VIRUSI SI ARMIK

nga Damian Alia

Artikulimi më i përhapur në këto ditë është ai se jemi të gjithë “në të njëjtën varkë”, siç e thekson disa herë Žižek-u tek teksti i tij i fundit në lidhje me virusin.[1] Ky operacion përgjithësimi që i referohet prekjes nga Covid-19, u aplikohet edhe shtrëngimeve që po të gjithë duhet t’u nënshtrohemi për t’u ruajtur prej tij. Në këtë kuptim, ndaj kësaj të përgjithshmeje që jemi ne, vendoset përballë virusi. Vetë ky formulim është problematik nëse nuk është figurativ, por në njëfarë mënyre, përdorimi i termit imponohet prej përfytyrimit që vjen si pasojë e cilësimit politik e social që i është bërë virusit, pra, si armik. Pikërisht armiku të qëndron përballë në raport me frontin të cilin mbron e që përfaqëson territorin për të cilin luftohet. Por përdorimi i termave të tillë është problematik sepse, edhe pse mund të justifikohet se po përdoret figurativisht nga politikanët, masat të cilat po ndërmerren për mospërhapjen e tij janë mëse konkrete. Një përdorim i pamenduar i koncepteve me ngarkesë të madhe teorike e politike nuk bënë gjë tjetër veçse zbraz e zhvlerëson rëndësinë teorike të termit, si edhe prodhon një relativizim të situatës që e bënë të paqartë vlerësimin konkret të saj. Interesant është fakti se teksa virusi shpallet armik, një shije antropomorfizimi qarkullon në ajër, e që ndoshta do të ishte e vetmja gjë që do e mbante në këmbë një kuptim të virusit si armik. Nga ana tjetër, mase jo antropomorfizim, qoftë edhe metaforik, duket sikur midis jetës së virusit dhe vdekjes së njeriut ndodh një lloj njëjësimi ku virusi bëhet njeri dhe njeriu virus, sigurisht, për njeriun tjetër. Megjithatë, le të vazhdojmë me temën e shpallur.

Sipas Carl Schmitt-it, koncepti i armikut karakterizohet nga dy atribute themelore. Armiku vë në diskutim një mënyrë të qeni dhe shpreh vullnetin për ta shkatërruar atë. I kuptuar kështu armiku shpreh esencialisht politiken, të cilën Schmitt e identifikon nëpërmjet antagonizmit thelbësor që e karakterizon, pra atij mik-armik. Për ta ndarë e dalluar kategorinë themelore të politikës nga ato estetike, morale, ekonomike, fetare, etj., Schmitt-i përcakton se ndryshe prej antagonizmit ekonomik midis fitimit dhe humbjes, atij estetik në tensionin midis së bukurës dhe së shëmtuarës dhe atij moral që qendërzohet dhe polarizohet tek e mira dhe e keqja, politikja si kategori themelore e politikës karakterizohet nga antagonizmi mik-armik. “Konceptet e mikut dhe armikut duhet të kuptohen në sensin e tyre konkret dhe ekzistencial, jo si metafora apo simbole, jo të përziera apo të dobësuara nga konceptime ekonomike dhe morale apo të tjera, e akoma më pak në ndonjë kuptim privat-individualist si shprehje psikologjike e tendencave dhe emocioneve private.”[2] Kështu, pasi zbulon terrenin e posaçëm politik, ai autor tregon se mënyra e të qenit dhe ngulmimi në vazhdimësinë e saj dhe në të, përcaktojnë përmbajtjen e politikës. Prandaj armiku është gjithmonë ai që e vë në diskutim dhe ka vullnetin ta shkatërrojë atë. Pra, kuptojmë se për Schmitt-in politika është eventuale dhe jo lineare. Kur mundësia e konfliktit fizik dhe zhdukjes ekzistenciale të armikut bëhet e mundur (e mundësia vlen aq sa konkretizimi), kemi politikë.

Megjithatë, Schmitt thekson se do të bënim gabim të madh nëse do të harronim aspektin publik të armikut. Për të, armiku nuk është kurrë personal, por i referohet publikes që përmbledh, bashkon dhe ndahet nga kolektiviteti. Kështu, armiku vë në diskutim ‘frymën’ që përshkon këtë publike specifike, si mënyrë e të qenit të kolektivitetit, e si i tillë, është domosdoshmërisht publik edhe vetë. Duhet bërë e qartë se armiku schmittian nuk merr kurrë nuanca instrumentale, pra, nuk duhet të themi se për të patur politike duhet armiku, por që kemi politike sepse kemi armik.

Thënë këtë, duhet të pranojmë se në një kuptim virusi është armiku më publik i mundshëm për nga shtrirja e rrezikut, por në asnjë rast nuk i përmbush kriteret e konceptit. Edhe kjo publike ka të bëjë më tepër me të qenit në qiell të hapur aq sa edhe brenda çdo operacioni të thjeshtë frymëmarrjeje në hapësirën më private të mundshme, por jo në kuptimin politik të publikes. Ndryshimet në mënyrën e jetesës që po ndodhin këto ditë nuk mundësojnë një antropomorfizim të virusit përsaqë ai nuk shpreh as vënien në diskutim të mënyrës së të qenit dhe as vullnetin për të shkatërruar atë. Pra virusi, nuk mund të cilësohet si armik në këtë kuptim të fjalës. Efekti i tij është vdekja dhe jo shkatërrimi i mënyrës së jetesës. Në kushtet e përballjes me armikun klasik, vdekja është më e pranueshme se sa dorëzimi i mënyrës së të qenit dhe historitë e popujve e kanë treguar këtë. Nga ana tjetër, ndoshta s’ka ekzistuar ndonjëherë ndonjë armik që synon specifikisht shkatërrimin e qenies njerëzore përtej çdo konfiguracioni të mënyrës së të qenit. Një armik i tillë, nëse do të donim ta quanim kështu, nuk mund të jetë tjetër veçse transhendent. Me armik transhendent duhet të kuptojmë një që ka synim të vetëm zhdukjen e species njerëzore (në këtë rast) si të tillë.[3] Në vend të virusit mund të ishte edhe një entitet alien, pra totalisht i pakategorizueshëm me kategoritë tona. E përsëri, edhe në këtë rast, do të duhej një ngarkesë ndërgjegjësore deri në kufirin e vullnetit të vetëdijshëm për ta quajtur virusin armik transhendent, gjë që na kthen në kushtet e antropomorfizimit si pikë referimi. Prandaj duhet të themi se tashmë jemi në kushtet e dorëzimit të mënyrave të jetesës për t’i shpëtuar vdekjes. Koncepti schmittian i armikut nuk bën punë dhe ndoshta asnjë kuptueshmëri tjetër e termit. Duke thënë se virusi nuk mund të jetë armik, po themi se armiku nuk është virus (edhe pse mund të ketë lidhje me atë). Për këtë arsye, përdorimi i termit është i gabuar, duke marrë me vete në vorbullën e paqartësisë së regjistrit që përdor media dhe politika teksa i drejtohet popullit përsa i përket virusit, koncepte dhe ide që në kohë si këto mund të na ndihmojnë të mendojmë e të veprojmë më mirë mbi politikat dhe dimensionet sociologjike, psikologjike, teknike e gjeopolitike që kryqëzohen tek ato.

(c) 2020, Damian Alia. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Slavoj Žižek, Virus, Ponte alle grazie, Milano, 2020. Teksti i Žižek-ut meriton një shkrim të posaçëm sidomos për vënë në dukje pesimizmin e thellë dhe kontradiksionin e qëndrimeve të tij, gjë që esencialisht tregon vështirësinë që paraqet qasja ndaj situatës së virusit në raport me mendimin teorik në përgjithësi.

[2] Carl Schmitt, Le categorie del politico, Concetto di ‘politico’, Il Mulino, 1972, f. 110.

[3] Në lidhje me këtë koncept mund të mendohet fenomeni i nazizmit dhe kampeve por një shembull i tillë nuk mund të bëhet pa kërkime dhe reflektime të thella e serioze. Megjithatë, rëndësia e një koncepti të tillë na shërben në aspektin teorik si kufi negativ i konceptit schmittian të armikut, në mënyrë të tillë që kthjellësia dhe realizmi i tij të mos humbasë në kritikat që shpesh e keqkuptojnë dhe deformojnë.

8 Komente

  1. Ky eshte tipiku I shkrimit qe ngre probleme te rendit “fshati digjet, kurva krihet”. Pra vec problemit racial qe shkaktohet nga quajtja e virusit “virus kinez” tani poçat e ndritur te PC po na thone qe s’mund ta quajme as armik, se na ofendohen armiqte. Eh te kishim dy bythe… tha njëri.

  2. LOJËRA ME DHE PËR LITAR

    Peshkatarë absurdë më vijnë ndër mend, –
    që e joshnin më parë peshkun me kokrra misri të shkoqura,
    që gjuanin vetëm me ca filispanja e ndiznin zjarr në breg
    dhe e gdhinin duke pritur ashtu,
    meqë natën ”i binte” më shumë, thuhej,
    me grepa të bërë vetë, që pinin cigare ”Partizani” pa filtër,
    burra të martuar me gra mëse normale,
    shpesh me një tufë kalamajsh,
    e që peshkimin e kishin fiksim, –
    ata peshkatarë absurdë më vijnë ndërmend,
    ndërsa po ”kojnë” vendin,
    po hedhin përmbajtje arkash të blera me paratë e fundit
    te dyqanet aq të zakonshme ”Fruta-Perime”,
    asokohe aq të zakonshme, tani gati të papërfytyrueshme,
    tek hedhin misra të tërë brenda, rrush, arka me qershi, –
    ata peshkatarë absurdë më vijnë ndër mend
    dhe papritur ndërmendem:

    ”Luaj vendit! Paska qenë e vërtetë!”
    – dhe trembem, bëhem keq.

    Pastaj me radhë:

    Paska qenë e vërtetë kur rrahën në hyrje të pallatit
    nuk e di sa vetë nuk di më kë intelektual.
    Paska qenë e vërtetë kur u hodh nga kati i katërt
    vajza e dikujt që nuk ia mbaj më emrin.

    Aty pranë banonin edhe peshkatarët,
    ndofta paskan qenë po ata që rrahën a u rrahën,
    që hodhën a u hodhën në ujët e llurbët të Liqenit Articial
    filispanja, grepa të bërë vetë, fruta dhe perime,
    për të zënë ca peshq që s’i hante as dreqi,
    që i nxirrnin në breg, ku u gëzoheshin për disa çaste
    qenies së tyre në stere, për t’i hedhur a për t’u hedhur vetë
    prapëseprapë në hyrje të pallateve,
    për t’i rrahur, për të ardhur në vete pastaj,
    e për të hedhur a për t’u hedhur
    bashkë nga dritaret me plehrat,
    meqë sidoqoftë nuk ngrinte aspak peshë kjo e tëra
    në një kohë kur ende nuk kishte hyrë plastika, konservat,
    dhe mbetjet, ato pak që ishin, ishin të natyrshme,
    mbetje natyrore, të gjalla mbase a të vdekura,
    por më shumë ka të ngjarë të kenë qenë
    në zonën e ndërmjetme midis tyre,
    si peshqit në stere: jashtë, por me sytë e hapur
    nga ëndrra me ajër e me qiell e nga absurditeti,
    nga absurditeti i bamirësve të tyre, peshkatarëve,
    që kur u tërhiqnin litarin ishin e kundërta e vetes së tyre,
    kur i lironin dhe i hidhnin në ujë dhe u hidhnin për të ngrënë.

    Peshkatarë absurdë më vijnë ndër mend,
    tek më duhet sërish të luaj vendit me varje:
    tërhiq e mos e këput pra.

    Ndërkohë që ka shumë lojëra
    me litar dhe për litar
    mu si peshkimi.

    © Arb Elo

  3. BALLGJËRËT

    Të kujtohet si duhet liqeni, anëve ku shkonim kur qemë fëmijë?
    Ku këndonin gjinkalla e bretkosa e ofshanin drizave aty pranë
    ca çifte pa shtëpi? Ku laheshim në verë, kur më s’durohej vapa
    e ku, më shumë se laheshim, bëheshim pis? Me hije të ngrata
    e shkurre të gjata e dherishte të thata për brigje, me të shkreta
    ngjyra, ranishte të zbehta e shtigje ku na thernin ca gjembaçë
    dhe na vinte turp nga shoshoqi të klithnim nga dhimbja, ngaqë
    këtë nuk e përmbante gallata, ndaj e duronim atë me lot në sy
    e qeshnim me zor, gagaçë mu si karasët, peshqit e hedhur aty,
    ballgjërët kinezë, që shijonin flashkët, ngaqë nuk shijonin fare,
    kur i kapnim e na kapnin e na ngërdhesheshin në grep, me sy
    të zgurdulluar nga fati që u sosej, për fat të mirë, aty (kësisoj,
    u bënim nder atyre e na bënin nder ata, taraf i pastër familjar,
    – po e përmend këtë fjalë me bukë: taraf, se rimon me enough
    siç peshku me limonin, por edhe që të bëjë kthesë nostalgjia,
    kah disheza) te tatëpjeta aty, që na shplodhte, nga njëra anë, 
    se s’duhej gaz për të, por na i këpuste, nga ana tjetër, frenat,
    e rrëzoheshim shpeshherë kur rendnim dhe na vriteshin paq 
    gjunjët, qanim me atë rast edhe lotët e kursyer, të gjembave,
    mësimet e para në përunjësi, aq më tepër që s’kërkohej falje?

    
Pallate janë ngritur anash më pas, të thata, të gjata, të ngrata,
    mu si dënesat tona – të bukura ndoshta – asokohe, nga tanët,
    nga dora jonë si ca gishta, që s’merren vesh në thonë: rehat,
    lermë rehat se s’ta kam ngenë tani se më dhemb, më dhemb,
    apo zonë chill out; u ngjajnë ato, pak a shumë – në arkitektura 
    na paskësh qenë ndonjëherë një gjest i heshtur dirigjimi përkah
    tatëpjeta muzikore e natyrës – u ngjajnë pra gjesteve me gishta,
    disa tregues në buzë: sus, a të tjerë mesi laemëlart, a përposh,
    dy të tillë si bigë më demokratikë, ndonjë kanosje sa për sport,
    ndërsa goditjen madhore, atë të lukthit, s’ke pse e kërkon vetë,
    tatëpjetën aty e ke e as nuk ke pse ia bën vetes në këtë moshë.

    
Në kohët tona s’ke as pse lodhesh deri atje poshtë, kudo qofsh
    tani o mik, në Europë a në Amerikë, në paç drita dhe një ekran,
    thjesht shtyp sustën on, por edhe në mos i paç këto, a i do tash
    peshqit prej deti e jo më ballgjërin e batakut, e do gjallë gjënë, 
    live, Tiranën do shohësh falas në çdo kanal bardhezi të shtratit,
    se ngjyra s’ka ai aparat e më mirë kështu, ngaqë të shfaqet falas,
    befas e pa paralajmërim roja i kufirit e i arratisuri keq vetë i dytë
    ditën e mbrame, e njëri nga ata je ti, gagaç tanimë mu si karasët, 
    peshq të kapur me grepin e vjetër, ballgjërët me shije të amësht, 
    syshqyer nga ndjesia që zgjohen, për fat, po aty ku ranë, në krye.

    © Arb Elo

      1. Arb Elo, mbase do te ishte me mire te bisedoje me administratoret per t’i nxjerre me vete. Paraqitja do te ishte me e mire dhe vemendja mjaft me e madhe dhe me e “specializuar”. Dyshoj shume se do te kete lexues te perhershem e besnike te letersise qe do te kerkojne te gjejne krijime te mira si komente pas nje refleksioni per virusin. Mendimi im…

        1. “Arb Elo, mbase do te ishte me mire te bisedoje me administratoret”…
          Ose mund te bisedoje edhe me ndergjegjen me se pari, se ndoshta eshte me e udhes te mos e ndohtesh e parazitosh shkrimin, i çdo lloji qofte, i kujtdo qofte, me “kreacionet” e tua litar te gjata, per te cilat, pertej çdo gjykimi cilesie, nuk eshte se shprehu njeri ndonje deshire me kembengulje.
          Dhe shkembimet “hidh e prit” ketu me siper mes nofkash qe njohin njeri/a-tjeri/n (Ah, ti qenke? Ok, jo thashe, se paske ndryshuar ca! Po jo, shume mire, vazhdo keshtu…”), nisur nga komenti i vrazhde e i paedukate qe ne fillim, bere me teper ne kete faqe, jane shenje e trishte e nje rrenimi qe mendonim se do ta kishte kursyer kete vend te pakten.
          Jeton njeriu dhe pa mbushur kutizat me komente: nuk eshte as detyrim, as e drejte themelore, qofte edhe ne kohe karantinimi.

Lini një Përgjigje te LyssAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin