti i Krujes, kemi te bejme me nje qytet kyc politik mesjetar prej Progonit te Arberit tek Skenderbeu dhe katastrofa e qytetit nuk lidhet me masakrimin e banoreve prej turqve, por me faktin qe pesha politike dhe ekonomike e ultesires nga Tirana ne Lezhe kaloi gradualisht prej Krujes ne Tirane kurse pesha politike e malesive nga Elbasani ne Drin kaloi ne Orosh te Mirdites. Tirana u krijua dhe rrit si qytet duke i marre peshen Krujes, derisa e zevendesoi edhe si kryeqytet kur shteti shqiptar i rikrijua. Zevendesime te tilla ne zona qendrore gjeografike jane te njohura, Babilonia u zevendesua nga Ktesifoni sasanid 30 km me larg e Ktesifoni nga Bagdati islamik apo roli i Ohrit nga Manastiri, i Voskopojes nga Korca etj. Tirana ben mire qe ruan ato pak mbijetoja te periudhes turke, sepse ne to gjendet arsyeja e Tiranes kryeqytet, suksesi ne zevendesimin e Krujes.

  4. Calvino ben nje reflektim fenomenologjik te qytetit. Me duket e tepert te kerkojme prej tij analize te mirefillte politike, ekonomike, sociale, etj. Ai nuk eshte qellimi i tij. Ai na fton per t’u lokalizuar ne temporalitetin/perkohshmerine dhe fizikalitetin e momentit. Eshte nje ftese per ta kuptuar qytetin ne parametrat e kohe-hapesires, “being in space-time” (cfare sigurisht te kujton Heidegger).

  5. Calvino ben nje reflektim fenomenologjik te qytetit. Me duket e tepert te kerkojme prej tij analize te mirefillte politike, ekonomike, sociale, etj. Ai nuk eshte qellimi i tij.

    D, reflektimi i Calvino-s është marë vetëm si pikënisje e debatit; analiza këtu i bëhet fenomenit të qytetit dhe jo thjesht reflektimit të Calvino-s mbi qytetin.

    Ai na fton per t’u lokalizuar ne temporalitetin/perkohshmerine dhe fizikalitetin e momentit. Eshte nje ftese per ta kuptuar qytetin ne parametrat e kohe-hapesires, “being in space-time” […].

    Nëse është kështu atëherë na del qyteti vetëm si një foto çasti, pa shumë lidhje as me kohën, as me hapësirën (kthehemi prapë te kartolina…). Po ashtu, nuk ndryshon shumë as nga vendosja statike përbri njeri-tjetrit e X momenteve të ndryshme të jetës së një qyteti, më e shumta kemi bërë një regjistrim, siç mund të bëhet nga një kamera të vendosur diku lart që filmon pa ndalim qytetin; edhe filmi tregon ndryshimin e qytetit në kohë dhe në hapësirë, por a është ky elementi thelbësor i raportit të qytetit me kohë-hapësirën?

    1. Calvino nuk e shikon qytetin si kartoline, perkundrazi. Reflektimi fenomenologjik ka te beje me ndjesite qe qyteti ngjall tek humanet, si ky qytet i transformon, i formeson ata, si ngelet ne memorjen e tyre, si ndikon ne karakterin e tyre. Nuk kemi te bejme me fotografim, rregjistrim, kamera nga lart, por me perjetimet ne shkalle humane, dhenien ze te copezave te jetes qe ndoshin brenda nesh. Ky nuk eshte thjeshtesim, reduksion, perkundrazi, eshte e anasjellta, eshte hapje drejt nje morie ndjesish e perjetimesh. Nuk eshte njesoj nje person qe rritet ne New York dhe nje person qe rritet ne Rome. Po ashtu, jo te gjithe qe rriten ne NYC kane te njejten eksperience. Pra, nje qytet ndikon ndryshe tek une e ndryshe tek ti. Kjo ben qe reflektimi fenomenologjik te jete shume i ndryshem nga nje “analize shkencore”. Kjo lloj perqasje pranon paraprakisht qe qytetet, ose ambjenti i banuar (qe mund mos te jete qytet), eshte entitet me kompleks sec mund ta tregojne shkencat si historia, ekonomia, politika. Kjo nuk do te thote qe faktoret historike, ekonomike, sociale, politike nuk ekzitojne, apo se ato nuk merren parasysh ne kete reflektim fenomenologjik. Calvino e te tjere pranojne ekzistence e tyre, por pranojne qe eshte iluzion te mendohet qe mund te arrihet nje rrokje gjitheperfshirese e asaj cfare eshte qyteti vetem duke marre parasysh analizat shkencore te siperpermendura. Ata i shtojne nje dimension tjeter te kuptuarit te qytetit, duke pranuar kompleksitetin e tij. Madje as nuk e kane per qellim qe ta arrijne kete rrokjen holistike apo gjithperfshirese te qytetit, pasi e kane ndare mendjen qe eshte e pamundur, pikerisht ajo eshte nje reduksion. Ata pranojne qe ka nje mori kendesh te ndryshme veshtrimi te qytetit, si e shoh une, e si e sheh ti, jo nje kend nga lart qe sheh cdo gje. Efekti dhe perjetimi i te jetuarit ne NYC per mua mund te jete shume i ndryshem nga ai i dikujt tjeter qe jeton ne po te njejtin qytet.
      Ne fryme te ngjashme Situationist International me Guy Debord si pioner na ftonin te eksperimentonim me ndjesite e te perjetuarit ne qytet. Henri Lefevre po ashtu flet per qytetin e jetuar, psiko-gjeografine, e keshtu me rradhe. Autore feministe flasin per qytetin si nje vend shpesh armiqesor ndaj gjinise femerore, por edhe nje vend mundesish per organizim, clirim dhe fitim te drejtash. Pra ka faktore racore, gjinore, politike, ekonomike qe e bejne qytetin te perjetohet ndryshe nga secili nga ne. Keta faktore nuk po anashkalohen, hyrja ne analize ketu eshte nga nje kend tjeter, qasja eshte tjeter.
      Keshtu e kuptoj une Calvinon dhe ate qe ai ben me qytetet e padukshme.

      1. E qartë, vështrimi i Calvino-s i mbi qytetin bëhet nga pozita e individit si person privat – në dallim nga individi si qytetar, pra si subjekt politik – ose si pjesëtar i një nëngrupi social (sipas gjinisë, racës, grupmoshës etj.) i cili vendoset në marrëdhënie komplekse me qytetin, çka sjell me vete edhe një “një mori këndesh të ndryshme vështrimi të qytetit”, një për çdo person në rastin ekstrem; është një qasje atomistike, subjektive dhe e momentit, megjithë kompleksitetin e saj të padiskutueshëm.

        Vijueshmëria e qytetit në kohë dhe në hapësirë, për të cilën pyetet në shkrim, merr kuptim vetëm nga pozita e komunitetit – si tërësia politike e individëve si qytetarë – i cili me përkufizim mund të jetë vetëm një dhe si i tillë detyrimisht që ka edhe karakter holistik, objektiv dhe të vazhdueshëm (për sa kohë që komuniteti ekziston, sigurisht).

        1. Me ne fund u bera mbare ta hedh dhe nje mendim te fundit. Komuniteti eshte kaq i rendesishem, pa te individi nuk ka kuptim, po ashtu dhe qyteti. Dhe e anasjellta eshte e vertete. Leximi i qytetit shpesh vjen nga brenda nje individi qe e materializon ate me nje kartoline, me nje proze, me nje fotografi, me nje skice, apo qofte edhe me nje analize ese. Te gjitha kane interpretimin personal te njohjes se qytetit. Eshte kjo inisiative e brendshme qe me pas gjen perkrahje apo i ngjit komunitetit ne rast se eshte e goditur. Por mund te ndodhe edhe qe mos te kuptohet ne kontemporanitet por te kete nje rigjetje ne nje moment tjeter ne kohe nga breza te tjere. Prandaj ka artiste qe nuk u kuptuan kurre gjate jetes se tyre dhe u rigjeten me vlere ne epoka te tjera. Jane nje shumesi kendveshtrimesh te tilla qe bejne memorien kolektive. Ajo ushqehet nga nje proces i ndarjes se ketyre kendveshtrimeve individuale me komunitetin e pertej, me meta-komunitete (fjale e shpikur ketu) qe kapercejne dimensionin kohe. Pra, asnjehere nuk eshte komuniteti vetem apo individi vetem.
          Per me teper, eshte e veshtire ta shohesh kohen lineare dhe te imagjinosh vazhdimesi kronologjike te qytetit. Edhe truri jone, kujtesa e tij funksionon me fragmente jete, ne pjesen mbushese eshte autopilot.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin