KUJDES ME GJUHËN

Me një njoftim zyrtar të hedhur në qarkullim në fund të shkurtit 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë orvatej të përcaktonte, edhe se çfarë fjalësh duhen përdorur, kur të flitet për Covid-19:

Dhe pikërisht:

FLISNI për “njerëz që kanë Covid-19”, “njerëz që po trajtohen për Covid-19”, “njerëz që po e marrin veten nga Covid-19” ose “njerëz që kanë vdekur nga Covid-19”

FLISNI për njerëz që “e kanë marrë” ose “zhvilluar” Covid-19, por:

MOS FLISNI për njerëz që “kanë transmetuar Covid-19”, ose “kanë infektuar të tjerët” ose “po e shpërndajnë/përhapin virusin”, sepse kjo nënkupton “synim” dhe vë faj.

Ideja është që të sëmurëve me Covid-19 (ose pozitivëve) t’u hiqet agjencia në transmetimin e infeksionit.

Shqipja, në këtë prizëm, të lejon të thuash:

Më zuri Covid-19 (njëlloj si “më zuri gripi”), duke ia dhënë agjencinë drejtpërdrejt virusit (po ashtu “më ka kapur”, “më ka mbërthyer”, “sikur po më lehtëson tani”).

Që virusit ose agjentit patogjen i jepet agjenci, kjo do të thotë që mund të përdoret si kryefjalë fjalish me folje veprore; kur themi se “më ka mbërthyer gripi”, nënkuptojmë edhe që gripi njëfarësoj ka pasur vullnetin (dëshirën, synimin, der Wille) për të ardhur tek ne.

Edhe pse, nga pikëpamja thjesht biologjike, e vetmja agjenci që mund t’i njihet mirëfilli një virusi ose bakteri është që të shumohet, duke krijuar kopje të reja të vetes.

Nga ana tjetër, nuk u dashka thënë që “filani” ose “një kinez” ose “një italian” ma ngjiti Covid-19, sepse kjo nënkupton faj për palën tjetër dhe mund të precipitojë në “hate speech” ose diskriminime të tjera.

Edhe shprehja m’u ngjit Covid-19 nga një kinez mund të interpretohet si akuzuese; edhe pse parafjala nga, në këtë kontekst, lejon dy kuptime: atë të agjentit (kinezi ma ngjiti) dhe atë të burimit ose të origjinës (infeksioni kaloi ose u zhvendos nga kinezi tek unë).

Në shqip, ndërtimi Ma ngjiti gripin Ganiu është më i ndërlikuar: Ganiu është agjenti i veprimit (të ngjiturit), por veprimi i tij kalon drejtpërdrejt te gripi (që është kundrina e drejtë, ose objekti i foljes), ndërsa unë, “viktima”, dal në rasën dhanore (kujt? mua), si kundrinë e zhdrejtë e foljes, ose objekt indirekt. Me fjalë të tjera: Ganiu i bën diçka gripit (e ngjit), dhe unë i treti e paguaj. Por edhe kundrina e zhdrejtë nuk do ta shpëtonte këtë ndërtim nga censura e OBSH-së, pa çka se nuk ishte aq synim i Ganiut që gripi të kalonte nga ai tek unë, sa ç’ishte i virusit vetë.

Sikur të mund të kontrollohej edhe virusi vetë, kaq lehtë sa ç’mund të kontrollohet mënyra si flasim për të…

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

11 Komente

  1. Ky termi “hate speech” eshte bere si togfjaleshi “shfaqje te huaja” qe perfshinte gjithshka; qe nga kryqi qe bente gjyshja para se te flinte deri tek pederastia e qe nga mosplotesimi I normes ne ndermarrje tek ngritja e antenes bishtdallandyshe ne tarace. Pritet vetem disidenca massive popullore me ose pa “barseta” te gjata apo pantallona kallabojs.

  2. Coronavirus, rasti klasik i determinizmit linguistik, ose i panikut prej budallallikut. Përfundimisht perëndimi e ka humbur çdo instinkt racionaliteti. Thanks to PC culture and media.

      1. Arben, e respektoj mendimin tuaj si profesionist.

        E megjithatë, nuk i jap dot dum panikut, nisur thjesht nga shifrat. Këtu në SHBA, ka rreth 30-40 mijë të vdekur në vit vetëm nga aksidentet rrugore, nga 30-40 të vdekur nga CVD deri më tani. Megjithatë, nuk kam dëgjuar njeri të propozoj të ndalohet trafiku, apo akoma më keq, cdo gjë.

        Dëgjoj opinionistët nëpër televizione të të thonë “believe in science”, por nuk e di pse të krijojnë përshtypjen se janë duke thënë, “believe in me”. Dhe vetë ideja se politikanët i marrin vendimet bazuar në shkencë, sesa në opinion është të paktën jorealiste.

        Fakt është që shkenctarët janë duke thënë se një vaksin efektive dhe e provuar, nuk do jetë gati edhe për një vit. Atëherë cfarë pritet, që për një vit rrjesht njërzit të jetojnë të mbyllur nëpër shtëpi? Sa realiste është kjo përqasje?

        Nërkohë edhe gjëndja që përshkruani ju në spitale, fare mirë mund t’I dedikohet panikut sesa rrezikut real. Dhe në fund të fundit spitalet për atë punë janë. Përndryshe, unë nuk kam ndërmend ta kthej zyrën apo shtëpinë time në spital edhe kur nuk jam I sëmurë, siç po na sygjerohet.

        1. Ende mbaj mend panikun dhe vemendjen mediatike në 2001 per gomat Firestone. Vertete cdo dite ka qindra aksidente, por jo njeheresh dhe nga NJE shkak i vetem. Nese do zbulohej se cdo makine ne treg ka te njejtin difekt te siguroj qe do te kishte nje reagim me te larte se cka nga vete aksidentet rrugore qe ndodhin cdo dite nga shkaqe te ndryshme. Not the same thing.

          1. Elona,

            Mbase shembulli ishte i gabuar. Por, edhe i krahasuar me raste të ngjashme, reagimi i tanishëm duket tejet i ekzagjeruar. Mund të kisha marrë si shembull swine flu në 2009 që shkaktoi të paktën 150,000 të vdekur brenda një viti në gjithë botën. Nuk e mbaj mënd këtë lloj histerie. Përkundrazi, mbaj mënd që ka patur mirëkuptim, ose common sense.

            E kuptoj që nuk egziston ndonjë panik që mund të quhet racional, sado i justifikuar. Por, sidomos sot, ke një media dhe PC culture që justifikon cdo gjë, në emër të standarteve fallco. 70,000 vetë vdesin nga droga në US, sa e sa nga gang violence, a ku di unë cfarw tjetwr. Por mos e dhëntë zoti të vdes dikush në shtrat nga gripi.

            Thank you very much for the standards, but i want my freedoms back.

        2. Flas për Italinë. Kjo është çështje shëndeti publik. Ndryrja brenda bëhet për të ngadalësuar pikun e epidemisë (dhe sheshuar disi kulmin e saj duke e shtrirë në kohë). Kështu shërbimi shëndetësor publik (se privatët, me ndonjë përjashtim të vogël, janë fshehur në vrimë të miut) do të mund t’i trajtojë të gjithë. Që reanimatorët të mos detyrohen të zgjedhin kë të fusin në shtretërit e terapisë intensive e kë jo (duke lënë të vdesin më të vjetrit e të dobtit). Ndaj edhe KM firmosi aktin e bllokimit të të gjithë Italisë: për të mos lënë as më të vjetrin e pleqve pa trajtimin e duhur mjekësor (bëhet fjalë për “pneumoninë virale primare” se ajo është tejet vdekjeprurëse dhe kërkon javë të tëra në terapi intensive: në sedacion, i intubuar…). Duhet guxim të firmosësh një dekret që zhyt në krizë një vend të të tërë për të paktën 10 vjetët e ardhshëm, në fund të fundit për ca mijëra të vdekur pleq më pak. Dhe KM e pati këtë guxim. Dhe ne që kujtonim se guximi shprehej vetëm me pushkë në dorë…
          Por asnjë liri nuk është cënuar. Nuk jemi në Kinë. Përgjigja e analizës për pozitivitet të koronavirusit i jepet e rezervuar personit (po të dojë, mund edhe të mos t’ia bëjë me dijë asnjeriu!!). Shëtitjet nuk janë të ndaluara, janë vetëm të shkëshilluara.

  3. Ja një shkrim i Endri Shabanit që ia vlen të lexohet.
    Mirë coronavirusi, po injoranca a ka ilaç?

    Megjithatë ajo për te cilën Endri nuk flet është fakti që pasi të kemi mbaruar punë me virusin, dëmet mbi liritë individuale, dhe pasojat ekonomike, sociale, dhe politike do t’i kenë tejkaluar me qindra herë benefitet e mbrojtjes nga virusi, përfshi këtu edhe në çështje të tilla si jetë-a-vdekje

    Kollaj është ta krahasosh COVID-19 me Spanish Flu, por fakt është që jetojmë në dy botë krejt të ndrysme. Nuk ndihmon gjë t’i quash ata që kanë një botëkuptim tjetër nga i yti thjeshtë si injorant. Të paktën, jo pa bërë një përpjekje minimale t’i kuptosh.

  4. Çka duhet patur frikë shumë më tepër se virusi është crash-i ekonomik, që me gjasë do të ndodhë para se të hyjë vjeshta, në mos pa dalë akoma pranvera. Ky ngjan si rrezik i marrë parasysh nga ata që e menaxhojnë virusin dhe shpërndarjen e lajmeve në lidhje me të. Ngan si një ekuilibër i pamundur ky me dy tela që të dredhin njëri më keq se tjetri. Ka një diskrepancë të dukshme mes shifrave që jepen dhe masave të marra kontrolluese, që të lë të dyshosh se ndërhyrja kaq masive në ekonominë e tregut, duke rrezikuar rrethana të ngjashme me periudhat para luftrave botërore, duhet të ketë një shkak më të thellë se një pandemi. Se cili duhet të jetë ky shkak, këtë një njeri i thjeshtë nuk ka nga ta dijë: lajmet janë edhe ato të varura nga institucionet që menaxhojnë shpërndarjen e tyre. Sistemi po implodohet përsëri dhe – pa dashur aspak të shpërndaj pikëpamje të majta – nuk është se shkaqet që shkaktojnë zakonisht krizat ekonomike në kapitalizëm e imperializëm, që janë po ato që e ushqejnë sistemin në kohë të tjera, janë mënjanuar, ato vetëm janë arnuar.
    Kapitalizmi, për të funksionuar, ka nevojë gjithnjë e nga e para për ”tabula rasa”” – në këtë kuptim kriza e tanishme ekonomike, e cila – për mendimin tim – jo vetëm do të thellohet, por do të marrë përmasa katastrofale në një të ardhme shumë të afërt – do të ishte diçka që pritej të ndodhte prej kohësh. Ndërsa pandemia; pandemia është vetëm një alibi për t’i mveshur arsyeve të vërteta një përmasë objektive natyrore.

Lini një Përgjigje te L.A.Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin