FONETIKË VRASTARE

U tha, mes shumë të thënash, se Covid-19 mund të përhapet edhe nëpërmjet të folurit: figurat ilustruese, me një luzmë vrastare grimcash virale që i gufmonin një anonimi nga goja nuk linin shumë vend për imagjinatën. Dhe, siç na kanë mësuar në fonetikë, rryma e ajrit nga mushkëritë, për t’u shndërruar në fjalë, vihet të kapërcejë pengesa – nga kordat zanore, që hapen dhe mbyllen, te gryka që zgjerohet dhe ngushtohet, gjuha e vogël (uvula) që dridhet dhe qiellza e butë që ulet e ngrihet, pastaj te gjuha vetë me majën që i prek dhe i shprek mishrat e dhëmbëve dhe vetë dhëmbët, dhe më tutje me buzët në ndërveprim mes tyre dhe me dhëmbët vetë, pa përmendur inkursionet tinëzare të ajrit nëpërmjet hundës. Këto pengesa mund ta ndalin rrymën e ajrit krejt ose pjesërisht; teksa bllokimet dhe zhbllokimet shoqërohen me mikro-shpërthime dhe spërkatje të vogla, fryme por edhe cërklash pështyme, që bashkë me fjalët fluturojnë prej teje drejt Tjetrit – çfarë bën të mundur që jo vetëm ti ta “infektosh” atë që ke përballë me kuptimet e fjalëve të tua, por edhe t’ia ngjitësh, varësisht rrethanave, ndonjë sëmundje. Të folurit shërben edhe si nebulizator për të shpërndarë e përhapur viruset dhe bakteret që shumohen në gojë, në hundë, në grykë dhe në mushkëritë e atij që flet. Dhe meqë gjuhët dallojnë mes tyre edhe për nga mënyra si artikulohen fonetikisht – mjaft të krahasosh italishten me holandishten dhe të dyja këto me kinezishten më një anë e me havajanishten më anë tjetër – më duket legjitime të pyesësh nëse ka gjuhë që, si të thuash, janë më “efektive” (lexo: “infektive”) se të tjerat, gjatë një epidemie.

Një ese e Julie Rose, “SARS and the City, Hong Kong Report,” botuar në Log, no. 1 (Fall 2003), ff. 123-140 dhe e konsultueshme këtu, më njohu me hipotezën e një Dr. Sakae Inouye-s, se gjuhë si kinezishtja dhe anglishtja, ku aspirimi (shoqërimi i shqiptimit të disa bashkëtingëlloreve mbylltore me frymënxjerrje të fortë) luan rol të spikatur, mund të kenë luajtur një rol në përhapjen e sëmundjes në ato zona ku këto gjuhë mbizotërojnë (kjo edhe, madje veçanërisht, kur folësit e kinezishtes gjuhë amtare kuturisen të komunikojnë në anglishte). Dr. Inouye e pat lajmëruar këtë hipotezë përmes një letre të botuar në revistën The Lancet (SARS transmission: language and droplet production shihni edhe këtu), ku shpjegonte se kinezët i shqiptojnë disa bashkëtingëllore (p, t, k, q, ch, dhe c) me aspirim të fortë ose nxjerrje të frymës, çfarë shoqërohet me emetim më intensiv të grimcave virale.[1]

Aspirimi në këto gjuhë dhe në të tjera nuk vihet në diskutim (e dimë se p-ja në anglishten pit shqiptohet ndryshe nga p-ja në italishten piccolo); roli i aspirimit në përhapjen e një virusi të rrugëve të frymëmarrjes mund të matet dhe të krahasohet në laborator. Dhe nuk është thjesht aspirimi, në bangon e të akuzuarve: meqë gjuhë të tjera shquhen për bashkëtingëllore fërkimore (frikative) tejet të ashpra, të cilat e kanë zanafillën në pjesën e pasme të gojës: tek gjuha e vogël (uvula), faringu dhe laringu. Më vjen në mend arabishtja, veçanërisht e pasur me tinguj uvularë, faringalë dhe të faringalizuar (emfatikë); të cilët përftohen mu në ato zona ku edhe rrojnë e begatojnë viruset e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes; çfarë do të thotë se, gjithnjë teorikisht, një folës i arabishtes do të kishte më shumë gjasë që t’ia ngjitë gripin bashkëfolësve, se, të themi, një folës i finlandishtes.

Meqë, kur flasim, përdorim po ato organe, pjesë trupi dhe kavitete ku kalon ajri gjatë frymëthithjes dhe frymënxjerrjes, atëherë – nga këndvështrimi i gjuhësisë evolucionare – gjithnjë mund të pyetet nëse sëmundjet ngjitëse të rrugëve të frymëmarrjes kanë luajtur rol në përftimin dhe ndryshimin e sistemeve fonetike të gjuhëve të ndryshme: bashkëlidhja mes aspirimit dhe përhapjes së cërklave të pështymës është vetëm një nga dukuritë që vijnë në vështrim: të tjera mund të ishin, sa për të sjellë shembuj, marrëdhënia mes hundorësisë dhe rrufës a patologjive të tjera të hundës. Një virus që arrin të përhapet nëpërmjet të folurit, ka avantazh ndaj një virusi tjetër që nuk arrin dot të përhapet kështu; dhe, anasjelltas, një virus që përhapet nëpërmjet bashkëtingëlloreve të aspiruara dhe frikative grykore mund të ketë interes t’u sigurojë përparësi evolucionare folësve të atyre gjuhëve, që i përdorin më shpesh këto lloje tingujsh (atyre që mund t’u duket e stisur kjo hipotezë, do t’u kujtoja efektet e përsiatura te minjtë dhe në njerëzit, të toxoplasma gondii, një parazit që shkakton toksoplazmozën, dhe që mund të kalojë prej maceve te njeriu: lexoni më shumë këtu).

Sërish duke spekuluar, mund të përfytyrojmë si, dikush që na flet nga afër, na përcjell edhe një numër të madh virusesh dhe bakteresh nga goja, hunda dhe gryka e vet; shkëmbim ky që i ngjan, nga pikëpamja biologjike, asaj çfarë ndodh gjatë seksit (të pambrojtur) – jo më kot, në anglisht, intercourse përdoret edhe për komunikimin mes njerëzve, edhe për marrëdhëniet seksuale (ndonjëherë mjafton një puthje për ta transmetuar infeksionin nga Herpes Simplex, 1 dhe 2. Por a mjafton kjo, për ta konsideruar këtë transferim njëkahsh të materialit biologjik si faktor në procesin e bindjes ose joshjes së tjetrit? Bashkë me bakteret dhe viruset fluturojnë në ajër edhe copëza materiali gjenetik, të cilat pastaj trupëzohen në qelizat e Tjetrit, falë kopjimit të palodhur që ua bën virusi; çfarë nuk e bën dot puthja (dhe të lëpirët), e bën fjala. Nëse një gjuhë e caktuar – të themi, që përdor me bollëk aspirimin ose bashkëtingëlloret grykore – ka sukses më shumë se një tjetër, në bashkëndarjen e viruseve, baktereve dhe, eventualisht, të materialit gjenetik, atëherë a mund të thuhet edhe se fonetika artikulatore e një gjuhe luan rol në kohezionin e komunitetit që e flet? Dhe po ashtu, a mund të thuhet, në përgjithësi, se sëmundjet ngjitëse marrin pjesë drejtpërdrejt në përftimin dhe riprodhimin e komuniteteve që flasin të njëjtën gjuhë, edhe ngaqë përhapen nëpërmjet të folurit?

Hipoteza e Dr. Sakae Inouye-s përfundoi e cituar në revistën Annals of Improbable Research, e cila jep edhe të mirënjohurat Çmime Nobel IG (IG Nobel Prizes); por kjo nuk e diskrediton gjë vetvetiu. Aq më tepër, në rrethanat e tanishme të ankthit dhe të panikut, që ka kapluar botën, përballë pandemisë së Covid-19, askush nuk do të ishte për t’u qortuar ose përqeshur, po të merrte masa edhe për t’u mbrojtur nga bashkëtingëlloret e aspiruara, frikativet grykore, faringalet dhe laringalet e Tjetrit. Madje, ata që nuk tuten nga zgjidhjet ekstreme, mbase do të bënin mirë të promovonin adoptimin masiv të së ashtuquajturit “Të folur ingresiv”, gjatë të cilit fjalët artikulohen jo duke e nxjerrë frymën, por duke e futur frymën në mushkëri. Më shumë informacion, në anglisht, te kjo faqe.

Shënim: Një studim i kryer tani rishtazi nga National Institutes of Health in Bethesda and Perelman School of Medicine at the University of Pennsylvania (që e gjeta të cituar këtu) tregoi se, kur subjekteve iu kërkua të shqiptonin eksperimentalisht fjalën healthy, numri më i madh i grimcave të emetuara nga goja u arrit te tingulli /th/, një bashkëtingëllore fërkimore ndërdhëmbore.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Anglishtja to speak vjen nga një rrënjë proto-indoeuropiane *spreg- që mund të ketë pasur edhe kuptimin “përhap, shpërndaj”, duke u përfytyruar të folurit si një “shpërndarje” fjalësh.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: