BJERRJA E POTENCIALIT TONË EMPATIK

 

Rravgime karantine

Në fillim na u bë se rrugët e boshatisura nuk ishin veçse ishin reptilë të arratisur natën nga një kopsht zoologjik. I vështronim që tej dritareve dhe ia tregonim njëri-tjetrit me habi. Ishin zvarritur deri te këmbët e banesave tona dhe aty nuk lëviznin më; qenë shndërruar në beton me lëkurë asfalti. Tani në javën e katërt të ndrymjes, zbrazësia e ngurtësia e tyre shfaqet si element i pakundërshtueshëm i provës së krimit që endet i lirë.

Në fillim më ndodhte të shihja ende orën. Tani më duket si veprim pa kuptim, por më qëllon ta përsëris. Sa për të ruajtur refleksin. Thellë vetes e di mirë se nuk ka arsye të dukshme të besoj se meqë po martirizohemi tani, do të jemi të lumtur më pas. Natyrisht, këtë kujdesem të mos ia kujtoj askujt.

Një arsye më shumë për të nxjerr më të mirën nga çasti i tanishëm. Vishem e dal edhe sot të vrapoj një orë, sa kohë është ende e lejuar. Këtë radhë duke marrë parasysh rrezikun që të bëhem objekti i një zbavitjeje të vogël për qindra të ngujuar që vështrojnë tej dritareve të tyre e që besoj se deri në atë çast janë mërzitur duke bërë inventarizimin e zogjve. Prej ditësh një urdhëresë e re na ndalon të shkojmë te parqet e liqenet, në periferi.

Rrugës vërej se patrullat e policisë që kalojnë me sinjale të ndezur, janë më të pranishme se urgjencat mjekësore. Nuk e kuptoj çfarë po ndodh. Flitet për një shtim të dhunës në familje. Gjithandej reklamohen numra ku mund të kërkosh ndihmë. Duket, në mungesë të gjësendi më interesante, burrat rrahin gratë, gratë burrat dhe të dy fëmijët.

Si t’i kisha bërë vetes një reset, kthehem përsëri në shtëpi. Tani është kënaqësia e dushit që më pret. Gjithnjë jam larë shpejt e shpejt çdo mëngjes dhe kam ikur tutje pa vlerësuar në masën e duhur kënaqësinë e qëndrimit gjatë nën currilat e ujit të ngrohtë, pa m’u bërë vonë se u bë vonë. Është mrekulli e vërtetë që ende ka ujë dhe elektricitet, por nuk shoh shumë vetë që e vlerësojnë këtë. I adhuroj ata që mendojnë se atë që kemi sot do ta kemi edhe nesër.

Ime shoqe po lëviz nëpër korridor me telefon ngjeshur pas veshit. Ngriti pak gishtat si për të më thënë të mos e ndërprisja, por nuk e kuptova përse. As që e kisha ndërmend një gjë të tillë.

– Nuk ka hiç nevojë fare të ma përsëritësh, – foli pastaj, – burrat, duhet t’i duash shumë që t’i durosh.

Nuk është se interesohesha për bisedat e saj në telefon, as se me kë fliste, por duket se edhe ajo e mori me mend se tha diçka me të cilën nuk më ishte mësuar veshi.

– Është L. – foli duke u anuar ca nga unë.

Tunda kokën si për t’i thënë se nuk ishte kjo që më interesonte të dija, por ajo vazhdoi me të sajën.

Çaste të tilla më kujtonin se sa shumë kishte ndryshuar jeta jonë. Për rrjetet sociale ajo nuk kishte treguar asnjëherë interes. Besonte se kur e di që komunikimi tënd sado personal, kalon para aq sysh kureshtarë, vetiu ka diçka që nuk ishte më e vërtetë, ka diçka që ndryshon. Sikundër prania e vëzhguesit ndikon në sjelljen e grimcave në mekanikën kuantike (sipas atyre që gjejnë kohë të merren me një punë të tillë), shtoja unë që për një çast vetja me duket se po vëzhgoja vëzhguesin që vëzhgonte atë grimcën e pafajëshme.

Kështu kishte ndodhur që me të gjithë të njohurat e saj kishin krijuar ca lloje klubesh të mbyllura ku bisedave telefonike (kryesisht me aparatet e vjetër fiks, se ende nuk është shpikur ai telefon inteligjent që të mbajë aq kohë sa zgjat biseda e tyre), u ishte kthyer koha e tyre e artë, koha e lavdishme e llafosjeve pa fund, madje duke u marrë edhe me punët e përditshme. Kjo edhe me kolege e të njohura, të cilave ua gjente rastësisht numrin në repertorin e telefonave të vjetër, por edhe me të tjera, për të cilat dikur më bënte shenjë t’u thoja se nuk ishte aty.

Ishte gati si një refleks social i nxitur nga pesha e ndrymjes brenda mureve të shtëpisë, që po i shtynte të gjithë në kufijtë legalë të durimit.

– Të kuptoj, si nuk të kuptoj, shpirti im, edhe unë në vendin tënd ashtu do të ndihesha, – vazhdoi ajo pastaj, me një ton mallëngjimi – vetëm se e quaj të tepërt të të them se të gjitha e kemi nga një ekzemplar të tillë në shtrat.

Ishte diçka që meritonte të ndaloja në vend dhe t’i kërkoja shpjegime, por as këtë nuk e bëra. Ishte ajo pastaj që e zuri mikrofonin e telefonit me dorë dhe bëri anash që të më zinte rrugën.

– Prapë sherre, – më foli duke pëshpëritur, – Edhe kur i duhet të dalë për pak orë në farmaci, i shoqi që rri gjithë ditën brenda, e merr në telefon dhe i thotë: eja shpejt ne shtëpi se kam nevojë për ty. E kupton në ç’siklet e vë? Kolegët e shohin tinëz, sikur duan të kuptojnë për çfarë urgjence bëhet fjalë.

– Kushedi si e ka hallin, – ia bëra me padurimin që të ikja tutje, – Flitet se duke filluar nga java e tretë e mbylljes brenda, njerëzit shfaqin shenja të sindromës së stresit post-traumatik.

Ajo heshti pak që të më kuptonte më mirë, thua se fjalët e mia kishin cilësinë të qëndronin për disa çaste në ajër, para se të shuheshin kushedi se ku. Dhe pa ma liruar rrugën, pyeti:

– Çlidhje ka kjo? Nuk mund t’i thoshte gjësendi si: ti më mungon, kam nevojë për praninë tënde e ku ta di unë si i gjeni ato fjalë? Por, jo. I thotë troç: eja shpejt se kam nevojë për ty.

Mbylla sytë dhe prita deri sa më hapi vetë rrugën.

– Secili ka urgjencat e veta, – i thashë, duke ikur tutje, por ajo nuk e kishte më mendjen te unë, – Ai megjithatë e ka gabim. Rrugët e depërtimit të koronavirusit janë të panumërta…

Nxitova të mbyllja derën e dushit nga pas. Por nuk arrita.

– Janë të pandreqshëm. Ja kështu! Janë të pashpresë! – e dëgjova që tutje.

Kruajta zërin dhe qëndrova pa lëvizur te dera. Ai përdorimi me aq lehtësi i shumësit të foljes me qenë kishte nisur të më acaronte.

U kthye nga unë dhe më hodhi një vështrim pyetës, se iu duk se i fola. Pastaj zuri përsëri me dorë mikrofonin e telefonit.

– Më the gjë?- më pyeti duke u zgjatur nga unë.

– Faleminderit për këtë opinion kaq stimulues, – i thashë, në dijeni të plotë të pa përsosmërisë time, por jo deri në këtë pikë.

Asnjëherë nuk e kisha dëgjuar të flasë ashtu.

– Çfarë t’i them tjetër? – u nervozua ajo, – Nuk dua të arrijnë deri aty sa t’i përplasin njëri-tjetrit fjalën e fundit në fytyrë. E kupton tani pse shpreh kaq empati?

– Empati në kurrizin tim?

– Flas në përgjithësi, se nuk dua ta pyes për më shumë. Do të ishte e dhimbshme për të.

– Duhet të jetosh me një çift që të kuptosh si është e vërteta, – i thashë me timen,- Megjithatë të admiroj për këshillat plot empati!

– Se potencialisht është rrethanë të rrezikshme, – ia bëri ajo, duke kujtuar se po fliste me zë të ulët – Kanë ca sherre midis tyre dhe ajo kujton se kjo i ndodh vetëm asaj. Kur i them se të gjithë burrat njëlloj janë, kjo është një mënyrë për të relativizuar. Pak a shumë…

– Si, pak a shumë? Nuk shoh lidhje të fortë kërthizore midis…

– Aman, ore dhe ti! Po si t’i them? Se në këtë botë ekziston vetëm një i marrë dhe ajo ka patur shansin e lumtur të kalojë pesëmbëdhjetë vjet të jetës së saj me të? Kështu thua ti? Që të vrapoje të hapë rubinetet e gazit? Nëse empatia ka një vlerë sociale…

– Nuk e kam njohur për të tillë burrin e saj, – i thashë duke iu larguar menjëherë syve të saj,  se atë njeri e kisha takuar vetëm një herë, – por habitem që L. qenka kujtuar sot për të gjitha.

– Tani ka boll kohë të kthejë sytë e të shohë jetën e saj. E ka zënë frika. Prandaj ka nevojë për empati e jo t’i kërkosh llogari pse u kujtua sot. Ajo i shpëton njerëzit nga depresioni kur nisin e mendojnë se mbase duhet të divorcohen. Disa i ndihmon të heqin dorë nga idetë vetëvrasëse.

– Më habit kjo siguria jote.

– Mos u habit hiç! Është një mënyrë për t’i siguruar se janë rrethana që do të kalojnë. Virusi do të ikë dhe unë nuk dua që asaj t’i ngjasë si puna e atyre që lëshohen të varin veten dhe pendohen në çastin e fundit, kur është vonë.

– Po të përsëris se unë nuk e kam njohur për të tillë të shoqin, – thashë me një siguri të tillë sa u habita edhe vetë.

– Pse duhet të besoj ty e jo L. që jeton me të? – m’u përgjigj ajo gati duke bërtitur.

Tërhoqi derën e doli jashtë.

Nuk e mora vesh se çfarë po ndodhte. Megjithatë u përpoqa të harroj dhe po vija vërdallë të kujtoj se çfarë isha nisur të bëj, kur ajo u shfaq përsëri te dera. M’u duk mjaft e shqetësuar.

– Dëgjo…, – i thashë duke u përpjekur të gjeja fjalët e duhura, që të dilja sa më me dinjitet nga një rrethanë e tillë, – gruaja e mirë e duron burrin në të gjitha versionet e ekzistencës së tij. Ky versioni i fundit, ta quajmë pandemik…

Ajo lëvizi pak dorën si të deshtë të mos shkoja më tutje. Por nuk fliste, të paktën nuk deshte të fliste menjëherë, sikur dyshonte se isha aq i fortë sa të mbaja peshën e saj që do më thoshte.

– Duhet të mbledhim mendjen, – ia bëri së fundi, duke mbuluar fytyrën me duar, – jemi mbyllur se e dimë çfarë po ndodh jashtë, por nuk po e kuptojmë çfarë po ndodh këtu brenda.

Pëshpërita diçka si për t’i kujtuar se nuk ishim ne të vetmit të mbyllur ashtu, por sikundër e prisja, përpjekja ime për empati mbeti e pa kuptuar. Nuk e dhashë veten. E ruajta optimizmin duke menduar se e mira e një dështimi është se të përgatit për dështime të tjera.

– E ndjej që nuk jemi mirë, – vazhdoi ajo pastaj, gjithë trishtim, – Kam frikë se ka ndodhur diçka!

– Çfarë? – ia bëra, me të vërtetë i shqetësuar.

– Kemi humbur aftësinë për të duruar njëri tjetrin! Ja çfarë ka ndodhur! – foli me zërin e ngashëryer – Nuk mbahet mend që kur nuk kemi ndenjur kaq kohë vetëm për vetëm, mbyllur brenda katër mureve dhe ja tani…

U kthye e iku tutje.

U turbullova. Ideja për të shprehur një lloj empatie tjetër, disi më të përpunuar, diçka që do të linte të kuptohej se ja, duhej të ndodhte kjo që të kujtoheshim se një cilësi e tillë nuk është se na ka munguar, e gjitha kjo pra, mbeti vetëm në nivel përpjekjeje.

E vërteta ishte se për herë të parë pata përshtypjen se persekutori ynë intim, i identifikuar me shifrën, Covid-19, tani kishte filluar të na ndiqte edhe në skutat më të largëta të shpirtit, aty ku kishim fshehur gjithë ç’kishim në këtë botë dhe madje i kishim harruar aty me vetëdije, që as ne vetë të mos e dinim më se ku ishin, me shpresën që të mbeteshin të paprekura.

Ai kishte nisur t’u afrohej edhe atyre.

(c) 2020, Dashnor Kokonozi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

17 Komente

  1. Tregim I frikshem. 🙂 Kam idene qe motoja e Sartrit “Ferri jane te tjeret” po merr kuptim nominal.
    P. S. Personalisht po rilexoj Robinson Kruzone. Kurre se kisha menduar qe jeta ne nje ishull te shkrete mund te jete vertet parajse.

  2. Meqe ra llafi, se s’kemi dhe c’bejme ne karantine. Para nja dy javesh mbarova se lexuari “Mandarinet’ e Simone de Beauvoir, nuk di nese e ke lexuar. Kam frike se ashtu do te perpelitemi ne intelektualisht pas rizgjimit pandemic.

    1. Jo, nuk e kam lexuar dhe po me vinka keq. Tani qe i hodha nje sy atyre tridhjete faqeve ne google books, duket me mjaft interes. Forma me dy narratore qe te dy flasin ne vete te pare, me intrigoi shume. Terthorazi me kujtoi marredhenet e saj vete me Sartrin, por por edhe ai Henri qe drejtonte nje gazete klandestine e shkruante per te, me solli nderment njeriun e tyre ne fillim te afert e pastaj te larget, A. Kamune. Gjithsesi po e ndaj veç, mbetet per me vone. Faleminderit per kete kujtese.

      1. Ne ate liber jane personazhe reale pak a shume e gjithe elita parisiane e kohes. Dhe eshte shkruar ne menyre te tille qe nuk te behet ta leshosh nga dora.

  3. “E gjithë fatkeqsia e njeriut vjen nga pazotësia e tij për të qëndruar i vetëm në dhomën e tij” – Blaise Pascal

  4. E kam pare shpesh kete shpreheje, por asnjehere nuk e kam kuptuar. Njeriu ne thelb nuk eshte programuar te rrije vetem dhe aq me pak mbyllur. Duket ka parasysh ndonje kontekst te veçante.

    1. Sigurisht qe njeriu nuk eshte programuar te rrije vetem si Paskali i krishterë, por nuk eshte i programuar as qe te rrije bashke me Simone de Beauvoir, e te botoje ne fejsbuk “Ferri jane te tjeret” si Sartri i komunistë (ishte kjo shprehje e Sartian qe me solli ne mend per asosacion shprehjen e Paskalit, dhe ca asosacione te tjera per Francen e me gjere se Franca qe dalin jasht kontestit te diskursit). Keq i vetem me “Unin”, e keq me keq me “Tjerin”. Brenda ketij intervali virusal ndodhet njeriu, kjo eshte hapsira demokratike ku rropatet me kot te gjeje antivirusin. Maksimumi shkruan vepra artistike te pavdekeshme per brezat qe do vijne. Por me sa duket bathet problemi eshte ne forme dileme: do vine, apo s’do vijne keto breza?
      Viruset edhe mund t’i kene sjelle kometat ne toke, bashke me jeten, por viruset vertet vdekjeprurese, i kemi në mes tënë. UFO-t jane midis nesh.

      Eshte programuar qe format e materializuara te jene me pare forma shpirterore (ja e shkrujta edhe une nje fraze per ta varur ne fejsbuk)

  5. Kjo kohe eshte vecanerisht e veshtire per extroverted. Per introverted jo ndonje gje e madhe. Le pastaj po ta kesh shtepine me bahce. Dje pershembull mbarova mbjelljen e qepeve te rakise per kete season. 🙂

  6. Fraza e fundit e librit “Kandidi” te Volterit:

    Cela est bien dit, répondit Candide, mais il faut cultiver notre jardin.

  7. Shiko, qe ta lidhim dhe me tregimi tend. Nje burre I vjeter kinez ka thene: Do te jesh I lumtur per nje dite, martohu; do te jesh I lumtur per 10 vjet, bej nje femije; do te jesh I lumtur per 100, mbill nje kopesht.

  8. Sapo e lexova ne fejsbuk kete:

    Ne nje interviste gazetari pyeti Ajnshtajnin:

    -Nese nuk do ishe bere fizikan, çfar zanati do te deshiroje te beje?

    Pergjigja e mc-se ne katror:

    – Kopshtar!

    1. Menjeane komentet me humor karantinist paskalian, pergjigja mund te jete snobe, pun per te zotin e pergjigjes e per snobat qe merren me te, por ne fakt arketipi i “kopeshtit” eshte me àrkaios se çdo tjeter, baza e çdo nocioni per boten dhe jeten e njeriut. Thene ne termat e perdorur ne diskursin me siper: “kopesht” eshte programi baze mbi te cilin programohet jeta e njeriut.

      Nuk eshte rastesi qe ne Zanafilla zanafillohet me nje “Kopesht” prej te cili njeri dergohet te fluturoje me avion ne Mançester.

  9. Epo tani nuk do bohemi te gjithe kopeshtare dreqi e mori, se u bome si komet e dhise. Nonjoni do bohet edhe fizikant…

  10. Nje histori qe me ka ndodh vertet qe tregon se çdonjeri eshte koke me vete, edhe pa lexu Sartrin dhe Paskalin.

    Ne nje ore leksioni ne fakultet, me zgjon nga pergjumja nje ulurime e profesorit drejtuar nje studenti konviktor, nga ata tipiket e banges se pare qe mbanin shenime si makina. Profesori mbante ne dore nje fletore 4 lekshe qe studenti e mbante ne cep banges, dhe i thoshte duke uluritur e tundur fletoren ne hunde studentit:

    -Çi ke keto? Keto jane te Zhan Pol Sarterit!

    Studenti meit ne fytyre, jo me pak ne te tjeret, ishte pak vite mbas 72-shit, e nuk behej as shaka me keto gjera. Per vete e mbaj si ndoshta momentin me te frikshem qe me ka ndodh ne jete.

    Profesori, jepte lende teknike, mbas hakerrimit, nisi te lexoje çfar kish shkruar studenti ne fletore. Un po prisja ndonje fraze sartriane te llojit: “Ferri jane te tjeret”, ne fakt ishin ca vjersha te qelbta mejhanesh me frymzim pop-rom, pak a shume:

    “Haxhireja ne karrike / me kapele republike. O me le, me le/ vetem me le / si t’ja bej un pa ty” etj etj.

    Vetkuptohet pse tragjizmi e ka komedine mbrapa edhe si term.
    Prit se ka akoma. Studenti, shtate me qase, dhe meqe as emrin nuk ja kish degjuar Zhan Polit, filloi te interesohej, e pyet njerin e pyet tjetrin, hiç as te tjeret nuk e kishin degjuar, ambjenti ishte teknik, nuk merrej njeri me keto gjera. Ne dhome ne konvikt kishte 2 leber me te cilet kisha nje fare intimiteti, kishin qene edhe ne shtepi time, dhe ata i thone qe te me pyeste mua, ndoshta e njihja.

    Neserejt pa fillu mesimi, me siguri gjithe naten pa gjume, u afrua e me pyeti se kushte ky Zhan Pol Sarteri. Dhe une i thashe ca fraza nga ato te estetikes se Alfred Uçit, qe eshte filozof ekzistencialist qe flet per kotesine e ekzistences, per pamundesine e komunikimit me tjetrin, etj. Ne fund te fjalimit tim programatik per Sarterin, konviktori me tha:

    -Po pse s’thua o i uruar qe profesori me paska nxjerre ballist fare!

    Per fat te keq, nuk eshte ketu vendi qe te tregoj kulmin e komicitetit te historise qe u zhvillua ne darke me persone qe e kishin lexuar Zhan Polin.
    Kesaj i thone me tamam hoj hoj, gjith i soj!

Lini një Përgjigje te PFAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin