SHAHU DHE SHKOLLA

nga Zija Vukaj

I përfshirë nga kampionati lokal i shahut për shkollat e arsimit parauniversitar, po thosha me vete: “Vetëdija dhe inteligjenca janë larg e larg. Këtë e kupton kur të mund në shah një fëmijë 10 vjeç”. Ky përimtim më bëri të ripostoj shkrimin e mëposhtëm për ndonjë durimtar që ka durimin ta lexojë.

Kohë më parë qe hedhur dhe mbrojtur ideja e futjes së lojës së shahut nëpër shkolla. Na u duk ide mjaft e mirë dhe e realizueshme, pasi orët që do t’i kushtoheshin këtij sporti mund të vendoseshin brenda planeve mësimore të fizkulturës apo në formën e një moduli brenda spektrit kurrikular, i cili është mjaft i larmishëm, deri në tepri. Për shembull, është futur një modul për baletin, një për teatrin, një për muzikën, që nuk është as muzikologji, as teori, as solfezh, por thjesht një mori informacionesh kulturologjike, siç janë edhe për artet pamore etj., etj., thjesht dhe vetëm në trajtime eksperimentale në frymën e maketeve që zëvendësohen çdo vit për arsye mosfunksionimi dhe paqartësie përzgjedhjeje, qoftë në aspektin burimor e shkencor, qoftë metodik e pedagogjik. Duke gjykuar për këtë kulturë, që quhet “loja e mbretit”, por që në fakt vështirë të përkufizohet, m’u kujtua meditimi që bën Stefan Cvajgu te “Novela e shahut”:

“Shahu është e vetmja nga të gjitha lojërat që ka shpikur njeriu që nuk është pjellë e rastit, po kurorëzohet me dafinat e lavdisë në sajë të zgjuarsisë ose të një forme të veçantë të mendjes që quhet talent. Por po ta përcaktonim shahun me fjalën “lojë” a nuk është diçka fyese? Mirëpo shahu nuk është as shkencë, as art, por qëndron midis këtyre dy koncepteve si arkivoli i Muhamedit që qëndron midis qiellit dhe tokës. Në këtë lojë shkrihen koncepte që janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Kjo lojë është e lashtë dhe e re njëkohësisht. Në themel është diçka mekanike, por vepron nëpërmjet fantazisë, është e kufizuar në një hapësirë të ngushtë gjeometrike dhe njëkohësisht është e pakufishme në kombinimet e saj; zhvillohet gjithnjë dhe është krejt shterpë; është një mendim pa rrugëdalje, një matematikë që nuk llogarit asgjë, një art pa vepra, një arkitekturë e ndërtuar pa lëndë arkitekturore. Megjithatë, shahu u ka bërë ballë provave të kohës më shumë se gjithë librat dhe veprat. Kjo është loja e vetme që u takon gjithë popujve dhe të gjitha periudhave historike. Askush nuk e di si quhet emri i asaj perëndie që e solli atë mbi tokë për t’u larguar njerëzve mërzitjen, për t’ua holluar ndjenjat, për t’u kalitur shpirtin! Ku është fillimi dhe ku është mbarimi? Rregullat e shahut mund t’i mësojnë fëmijët, pas kësaj loje tërhiqen edhe amatorët, njëkohësisht në fushën e tij të ngushtë me katrorë lindin mjeshtër të jashtëzakonshëm që nuk mund të krahasohen me të tjerët.”

Duke parë punën tonë, mësimdhënien, qëllimin final të saj, formimin e brezave, objektin dhe subjektin tonë, nxënësin, mendoj se përcaktimi i Cvajgut natyrisht që është artistik dhe subjektiv dhe efekti i shahut nuk është ndonjë shkop magjik as ndonjë ilaç çudibërës që vepron direkt, por në morinë e përpjekjeve që ne bëjmë për të formuar botën e ndërlikuar të njeriut të ardhshëm kjo kulturë mund të ndikojë në mënyrë indirekte në temperamente të ndryshme. Së pari, shahu ka ca rregulla shumë strikte që nuk të lejojnë të hysh në botën e tij pa i mësuar dhe impakti i parë me këtë sport është ndeshja e njeriut me rregullën. Ndeshja me rregullën kultivon drejtësinë dhe përjashton mashtrimin i cili në këtë sport nuk njihet as si dukuri. Ndeshja me rregullën i mëson njeriut humbjen, që është mësimi më i madh; që është edhe kurora e mitit të Sizifit. Së dyti, shahu është një garë individuale, një betejë mes vetes dhe labirinteve pafundësisht të ndërlikuara të skakierës, të atij universi që duhet parë e lexuar me vëmendje. Së treti, duke qenë një lojë që krijon iluzione optike, që ofron pamje që nuk e kanë thelbin si dukjen, që nuk mund të kuptohen me një shikim dhe nxitimi në lëvizje të çon në përfundime të gabuara dhe në humbje, kjo bëhet një mënyrë e mirë për të kultivuar tek njeriu shmangien e leximit të sipërfaqshëm të realitetit, edukon thellësinë e mendimit, dëshirën për të zbuluar thellësitë e gjërave. Konfiguracionet e çuditshme dhe kombinacionet e pafund, virtuale dhe reale që ofron loja magjike e shahut mprehin shikimin e njeriut deri në përsosje. I hapen shtigje të pafundme fantazisë dhe shikimit krijues të njeriut. Kemi pasur përvoja të këndshme e befasuese nga lënda e stereometrisë, kur të gjithë jemi ndodhur para së njëjtës figurë gjeometrike, kemi zgjidhur në të njëjtën mënyrë mediokre të gjithë njësoj një ushtrim, kemi marrë madje edhe atë dhjetën mediokre sa për dëftesë, por vetëm njërit ia ka kapur syri një formë a zgjidhje krejt tjetër, që shpesh ka befasuar edhe profesorin. Dhe ky është nxënësi kreativ. Kështu ndodh edhe në shah. Po kështu ndodh edhe në realitet.

Meqë shahu vjen nga kulturat e lindjes, më pëlqen të kujtoj një term nga mistika islame që i përshtatet kontekstit- “gajbi”. Gajbi është e vërteta që nuk shfaqet në sipërfaqe, që nuk shihet as kuptohet me shikime të cekëta. Aq sa është e bukur dhe tërheqëse loja e shahut, aq magjike bëhen meditimet rreth saj. Po të mendojmë pak për figurat. Ushtari është simboli më i qartë dhe i bukur i sakrificës, është aty ku ndodh konflikti, ku zhvillohet sulmi. Dhe vetë koncepti i sakrificës merr një kuptim filozofik në raport me dinamikat dhe fantazinë që shoqëron këtë lojë. Sa më e vështirë, paradoksale, e papritur dhe e pagjasë të jetë fitorja, aq më të mëdha duhet të bëhen sakrificat. Gati si në jetë. Dhe ushtari i shahut shpesh herë e realizon ëndrrën e ushtarit të ushtrisë klasike për t’u bërë gjeneral. Ndërsa dama ose mbretëresha duket sikur ka ardhur nga matriarkati. Fuqia e saj është madhore. Dama është përcaktuesja e fatit të lojës, teksa mbreti, që është ontologjikisht i ndryshëm, ka vetëm heraldikën institucionale të mbretërisë dhe shërben për të njohur zyrtarisht fitoren apo disfatën.

Kur shpreh mendimin që loja e shahut të futet në shkolla mund të më kundërshtojë gjithkush me argumentin se kjo kulturë nuk ka një funksion utilitar, praktik, pragmatist etj. Dakord, por kjo ndodh edhe me poezinë. As poezia nuk është se ka ndonjë funksion utilitar. Pra leximi i një poezie nuk të bën mekanik as bujk, as punonjës administrate, por funksioni i saj është estetik, i tërthortë, i padukshëm dhe hyn në lojë vetëm në rastin kur individi, si qenie sociale dhe jo thjesht biologjike dëshiron të përsoset shpirtërisht.

 

© 2020, Zija Vukaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Autori i shkrimit, Zija Vukaj, është mësues letërsie, përkthyes dhe studiues: ka shqipëruar mbi 10 vepra nga letërsia e huaj. Dashamirës i përjetshëm i shahut.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin