KULTURA E PRISHBËRJES

nga Lorjan Agalliu

Më në fund saga e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar duket se po shkon drejt një përplasjeje përfundimtare me pushtetin. Situata i ka të gjitha shenjat e një tërheqjeje taktike ndaj tjetërsimit të pronës publike, për ta kaluar kështu axhendën e prishjes së teatrit në plan të parë, dhe për ta nxjerrë problemin e pronës jashtë vëmendjes së publikut, si një afterthought, ose si një hamendësim, rezistenca ndaj të cilit do të bjerë bashkë me rënien e Teatrit.

Sipas kësaj taktike, debati publik zhvendoset nga mbrojtja e pronës publike te mbrojtja e Teatrit, një kauzë thjesht dhe vetëm kulturore, që tërheq vëmendjen vetëm të një pjese të kufizuar të publikut, i cili interesohet për çështjet e kulturës.

Me siguri, arsyeja që justifikon prishjen e Teatrit Kombëtar në mendjen e asaj elite politike dhe kulturore që e ka marrë këtë vendim ekstrem, është vetë ndërtesa, e cila në formën që ka, të paktën në sytë e tyre, dhe siç deklarojnë në publik, është e papërshtatshme për të qenë Teatër Kombëtar, ndonëse justifikim absurd kur mendon se përdoret nga institucionet kulturore që kanë për detyrë ligjore mbrojtjen e tij.

Në këto rrethana, çfarë u mbetet atyre që vazhdojnë ta mbrojnë teatrin, përveçse të argumentojnë, më kot, në sytë e opinionit publik të kundërtën, pra që Teatri në të vërtet është funksional dhe i përshtatshëm? Por, nëse i hyhet këtij lloj argumentimi, a nuk kthehet ky në një debat shterpë standardesh, për të cilat pala që ka vendosur ta prishë është po ajo që edhe i vendos standardet?

Ndryshe, ata që mbrojnë teatrin mund të pyeteshin se çfarë nuk shkon me vetë argumentin e prishjes dhe ribërjes, e “larjes së hesapeve me të vjetrën” e “të papërshtatshmen” në emër të zhvillimit, si filozofi, dhe si përqasje, sidomos në një fushë si ajo e kulturës? Dhe, pse kjo larje hesapesh shihet si alternativë? Pse konsiderohet si zgjidhja më e mirë? Pse është më e preferuara?

Kjo nuk e ka përgjigjen e lehtë. Sepse, në fund të fundit, të ndërtosh mbi themele të reja, duket qasje më e lehtë, më funksionale, dhe për rrjedhojë, edhe sukses i garantuar. Por, edhe nëse do t’i vinim në dyshim garancitë, dhe të thoshim se prishja dhe ribërja për ndonjë arsye nuk do kenë sukses, përsëri kjo nuk është se do t’i stepë ithtarët e prishjes. Të paktën jo përballë një publiku të lodhur dhe gjysmë-indiferent. Argumenti se kemi të bëjmë me një ndërtese të papërshtatshme, të vjetruar, jo funksionale i sfumon shqetësimet në dukje anësore, mbi kulturën, dhe mbi trashëgiminë. Sepse, të thonë këta, çdo gjë mund të mund të ndreqet, mund të riprishet dhe ri-ribëhet. E thënë më shkurt, s’kemi pse të jetojmë duke mbajtur në kurriz rraqe të vjetra. As kostot e larta nuk kanë për t’i stepur gjë, sepse edhe ato justifikohen, kur përfundimi është diçka funksionale, sipërore. Edhe po të argumentonim se restaurimi kushton më pak, prapë, “so what?” do thoshin pushtetarët dhe elitarët.

Sepse, sado absurd, argumenti i prishjes / ribërjes, është i pranueshëm përsa kohë plotëson një dëshirë e një funksion të qartë, përsa kohë që përkon me një vullnet vendimmarrës, të atij që ka po të njëjtin vullnet për të bërë diçka. Aq sa kundërshtarët mund të akuzohen se vetëm ata që nuk e duan progresin, mund të mos jenë dakord. Nëse nuk më besoni për këtë, s’ka nevojë të shkohet më larg se disa qindra metra nga Teatri, tek Sheshi Skënderbej në qendër të Tiranës, i cili është prishur dhe ribërë, dhe ri-ribërë, disa herë; apo te stadiumi; apo te kinematë e transformuara tashmë në pallate.

Ndaj është e rëndësishme që çështja e Teatrit të ngrihet, përtej Teatrit, përtej funksioneve të tij, dhe shtrohet për zgjidhje në një aspekt më të gjerë, atë të kulturës, dhe historisë. Kështu ndoshta kuptojmë se si formohet kjo kulturë, si akumulohet ajo, dhe si reflektohet specifikisht në arkitekturë. Kjo sepse arkitektura ka një rol të veçantë në kulturë. Umberto Eco në esenë e tij “Funksioni dhe shenja – mbi semiotikën e Arkitekturës” do të shprehet qysh në fillim se: “për aq sa fenomenet kulturore janë në realitet sisteme shenjash, dhe vetë kultura si komunikim, në një nga fushat ku është patjetër më e sfiduar është ajo e arkitekturës.”

Ndaj pyetja se çfarë ndikimi ka përqasja prishëse dhe rindërtuese në arkitekturë, përsa kjo e fundit ka ndonjë lidhje me kulturën, është e lidhur ngushtë me përcaktimin e kësaj arkitekture si objekt apo edhe monument kulture.

Ndoshta në sytë e një pjesë të mirë të publikut dhe të elitës kulturore, kultura nuk perceptohet si diçka e ndërtuar, e akumuluar, e trashëguar, e transmetuar. Ndoshta për to, kultura nuk është ajo që është arritur, por është ajo që synohet të arrihet. Është një progres imagjinar standardesh të ardhshme, dhe sigurisht jonostalgjik, por kurrsesi realiteti i standardeve që jetojnë. Por nëse është kështu, ky perceptim i publikut dhe elitave që e përfaqësojnë, nuk mund të injorohet kollaj, duke e quajtur thjesht keqkuptim a ngatërresë, por duhen gjetur arsyet se përse mendohet kështu. Ç’i shtyn këta njerëz të injorojnë realitetin, qoftë ky edhe kulturor, dhe ta fshijnë këtë realitet për ta zëvendësuar me progresin?

Së pari, ka diçka me procesin e prishjes dhe ribërjes, ose rindërtimit, dhe në vetë nocionin e progresit që nuk pajtohet krejtësisht me atë çka lënë pas. Prishja dhe ribërja, pra rindërtimi, ka qenë një zgjidhje e përqafuar gjerësisht nga elita kulturore dhe politike e Tiranës, përpara se të shfaqeshin Edi Rama, dhe Veliaj. Nëse prishja e të vjetrës dhe ngritja e të resë, do duhej të kishin prodhuar mirëqenie, estetikë, kulturë, atëherë si mund të shpjegohet realiteti distopik urban që na ka mbërthyer?

Në kontekstin ideologjik, zanafillën e prishjes dhe ribërjes si praktikë zhvillimi urban e gjen në Shqipëri, qysh nga fushata kundër kishave dhe xhamive e 1967-ës, i ndjekur në rrafshin social-ekonomik me shpronësimin e plotë dhe pasaportizimin, dhe më pas nga degradimi sistematik i tridhjetëvjeçarit të fundit të çdo lloj trashëgimie arkitektonike dhe urbane, pasojat e së cilës vazhdojmë t’i përjetojmë në të njëjtën valë me ato të shpallura në një tjetër fushë, të terapisë së shokut në rrafshin ekonomik.

Do ishte e lehtë që arsyet e këtij radikalizmi, mohimit të realitetit në emër të progresit, nëse do mund të shpreheshim kështu, t’ia faturonim thjesht ideologjisë, paaftësisë a korrupsionit të individëve që na drejtojnë. Ndoshta shkaqet, sidomos mungesa e respektit ndaj qytetit dhe hapësirës publike janë më të thella, dhe duhen kërkuar duke filluar që nga eksperienca dhe kultura e përgjithshme qytetare deri te moskuptimi i vlerave historike të kulturës dhe arkitekturës prej vetë elitës kulturore.

Atëherë, përse na mungon respekti për realitetin arkitektonik dhe urban të qyteteve tona?

Mbaj mend, si pjesë e brezit të lindur pas 1967-ës (periudha kur nisi prishja e kishave dhe xhamive, por edhe shumë objekteve kulturore dhe tregtare),  dhe i rritur nën diktaturë në një nga qendrat industriale të periferisë urbane si ajo e qytetit të Fierit, një qytet me pak, ose aspak, referenca historike, ta përjetoja çdo ndërtim, çdo objekt të ri në qytet, si një shenjë progresi dhe rritje, ndoshta si për të kompensuar mungesën e strukturës historike.

Ndonëse një qytet në rritje, ndonëse i rëndësishëm si qendër industriale, dhe me një popullatë të konsiderueshme, ndoshta edhe më të madhe se ajo e Gjirokastrës, Beratit, a Korçës, Fierin fare mirë mund ta ngatërroje me qendra të tjera të themeluara mbi strukturën e banesave sociale në shërbim të industrisë përreth tyre si Cërriku, Përrenjasi, apo edhe me ndonjë lagje të Tiranës si Lapraka. Qendrave të tilla, edhe pse rriteshin dhe zhvilloheshin, asgjë nuk duket se ua ndryshonte natyrën e si qytete industriale. Arsyeja besoj qëndron në faktin se këto qendra ishin projektuar dhe ndërtuar për t’i shërbyer një qëllimi të vetëm, që më vonë do t’i kthente edhe vetë banorët e tyre kundër këtyre hapësirave urbane. Ato ishin projektuar si fjetore që i shërbenin industrisë, në të cilën shumica e qytetarëve nuk është se punonim me dëshirë, apo kundrejt një kontrate civile, por të detyruar. Asgjë në qytetin industrial të komunizmit, që nga hapësira më private deri te më publikja nuk i ngjante një vendbanimi njerëzish të lirë. Ky lloj qyteti, më shumë se modelit të qytetit helen dhe athinjot, me agora dhe tempuj, apo qytetit të rilindjes me piazza dhe tregje, i ngjante në tipologji kuarteteve të skllevërve përreth piramidave egjiptiane, të cilat po ashtu ishin ndërtuar në funksion të punës së detyruar, dhe në masë industriale. Banesat sociale të këtij qyteti industrial, përveç funksioneve minimale, më shumë se privatësisë, i shërbenin shumëfishimit të njeriut të ri si krah pune. Këto qytete njihen më shumë për oxhaqet e ndërtesave industriale, sesa për institucionet civile.

Por Fieri, dhe shumë qytete të tjera nuk kanë qenë gjithmonë “të padallueshëm”. Deri para shpalljes së luftës kundër kishave dhe xhamive, vetëm Fieri kish trashëguar një nga tregjet më të mirëformuara nga ana arkitektonike dhe urbane. I themeluar nga familja Vrioni diku nga mesi i shekullit të 18-të, ky treg synonte ngritjen e një qyteti në mes të kryqëzimeve të rrugëve që çonin në Vlorë, Berat, Lushnje, dhe Durrës, dhe ishte projektuar sipas disa burimeve, nga arkitektë francezë, në traditën e arkitekturës së qyteteve të rilindjes mesjetare, së bashku me një sërë ndërtesash administrative dhe objektesh kulti siç ishte Kisha e Shën Gjergjit, apo xhamia e qytetit aty afër, që i kishin dhënë qytetit fizionominë e një qendre urbane të shtresëzuar nga ana kulturore.

Pasojat e ndërhyrjeve (prishjeve dhe rindërtimit) në qytetet shqiptare, si gjatë komunizmit edhe pas rënies së tij kanë qenë dyfishe. Gjatë komunizmit përjetuam shkatërrimin e qendrave urbane të ndërtuara mbi modelin e qytetarit të lirë, dhe më pas zëvendësimin dhe identifikimin e vetë qytetit me një proces industrial skllavërues. Kurse pas rënies së komunizmit, antipatia deri në përçmim dhe urrejtje e banorëve për hapësirat e qytetit industrial dhe fjetoreve, do mundësonte së pari hapjen e rrugës për zaptimin e hapësirës publike si pasojë e ndryshimeve demografike, dhe së dyti do krijonte bindjen se zgjidhja mund te gjendej në ndryshimet progresive mbi strukturën e qytetit. Është pikërisht kjo bindje që solli në braktisjen e plotë të çdo lloj përqasje historike, dhe i hapi përfundimisht rrugën mendësisë progresiste mbi zhvillimin e qytetit.

Të gjitha këto, pasoja të rindërtimit të qyteteve, provuan të jenë fatale për qytetin, për të arritur së fundi deri tek Teatri. Por, të gjitha këto ndodhën përpara se Rama dhe Veliaj të dilnin në skenë.

Por Rama do ta avanconte ristrukturimin, ose ribërjen e qytetit në një gradë më të lartë, dhe në një nivel të pakonceptuar më parë. Ai solli dy risi në ristrukturimin e qytetit. Së pari, trajtimin e arkitekturës në shkallë urbane si art, dhe së dyti përdorimin e arkitekturës si masmedia, që për hir të së vërtetës është karakteristikë edhe e një pjese të arkitekturës fashiste dhe periudhës së komunizmit. Të dyja këto nuk janë pa lidhje me njëra tjetrën por duhet të trajtohen të ndara për të kuptuar më mirë ndikimin e tyre ndaj strukturës së qytetit, historisë dhe realitetit.

Mbi çështjen e trajtimit të arkitekturës në shkallë urbane si art, dua t’i dua të referohem së pari mendimit e Umberto Ecos, i cili në esenë e përmendur më sipër mbi arkitekturën, me të drejtë thekson se arti dhe arkitektura nga mënyra se si i përdorin kodet funksionojnë në mënyra të ndryshme. Sipas Ecos, (dhe po citoj këtu):

E gjithë zgjuarsia e një arkitekti ose projektuesi nuk mund ta bëjë një formë të re funksionale (dhe nuk mund t’i japë formë një funksioni të ri) pa mbështetjen e proceseve ekzistuese të kodifikimit … arkitektura në vend se të evokojë dhe mohojë kodet, sikurse një vepër arti, duke e drejtuar vëmendjen përfundimisht tek vetvetja, do të duhej t’i shndërronte ato në mënyrë progresive, duke deformuar në mënyrë progresive format e njohura tashmë dhe funksionet e referueshme në mënyrë konvencionale në këto forma. Përndryshe, nëse thjeshtë do evokonte apo mohonte kodet, objekti arkitektonik do të bëhej, jo një objekt funksional, por me të vërtetë një vepër arti: një formë e paqartë, e aftë të interpretohet sipas çfarëdolloj kodi.

Nëse i besojmë Ecos, që arkitektura nuk komunikon me kodet njësoj siç bën arti, pra që nuk i evokon as nuk i mohon gjë kodet, atëherë çfarë do të thotë trajtimi artistik që ia bën Rama arkitekturës dhe urbanistikës, qoftë kur përdor ngjyrat, qoftë kur përdor një “marquée” në hyrje të kryeministrisë, apo kur i përdor planet urbanistike më shumë si telajo sesa plane informacioni të strukturuara? Çfarë do të thotë “karshillëku” ndaj kodeve arkitektonike dhe shoqërore, dhe me çfarë përfundimesh dhe rezultatesh? Në fakt këto janë përgjigje që më mire mund t’i japi vetë Rama se vështirë se kodifikohen nga publiku. Megjithatë mund të thuhet me siguri se planet urbanistike, që nga ai francez deri tek planet konceptuale të pyjeve orbitale, janë së pari vepra artistike, që i flasin publikut jo mbi realitetin, por evokojnë mbi vizione; ose mohojnë pjesë të qytetit dhe realitetit ekzistues; ose imagjinojnë hapësira që përndryshe ekzistojnë vetëm në hartë.

Ndërsa Rama është përpjekur të bindë publikun se trajtimi i arkitekturës dhe urbanistikës si art ka në të vërtet ndonjë kuptim, jashtë kontekstit tradicional siç përdoret ky term në arkitekturë, në të njëjtën kohë ka mundësuar praktikën e braktisjes së çdo përqasje historike ndaj qytetit dhe përqafimin e ristrukturimit nëpërmjet krijimit të tabula rasa-s, ose ndryshe “prishjes”.

E vërteta është se Rama e nisi angazhimin e tij me arkitekturën me projekte të vogla si “kthimin në identitet”, apo me tjetërsimin e objekteve kulturore të kryeqytetit, si kinematë Millennium apo Teatri Eksperimental, dhe më pas me suksesin e ristrukturimit të bregut të Lanës si Kryetar Bashkie. Por ajo që mësoi Rama gjatë këtyre projekteve ku arti, kultura dhe arkitektura shpesh ndërthureshin me njëra tjetrën, për aq sa projektet e mëpasshme dëshmojnë, nuk ishte gjë vlera e marrëdhënieve të këtyre fushave me njëra tjetrën, integrimi dhe vlerat historike. Ndoshta ngase marrëdhëniet midis këtyre fushave janë komplekse dhe varen nga konteksti, apo nga se ndoshta Rama thjesht nuk ishte i interesuar. Por, ajo që mësoi me siguri ishte vlera mediatike e projekteve arkitektonike dhe urbanistike, dhe vlera e tyre propagandistike në funksion të politikës, për aq kohë sa vetë diskursi arkitektonik sipas Ecos “aims at mass appeal” (Eco 1968). Një mësim ky që sot përdoret nga pasardhësi i tij, Veliaj, por edhe gjithë shpura e rilindjes deri në lodhje.

Por, suksesi i projekteve fillestare të Ramës, ato që ia ngritën atij profilin si politikan dhe administrator, siç ishin ‘kthim në identitet”, kinematë Millenium, teatri eksperimental, pastrimi i Lanës, nuk ishin projekte që synonin në thelb ndryshime radikale strukturore arkitektonike, por më tepër restaurime, kthimin e këtyre objekteve dhe hapësirave në një gjendje të mëparshme ashtu si publiku i kuptonte dhe imagjinonte ato në kontekstin historik dhe urban. Është e lehtë të shohësh në suksesin e këtyre projekteve vetëm vlerën propagandistike, ndonëse reale, dhe të harrosh ose të mos kuptosh se suksesi i tyre i dedikohej së pari nevojës së publikut për restaurimin e hapësirës publike.

Por përse e ka të nevojshme publiku restaurimin e hapësirës publike, përtej asaj që konsiderohet si nostalgji, dhe përtej propagandës?  Sipas Umberto Ecos, midis karakteristikave kryesore të arkitekturës është se ajo përjetohet pavarësisht nga vëmendja që i kushtojmë, dhe përjetohet gjithmonë brenda kodeve ekzistuese shoqërore, dhe asnjëherë jashtë normave të pranuara. Së bashku me të tjera karakteristika si masiviteti, siguria psikologjike etj, rëndësia e arkitekturës në kulturë imagjinohet se shkon përtej atij të një ‘agjenti të ndryshimit’, apo edhe të një vepre arti. Sipas Ecos, nuk do të thotë se arkitektura nuk është në gjendje të jetë inovuese dhe e aftë për të transmetuar një përmbajtje të lartë informacioni, por arkitektura nuk e bën këtë duke u larguar nga kodet ekzistuese, sepse pa këto kode arkitektura nuk do mund të kishte efikasitet në komunikim. Fakti që arkitektura nuk komunikon si gjuha në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo sikurse arti duke evokuar ose duke mohuar kodet ekzistuese, nuk e bën gjë arkitekturën inferiore, por i jep asaj një rol të veçantë në rrafshin e kulturës, në transmetimin e kodeve të një shoqërie nga një individ apo grup shoqëror tek tjetri, nga një brez tek tjetri, pse jo edhe nga një qytetërim tek tjetri.

Umberto Eco në “TRATTATO DI SEMIOTICA GENERALE, Verso una logica della cultura” ndërsa flet për krijimin e kodeve të kulturës, ndër të tjera merr si shembull njeriun prehistorik i cili përdor për herë të parë gurin si vegël pune. Një përdorim i vetëm i gurit, thotë Eco nuk është kulturë. Të arrish të përcaktosh sesi një funksion i këtij përdorimi mundet të përsëritet dhe të arrish ta transmetosh këtë informacion nga njeriu i sotëm tek njeriu i nesërm, kjo është kulturë.

Besoj se nuk e teproj po të them, me të njëjtën logjikë, se të prishësh Teatrin Kombëtar nuk është kulturë. Por, të arrijmë ta kuptojmë dhe t’ia njohim vlerat arkitektonike që kemi trashëguar, dhe t’ua kalojmë e transmetojmë atë brezave pasardhës të qytetit, është.

 

Referencat:

Leach Neil; Rethinking Architecture – A reader in Cultural Theory, 1997

Eco, Umberto; Function and Sign: The Semiotics Of Architecture, 1968

Eco, Umberto; Trattato di Semiotica Generale, 1975

 

fotoja në kopertinë (c) Neil Ward: https://flic.kr/p/vBL7iA

12 Komente

  1. Arkitektura kur nuk është art, quhet inxhenieri/ndërtimtari a ku do unë tjetër. Kam frikë se ka një keqkuptim të Eco-s dhe thelbi duhet vendosur jo të ndryshimi midis arkitekturës dhe artit, por te kodi. Cfare quajmë kod? Prej këtej mund të shohim që edhe arkitektura, duke qenë art, thyen kodet. Art është Piramida, që, pa këtë qëllim, ilustron tekstin, sepse thyen kodin duke dalë nga aksi i Bulevardit, duke thyer vertikalitetin, duke hapur hermetizmin e fasadës nëpërmjet kombinimit xham/mermer … thjeshtë si shembull.
    P.S. Edi Rama dhe Ripjellja luftohet jo duke mohuar Artin, që do mbetej si copyright në duart e koqes në Kryeministri, por duke e pohuar dhe vlerësuar për atë që është … dmth është art, por art muti, i dhjerë dhe dhjaks. Fasadat e lyera thyen kode, por iu përulen oligarkëve që zaptuan çdo cm të Tiranës.

    1. Romeo,

      Në shkrim mua më intereson pozicionimi i arkitekturës në rrafshin e kulturës, jo patjetër të mardhënieve të saj me artin. Por, kur flas për arkitekturën si art në kuptimin tradicional, e bëj këtë për ta kontrastuar me applikimin si art konceptual, (sjell edhe mendimin e Eco’s ashtu siç e keni karakterizuar ju me të drejtë). Pra nuk flas për arkitekturën si métier, dhe arkitektin si artisan, që është një diskutim krejt tjetër, por flas për raste flagrante si në rastin e sheshit Skëndërbej, kur Anri Sala thotë “when standing at the tip of the pyramid, the citizens find themselves at par with the authoritarian architecture of the past.”. Çfarë kërkon të thotë me këtë? Që arkitektura e së kaluarës u bë gjë më pak totalitare(sic!) për shkak të piramidës së sheshuar? Apo që qytetatri kur hipën në majë (tip) kthehet menjeherë në objekt, disi i krahasueshëm me vetë arkitekturën? Unë s’e kuptoj për vete! Por, sipas meje ky lloj konceptualizimi nuk ka të bej fare me funksinalitetin e sheshit, përshebull të një qytetari që ka një destinacion nga një pikë A në një pikë B, dhe as me funksionalitetin e objekteve në shesh. Dhe zor se ka ndonjë që e percepton sheshin në realitet ashtu siç e përshkruan Sala.

      Kur flas për ndryshimin midis artit dhe arkitekturës e vë theksin gjithashtu tek praktika e planifikimit urban. Për shembull, plani francez, apo pylli orbital, dhe projektet e tjera të rilindjes urbane jo vetëm në kryeqytet, janë të gjitha projekte artistike, jo urbanistike, dhe smerren fare as me historinë as me qarkullimin, as me realitetin. Ndërkohë që ristrukturimi i qytetit, ose c’strukturimi po qe se e kuptojmë si prishbërje, vazhdon po njëlloj.

      Unë mendoj në fakt se është e mundur një përqasje historike në zhvillimin e qytetit, ndaj edhe shkrimi. Kur të kem kohë dhe mundësi, do e trajtoj në vijim.

      1. LA e kuptoj qëllimin e shkrimit dhe është mëse i domosdoshëm për të hapur diskutime paksa më të përthelluara sesa ato që ofron hapësira shqipfolëse zakonisht. Por, duke qenë se e kam hasur shpesh keqkuptimin e “artit të arkitekturës” (vetëm nëpërmjet këtij togfjalëshi përcaktohet në Encyclopedia Britannica), jam disi i ndjeshëm mbi çështjen. Kur pastaj ti merr si shembull (me shumë bujari do të thoja) arti konceptual veprën e Anri Salës në sheshin Skënderbej gjëja bëhet edhe më interesante. Dhe është ekzaktësisht çka shtjellon në shkrimin tënd që bën të mundur të kuptuarit e ndryshimit midis artit të arkitekturës dhe abuzimit dhe spekulimit ndërtimor e financiar. Shkurt: nuk ka art pa kulturë! Arti domosdoshmërisht ushqehet prej kulturës dhe nuk është e nevojshme të jetë kulturë e përgjithshme … mund të jetë edhe thjeshtë diçka që artisti kultivon (Art Naif për shembull, ose arti i disa të çmendurve që na ka përcjellë historia e artit). Por arti, quhet art, vetëm kur kapërcen caqet e kulturës, hap dritare të reja prej saj, shtyn caqet, apo thyen kodet, duke i riformuluar e, në këtë mënyrë, pasuruar. Në pak fjalë, kemi nevojë për një konferencë mbi çështjen :)!!!

  2. Teatri si ndertese ka vlera sentimentale per faktin se breza aktoresh kane kaluar karrieren aty .
    Por cila eshte vlera e tij arkitektonike?Flitet per nje haur te viteve 40 e te pershtatur ne teater.Qe ne vitet 80 pra para 40 vjetesh teatri si godine konsiderohej tejet i armotizuar .Ceshtja nuk duhet politizuar .Duhet bere raport mbi gjendjen strukturore ,duke filluar qe nga catia e deri ne themele .Nga ana e sigurise.A ka dyer te mjaftueshme qe rast zjarri qindra spektatore te dalin menjehere?Sistemi hidraulik?Instalimet elektrike ,a jane ne gjendje te perballojne ngarkesat e mjeteve moderne qe 80 vjet me pare nuk ekzistonin ?Nese rimodelohet duhet bere gjithshka nga e para.Rimodelimi I ndertesave te vjetra eshte I kushtueshem sepse duhen aftesi e materiale qe s’jane me ne qarkullim .Edhe nese I hyjme rruges se rindertimit shtrohet pyetja:A ia vlen?Nese nje pjese e qytetareve e kane patur kete ndertese pjese te identitetit te tyre mund te arrihet nje kompromis .Te rimodelohet e te mbahet kjo ndertese si muze,pjese e memories te kryqytetit dhe te ndertohet nje e re moderne diku tjeter .Nje diskutim tjeter do te ishte :Cili eshte vendi I teatrit ne epoken e Netflix?

    1. Alba,
      Arkitektura nuk është objekt konsumi. Nuk ështe iphone 7 që ta zëvendësosh me iphone 11. Është pjesë integrale e kulturës, të pëlqen apo s’të pëlqen ty. Dhe nuk është ashtu sic thoni ju që paska vetëm vlera sentimentale. Përkundrazi, ka vlera kulturore sepse është objekt arkitektonik kulturor. Prishja e tij është njësoj (ekuivalente) e zhdukjes përgjithmonë të një teksti me vlera kulturore. Sepse arkitektura nuk ka kuptim, në rrafshin kulturor, jashtë kontekstit të qytetit. Për një tekst, kurrë nuk do ta mendonim me ndërgjegje që duhet ta zhdukim. Atëherë përse guxojmë të themi dhe bëjmë të njëjtën gjë me arkitekturën?

      Ndërkohë, mesa kuptoj, ju nuk jeni gjë profesioniste, dhe nuk ia gjykoni dot vlerat arkitektonike Teatrit Kombëtar. Kështu që në një forum publik kursej të tjerët me opinionin tënd

      1. Termi vlere arkitektonike eshte I pergjithshem ashtu si psh dikur termi “armik I popullit “ qe vihej pa dhene sqarime konkrete se cfare perben veprimtari armiqesore.Ku qendron vlera arkitektonike e teatrit ?Ka mundesi ta sqaroni me fakte pervecse “qepe se ti nuk di”?Teatri si institucion eshte vlere kulturore por a perben ndertesa me te cilen ai strehohet detyrimisht nje vlere te tille?A ka mundesi te flitet me terma konkrete per objektin ne fjale me termat e fizibilitetit ekonomik e inxhinierik e jo me intelektualizime te pergjithshme ?Ne cdo problem ka dy ane pro dhe kondra .Ne kete rast te dyja anet e argumentit kane meritat e veta.

        1. Alba,

          Nuk e di arsyen se përse i keni hyrë një debati për diçka që qartësisht nuk keni ndonjë njohuri. Dhe as kam ndërmend të hamendësoj se përse shprehja “vlerë arkitektonike” ka gjë në mëndjen tuaj ndonjë ekuivalencë me termin “armik i popullit”.

          Por meqënse ju doni të flisni me konkretisht për vlerat arkitektonike te TK, dhe meqënse jeni komentues i ri këtu tek PF, si fillim po ju sjell një shkrim nga Romeo Kodra mbi një përqasje teknike të arkitekturës së Teatrit, një vështrim historik nga Aurel Plasari, dhe me pak shpresë se do kuptoni gjë, një shkrim timin këtu tek PF që diskuton vlerën urbanistike të objektit:

          Nga Romeo Kodra: Shtojca mbi rëndësinë e ruajtjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe zgjidhjes së Ardian Vehbiut.

          Nga Aurel Plasari: Historiku i përmbledhur i Teatrit Kombëtar

          Nga Lorjan Agalliu: Fajin e ka Arkitektura
          Sa për sqarim, ne shkrimin tim “Fajin e Ka Arkitektura”, arsyeja pse mendoj se nuk kuptohet arkitektura e TK nga publiku i gjërë, ka të bëjë me mungesën e monumentalitetit, ngase nuk jemi mësuar t’i perceptojnë dhe identifikojnë institucionet kulturore jashtë monumentalitetit.

          Ndërkohë stili arkitektonik i ndërtesës është pjesërisht ndërthurje e racionalizmit Italian në arkitekturë, dhe artit metafizik te Giorgio de Chirico.

          Çfarë do të thotë kjo në gjuhën e kodeve që po diskutohet këtu? Do të thotë që është një gërshetim i kodeve të arkitekturës së rilindjes mesjetare me ato të modernizmit. Me një fjalë, një xhevahir i rrallë, dhe unik nga ana arkitektonike. Kjo arkitekturë i ka pasardhësit e vet tek postmodernizmi Italian, duke nisur nga Aldo Rosi, tek Mario Bota, deri edhe tek dekonstruktivizmi i Massimiliano Fuksas, avanguarda e postmodernizmit.

          Ndërkohë arkitekti i TK, Guilio Berte , ka edhe ndërtime të tjera në Tiranë siç ështe vila Nepravishta në rrugën e Kavajës, edhe kjo dëshmi e përkryer e arkitekturës civile dhe racionalizmit Italian.

  3. Nuk e di nese ke qene ndonjehere ne SHBA por cdo qytet I vogel e ka nje ndertese teatri qe duket pak a shume si teatri yne kombetar .Ndertese esthetike eshte, por nothing to write home about nga ana arkitektonike.
    Per ceshtje te tilla behen hearings me qytetaret ne te cilat pavaresisht prej profesioneve ata japin mendime per ceshtje qe kane te bejne me qytetin e tyre .Duan te konservojne te shkuaren apo te vene aty dicka te re moderne simbol I kohes ne te cilen jetojne ?

    1. Alba!
      Për ju unë do të tregoj këtë ndodhi:
      Ishim një grup i ftuar në Gjermani nga fondacioni “Konrad Adenauer”. Po nuk u gabova, ka qënë viti i largët 1994.Na çuan për vizitë në një shkollë profesionale. Pasi vizituam tërë ambientet, në fund u ndalëm përpara një basorelievi të vendour në ballë të shkollës. Figura ishte abstraksioniste. Për të qënë i sinqertë, duke mos qënë skulptor apo piktor dhe për më tepër, të sapodalë nga arti i “realizmit socialist”, duhet thënë se askush nga ne nuk e merrte vesh vlerën artistike të asaj që po na shfaqej përballë. Dikush nga ne, duket më trim nga natyra, pyet ciceronin:
      – “Të gjitha i muarëm vesh, por kjo çfarë është?” Pasi heshti për një çast,ciceroni krruan pak veshin dhe thotë:
      – “Hmmm, si tua shpiegoj,…Kjo? Kjo është thjesht një porosi nga bashkia.”
      Vë re, e nderuara zonjë, se ju shfaqni një padurim të theksuar për të kundërshtuar. Ngjashmëria juaj me atë të një gjahatari, i cili rri gjithë ditë dhe pret me durim ti dali përballë ‘gjahu’, për ta shkrepur atë të uruar çifte është vërtetë mbreslënës. Aq e paduruar je në misionin që i ke caktuar vehtes, sa ju arrini deri atje, që të pyesni autorin e shkrimit nëse ka qënë apo jo ndonjëherë në Amerikë, kur sqarimi për të jepet qartësisht:” Lorjan Agalliu është arkitekt që praktikon profesionin e vet në New York.”

      1. Ka nje doze nga :Kush nuk I sheh rrobat e mbretit eshte budalla “ ne kete gjykimin tuaj .Nese e lexon komentin tim kam pohuar se te dyja argumentet mbi te ardhmen e teatrit kane meritat e tyre .E mira do te ishte qe qeveria te emeronte nje komision asnjeanes me eksperte restaurimesh ,inxhiniere strukturore etj qe te vleresojne nese teatri ia vlen te restaurohet ,te rindertohet me te njejten arkitekture ,te rindertohet komplet I ri.Cdo variant te shoqerohet me koston anet pozitive e negative .Per mua duhet restauruar si muze e nje teater modern te ndertohet diku tjeter .

  4. Pervec vleres historike ky theater nuk ka vlera te tjera.I ndertuar ke para luftes se dyte per nje kohe te shkurter
    qe shqiperia te kishte nje teater te thjeshte i cili mbeti si theatri kryesor kombetar per 45 vjetet e diktatures e cila
    nuk u interesua te nderonte nje te ri mbeti te diskutohet 30 vjet post diktatures per ta zgjidhur.Sipas mendimit tim
    ka dy zgjidhje.
    Te prishet dhe te ndertohet nje theater i ri me konstruksion modern per theater me projekt serioz qe do kete vlera
    te medha edhe historike per brezat e arthshem dhe qe nuk e beri E. Hoxha qe ta kishte brezi i sotem.
    Te mos prishet,por te kthehet ne nje muzeum per ta kujtuar si nje relike e ish diktatures dhe gjithashtu per te kujtuar
    aktoret e medhenj shqiptare te asaj kohe.
    Te ndertohet nje theater i ri diku ne qender qe ti mbetet brezave te arthshem ,serioz dhe funksional…

Lini një Përgjigje te AlbaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin