PLAKJA E VONSHME E ZONJËS NEWS

nga Idlir Azizaj

Forth, from his pierced heart
came the woman of his dreams
blood thicker than water
last trade overseas.

Keats

Gjuhëtari dhe studiuesi i folklorit Lantscap Worts ende po rrekej të lidhej në WhatsApp me bashkëshorten e tij shqiptare në Tiranë. E provonte për herën e nëntë ta kontaktonte. Telefoni nuk përgjigjej dhe studiuesit iu shtua meraku dyfish.

Çifti jetonte i ndarë me zor atë kohë. Epidemia e fundit kishte sjellë masa drastike. Vendimi për mbylljen e kufijve dhe anulimin e fluturimeve nuk vonoi. Të dy jetonin tashmë të izoluar, më vete, në largësi. Studiuesi Worts i ra sërish numrit. E sakaq e kaploi shpejt kujtimi i takimit të parë me bashkëshorten. Që kish ndodhur në Himarë, buzë detit, një pasdite vere.

Sepse atje kish shkuar tash tri javë më parë bashkëshortja e tij. Pasi kish marrë lajmin për vdekjen e nënës, ishte nisur me “avionin e parë” të arrinte varrimin. Pas ceremonisë mortore kish qëndruar në Himarë për të tretat. Askush i familjes s’kish mbetur më në Himarë; të gjithë jetonin në emigrim; dhe ishte strehuar nëpër fqinj të hershëm. Pas të shtatave iu desh të kthehej dhe një herë në fshat. Sepse ajo e dinte që ishte hera e fundit. Tani qe martuar me studiuesin amerikan, dhe kish vendosur të largohej përgjithnjë. Me t’u kthyer në Tiranë, kushërinjtë lypën të rrinte deri për të 40-at e nënës.

Asokohe askush s’i merrte seriozisht shenjat e epidemisë. Kështu e zuri gafil pezullimi i fluturimeve. Shprehja e vjetër “ndarë për së gjalli” ia ilustronte më së miri gjendjen asaj dhe burrit të vet. Ndërsa ky, i izoluar në banesë të vet në Queens, po vinte me mund rregull në shënimet që mbante duke studiuar antologjinë e polifonisë labe.

I ligështuar ai ndiqte lajmet seri në TV që pasqyronin epideminë. I përhumbur ndiqte intervistat e specialistëve të ndryshëm apo dëshmuesve të ngjarjeve. Ndërsa informacioni po i shkiste pa u ndier, pa i depërtuar mirë në mend, dalloi diçka. Iu kujtua çasti kur gruaja e tij kish marrë lajmin e vdekjes së nënës. Ky kujtim i çastit që u bë shkas për ndarjen aktuale me zor nga ajo, i solli ndërmend dhe lajmin më vonë: për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Për pezullimin e jetës normale, në epidemi. Atëherë vuri re se “çehreja” e lajmeve në TV aktualisht nuk ishte më e njëjta. Se kish mjaft ndryshim mes teksturës së imazhit të lajmeve më parë dhe asaj tani, në ditët e izolimit.

Iu kujtua se televizionet i kishin anuluar ftesat e intervistat në studio. Edhe kronikat me mjekë, pacientë, dëshmitarë e specialistë realizoheshin në distancë, me telefona. Pamjet në edicionin e lajmeve në TV nuk ndryshonin aspak nga ato të bisedave në WhatsApp me familjarë apo miq. Iu kujtua një ditë më parë pazari i shpejtë te minimarketi gjeorgjian në fund të rrugës. Ku blinte herë pas here pkhali konservë. E ngatërronte me tortën me spinaq e djathë të bardhë, që i pat përgatitur një herë nëna e bashkëshortes.

E në market, shitësi komunikonte me dikë në gjuhën amtare, në video-call. Ndërsa TV e ndezur ndanë transmetonte intervistën e një mjeku të urgjencës njujorkeze. Mjeku afronte gojën drejt telefonit ku vetëfilmohej. Zëri i tij vinte me shpërpjesëtim kohor. Komunikimi i të intervistuarit ishte si ai mes spikerit dhe korrespondentit, që i shkon zëri në kufje më vonë nga sa na vjen ne telespektatorëve.

Shitësi gjeorgjian e uli një çast telefonin në banak, të merrte pagesën e klientit. Studiuesi Worts dalloi një gërvishtje të shtresës mbrojtëse të ekranit të tij. Dhe as vetë s’e kuptoi si u përkul mbi të, të deshifronte logon cili kanal TV ishte! Kjo ngjashmëri mes llojit të dy imazheve e habiti.

Tashmë në banesë Worts priste me ankth kontaktin me gruan e tij larg. Ndërsa s’kish ende lajm prej saj, po e ngacmonte për herë të parë statusi i habitshëm e mëse ambig i termit “news” në gjuhën e tij. Ai priste ndonjë lajm, qoftë dhe një lajm të vetëm nga gruaja për t’i hequr ankthin; dhe habitej si konsiderohej vallë “i panumërueshëm” ky term në gjuhën e tij (unaccountable noun).

Diku më larg hapej oqeani që e ndante pa afat tani nga gruaja. Për herë të parë po e merrte oqeanin si masë kufiri e ndarjeje mes njerëzve. Lajmet ndërkohë buçisnin anembanë këtij oqeani. Dhe iu duk tashmë habi që termi “news” ishte aq njëjës (singular noun) në gjuhën e tij. Ato, lajmet, të rejat, qarkullonin nëpër botë. Ato “femra” të padukshme si era, me të cilat mbushen periodikët e botës mbarë. Tashmë e habiste dhe e topiste ky term aq hermafrodit në shqip, emri i pazakontë “lajmi”, që në shumës merrte gjini femërore.

Asnjë anije nuk avitej drejt tij prej largësisë që e ndau aq papritur nga gruaja. Largësia në shpirt i shtohej dhe më shumë duke parë telefonin ndanë shënimeve të punës. Iu kujtua ajo histori aq ekzotike dhe e rëndë që i pat treguar xhaxhai i gruas. Ia pat rrëfyer gjatë vizitës në Tiranë, për vdekjen e të atit të saj. Por studiuesi Worts as guxonte, as dëshironte të vihej në pozicionin e këngëtares Nina Mula, kur ajo pat vendosur t’i humbiste vetë lidhjet me Rusinë amtare për hir të dashurisë.[1]

Lajmet mbi epideminë bënin vërtet kërdinë në TV; dhe studiuesi Worts ndiente zgavrën brenda vetes t’i hapej në thellësi. Valë-valë i dilnin prej andej hamendjet dhe ndjesitë për gruan larg. Me të njëjtën masë të vjetrit në anglisht materializonin dikur të rejat, lajmet, the tides. Prej ere vërtet lajmet, por njerëzit kishin marrë për bazë efektin e saj mbi ujë, mbi dete, që për ta kish qenë gazeta e parë.

Studiuesi Lantscap Worts mendoi të thirrte sërish në telefon. E kërkoi i hutuar e me nxitim nëpër dhomë. Nga rrëmbimi nuk po ua vinte fare veshin lajmeve që vijonin në TV.

Më në fund e gjeti telefonin që e kish mënjanuar pa mendje. Preku gungën që kish bërë aparati futur mes fletëve të antologjisë së polifonisë. Dhe hapi librin, e kapi telefonin, që zbuloi papritur tekstin e këngës Vajzë e valëve:

pret atë që pret

Me laps ai bëri një valëz nënvizimi poshtë kësaj anafore të dalë mode. Të një kohe krejt tjetër. Ashtu ai e pa veten të ulur majë një guri në breg të detit. Në pritje të ndonjë lajmi. Dhe krejt i ligështuar, e ndjeu si u përhumb dhe më, ndanë largësisë që veç s’dihej se kur mund të mbaronte. I hollë e me një fije shpirt, nënvizoi prapë këngën:

merre këtë letër e qamë…

E me laps shënoi shkurt në fletët e tij se kjo ishte dhe risia e tanivonshme (recent) e këngës së vjetër polifonike. Ajo i sillte tipar një kurbeti rastësor sot, një distance totale mes njerëzve; ankthi lidhur me të bazohej thjesht në pasigurinë se veç s’dihej se sa mund të zgjaste.

Fjalëformimi shqip “i tanivonshëm”, ku pleksej e tanishmja (news) me vdekjen e saj, ndjerën e saj (the late news!) ia konfirmoi plotësisht këtë shënim që hodhi. News is no longer news today …e përsëriti ai me vete këtë refren të epokës.

Dhe sa i gjatë, sa long i binte të ishte ky lajm i fundit për pleqësimin e tij aktual? hamendi me sportivitet studiuesi Worts. Ai e lëshoi sërish thirrjen drejt Tiranës. Por e la telefonin në altoparlant për gatishmëri. Kapi fshesën, por jo për të fshirë. Me bishtin e saj nisi të bridhte nëpër shtëpi, plot ankth e mall. Ndiqte hap pas hapi shtegtimin e këngëtarit trubadur Juafré Rudel[2], që kërkonte në shekullin XII të dashurën nëntë largësi (lonh) larg.

Duke u endur në të tilla përmasa, iu faneps ideja se lajmit (news) pikërisht kujtesa i kish mërdhifur. Efekt i sklerozës së lajmit dukej fakti që edhe ai po hamendte për një të tillë masë të largësisë, ashtu papritur, në këtë shekull të soc-rrjeteve. Me këtë sklerozë të re, edhe shitësi gjeorgjian mund ta merrte veten për intervistues lajmesh në telefonin e tij.

Ndoshta ndikim prej epidemisë ky. Epidemitë kanë bërë të mundur, veç tjerave, dhe të menduarit me egërsi. Jo, jo shtazën që mejtohet; por të egrin mendim. Me “novelletat” e damizelave, të sajuara në mes të murtajës, pat sjellë Boccaccio një zhanër të ri.

Por ia sillte ndoshta këto hordhi mendore dhe versioni i tanivonshëm që Elina Duni i kish bërë këngës polifonike. Ai e kishte vënë në youtube para se të kapte fshesën. Teksa qe kujtuar për ato “finicionet e orkestrimeve jazz, me të cilat shpesh i hollojmë gjakun folklorit autentik”.

 

(c) 2020, Idlir Azizaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] rasti i artistes shqiptare me origjinë ruse, Nina Mula, që iu desh të shkëputej nga vendi i vet pas prishjes së marrëdhënieve politike Shqipëri-B. Sovjetik, nuk është krejt i veçuar. Të tjerë qytetarë, gra sidomos, pranuan me zor shkëputjen e lidhjeve me vendin, për të vazhduar jetën në Shqipëri.

[2] J. Rudel dhe të tjerë poetë trubadurë të njohur të Mesjetës kanë për motiv kënge largësinë, kurbetin, ndarjen nga personi i zemrës. Një pjesë e tyre, të njohura si “laï” konsiderohen si “canson de lonh”, këngë të asaj larg. Një nga njohësit e mirë të kësaj kulture ishte poeti E. Pound.

5 Komente

  1. “A handful of short stories in the time of the quarantine” do ta titulloja une vellimin e ri te tregimeve qe I.Azizaj avash avash po e kompleton (sorry for the suggestion)…jane te bukura dhe te rrjedheshme tregimet e tij te fundit, nuk bien ne gazetarizem mendoj, i cili eshte rreziku me i madh kur e mer lenden nga realiteti, sidomos ne kete realitet absurd qe kalon dhe cvesh gjithcka nga cdo ngarkese fantazie, figurshmerie etj..

    1. “Gazetarizem” eshte nje term qe tregon se ne çfare myqybeti e kane degraduar letersine gazetaret Edgar Poe dhe Mark Tuen. Neqoftese nuk e di se çfare do te thote “myqybet”, mos me pyet se nuk e di as une, e perdor pa i ditur kuptimin.

  2. Kur u shpik rotativi i shtypshkronjes Mihal Duri neper rrethet letrare te Parisit, psh ne sallonin modan te vellezerve Goncourt ku mblidhej tere ajka e letrarizmi france qe gjen sot ne antologji letrare, un ndje qe letrarizmi u trasformua ne gazetarizem (i gjeni shprehjet neper ditaret e tyre). Eshte sakte e njejta ndjeshmeri qe pikturizmi u trasformua ne fotografizem dhe filmizem mbas shpikjes se fotografise dhe filmit.

    Revolucionet e mediumit nuk i ve re njeri se nuk i leverdis eksperteve dhe artistet ngelen pa koromane. Edhe tani bejne sikur nuk e kuptojne qe gjithçka artistike eshte trasformuar ne “CELULARIZEM”.

  3. Per te dhene nje shpjegim sa me te kuptueshem edhe per ate 99 perqindeshin e analfabeteve te dobishem, gazetarizem eshte nje kombinacion apo tufezim fjalesh, pak a shume i ngjashem me “tufezimin e bagetive” ne kohen e ekstremizmit te majte radikal. Sipas një përkufizimi jozyrtar te aprovuar ne heshtje edhe nga “Lidhja e Shkrimtarucave” (L.E.SH.), togfjaleshi gazetarizem ka dy pjese perberese dhe konkretisht fjalen gazep dhe fjalen tarife. E thene troc, gazetarizem do te thote “gazep me pagese”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin