PANDEMIA DHE (Ç)DISIPLINA

Është përsëritur nga shumë anë, e deri diku ka pasur një ndërgjegjësim të bollshëm, se njeriu është i dënuar të bashkëjetojë me virusët. Prania e këtyre në mesin tonë, nga cilado botë e pafshin prejardhjen, nuk përbën sigurisht lajm. Ndaj, është e qartë se një fat i tillë është i pritshëm edhe për sa i përket Covid-it 19, me të cilin, herët a vonë, do të kemi një marrëdhënie në përditshmëri; gjithsesi, jo të llojit që kemi tani, duke qenë se mes nesh dhe këtij virusi me pamje grafike të lezetshme nuk ka një marrëveshje armëpushimi. (Përdorimi i leksikut luftarak është i rastësishëm dhe nuk rreket të dëshmojë gjëkafshë.)

Roli i një vaksine i përgjigjet pikërisht një shtrëngese për të bashkëjetuar. Meqenëse një e tillë hamendësohet se do të jetë e gatshme vetëm pas një periudhe relativisht të gjatë – kam dëgjuar se më optimistët flasin për më shumë se një vit – lufta do të vazhdojë dhe për një hark kohor jo të shkurtër. Që do të thotë se dhe masat do të mbeten drakoniane, siç dhe jetesa në komunitet do të vazhdojë në kushte spartane.

Shpresa, e vagullt, se Covidi nuk do t’i qëndrojë dot në këmbë afshit veror përbën një përjashtim nga rregulli; por si çdo përjashtim, edhe e pohon rregullin. Nuk mund të bëjë vapë përgjithmonë.

Pasi, meqë jemi në fushën e hipotezave, virusi mund të jetojë në underground gjatë verës dhe ta kemi pisk punën me të kur të ftohet moti. Diçka e ngjashme me ecurinë e të shumëpërmendurit “Grip spanjoll” (1918-1920) që u shfaq në dimër, hëngri me bollëk jetë deri në verë, kur u zhduk nga qarkullimi, e në vjeshtë u gjend përsëri në mesin e llogoreve të luftës (nga ajo prej vërteti, jo si recitim dovleti). Për dy vite rresht.

Prandaj, deri ditën e përvetësimit të një vaksine anti-Covid 19, dimë se modus vivendi i sotëm do të përcillet edhe më tej, në javë e muaj. Mbase shtrëngesat nga sipër do nisin të lirohen – për shkaqe të lidhura dhe me frymëmarrjen që lyp ekonomia – e atyre do t’u përgjigjet një shthurrje nga poshtë. Gjithsesi, duke mbajtur parasysh pasojat e mundshme, nuk besoj se një çlirim masiv nga vargonjtë e lockdown-it do të qe i udhës. Së paku jo aq sa të shpërthejmë, një ditë të bukur, dyert e shtëpive tona dhe të derdhemi të gjithë në rrugë.

Një woodstock i tillë nuk do të ishte i këshillueshëm; veçanërisht tani që dimë se, mes nesh, asimptomatikët janë me gjasë më të shumtë se simptomatikët. Çka nuk ul rrezikshmërinë infektuese të të parëve, e as rrit imunitetin e të dytëve.

Bashkëjetesës të uruar me virusin, ndërkaq, po i paraprin një periudhë e mallkuar veçimi mes njerëzve në të gjitha aspektet. Siç është përmendur gjëras – dhe e bën të panevojshmë që të ndalemi gjatë – domosdoshmëria shëndetësore ka prurë në zbrazjen e hapësirës publike; qoftë kjo e parë si vendndodhje kolektive ndërshkëmbyese (pozitash, interesash, përkatësish etj.), qoftë si ecuri e përgjitshme zhvillimi brenda polisit. Shumëkush ka përfytyruar, e jo krejt pa të drejtë, se çfarëdolloj e ardhme do ta ndjekë këtë flamë, e nesërmja do të shfaqë tipare të ndryshme nga e djeshmja e të sotmes. Për mirë apo për keq, është çështje që i përket kategorive gjykuese të vlerës.

Së paku në kulturën perëndimore, Covid-i 19 duket se ka lënë gjurmë të pashlyeshme në pluralitet, që është dhe thelbi i polisit. Për këtë shkak, bashkëjetesa me këtë virus, kurdoherë që do të paraqitet vaksina sanksionuese, nuk do të jetë si gjithë bashkëjetesat pararendëse. Ca sepse veçimi i tanishëm social do të na ketë ndryshuar individualisht dhe në grup; ca sepse grupimi i djeshëm social shihet si bartës i fajeve që na shpunë në ditën në të cilën ndodhemi.

Larg të qenit të aftë për të bërë hesape me të shkuarën, është disi më e lehtë të vëzhgojmë ato që janë pasojat e drejtpërdrejta, të sotme, të zbrazjes së hapësirës publike. Një hapësirë tashmë e virtualizuar, në të cilat gjithë marrëdhëniet – me disa pak përjashtime, kryesisht të sferës private – ngrihen mbi të vetmet ura të pashkelshme nga virusi.

Me institucione tashmë të zbrazura, me vendimarrje që nuk kryhen përmes një iter-i normal, me pezullimin e agora-së proverbiale, si dhe me shpërndarjen sado të përkohëshme të çfarëdolloj hyrje-daljeje mes dhomave të pushtetit dhe paradhomave qytetare, shoqëria ka prekur fazën kulmore të nënshtrimit ndaj mediave. Sidomos ato sociale janë përfundimisht një instancë takimi, jo vetëm mes qeveritarëve dhe të qeverisurve por dhe mes vetë krerëve të institucioneve.

Vendimet merren dhe komunikohen në Facebook – si në drejtim të vartësve ashtu dhe të qytetarëve – e prej andej urdherohen të vihen në zbatim, Po atje nxirren shembujt e gjobitjes ndaj thyerjeve, njësoj siç zhvillohet normaliteti i mësimdhënies në një auditor virtual, si dhe konsultimi televiziv me një epidemiolog. Gjendja e jashtëzakonshme shpallet në rrjet, e po aty skaliten pamjet e një qyteti të ndalur si pasojë e të mos jetuarit në kohë të zakonshme. Kështu ndodh edhe me një orë palestër në kushte shtëpie, me një seancë yoga, me lexime përrallash për fëmijët dhe rënie/ngritje qeverish, të pamundura për t’i pasur mbështetësit/kundërshtarët në sheshe.

Këtë disiplinim të pazakontë, këtë vënie në rresht të zbazët – nga shtëpia në shtëpi, nga televizori në televizor dhe nga statusi në status – e ndjek një sjellje tërësisht e çdisiplinuar për sa i përket të tjera aspekteve. E këtu e ngas llafin në planin personal, ndaj fjalët e fundit po i them si të isha në qelën e rrëfimit.

Kurrë se kisha shtruar si të mundshme që një mbyllje e tillë brenda katër mureve të ishte kaq e tunduar prej shpërqendrimit. Pavarësisht një programacioni paraprak, të mbushur me libra dhe filma, pranoj se ka qenë shpesh e pamundur t’i jap vetes një disiplinë që normalisht më karakterizonte në përditshmërinë pre-Covid. Kështu, çdo shfletim është shoqëruar me mendjen kund tjetër. Pastaj me nervozitet, me ndërprerje gjithmonë e më të shpeshta, rendje pas lajmeve të bujshme, hulumtimit të rrjeteve sociale, kontrollit – e plot të tjera si këto.

Nuk po lexoj libra dhe nuk po mundem të shoh filma sa do të doja. E tillë është e vërteta pasi disiplinimi vetjak është mposhtur, është çdisiplinuar, nga ai kolektiv. E ky i fundit është tërësisht në dorën e mediave. Siç është vetë gjendja e jashtëzakonshme që na rrethon. Mediat kanë zënë atë truall që Giorgio Agamben, një ndër intelektualët evropianë më të angazhuar në debatin aktual politik dhe filozofik përreth pandemisë, e përkufizonte më herët si “terren të mospërfilljes”. Ky truall, sipas tij, ndodhet mes të zakonshmes të sunduar nga rendi ligjor dhe të jashtëzakonshmes si gjendje ku ky rend (vetë)pezullohet. Sovrani është ai që ka në dorë të kryejë këtë pezullim, e që lëviz lirshëm midis rafshit juridik dhe kaosit natyror. Ai i përket të dy botëve. Media, në mos ekskluzivisht, është veçanërisht një këmbësore në terrenin e ndërmjetëm. Çka i jep asaj të drejtën e ngritjes së skeptrit. Të paktën bashkë-ngritjen.

Rreth Autorit

Edon Qesari është kërkues shkencor pranë Institutit të Historisë. Pëlqen kuartetet e vona të Beethoven-it, detin Jon në dimër dhe rrëfimet e komisarit Maigret.

Author Archive Page

6 Komente

  1. S’ka asnje kaos ne natyre, kaos ne kuptimin negativ e kisha fjalen. Kaosi i natyres eshte nocion krejt pozitiv, sot studjohet nepermjet “Teori e Kaosit”, qe vetem nga titulli deduktohet se kaosi ne natyre eshte i lidhur me konceptin e krijimit, apo te lirise. Kaosin negativ, shkaterrimin vdeketar, shkoni e kerkoni gjekundi tjeter.

    1. Arjan Çelnikasi, ju falënderoj për vënien në dukje të një pike mbase të pasqaruar siç lypet.

      Termi “kaos” ndjek përdorimin që i bën Agamben-i, i cili, vetë e huazon atë nga kozmogonia arkaike helene. Në këtë kuptim, “kaosi”, tek grekët e lashtë” ka pak, në mos aspak, të bëjë me “rrëmujën”. Është më tepër një gjendje parahistorike, në të cilën elementet përbërës të realitetit janë të pleksur me njëri-tjetrin. Kaosi është njëkohësisht origjina, prej nga nis mandej shkëputja e elementëve të cilët, në një moment post-kaos, hyjnë në marrëdhënie me njëri-tjetrin përmes rendit. Mandej, një dimension i tillë nis të identifikohet me të ashtuquajturat “të drejta natyrore”, të gjendshme në natyrë – “ligjet e përgjithshme”, siç i përkufizon Aristoteli tek “Retorika” (1373b) – si të dallueshme nga “ligjet pozitive”, të hartuara nga dora e njeriut e në përgjithësi nga organizimi i jetës në një polis.

      Shpresoj të kem sqaruar çdo keqkuptim.

      1. Mos u shqetso per keqkuptimet, sepse ky eshte stili i zakonshem ne komunikimin virtual, dhe nje çike me pak eshte stil edhe ne komunikimin real. Ka akoma shume rruge per tu bere derisa te mberrihet mirekuptimi universal. (neqoftese do shpetohet nga viruset)
        Psh Agambeni mirkupton kaosin helenet, por keqkupton kaosin hebre, qe eshte ndryshe nga kaosi helen. Kjo ne pergjithsi, sepse pare me holle vizioni helenik i botes nuk eshte vetem rremuje para portes, ka edhe nje çike harmoni hebraike (dhe anasjelltas). Nuk e njoh kaq mire Agambenin per te thene qe e ka keqkuptuar apo kuptuar mire kete te dyten. Por duke bere profetin negativ, e duke njof tipin, nuk ma ha menja.
        Kurse per problemin e “Teoria e Kaosit”, jam pothuajse i sigurte qe Agambeni, jo keqkupto, por as qe do me dite fare, sepse eshte jurist, e ka mendjen çfar ka thene Ciceroni kuder Katilines, s’ka nge te merret me teori moderne fizike.
        Po pse akoma me greke e çifute do merremi perjetsisht? Duhet me u marre edhe me amerikanet dreqi e mori. Jo vetem me te vdekurit, edhe me te gjallet. Se keshtu na vdesin edhe amerikanet, e me çin te merremi pastaj?

        1. Ne kemi të qartë vetëm çfarë besojmë, dhe fjalët shërbejnë për ta shprehur kètè besim. Fjalët janë veshje, ato nuk kanë asnjë vlerë në vetvete gjatë përdorimit, veçanërisht në përdorimin e përditshëm, vetëm etimologjia përpiqet të tregojë se mund të ketë një marrëdhënie midis formës dhe domethènies së Fjalës. Pra fjalët kanë një kufi, i cili, në kundërshtim me ato që thotë Wittgenstein, nuk është “kufiri i botës”, por është kufiri i filozofisë dhe logjikës. Bota në kuptimin e gjerë (i ashtuquajturi “Kosmos” i grekëve antikë) përfshin gjithashtu edhe atë që ne besojmë. Kur rreket të shkohet përtej kufirit të fjalëve, nëse nuk besohet me pak a shumè të njëjtën gjë qè beson edhe bashkëbiseduesi (ose autori që po lexohet), gjithmonë ekziston rreziku që fraza të duket e pakuptimtë, një lojë fjalësh.

          Nëse nuk keni të njëjtën besim si bashkëbiseduesi, ose më keq, nëse nuk keni asnjè lloj besim siç èshtè e modès sot (nuk bèhet falè vetèm pèr besimin fetar), atëherë keqkuptimi i ndèrsjelltè është i garantuar.

          Çfar ne besojmë i jep kuptim botës, kuptimi i botës shtrihet edhe jashtë botës së Wittgenstein, duke qenè plotèsisht-dyanèshmèrisht brenda Kosmos.

  2. E lexova shkrimi por nuk kuptova asgje. Thashe ta lexoj dhe njehere kur befas m’u kujtua nje tregim I Twain-it ku ai gjendej ne te njejten dileme. Vajta te kerkoj perkthimin e mrekullueshme ne shqip te, “Vjedhja e elefantit te bardhe” dhe pas ca cfletimesh e gjeta ate qe po kerkoj. Ky eshte nje ekstrakt nga tregimi “Lajmi I Z. Blok”
    … “Tani do ta lëçit vete kete lajm dhe do te shikoj ne ka aresye per gjithe kete zhurme. Ne rast se ka do t’i qendis nje leter autorit te saj.

    ***
    E lëçita dhe jam i detyruar te pranoj se ne pamjen e pare duket pakez I ngaterruar. Megjithate do ta lexoj edhe njehere.

    ***
    E kendova perseri dhe m’u duk akoma me I ngaterruar.

    ***
    E lexova me teper se pese here dhe sikur ti gjeja ndonje fare kuptimi do te sulesha per te marre hake. Aty ka gjera qe une s’i marr vesh fare. Ai nuk thote asgje se ç’i ngjau Uiliam Shulerit. Sa fillon te flase per jeten e tij, e le menjane. Cili eshte Uiliam Shuleri dhe ne cilen pjese te Sauth Parkut banon dhe ne rast se u nis per ne qendren e qytetit ne oren gjashte a mberriti atje? dhe ne rast se mberriti, ç’i ndodhi?…” etj etj

    Rrofsh. Kisha nevoje per pak M. Twain ne kete trishtim pandemik.

  3. Vetë shkrimi është rrëmujë. Nuk mora gjë vesh. Uroj që të kemi ese më të kthjellëta në vazhdim nga autori.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin