SHNDËRRIME NË KOHË TË VËSHTIRA

nga Natasha Poroçani

Duke dashur shumë të ruaj pozitivitetin në këtë kohë që mori simbolikisht emërtimin: “koha e koronavirusit”, në analogji me sintagmat “koha e kolerës”, “koha e luftës”, “koha e tifos”, etj, pas një vëzhgimi të herëpashershëm në rrjetet sociale,  vërejta se humbjes së madhe që pësoi shkëlqimi i rremë i Instagramit, iu përgjigj një virtualitet i mbarë, përgjatë të cilit nisi një kthim i bukur nga e shkuara, si dhe një udhëtim imagjinar drejt së ardhmes, duke zënë mendjen me miqtë e vjetër dhe duke gjeneruar miqësi të reja.

Në situata të tilla, kur emergjenca thërriti, më bukur se asnjëherë, rrjetet sociale e përballuan atë duke shfaqur objektivitetin që përçon kuptimi i parë i emërtimit të tyre, në fund të fundit, shpallën identitetin, arsyen e vërtetë për të cilin u krijuan.

E në fakt siç edhe situata e kërkon, nëpërmjet komunikimeve virtuale ruhet distanca, luftohet vetmia, i jepet liri dhe hapësirë mendimit, shpërndahen energjitë (që këto ditë po rezultojnë shumë pozitive).

Po bëhemi të gjithë pjesë e videothirrjeve, kafeve dhe tavolinave virtuale, bisedave në grupe virtualisht, leximeve dhe diskutimeve rreth librave.

Jo pak fuqi patën rrjetet sociale në Europë në mbledhje fondesh për ndërtimin e spitaleve, blerjen e aparaturave apo fuqizimin e projekteve në luftën kundër armikut të tmerrshëm e të padukshëm.

Falë këtij spektri të jashtëzakonshëm mundësish në Instagram apo Facebook, miqësia në distancë është bërë më shumë se kurrë e gjallë, e këndshme,  me ngjyra.

Mungesa e lirisë, vetmia, të qenit i papërfshirë, me sa duket tingëlloi brenda ndërgjegjeve njerëzore dhe zgjoi nevojën e të ndenjurit në hapësirat komode të marrëdhënieve të vërteta, pa filtra, shkëlqime të rreme dhe mbi të gjitha këndi i ngrohtë i shtëpisë krijoi simbiozën me këndin e ngrohtë të komunikimit të vërtetë. Nisi tempi i këmbimit të parametrave: u ndërruan ligjërimet, u niveluan mënyrat e komunikimit dhe u lehtësuan hapësirat virtuale të ngarkuara me kotësinë e boshllëkut, sepse çuditërisht ndërsa ishim jashtë, të lirë, të mundur për të bërë çdo gjë, e dyndëm hapësirën virtuale me kotësi, boshllëk dhe metamorfozë. Tani që liria na është kufizuar dhe hapësirat na janë limituar, ndërruam vektorin e komunikimit dhe shtuam valencën e përmbajtjes së hapësirës virtuale mes nesh. I dhamë një tjetër kuptim kohës sonë reale duke ngadalësuar ritmet virtuale. Përditshmëria jonë u përçua me ngjyrat e ditës së secilit, diku frikë, nevojë, pasiguri sikurse edhe humor, dëshirë, dashuri. Ndonjëherë na duket se i kishim harruar kaq të vërteta këto ndjesi, sa ç’kemi harruar shumë e shumë të tjera ndjesi bio. Kishim harruar edhe këtë tipologji të re kreativiteti në të cilën memet ia bëmë vetvetes dhe ku munguan pothuaj totalisht personazhet e ekranit, duke shkatërruar imazhin fals të “vipave” e duke e risjellë ngarkesën e saktë të simbolit V.I.P. e cila si për ironi të fatit lindi edhe ajo në kushtet e një Lufte Botërore, të së Dytës. Si me magji, u shkarkua Instagrami nga pesha silikonike e falsitetit të gënjeshtërt dhe u ngarkua me heronjtë e vërtetë, ata të cilët i kishim harruar, denigruar, përzënë.

Por njeriu e do atë që i mungon më shumë….Dhe në këto kohë, për të zëvendësuar mungesat e gjithsecilit rrjetet sociale përcollën humorin e të qeshurat. Gjithkush po përpiqet të japë më të mirën e mundshme. Por ajo që duket shumë tërheqëse është loja (po e quajmë) e sfidave që po përhapet në një shumëllojshmëri të këndshme dhe tërheqëse në çdo rrjet social.

Kjo “e mirë” qarkulloi me një shpejtësi të habitshme, siç normalisht qarkullojnë vlerat. Emërtimet e sfidave, të cilat më pëlqen t’i zbres nga anglishtja e Instagram-it dhe Facebook-ut e t’i sjell po aq domethënëse edhe në shqipen tonë, ishin mesazhe më vete, të denja për studime të gjëra psikolinguistike.

Sfida më e bukur që humbi origjinën dhe u përcoll në të gjitha gjuhët e botës ishte:

#unërrinështëpi

Lindi si nevojë dhe domosdoshmëri, për të ushtruar trysni mbi të pabindurit. Por u përhap në Instagram dhe në Facebook e shoqëruar me çaste dhe momente familjare, me kohën e munguar të vëmendjes ndaj fëmijëve, kujdesit ndaj të moshuarve, rikthimit të traditave gastronomike dhe eksplorimit drejt recetave në Youtube. Dhe instagrami, hashtagun e famshëm unërrinështëpi e pasuroi me këto lloj fotosh të cilat në fakt, na ndihmuan të rigjejmë njëri-tjetrin.

 #sfidabardhëezi

Diku u tha se është një sfidë feministe, nëpërmjet së cilës gratë inkurajojnë njëra-tjetrën për të mos rënë në pesimizmin e situatës. Por ç`rëndësi ka kjo? Në fakt është një sfidë që fton shpërndarjen e fotove bardhë e zi, duke nxitur zinxhirin e nominimeve. “Shumë shpesh ne gratë kritikohemi mes nesh, në vend që të mbështesim njëra-tjetrën dhe të shohim se secila nga ne është e bukur sipas mënyrës së saj. Ne jemi aq të bukura, si ç’jemi. Ne jemi të parat që duhet të pranohemi! Publiko një foto bardhë e zi dhe nomino mike të tjera që të bëjnë të njëjtën gjë. Unë ju zgjedh juve sepse ju jeni të bukura dhe ju më frymëzoni mua. Le të japim diçka pozitive. Të ndërtojmë dhe jo të shkatërrojmë

#unërridukelexuar

U paqtua virtualiteti me fletën e librit. Të rrish në shtëpi është një mënyrë e mirë për të lexuar. Kjo iniciativë e mrekullueshme u shndërrua në forma të bukura: unëlexojpërfëmijët; unëlexojpoezi, unëlexoj. Lexohet dhe videoja me leximet shpërndan jo vetëm titullin e veprës letrare, por edhe zërin e lexuesit që është forma më elegante kur teknologjia puth llojin e ri të copyright-it. Kjo mënyrë e re të lexuari, riformatoi klubet e leximit që i kishim lënë në harresën e një epoke tjetër.

#mamaështëgjëjamëemirëemëevështirë

Me sa duket edhe në këtë rast peshën e kthimit të buzëqeshjes dhe forcës përsëri njerëzimi e kërkon te nëna. Foto të mrekullueshme me buzëqeshjet e nënave që përcjellin me një fjali të gjetur nominimin e radhës. Nëse ke rast të shfletosh faqe të tilla, gjen fraza të ngarkuara me emocione: “Mamat janë shpikja më e bukur e universit; Mamat janë të gjitha të bukura; Një nënë është një cikël i mbyllur, etj”.

#doudhëtojmëpërsëri

Ndahen foto nga udhëtime dhe bashkë me to, secili pavarësisht tjetrit përtej ekranit të vogël, rizgjon një emocion një kujtim, lidh ditë, ngjarje, i jep përmasë një kohe dhe sens një përmase. Duke ndarë një foto ka ndarë një histori. Ky është mesazhi i shpresës, ëndërrimit me sy hapur drejt udhëtimeve të së nesërmes.

#andratuttobene

Preferova ta lë në gjuhën nga erdhi këtë sfidë, sepse gjithë bota u bashkua me të, duke mos ia cenuar as shenjën e as semantikën, për të treguar në këtë mënyrë një solidaritet kolektiv me popullin që deri më tani ka pësuar më shumë humbje nga kjo luftë e pabesë. Nisi si një hashtag fëmijësh. Iniciativa erdhi në formën e punimeve të fëmijëve, ku nën një ylber të vizatuar në tabakë gjigantë apo në çarçafë të bardhë, fëmijët shkruanin “andrà tutto bene”. Fotot e fëmijëve duke buzëqeshur përcollën e vazhdojnë të përcjellin sigurinë që një ditë vërtet kjo do të mbarojë dhe gjithçka do të shkojë përsëri mirë.

Kjo sfidë që lindi në muret e Instagram-it dhe Facebook-ut,  i kapërceu paretet virtuale dhe veshi kangjellat e spitaleve, muret e shkollave, hyrjet e metrove, e deri kullat e sahateve. Kjo thënie është gjetja më e fuqishme e botës virtuale. Sepse sot po zëvendëson edhe përshëndetjen rutinë përsëri në virtualitetin e WhatsApp-it:

-Coraggio, andrà tutto bene!

Dhe në shqipen tonë të mrekullueshme:

-Mos u mërzit. Do t’ia dalim.

 

(c) 2020 Natasha Poroçani. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Natasha POROCANI (SHUTERIQI) Diplomuar në gjuhë shqipe dhe letërsi. Doktoruar në fushën e gjuhësisë së aplikuar, autore e një numri të konsiderueshëm tekstesh shkollore në Shqipëri e diasporë.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin