ZOO-NA

Panda e kuqe

Kemi një zoo të vogël në lagje – The Prospect Park Zoo, që mburret me pandat e kuqe; edhe pse unë, që e kam vizituar shpesh, pandat e kuqe s’ia kam parë dot ndonjëherë. Çfarë kam parë dhe shoh, janë luanët e detit, që notojnë të lëmuar dhe qafëdhjamur, në pishinën e tyre të hapur – prej këtyre pritet të bëjnë ndonjë marifet të hatashëm, por vetëm kur i ushqejnë ose me ndonjë sebep tjetër misterioz. Një mbrëmje pa dashur na çoi shëtitja aty afër, ndonëse zoo-ja tani është e mbyllur dhe mund të shihet pak vetëm nga lart, që nga Flatbush Avenue. Dëgjuam ulërimat ngjethëse të palloit; me shoqen time, prej vitesh, i përsëritin njëri-tjetrit të njëjtën shaka: këtë pallua mitologjik, që më shumë dëgjohet se shihet, shpend sa i bukur aq edhe budalla, e përfytyrojmë si një sindikalist obsesiv, që kurrë nuk resht së luftuari për të drejtat e kafshëve të mbyllura në kopsht; me një megafon fijedalë, na fton të gjithëve të reflektojmë për shfrytëzimin kapitalist që ndodh atje, ditën për diell; madje edhe pasi kangjellat mbyllen, madje pikërisht me kangjellat të mbyllura.

Por këtë herë na u duk sikur ulërima vinte në trajtë ftese ndaj publikut: ku jeni? Parabola e kafshëve dhe e vizitorëve në një zoo është e vjetër, por gjithnjë e aftë të pjellë kuptime të reja: sa i merr malli kafshët atje për ne? Luani i detit, në pishinë, tani sillet rrotull si ndonjë nëndetëse e shpuar – ta vuajë vallë katastrofën e vanitetit të vet, përballë publikut mungues? Where is everybody? Një video që qarkullon rishtas në rrjet, tregon si banorët e zoo-ve, të paktën disa prej tyre, po nxirren prej kujdestarëve shëtitje, për t’u njohur më nga afër me sivëllezërit (kolegët? bashkëvuajtësit? bashkëfajtorët?) e tyre: një babirusë përballë një tufe lemurësh. Na u kujtua edhe historia pothuajse komike e tigreshës Nadia në Bronx Zoo, së cilës ia ngjitëm ne humanët koronavirusin; mbase mbyllja dhe izolimi, karakteristikë e përhershme e zoo-ve anembanë, kanë nevojë të ripërkufizohen – në kuptimin që kopshtet zoologjike mund të përdoren edhe si vende ku kafshët të njihen me kafshë të tjera, duke na lënë ne të tretëve jashtë.

Një metropol si New York-u nuk është habitat i mirë për gjallesat, por çuditërisht edhe është. Ndryshe nga shoqja ime dhe partnerja e rregullt e shëtitjeve të mia që ka sy vetëm për pemët, shkurret, kaçubet, lulet, sythet dhe gjelbërime të tjera intriguese, unë jap e marr me kafshët: që nga ketri (ketresha? ketrevica?) që ka ngritur këtë vit folenë te pisha përbri dritares sime dhe tani, si është zgjuar nga dimërimi, lodron me mtonjësit te lëndina poshtë; pastaj me radhë macet rregullisht të zgurdulluara të rrugicës, rosat patat dhe mjellmat te liqeni në Park, pulëbardhat dhe furacakë të tjerë në plasaritjet e qiellit, ndonjë krillë e arratisun, rakunët, chipmunkët dhe mikromegalopoliset e tyre në trungje pemësh të kalbura që nga kohët e Luftës për Pavarësi, lepujt e egër me frikërat e tyre private, breshkat që gjithnjë dinë diçka më tepër prandaj shullëhen në diell, zhabat që veç dëgjohen në vende ku gurgullon uji, dhitë e punësuara për të rregulluar faqet e kodrave, gargujt, kardinalët e kuq, ndonjë fajkua që e sjellin edhe atë të punojë me mëditje nga lart poshtë… Dhe tani shpesh më qëllon të pyes në heshtje si po e përjetojnë të gjithë këta miq të mi pandeminë, zbythjen e njerëzve nga rruzulli, hapësirën e lirë që kanë rifituar magjishëm.

Historia e Nadias, që u këput nga kolla, mbase u përdor edhe si ilustrim për “we are all in this together”, të thuash se koronavirusi na kujtoi që ndajmë të njëjtën botë me kafshët “tona” dhe “jo-tona”; dhe kjo pa u tharë ende firma institucionale në akt-akuzën se pandemia e paskësh origjinën te lakuriqët e natës a bisha të tjera ekzotike “të andejme”; dhe aq më tepër në kontekstin e një hakmarrjeje simbolike por aq të merituar të natyrës ndaj nesh. I kapur mes këtyre dy imazheve – lakuriqit të natës që valon hareshëm në kusitë e supës, në Chinatown dhe të rakunit në park, i cili nuk arrin dot të shpjegojë pse kazanët e plehrave janë bosh bosh bosh – unë mbetem indiferent. Dhe më qëllon të thërres për ngushëllim një skenar tjetër, atë të Çernobylit sot.

I kthehem këtij artikulli të National Geographic (Animals Rule Chernobyl Three Decades After Nuclear Disaster): me gjasë, bishat atje nuk kanë pyetur shumë për nivelet e radiacionit dhe veç kanë përfituar, nga tërheqja e njeriut. Çfarë u përjetua prej nesh njerëzve si plagë e dhimbshme në brinjë të Europës (kushedi edhe për miosarkomën që vrau tim atë u pat bërë shkas një grimcë e vetme ceziumi radioaktiv nga Ukraina, që i hyri tinëzisht në trup: Cs-137 preferon të hedhë rrënjë në indin muskulor), u shërbeu jo-njerëzve si zonë e lirë për t’u riorganizuar, për t’u mëkëmbur, për t’u shtuar e shumuar, për të ripërtërirë hierarkitë e natyrshme, për ta rigjetur lirinë në ciklet gjenetike të jetë-vdekjes. Tkurrja e qytetërimit i ndihmoi edhe kafshët e egra të kthehen mirëfilli në egërsi. Çfarë do të thotë, sërish për t’iu falur një metafore, se ujku nuk mund të shpresojë më të ushqehet me delet e kopesë, as dhelpra me pulat e kotecit, as rakunët me plehrat e parkut, as ketrat me patatet e skuqura të fast food-it. Tkurrja e qytetërimit i ndihmoi edhe kafshët e egra të kuptojnë sa i ishin larguar gjendjes së egër.

Para ca ditësh, kur zbuluam një qese me fara të pjekura luledielli në frigorifer, trashëgim nga periudha para-virusale e bollëkut dhe shpërdorimit, thamë që t’i shpërndajmë ca te parvazi i dritares në kuzhinë, për trumcakët e lagjes, që mbase tani kanë më shumë uri. Por farat janë akoma aty. Asnjë trumcak nuk ka ardhur t’i çukitë – edhe pse, vetëm dje, pashë një syresh të ulej dhe të më qesëndiste, që nga mbulesa e kondicionerit të ajrit te dritarja tjetër. Dhe nuk është se këto fara ishin prishur gjë – përkundrazi. Por ndoshta edhe zogjtë janë përshtatur tashmë me tkurrjen tonë dhe nuk duan të jetojnë me lëmosha: mbajini farat tuaja për vete, se ne rregullohemi. Natyrisht, ne jemi këtu akoma, por veç po japim një demonstrim si mund të kishim ikur; njëlloj sikurse edhe fauna përreth po na jep një demonstrim si mund edhe të kish bërë pa ne. Kjo, edhe ngaqë rakunët e ngordhur urie në Prospect Park nuk po i numëron kush.

Kings County Hospital, Brooklyn

Çernobylin e pas-katastrofës e patën krahasuar me “zonën” e Tarkovsky-t (Stalker) – një hapësirë ku ligjet e natyrës duhen rinegociuar; imazh që më ka turbulluar shpesh këto javë, sa herë që më dukur se ngujimi, karantina, frika nga Tjetri, e kanë kthyer edhe qytetin tim në zonë; peizazh të vizituar nga një rrezik vdekjeprurës, por i padukshëm, i paprekshëm, i paperceptueshëm; që një hap e ndan nga çfarë Bruce Sterling do ta kish quajtur “park pa dashje” (unvoluntary park), një Pompei çuditërisht (ende) i pacenuar e, megjithatë, i shënjuar në qenie nga frika, agonia dhe vdekja. Dhe vendin e “Dhomës” së filmit, por me funksion të kundërt, e ka marrë tashmë kompleksi i Kings County Hospital që sundon me siluetën e vet mbi lagjen time me shtëpi të fjetura; aq sombre në muzg të përhershëm dhe, njëkohësisht, aq infernal në brendësitë e thella.

Unë zonën e Tarkovsky-t gjithnjë e ngatërroj, në përfytyrim, me botën e rrëfyer në romanin Piknik anës rrugës, të vëllezërve Strugackij (i cili i ka shërbyer filmit si spunto) por edhe e sidomos me pamjet e videolojës S.T.A.L.K.E.R., kryevepër në llojin e vet; në fakt nuk ka film, roman, imazh a videolojë, që ta përmbajë e tëra atë çfarë është shndërruar tashmë në element rrënjor të përjetimit tonë global, ose peizazhin e dëmtuar nga forca demoniake, me të cilat përndryshe nuk komunikojmë dot. Prandaj më qëllon t’i gjej pjesë të zonës tek-tuk edhe në mjediset më familjare, në një vilë të rrëgjuar e të braktisur në lagje me kambanëzat e erës që ende i tingëllojnë, një park fëmijësh me shatërvan në formë bretkose, tashmë të mbuluar nga ferrat. Sikurse më vjen në mend, më fort se ç’do të doja, ai pasazh nga filmi Twelve Monkeys i Terry Gilliam, me një luan që shëtit mes rrënojave të Philadelphia-s. Filmi, për një pandemi që edhe i jep fund qytetërimit as we know it, është pak si tepër aktual, për t’u përmendur dhe aq më pak për t’u rekomanduar në menynë kulturore gjatë karantinës; paçka se luánin atje vështirë të mos e simpatizosh; dhe paçka se, në zonën tarkovskiane të lagjes sime, të përvijuar nga zbythja e përgjithshme, do të preferoja të më dilte përpara panda e kuqe.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

3 Komente

  1. Ketri – Ketrina. 🙂 Fantastik paralelizmi I NY pandemic me Zonen e Tarkowskit. Po jetojme kohet interesante te mallkimit kinez.

  2. Sot ndegjova per here te pare zhaurimen e insekteve neper bar e shkurre. Jo te gjinkallave, qe akoma jane, por te insekteve taman, nje si zhurme sfodi e tretur me rrezet e diellit, qe nuk vihet re nese nuk perqendrohesh per ta degjuar. Kushedi sa vjet heshtje acidesh, kimikatesh dhe plastike.

    Kurse per shkrimin, perfshire edhe i kaluari me te njejten teme, e quaj veten me fat qe jam dava katunari.

  3. -A ke dëgjuar ndonjëherë për skulptorin Giacometti?

    -Një herë Giacometti ka thënë: “Në një zjarr, midis një Rembrandt dhe një maceje, unë do të shpëtoja macen …”.

Lini një Përgjigje te PFAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin