E VËRTETA IME LAKURIQ

Nga Robin Korth

 Ja ku jam, lakuriq përpara pasqyrës. Me përpjekje të vetëdijshme largoj nga mendja çdo përfytyrim që kam për veten. Hap sytë dhe kqyr me kujdes trupin tim. E vërteta më trand zemrën; nuk jam më një grua e re. Jam dikush që tashmë ka bërë jetën e saj. Trupi im është dëshmitar i të gjithë atyre viteve që kanë kaluar duke bartur shpirtin tim përgjatë gjithë jetës sime.

Jam një grua pesëdhjetë e nëntë vjeçe me shëndet të shkëlqyer dhe formë shumë të mirë fizike. Jam 1.75 cm e lartë dhe peshoj 50 kg. Prerja e xhinseve dhe e të linjtave të mia është 38 dhe duhet ende kohë që gjinjtë e mi të mbërrijnë te kërthiza. Në të vërtetë edhe sot ato e kanë ca të vështirë që të mbushin kupat e gjimbajtëses të masës B. Kofshët e mia nuk janë më të buta kadife dhe vithet e mia kanë marrë gropëza. Krahët e mi janë ca të mbrydhët dhe lëkura shfaq pasojat e rrezeve të diellit. Beli im i ndulkët nuk është i përkryer dhe barku ca i lëshuar është trashëgimi e një operacioni cezarian, që i ka hequr rrafshësinë por që më ka dhënë mua një djalë.

Përse ky shqyrtim i ashpër i trupit tim? Sepse për mua është koha të ndreq dëmet e shkaktuara nga kultura ime, nga frika ime e fshehtë dhe t’i blatoj pak dashuri shpirtit tim të plagosur. Kishte ardhur koha që t’i kthej tek unë e t’i bëj të miat çdonjërën nga blanat e tij dhe çdo centimetër katror të këtij trupi të pa përkryer, të këtij trupi të cilësuar ca kohë më parë si « mjaft i rrudhur » nga një burrë që ishte tërhequr nga energjia ime jetësore dhe shpirti im, por që nuk deshi të vërtetën time krejt lakuriq. Quhej Dave dhe ishte 55 vjeç.

U njohëm bashkë në një sit takimesh në linjë. Dave ishte një burrë interesant, një zotni i vërtetë dhe shumë inteligjent. Ne kapeshim nga duart dhe na pëlqente të bënim shëtitje të gjata me biçikletë. Ai duhej të bënte një rrugë të gjatë që të vinte të më takonte. Gatuante gjellë të mrekullueshme dhe e adhuronte qenin tim. Më tërhiqte së tepërmi dhe ndjeja padurim që ta njihja në mënyrë intime. Dora-dorës planifikuam të kalonim një fundjavë së bashku, si një çift të dashuruarish. Dhe aty ndodhi që gjërat u bënë të ngatërruara, mbetën të pashprehura dhe aspak të qarta. Ne ramë në një shtrat, lakuriq dhe ngjitur me njëri-tjetrin. Shkëmbyem shumë puthje dhe fjetëm në krahët e njëri-tjetrit. U përpoqa fort që të shkaktoj një intimitet edhe më të madh përgjatë asaj fundjave, por ai çdo herë më bënte ta hiqja nga mendja një gjë të tillë.

Të hënën që pasoi, gjatë një bisede telefonike, i kërkova atij burri, me të cilin kisha ndarë shtratin tre net me radhë përse nuk bëmë dashuri. « Trupi tënd është shumë i rrudhur », m’u përgjigj pa e zgjatur shumë. Prej vitesh dëfrehem me gra më të reja. Ti, thjesht nuk më ngjall dëshirë. Më pëlqen energjia dhe humori yt. Dua shpirtin dhe zemrën tënde. Por nuk arrij dot të dua trupin tënd».

U shastisa. Dhimbjen do ta ndjeja më vonë. E pyeta qetësisht e me kujdes nëse i dukej e zorshme të shihte trupin tim. Ai m’u përgjigj se po. Pra, ti po më thua se të më shohësh lakuriq është e sikletshme për ty, e pyeta. M’u përgjigj se ai thjesht i kthente gjetiu sytë. Pastaj, kur dritat qenë shuar, ai përfytyronte se trupi im ishte ai i një gruaje më të re, pra që unë isha më e re. M’u zu fryma dhe prita disa sekonda që të gëlltisja një informacion të tillë. Ndjeva fytyrën të më digjte nga angështia dhe turpi që me aq lehtësi isha shfaqur lakuriq para tij, gjatë asaj fundjave.

Vazhduam të fjalosemi, por isha gjithnjë e tronditur nga natyra e asaj bisede. Ai më fliste për geta dhe veshje të veçanta për të « fshehur » moshën time. Pa u bërë merak fare ai më shpjegonte se sa shumë i donte “petkat e vogla të zeza” dhe këpucët me takat e rripa të hollë. Më tha se flokët e mi nuk ishin të gjatë e të shpupuritur, siç i pëlqente, por kjo nuk prishte punë, se flokët e mi i dukeshin “cool”. Ndihesha si një Barbi nën efektin e një doze LSD-je, ndërsa dëgjoja atë burrë. Ishte tërësisht i pavetëdijshëm për vrazhdësinë e fjalëve të tij. Më kishte shndërruar në një send që e veshin dhe e sajojnë sipas qejfit me qëllim që të përkojë me kriteret aq të veçantë të asaj që duhet të jetë përkryerja seksuale femërore. E mbylli duke thënë se tani që unë e dija se çfarë priste prej meje, ne mund të kënaqeshim së tepërmi në dhomën e gjumit. I thashë, jo. As që bëhej fjalë që unë të kaloja përtej trupit tim. Nuk do të pranoja të vishja rroba që do ta bënin trupin tim më të “pranueshëm” në sytë e tij. Nuk do të filloja të zhvishesha në errësirë apo të bëja dush me derën e banjës të mbyllur. Nuk do të pranoja të zvogëlohesha për të, apo për cilindo qoftë, xhanëm. Trupi im është i mrekullueshëm dhe ai është krejtësisht i pandarë nga shpirti dhe zemra ime.

Kur i thashë se nuk doja më ta shihja dhe as të dëgjoja për të, ai u turbullua dhe u ankua se po ngrija një mesele të madhe për një gjësendi krejt të patëkeq. U qa se veçoja një pjesë të vogël të marrëdhënies sonë dhe i jepja asaj një rëndësi që nuk e kishte. As që u përpoqa fare t’i shpjegoj tronditjen dhe lemerinë që më kishte shkaktuar. Dhe ishte pas kësaj telefonate që unë shkova në dhomën time të gjumit dhe nisa të zhvishem qetësisht.

Ndërkohë që vështrohesha në pasqyrë, me kthjelltësi dhe guxim, unë qasja në veten time çdo centimetër të trupit tim, me dashuri, nder dhe kujdes të thellë. Ky trup jam unë. Ai ka bartur shpirtin tim dhe në të ka rrahur zemra ime gjatë gjithë jetës. Çdo rrudhë e çdo cen është një medalje e të jetuarit tim dhe e jetës që kam dhënë. Me lot në sy përqafova veten time. Falënderova zotin për këtë dhuratë që është trupi im dhe jeta ime.

Dhe falënderova edhe atë tip të trishtë të quajtur Dave, që bëri të sjell në mendjen time se sa të shtrenjta më janë këto.

……..

Përkth: D. Kokonozi

R. Korth, është e njohur në botën e biznesit, konferenciere dhe autore amerikane. Rrëfimi i mësipërm, është marrë nga Huffpost. Bêhet fjalë për një ngjarje që duket se e ka shenjuar shumë dhe që ajo ka ditur ta japë me një art dhe stil të pazakonshëm. 

13 Komente

  1. E mrekullueshme! Por do të ishte një padrejtësi e madhe të mos vihej në dukje edhe sjellja në shqip në mënyrën më brilante të mundëshme.

  2. edhe mua mu duk i ekzagjeruar reagimi i zonjes. Eshte njesoj si te kesh nje mobilje a mrokell te vjeter elektrike, e do per design dhe vlerat historike qe mbart, por do te perdoresh nje te re. Prandaj e vendos objektin muzeal ne vend te dukshem, ndersa te rene poshte lavamanit per tu perdorur.

    1. Me siguri këtë e ka bërë në sitet e dedikuara. Unë e vlerësova shumë për mënyrën se si i qaset seksualitetit të moshave të treta. Me këtë rast u hodha një sy edhe statistikave dhe të siguroj se mbetesh pa mend.

      Eric Orsenna është një shkrimtar i shkëlqyer, regjisor, antar i Akademisë etj.. Eshtë ndarë prej kohësh nga e shoqja dhe e njëjta gjë ka ndodhur edhe me atin, që sot është 96 vjeç. Para ca ditësh, e dëgjoja të tregonte në radio: Po ecja ngadalë me babain duke bërë muhabet te Kopshtet e Luksemburgut, kur pamë të vinte përballë një grua e bukur. Babai ktheu kokën ta shohë gjithë admirim dhe dikur lëshoi një psherëtimë e tha: ah, sikur të isha nja tetëdhjetë vjeç!

      Interesi besoj nuk mungon as ndër shqiptarë. Sipas llafeve kur arriti aty te mosha 80 vjeç Ali Pasha, mbyllej në hamam dhe thërriste ndonjë oficer të ri e ndonjë çupkë po aq të re dhe duke fërkuar mjekrën e tij, u thoshte: Pa bëjeni një herë ju pastë babai!

      1. Nuk po them qe mungon deshira (qe ulet me moshe ne nje pjese gjithnje e me te madhe sidoqofte.) Ate qe doja te thoja eshte se jam ne nje mendjen me nje aktore Italian qe tha pak a shume “E kam ndare te bej putanen ne te tridhjetat dhe shenjtoren ne te 60tat, se e kunderta eshte shume e veshtire”.

      2. Sinqerisht i vjen vërtetë keq njeriut, kur sheh të bëjnë shaka dhe sillen pa kujdes me një mrekulli si ajo që fati na ka shfaqur për ta shijuar. Rrëfimet e hollësishme dhe krahasimet besoj sikur ja errësojnë sadopak vlerën asaj që na është dhuruar me bujari. Ndonse bëhen në kuadrin e një bashkëbisedimi thellësisht intim midis shokësh, dreqi ta marrë, ato sikur ngjajnë pakë me një lojë fëminore, ose me një dallgë e cila vjen pakujdesëshmëm dhe shkund nga themelet “kështjellën” e ngritur me aq mund e mjeshtëri…
        Sidoqoftë, lus Zotin të mos keqkuptohem në sugjerimin që bëj.

        1. F.A e vlersoj ndjeshmerine tuaj, por nuk ka asgje shqetesuese dhe asnje moskuptim apo keqkuptim edhe ne nderhyrjet e mepareshme te kolegeve. Te pakten une nuk shoh asgje te tille, gjithçka me duket se eshte ne linjen e kodeve te nohura te kumunikimit ketu ne ptf.

      3. Lyss!
        A mund t’më bëni të ditur, zotëri, se çfarë i shton bukurisë mahnitse të tregimit, ky koment që ju bëni? Përse u dashka të merren hua çfardo elementi sqarues për nxjerrjen në pah të vlerave të tij, kur mrekullia e përkthimit, e dhënë me një thjeshtësi të habitshme nuk lë vënd për asnjë diskutim? Shija e tregimit pasi e ke lexuar mund të krahasohet vetëm me atë të një ëmbëlsire të paprovuar. Dhe besoje këtë vlerësim, sepse të vjen nga një diabetik i vjetër, që as vet nuk e di sa kohë ka që e ndalojnë të shijojë ëmbëlsira.

        1. Nje post, veç vlerave intrinseke, gjykohet edhe per potencialin qe ka per te gjeneruar débat (ne kete rast autorja e origjinalit e jo une).

        2. Unë bëra një koment në fillim. Nuk e zgjata komentin, i bindur se cdo fjalë e tepërt rreth tij veç do i cënonte bukurinë tregimit. Zonja Derhemi, duke qënë besoj në të njëjtën linjë shpirtërore gjykoj të komentoj në mënyrë lakonike. Por shejtani, që i prish të gjitha, duket më cyti të bëja një vrejtje më se miqësore, kur dihet, nga keqkuptImet e vogla askush nuk ka parë mirë. Ndaj lusja zotin të mos keqkuptohesha në komentin e dytë. Por nuk qe e thënë…Sidoqoftë nuk do ju bezdis më.

  3. Kulm sinqeriteti i tij, aq me teper kur i tha: Prej vitesh defrehem me gra me te reja!
    Gjykatesi do ti thoshte: E po nuk qenke ti fajtori!

  4. …” I was looking for philia. And she … was lusting.. I was looking for the beauty of mind and not merely that of the body ” – do kete menduar 55 vjecari.

    Aspasi? Apo Circe?

    As njera as tjetra.
    Thjeshte nje krize ekzistenciale, ku ajo menderisht i kerkon trupit te beje fizikisht ate qe bente para shume vitesh.

    Si thote poeti?

    …”Give me the first six months of love
    Before the truth comes spilling out
    Before you open your big mouth
    One of the finest things in life
    Gone on a serotonin ride…”

Lini një Përgjigje te Lyss Anuloje përgjigjen

Këtë e pëlqejnë %d blogues: