FËSHFËRIMË FLETËSH PREJ LETRE

nga Ajkuna Dakli

Duhet të kem qenë rreth 12 vjeç atë ditë të nxehtë korriku kur i thashë nënës sime se ndieja ftohtë. Impulsi i parë i saj ishte të më vinte dorën në ballë . Po unë nuk isha sëmurë. Kisha një copë herë e zhytur në rreshtat e librit Udhëtimi i Kapitenit Hatteras të Zhyl Vernit atëbotë një nga autorët e mi më të dashur, librat e të cilit i përpija me një frymë sepse më bënin të udhëtoja me mendje në botë e ngjarje që s’i kisha njohur e jo vetëm t’i lexoja po edhe të bëhesha pjesë e tyre.

Më dukej ftohtë sepse po përjetoja me mendje e shpirt të ftohtin e personazhit një natë të akullt në një igloo në hapësirat e akullta të Arktikut, pranë Polit të Veriut.

M’u kujtua ky fakt një ditë të bukur jo shumë kohë më parë ndërsa argumentoja me djalin tim pak a shumë në moshën time atëbotë mbi rëndësinë e librave dhe epërsinë e tyre ndaj informacionit të ofruar nga kinematografia ose interneti në përgjithësi ndërsa nga debatuesi i vogël përballë meje më erdhi argumenti më poshtë:

“Mami, nëse ti e përkufizon librin si një burim informacioni që, pasurojnë njohuritë dhe të nxisin kureshtjen dhe imagjinatën atëherë pse nuk mund të themi se filmat, ose videot , ose dokumentarë televizive luajnë të njëjtin rol? A nuk janë ata gjithashtu një burim informacioni që pasurojnë njohuritë nxisin kureshtjen dhe imagjinatën? Janë veçse dy forma të ndryshme dhe shpesh unë do parapëlqeja filmin.”

Iu përgjigja se nuk janë nuk janë e njëjta gjë.

“Sigurisht- erdhi përgjigja – janë dy gjëra të ndryshme po luajnë pak a shumë të njëjtin rol.”

Kjo më bëri të mendohem pak.

Në fakt dëgjojmë shpesh kohët e fundit se fëmijët e të rinjtë sot lexojnë pak, se e harxhojnë kohën në internet etj etj .

E pra jemi të padrejtë në këtë vlerësim dhe harrojmë se interneti është një burim i pashtershëm njohurish dhe roli parësor i internetit është pikërisht shpërndarja e qasja dhe lehtësimi I përdorimit që sjell me vete masivizimin e burimeve të tyre.

Në këtë kuptim fakti që të rinjtë e sotëm lexojnë më pak libra në letër se ne dikur nuk do të thotë aspak që ky brez nuk merr më pak njohuri: Mbase merr më shumë, ndonëse më të shpërndarë e më pak të trupëzuar. Zhvillimi i teknologjisë dhe lehtësia e gjetjes së informacionit i jep mundësi më të mira këtij brezi t’i thellojë njohuritë në fushat e interesit.

Ndërsa neve na duhej të shkonim në bibliotekë ose librari, të gjenim librin e duhur e ta shfletonim, tani të mjafton vetëm një kërkim në internet.

Po le t’i kthehemi pyetjes fillestare duke e thjeshtëzuar paksa problemin.

A luajnë të njëjtin rol një libër dhe një film?

I tregova tim biri ngjarjen me Udhëtimet e kapitenit Hatteras:

Një film do të të tregonte një histori si edhe libri, po ndërsa kur lexon një libër të duhet të përdorësh imagjinatën t’i vendosësh ngjarjet diku, në një vend mbase krejt të panjohur , të duhet të marrësh ngjarjet kur midis teje dhe autorit ka vetëm një mjet komunikimi: germat që formojnë fjalë ; t’i lexosh pra ato fjalë dhe t’i përkthesh në kohë, hapësirë, njerëz, ngjarje, emocione – duke u nisur nga ato fjalë të ndiesh ngrohtë , ftohtë, dhimbje, gëzim, filmi t’i jep të gjitha këto të gatshme: peizazhin, personazhet, ngjyrat, ndjenjat të shoqëruara madje edhe me muzikë që nga njëra anë i mpreh emocionet po nga ana tjetër i shtyn ato në një drejtim të paramenduar.

Nuk dua sigurisht të mohoj rolin e filmave qoftë në pasurimin e njohurive, në mprehjen e shqisave tona dhe gdhendjen e emocioneve dhe natyrisht si mjete e mënyra edukimi dhe argëtimi.

Megjithatë më duket se librat kanë rolin e vet të veçantë e të pazëvendësueshëm.

Kohet po ndryshojnë dhe librat në letër po bëhen gjithnjë e më të paktë e më të papërshtatshëm për komoditetin tonë të përshtatur tashmë me zhvillimin teknologjik. Librat në letër po zëvendësohen gjithnjë e më shumë nga ekranet dhe mënyra klasike e rrëfimit po zëvendësohet gjithnjë e më shumë me mënyrën digjitale, të shkruar dhe të shoqëruar me elemente pamore.

Mbase nuk është larg koha kur librat e shkruar do mbeten relikte, diçka si pikturat a ndërtesat e vjetra klasike që megjithatë i kanë qëndruar kohës jo për funksionalitetin e tyre po për atë bukuri dhe vlerë emocionale të pamoshë, si ajo drithërimë freskie në mes të vapës së korrikut që vetëm një radhë germash dhe fëshfërima e fletëve të letrës mund të ta dhurojnë.

 

© 2020, Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

3 Komente

  1. Shkruan:

    M’u kujtua ky fakt një ditë të bukur jo shumë kohë më parë ndërsa argumentoja me djalin tim pak a shumë në moshën time atëbotë mbi rëndësinë e librave dhe epërsinë e tyre ndaj informacionit të ofruar nga kinematografia ose interneti në përgjithësi

    Dhe më poshtë:

    Po le t’i kthehemi pyetjes fillestare duke e thjeshtëzuar paksa problemin. A luajnë të njëjtin rol një libër dhe një film?

    Unë nuk do ta thjeshtëzoja dot kaq lehtë. Libri është një gjë, filmi një gjë tjetër, imazhi një gjë tjetër dhe Interneti një gjë “akoma” më tjetër. Interneti nuk është domosdo i lidhur me imazhin dhe aq më pak me filmin – dhe libri në format elektronik vërtet mund të shkarkohet nga Interneti, por nuk ka shumë lidhje me Internetin, si medium. Veç kësaj, le të mos harrojmë që kompjuteri, si teknologji, nuk fillon dhe as mbaron me Internetin; dhe se Interneti vetëm sa i ka fuqizuar disa mundësi që kompjuteri i ofronte edhe më parë.

    Me fjalë të tjera: ti mund ta kalosh gjithë ditën në Internet DUKE LEXUAR; madje edhe DUKE LEXUAR fiction ose poezi. Interneti nuk është se të largon nga leximi – sepse LEXIMI dhe LIBRI nuk janë e njëjta gjë. Ka njerëz që lexojnë vetëm gazeta ose revista, nuk prekin libër me dorë; ka njerëz që lexojnë “Lufta dhe paqja” në format elektronik. Ka njerëz që lexojnë vërtet libra, por që kanë stripa vizatimorë (COMICS) ose janë katalogë ose fotoromane ose përmbajnë materiale pamore.

    Vërtet sot po lexojmë më pak? Nuk e di, por edhe nuk e besoj. Megjithë vizualitetin që ndërmjetëson, Interneti ofron një mjedis shumë të përshtatshëm për LEXIM. Madje jo vetëm, por edhe për SHKRIM. Si kurrë më parë nuk është shkruar kaq MASIVISHT, aq sa ka studiues që po fillojnë të flasin për një regjistër INFORMAL të së shkruarit (njëlloj si regjistri INFORMAL i të folurit).

    Ndoshta po lexojmë më pak LIBRA, por kjo në vetvete nuk do të thotë ndonjë gjë të madhe. Nga përvoja ime, them se unë sot lexoj kryesisht libra në format elektronik, sepse ashtu e kam më të volitshme (dhe sepse kushtojnë më pak).

    Meqë libri, edhe në shkrimin më lart, lidhet me një specifikë të fiction-it letrar (ose të rolit të imagjinatës në krijimin e narrativës), desha të shtoj edhe një medium të ri, VIDEOLOJËN, që tani po arrin një farë pjekurie si zhanër, duke iu afruar filmit për nga pasuria narrative dhe ngarkesa me emocione dhe ide; por që i jep mundësinë LOJTARIT nga njëra anë, ta krijojë vetë narrativën, duke zgjedhur çfarë të bëjë (OPEN-ENDED) dhe, nga ana tjetër, ta krijojë këtë narrativë duke ndërvepruar jo vetëm me personazhe të lojës (NON-PLAYING CHARACTERS) por edhe me lojtarë të tjerë. Kush ka luajtur VIDEOLOJËRA seriozisht (dhe nuk e kam fjalën për “Angry Birds” dhe çikërrima të ngjashme) do të jetë dakord me mua, për fuqinë dhe kapacitetin e mediumit; dhe fakt është që këto produksione tani po tërheqin talente njëlloj si studiot kinematografike, madje duke bërë vend edhe për produkte “niche” (të ngjashme me filmat e autorit). Ka, p.sh., videolojëra që i kërkojnë lojtarit të zgjidhë një mister (një krim, etj.) duke lexuar – ditarë, raporte policie, lajme në gazeta, etj., gjithë i përfshirë në një mjedis virtual të riprodhuar me saktësi vizuale. Ku fillon leximi dhe ku mbaron, në këto rrethana?

    1. Te falemnderit Ardian, me bere te mendohem
      Ne fakt jam dakord me ty shkrimi I bie shkurt temes dhe pavaresisht se e kam nisur me ceshtjen “ e te lexuarit ose jo” qe eshte ne fakt shume e gjere , ne fund diskutohet paralelizmi midis nje libri – fiction letrar dhe nje filmi me te njetin subjekt. Edhe une lexoj mjaft online – per arse komoditeti ose mundesish , megjithate preferoj librin ne leter.
      Kam pershtypjen se kjo ka te beje edhe me llojin e preferencave ne te nxene : https://www.google.com/search?q=types+of+learners+in+the+classroom&rlz=1C1GCEU_enCA893CA893&tbm=isch&source=iu&ictx=1&fir=5FMMwmd4Ct6ENM%253A%252CIsI3Yq–6bVSqM%252C_&vet=1&usg=AI4_-kRcYjvD9qqfJqsc4NIu5ze-F0Q3rQ&sa=X&ved=2ahUKEwjD2Onim5DpAhUYHc0KHaEIBN8Q_h0wAHoECAoQBA#imgrc=5FMMwmd4Ct6ENM: ( nje shembull)
      ,Mendoj qe njeriu sa vjen e po pershtatet me shume me format e reja te nxenies ( nder keto edhe lojerat – nga te cilat une njoh disi Minecraft psh, qe kane si funksion nxitjen e imagjinates dhe te nxenit duke krijuar. Dhe mbase ne kete aspect libri ne leter po edhe libri online formalisht po behet gjithnje e me shume rudiment.
      Gjithsesi tema eshte shume e gjere dhe nuk mendoj qe mund te behen krahasime absolute ne menyrat e paraqitjes se informacionit sepse secila menyre eshte pazgjidhshmerisht e lidhur edhe me llojin e informacionit qe perpiqet te jape. Mund te permend ketu dokumentaret e David Attenborough https://en.wikipedia.org/wiki/David_Attenborough_filmography qe une i ndjek me shume deshire dhe ofrojne informacion per boten e gjalle ne nje menyre qe ( me duket mua ) asnjelloj tjeter shperndarje nuk mund ta afroje.
      Ne shkrimin tim te shkurter gjithsesi desha te flisja me teper per anen emocionale te leximit te nje libri ne leter qe mbase ( te pakten per mua) nje film ose edhe nje liber online nuk ma ofron.
      Ajkuna

  2. Tema qe ka hapur Ajkuna eshte shume e gjere dhe e debatueshme, por une desha te koncentrohesha vetem tek libri. Personalisht lexoj dhe librin leter edhe ate elektronik. Nje nga epersite e padiskutueshme te librit elektronik eshte portabiliteti dhe me e madhja nga te gjitha per mua eshte aftesia e nenvizimit dhe pastaj e rishikimin te shenimeve ne nje mënyrë shume te lehte dhe te organizuar tek notes, qe te ndihmon qe te rikthehesh dhe te besh nje ripermbledhje te tij. Per ate qe studion dhe jo thjesht lexon nje liber, kjo eshte vertet e pacmueshme. Nga ana tjeter une kam filluar te blej ne letter botime te librave klasike dhe kontraversiale. Aresyeja eshte se shume libra elektronike po revizionohen nga Thought Police dhe po u hiqen apo redaktohen pjese qe tani konsiderohen raciste, politikisht jo korrekte, misogjeniste etj etj. Pasi kjo eshte shume e lehte per t’u bere ne variantin digital. Lista e ketyre korrektimeve eshte goxha e gjate dhe e lodhshme per t’u bere, po mjafton te shikoni valen e gjate te diskutimeve ku edhe libra si Tom Sojeri e Hak Fini po “qerohen” nga fjalet negro etj, gje qe nuk eshte thjesht qesharake. Sa per ilustrim po rishikoja Godfather ne Netflix dhe pjesa ku ne keshillin e Mafias diskutohet shitja e droges, batuta ku dikush thote “le t’ia shesim drogen vetem te zinjve, se ato ne fund te fundit kafshe jane” ishte bere “le t’ia shesiim drogen njerez e me ngjyre…”!!! Keshtu s’do jete cudi qe na ca vjet te lexojme edhe Mein Kampfin ne variantin e “qeruar”, ku Hitleri te tingelloje si nje perkthim ne proze I Imagine te John Lennon. Po jetojme ne kohe interesante.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin