TË PAKTËT

Frederic Bastiat ankohej dikur se në botë ishin shtuar së tepërmi njerëzit e “mëdhenj” (Ligji, 1848). Të shumtë ishin parlamentarët, organizatorët, punëmbarët, prijësit e popullit, baballarët e kombeve, e të tjerë me radhë që e vendosnin veten sipër popullit. Nëpërmjet një parabole i krahason këta me një tufë sharlatanësh që secili në zejen e vetë i rekomandonin prindërve të një sapolinduri se i duheshin zgjatur veshët për të dëgjuar, zgjeruar hunda për të nuhatur, shqyer zgavrat e syrit për të parë, përthyer këmbët për të ecur drejt, e sheshuar kafka për të menduar.

Me rritjen e popullsisë, në botë janë shtuar edhe më shumë këta të “medhenjtë”. Disa në staturën e çupëlinave të Perëndimit që predikojnë apokalipse klimaterike (kujtoj La Passion de Jeanne D’Arc, C. T Dreyer, 1928, meqë e kemi nisur me francezë). Ndërsa në Shqipëri, edhe pse nuk mungojnë kësi heqimësh, problemi është se janë pakësuar. Prandaj unë them, se shqetësimi i B. Mustafaj në Panorama (26 Shkurt 2020) se brezi i tij është i “dorëzuar” gjendjes së rënduar politike, është i gabuar. Brezi i tij nuk ekziston më prej 1991 në përmasat e dikurshme. Brezi i tij rreshti së prodhuari mjaftueshëm kësi të “mëdhenjsh”, prandaj janë të pamjaftueshëm për të “mundur të keqen”.

I atribuohet Stalinit a ndonjë tjetri, por është koncept i operacionalizuar nga K. Marks dhe F. Engels (Dialektika e Natyrës), mbështetur në idenë e Hegel-it, se rritja e sasisë së një njësie tej një mase të caktuar sjell ndryshime cilësore. Si p.sh. rritja e temperaturës së ujit sjell ndryshimin e gjendjes nga lëng në gaz. Po ashtu edhe rritja graduale e popullsisë tej një pragu shkakton ndryshime rrënjësore në organizimin shoqëror (p.sh. sistemin politik). Ndërsa rritja e ekonomisë në terma sasiore sjell rritje të mirëqenies sociale, tezë që së fundmi është objekt i kritikave të ndryshme (të ekologjistëve).

Në vitet 1990, me shtimin e numrit të popullsisë ishte shtuar numri i intelektualëve, i personave kritikë ndaj regjimit etj., prandaj edhe brezi i B. Mustafajt (edhe i A. Vehbiut meqë jemi te Peizazhe.com) ishte në gjendje të krijonte një vizion të së ardhmes dhe të ndërmerrte projekte për transformimin politik e shoqëror. Ishte pra një masë kritike njerëzish që kishin dhe përcillnin shpresë, pse kishin besim në aftësitë, virtytet apo ndonjë cilësi tjetër të tyren.

Por më shumë se në veten e tyre, unë besoj se këta individë kishin besim te njëri-tjetri. Këta ishin socializuar në të vetmin institucion, Universitetin e Tiranës, ishin rritur në një të njëjtën lagje ku banonin familjet e teknicienëve (jo p.sh. në Porcelan apo Kombinat), ndiqnin të njëjtat shkolla e rrethe kulturore, si edhe identifikoheshin ende me vendin e baballarëve të tyre. Madje edhe “jo-vendet”, siç i quan A. Vehbiu diku periferitë, përjetoheshin në mënyrë kolektive, pse veprimtaritë në këto vende kryheshin së bashku me kolektivin e vendit të punës. Ky brez nuk mund të cilësohet elitar, por kishte numrat, sasinë, për të krijuar dhe ushqyer mjedisin ku mund të lulëzonte një elitë kulturore dhe grup profesionistësh.

Në studimet ekonomike nuk rezulton ndonjë lidhje e fortë ndërmjet rritjes së popullsisë dhe rritjes së kapitalit për kokë, madje për vendet në zhvillim është negativ. Por, me pak optimizëm marksist, teza ime është që p.sh. rritja e numrit të mjekëve, apo inxhinierëve, pavarësisht cilësisë së arsimimit të tyre, arrin së paku të krijojë një grup individësh, që duke vepruar kolektivisht, në mënyrë inteligjente, mund të sjellin ndryshime shoqërore pozitive. Meqë rritja e numrit të studentëve varet nga numri i atyre që regjistrohen dhe i popullsisë së kënduar, Shqipëria po merr tatëpjetën, jo se i mungojnë inxhinierët a ndonjë star-arkitekt, por se i mungon një kolektiv inxhinierësh, që mund të prodhohen vetëm nga një numër i mjaftueshëm i popullatës.

Teza bazohet në dy teori kryesore, e masës kritike dhe e ajo e inteligjencës kolektive. Nga teoria e masës kritike (Critical Mass Theory) mësojmë se, suksesi i një veprimi kolektiv (matur me ndikimin dhe jetëgjatësinë e veprimit për të arritur një të mirë publike) varet nga (1) raporti sasior i input-it me prodhimin dhe (2) niveli i larmisë së popullsisë. Masa kritike është në gjendje të mbulojë kostot fillestare të veprimit kolektiv dhe të përshpejtojë funksionin e prodhimit (eficiencën). Ndërsa në fillimet e veprimit kolektiv, mjafton vetëm një grup i vogël me përkushtimin dhe burimet e duhura materiale për të mbajtur veprimin kolektiv deri në momentin kur përfshihen edhe të tjerë. Ndër burimet e kolektivit që vepron për të mirën është edhe aftësia për të zgjidhur me zgjuarsi problemet, si p.sh. të natyrës organizative. Kështu që teoria e masës kritike është e lidhur edhe me konceptin e inteligjencës kolektive. Me inteligjencë kolektive nënkuptohet një grup individësh që së bashku veprojnë në mënyrë inteligjente (Handbook of Collective Intelligence, 2015). Një rast ilustrues i inteligjencës kolektive është përpjekja kolektive e organizatorëve të revistës Peizazhe.com, për të filtruar, organizuar dhe orientuar ligjërimin në disa fusha të caktuara, p.sh. në gjuhësi e letërsi.

Një studiuese e historisë së arsimit të Shqipërisë, Enriketa Kambo (Arsimi në Shqipëri 1945-1960, 2005), shkruan se regjimi komunist ishte i fiksuar me sasinë. Nuk mbaj mend ndonjë dokument strategjik ku të diskutohet kjo qasje, por vetë planifikimi dhe treguesit sasior që duheshin analizuar e raportuar për vlerësimin dhe zbatimin e planit, sikur edhe mbizotërimi i mendimit shkencor materialist e pozitivist, i kushtëzonin nismat politike në dimensionin sasior. Prandaj edhe politikat e arsimit mbi masivizimin etj., vështirë të gjykoheshin ndryshe. Nuk e përjashtoj që diku në veprat e E. Hoxhës i është atribuuar Stalinit thënia e mësipërme mbi ndryshimin radikal që mund të sjellë rritja e sasisë. Sidoqoftë, besoj se ka qenë pikërisht masa kritike që i mungonte Shqipërisë në dy dekadat e para të regjimit komunist në Shqipëri, kur numri i banorëve ishte nën dy milion, dhe i mungon sot në kohën tonë.

Në lidhje me këtë temë rekomandoj dy studime shumë interesante mbi historikun e regjimit komunist në Shqipëri në fillesat e veta. Elidor Mëhilli (Nga Stalini te Mao: Shqipëria dhe Kampi Socialist, 2016), dhe Sofokli Meksi (Disertacion, Stalinizmi Shqiptar: një vështrim nga poshtë, 2016). Studime doktorate në fushën e sovjetologjisë, mbi periudhën e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, janë kryer edhe në Fakultetin e Historisë në Universitetin e Tiranës (shih E. Musaj, 2018), dhe në Universitetin Evropian të Tiranës (J. Krisafi, 2016), por janë në traditën e vjetër të inventarizimit të dokumenteve arkivore. Ndoshta e vetmja metodë analize që njihet nga historianët e vjetër që udhëheqin këto doktoratat. Ndërsa studime serioze mbi kultet e komunizmit, ku deri tani ka munguar një trajtim mbi maninë e kuantifikimit gjatë periudhës, janë publikuar në konferencat e organizuara nga Enis Sulstarova dhe Klejdi Këlliçi, Departamenti i Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës.

Mëhilli dhe Meksi nuk merren drejtpërdrejt me çështjen e sasisë, por studimi i tyre ofron mjaftueshëm material empirik për të kuptuar problemet me të cilat përballej regjimi në realizimin e aspiratave për modernizimin e vendit dhe legjitimitetin e pushtetit. Te Mëhilli, shkruar me stilin e S. Kotkin (The Magic Mountain, 1997), tregon sesi disa projekte madhore për industrializimin e vendit, edhe pse të financuara dhe mbështetura teknikisht nga jugosllavët apo sovjetikët, nuk u arritën të realizoheshin sipas pritshmërisë. P.sh. kombinatet e tekstilit në Berat dhe Tiranë u përballën me qindra probleme, që nga aspektet logjistike, financiare, mungesa e personelit, mungesa e lëndës së parë, vonesa në prodhim e defekte teknike etj. (fq. 102). Ekspertët dhe planet e gatshme sovjetike nuk mund të plotësonin mangësitë e Shqipërisë në burimet njerëzore. Kur dëgjon sot për rrugë të prishura, projekte të realizuara dobët, si ato të Rilindjes Urbane në Kukës, veç ligësisë e makutërisë korruptive, vihet re pikërisht mungesa e profesionalitetit dhe e profesionistëve.

S. Meksi, i cili për fat të keq i ka degdisur pjesët më interesante në shënimet poshtë faqes, tregon sesi Shqipëria me atë popullsi të vogël e kishte të pamundur të krijonte një burokraci racionale e moderne Weberiane. Regjimi Stalinist ruajti pak a shumë traditën patrimoniale zogiste të qeverisjes dhe u kthye thuajse në një sulltanat ku populli synonte të anashkalonte burokracinë nëpërmjet letrave që i shkonin udhëheqësit E. Hoxha apo anëtarëve të Byrosë Politike. Burokratët gjendeshin si sandviç ndërmjet popullit, të cilin duhet ta zbythnin që të mund të gëzonin privilegjet e pozitës, dhe udhëheqjes komuniste. Kjo e fundit e përdorte aparatin administrativ edhe si thes boksi dhe eliminonte teknicienët që mund të grupoheshin në një masë kritike e i rrezikonin pushtetin. Edhe sot, vë re se partive politike i mungon një masë kritike individësh që mund të sjellin ndryshime graduale. Jo pse janë larguar kritikët, por sepse nuk rigjenerohet mjaftueshëm baza e anëtarëve për të prodhuar një masë të atillë. E baza nuk mund të ndryshohet nëse popullsia bie.

Gjithsesi, me mençurinë e turmave digjitale vendase e të mërgatës, ndihmuar në terren nga disa profesionistë kinezë e punëtorë afrikanë, situata nuk është e pa shpresë për Shqipërinë.

(c) 2020, Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Ghobadi, Shahla, and Stewart Clegg. ““These days will never be forgotten…”: A critical mass approach to online activism.” Information and Organization 25, no. 1 (2015): 52-71.

Malone, Thomas W., and Michael S. Bernstein. 2015. Handbook of Collective Intelligence. Cambridge, Mass: The MIT Press.

Mëhilli, Elidor. From Stalin to Mao : Albania and the Socialist World. Ithaca: Cornell University Press, 2017.

Meksi, Sofokli. “Stalinizmi Shqiptar: Një Vështrim Nga Poshtë. (Aspekte Politike Dhe Shoqërore Të Sistemit Stalinist Shqiptar Në Vitet 1960-1961).” PhD. , University of Tirana, 2016.

 

10 Komente

  1. Më duket se është nga esete me te shkelqyera te z. Shahini. Edhe pse nuk besoj ne ekzistencen e inteligjences kolektive (nje individ brenda nje turme ka per tendence te ule kapacitetet per t’u pershtatur, siç e treguan edhe ngjarjet e fundit ne Tirane ku edhe nje individ medioker, pa moral politik dhe i korruptur deri ne palce arrin te mbledhe mijëra vete e t’i beje te duartrokasin me xhestet e tij patetike), pra, pavaresisht nga kjo, jam gati te besoj se zhvillimi i metejshem nga z. Shahini i idesë tjeter te “mases kritike” (qe ne kete rast e shoh si shumesi individesh qe arrijne ne menyre te pavaruar ne perfundime te njejta) nuk ka arsye te mos shihet edhe si nje “via di scampa” e gjendjes se deshperuar e pa rrugedalje. Me sakte, nuk ka pse te mos shpresohet në të.

    Pak e çuditeshme, por diktatura e shkuar na garanton per mundesite qe fsheh “masa kritike”. Potencialin e saj per ndryshime qe nuk i kontrrollon dot pastaj, E. Hoxha e ka patur frikë si djallin, sepse nxitonte me bubullime t’i këpuste rrënjët çdo shfaqjeje të saj, siç veproi në ushtri (masë e jo individê), ekonomi (po ashtu), arte (pike per pike)…

    Vertet që ka një potencial gati mistik aty brenda.

    1. Për t’u formuar “masa kritike”, duhet një pikë referimi, një katalizator ose një “seed” – që në Shqipërinë e Hoxhës, sa u përket arteve dhe kulturës, nuk e luante aq Universiteti, sa Radio-Televizioni, Kinostudioja, Teatri Popullor, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe sidomos gazeta “Drita” dhe revista “Nëntori”. Sot këtë rol mund ta luante fare mirë një uebsajt i përbashkët. Peizazhet është ofruar për këtë dhe ka arritur të bashkojë zëra, por janë të shumtë ata intelektualë që i janë shmangur dhe vazhdojnë t’i shmangen, për arsye vaniteti ose sepse kanë frikë nga “armiqtë” e Peizazheve (ka edhe të tillë). Preferojnë të dalin me një status në Facebook, i cili e ka gjysmë-jetën diçka si 4 orë, në vend që ta thonë fjalën e tyre në një forum më të përshtatshëm, që ua ka hapur dyert. Nuk është e thënë që të zgjedhin doemos “Peizazhet” – mjaft që forumi të jetë i përshtatshëm (dhe nuk po flas për ato raste të tjera, kur vendosin t’u dërgojnë të njëjtin shkrim, zakonisht fare modest, nja tridhjetë portaleve dhe faqeve njëkohësisht). Kjo vjen edhe ngaqë intelektualët e sotëm në mjedisin shqiptar, edhe pse duan të jenë produktivë dhe të kenë rol në artikulimin dhe avancimin e mendimit publik, kanë deficite morale dhe humbasin shumë kohë me self-grooming, ose duke lëpirë e lëmuar gëzofin e vet (p.sh. duke ndërruar një herë në dy ditë foton e profilit, të thuash se i plasi kujt për këtë gjë). Kjo nuk e lë masën kritike të krijohet, sepse njerëzit nuk kanë dëshirë të rrinë bashkë, ose të identifikohen si grup. E shumta, e bëjnë këtë kur ulen të nënshkruajnë ndonjë peticion (zakonisht qesharak dhe të politizuar), por u rrinë larg artikulimeve që nuk janë politike. Përndryshe, shkrimtarët dhe artistët janë të papërfaqësuar gjëkundi mirë dhe nuk e gjejnë veten në institucionet publike: nëse RTSH-ja, në fillimvitet 1970, ishte në pararojë të përpjekjeve për liberalizim, çfarë mund të thuhet për RTSH-në sot? Çfarë përfaqëson dhe për çfarë përpiqet në skenën e kulturës, përtej përpjekjeve individuale të atyre që drejtojnë emisionet e kulturës ose bëjnë politikat kulturore? Shumë premton edhe gazeta e tanishme “Ex Libris” – por duhet t’i rezistojë tundimit për të shërbyer si tabelë emulacioni ose presidium kulturor (nuk kafshon). Teatrin kombëtar e shkatërruan – dhe nuk e kam fjalën për ndërtesën. Botuesit thirren në televizionet komerciale (private) për t’u shqiptuar për lexime plazhi, libra kuzhine dhe çikërrima të tjera dhe libri katandiset në shtojcë të industrisë së spektaklit. Mungojnë debatet, idetë e reja, sfidat dhe provokimet. Politika zyrtare e sheh kulturën si instrument në shërbim të, ose pushtetit në fuqi, ose të “kombit” dhe, aq më keq, turizmit. Prandaj unë nuk shoh dot zgjidhje tjetër, veç organizimit jashtë-institucional, nëpërmjet krijimit të agregateve.

  2. Nwse do te flasim per persona kritike ndaj regjimit, duke permendur Mustafajn dhe -meqe jemi tek faqja PTF- edhe Vehbiun, duket se permendja e viteve ’90, pse jo edhe e Porcelanit dhe Kombinatit, na jep qarte kete pasqyre “kritike” ku shiheshin tashme (viti 90 e ketej) te ikurit e “regjimit” te vjeter. Po nejse, kjo nuk eshte domethensia; ajo qe ka shpetuar nga avulli i raki-uiskit te autorit te shkrimit tjeter, eshte qe fenomeni i kritikes dhe vete kritika e asaj kohe ishte ku e ku me lart se kjo e sotmja!
    Panvarsisht se shkrimi -per hir te pershtatjes qe bejme ne kohen e sotme- meriton lavderim per stilin e tij, ai meriton edhe nje kritike, ate qe autori nuk e paska perjetuar vete ate kohe, sa eshte i detyruar (me kenaqsine e tij) te referohet tek shkrimet e te tjerve, -keta te tjere flasin per bazen, ndersa kane jetuar ne katet e siperme! E meta e gjithe kesaj eshte se te gjithe keta te kateve te siperme i japin komplimenta njeri-tjetrit! Duket edhe era i percjell me lehte komplimentat se kritikat!

  3. Nuk e kuptoj, mase kritike per cfare?
    Per te kritikuar pushtetin?
    Politiken ne pergjithesi?
    Por kjo behet ne baze individuale sa na eshte enjtur koka..
    Apo per te diktuar ndryshime qe i pelqejne nje njeriu por mbase jo edhe nje tjetri?
    Por a nuk kemi zgjedhjet per kete pune?

    1. mase kritike kudo, profesioniste, artiste etj. qe krijojne disa referenca prej nga ku nuk mund te shkohet me poshte. Krijimi i milieu-ve qe prodhojne elita etj.

    1. Izraeli ka me shume banore dhe po rritet popullsia nga lindjet dhe prurjet, vec miliardave amerikane qe mbajne shtetin social.

          1. Po pikërisht. Elita në Izrael është e lidhur me gjithfarë fijesh me elitën në SHBA dhe në Europën Perëndimore, pa folur për traditën mijëravjeçare që i mban hebrenjtë në gjithfarë lidhjesh mes tyre anembanë, por sigurisht jo për gjepura patriotike shqiponjash dhe tupanash, si këta tanët. Popullsia në Izrael ka strukturë unike, për shkak të prejardhjes (nga Bashkimi Sovjetik shkuan atje ajka e universiteteve dhe kulturës). Dijetarët hebrenj, që identifikohen si hebrenj, kudo ku gjenden në botë, janë në pararojë të punëve dhe dinë si ta ndihmojnë edhe Izraelin, madje edhe kur nuk e konsiderojnë veten izraelitë. Vetë rreziku ekzistencial, për arsye gjeopolitike, ia energjizon Izraelit elitat. E gjitha kjo, pa dalë fare te ndihma e fuqishme që i jep SHBA Izraelit; sepse e njëjta ndihmë i shkon pak a shumë edhe Egjiptit, po me ç’rezultate?

Lini një Përgjigje te Ardian VehbiuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin