RINGJALLJA E AUTORIT

nga Erlind Sulko

Na ishte njëherë një familje me gjashtë frymë. Një ditë prej ditësh, teksa po darkonin bashkë në tryezë, papritmas atyre u shfaqet një hije, e cila i pyet:

– Kush është autori?

Fill mbas këtyre fjalëve hija e çuditshme zhduket. Ajo pyetje u ngeli në mendje anëtareve të familjes si një mëkat. Darkën e mbaruan në heshtje. Të gjithë ishin të tronditur nga ajo që panë dhe dëgjuan, por askush nuk nxori zë.

– Ndofta jam vetëm unë… po sikur të jem duke u çmendur? – mendonte secili prej tyre ndërkohë që trupat po ua përshkonin disa drithërima.

Një heshtje e frikshme e kish pushtuar atë banesë. Të gjithë po vërtiteshin në qerthullin e errët e të pafundmë të mendjes së tyre.

Pyetja që u kish bërë hija po i gërryente përbrenda, kështu që ata vendosën të nisen në një udhëtim të pakuptimtë. Pa i treguar njëri-tjetrit, u nisën në kërkim të autorit.

Por autori ishte ai që ua bëri pyetjen.

§

Personazhet nuk do ta gjejnë kurrë autorin, pasi janë duke kërkuar diçka që është e pranishme në vetë kërkimin e tyre.

§

Shënim për veprën Gjashtë personazhe në kërkim të autorit: nuk është çudi që në një vepër pa autor personazhet të vetëvriten.

§

Do të ishte me vend po të thuhej: autori po pret rikthimin e gjashtë personazheve.

§

Shfaqja nuk ndërpritet pse personazhet kërkojnë autorin, pasi vetë kërkimi i autorit është një shfaqje.

§

Përfytyro një ndeshje futbolli ku papritmas lojtarët ndalojnë së luajturi dhe shtrojnë pyetjen: çfarë është futbolli? Dhe lojtarët, duke e lënë ndeshjen e futbollit përgjysmë, nisen të kërkojnë futbollin. A do mund ta quanim këtë shfaqje ende ndeshje futbolli?

§

Ndeshja përfundon kur përfundon koha e rregullt dhe jo kur lojtarët vendosin të mos luajnë në një mënyrë të caktuar.

§

Po sikur të kishim një ndeshje ku lojtarët të vazhdonin të luanin, por duke përsëritur pareshtur nëpër buzë se futbolli nuk ekziston? A nuk do ishte kjo një lojë si gjithë të tjerat? A nuk do ishte kjo si autori i personazheve që kërkojnë autorin?

§

Edhe sikur Pirandello të mos kish shkruar asgjë, autori prapë do të ishte aty si një lidhje e mundshme që shpalos kohën.

§

Kërkimi i autorit ka një fillim, një rrjedhë dhe një fund. Prandaj, nuk mund te mos ketë autor.

§

Personazhet lindin dhe vdesin, vijnë dhe ikin. Autori mbetet.

§

Autori është kohëshpallja e fshehtë që ndodh brenda, midis dhe jashtë personazheve. Nuk ka vepër letrare pa autor.

§

Ka dy trajta kohësh brenda një vepre: kohëshpallja vetjake dhe kohëshpallja e përgjithshme. Kohëshpallja vetjake është koha e çrregullt që çdo personazh përmban brenda vetes. Kohëshpallja e përgjithshme është koha e bashkuar që lidh personazhet në një të vetëm.

§

Autori ka një zhvillim historik po aq sa metafizik. Në fillim autori përfytyrohet si shkrimtari, si një nga katër shkaqet aristoteliane: shkaku lëvizës. Më pas kemi vdekjen e autorit duke e shpërbërë shkrimtarin në thërrime gjuhësore, kulturore dhe gjendjesh të ndara nga njëra-tjetra. Ringjallja e autorit është shpallja e autorit si një bashkësi brenda shumëtrajtshmërisë.

§

Autori i përfytyruar si shkrimtar vdes, pasi qëllimet e shkrimtarit dhe vepra janë dy gjëra të ndryshme: ngjashmëria e tyre është vetëm e mundshme.

§

Dije se qëllimi im në këtë shkrim është që të ndihmoj Vjollcën të shkojë për pushime në Budapest. A e ndryshon kjo gjë këtë shkrim? Nëse po, atëherë ti nuk po lexon tjetrin, por vetveten.

§

Ndryshova mendje: qëllimi i njëmendtë i këtij shkrimi është që të dëfrej Trimalkionin. Çështja është se cilin qëllim do të marrësh ti parasysh: qëllimin që shpreha më përpara apo qëllimin që sapo shpreha tani? Si mund të gjykohet një qëllim si i njëmendtë apo i rremë?

§

Po sikur dje t’i kisha thënë një mikut tim se qëllimi i këtij shkrimi është të fillojë një luftë të re? Dhe ai ta botojë këtë gjë pas njëzet vjetësh? A do mund të themi se lexuesit nuk e kanë kuptuar veprën pasi nuk paskan qenë në dijeni të qëllimit tim siç ia rrëfeva këtij miku? Po dy qëllimet e mëparshme? Po sikur të kem edhe një qëllim tjetër dhe mos t’ia rrëfej kurrë askujt? A do të thotë kjo që ju nuk do ta kuptoni kurrë këtë shkrim?

§

Kritiku letrar shndërrohet në njeri të thashethemeve kur ai fillon të gërmojë qëllimet e shkrimtarit. Ai kërkon nëpër letra dhe rrëfenja jetësore atë që do të gjejë, jo atë që shfaqet.

§

Qëllimet e shkrimtarit përherë krijohen nga lexuesi, edhe kur përzgjidhen tërë kujdes. Prandaj, rëndësia e qëllimit të shkrimtarit është sa për të shuar kërshërinë e lexuesit dhe nuk e ndryshon aspak veprën.

§

Barthes: vepra letrare është një ind me copëza të kulturave të ndryshme. Vetë kundërshtia e këtij qëndrimi: fjala ind. A nuk është edhe indi një përmbledhje? A nuk është edhe përmbledhja e kulturave të ndryshme një kulturë e mëvetësishme? Asnjë përmbledhje nuk mund të jetë një rrëmujë e rrokakrejtshme.

§

Siç nuk mund të reduktohet shtëpia në tërësinë e saj në sende te veçuara, në dërrasa, tulla dhe hekurishte, ashtu edhe vepra nuk mund të reduktohet në thërrime gjuhësore dhe kulturore.

§

Barthes ka të drejtë kur i mëshon mendimit se autori, i përfytyruar si shkaku lëvizës i veprës, ka vdekur. Qëllimet e shkrimtarit dhe vepra janë dy gjëra të ndryshme: ngjashmëria e tyre mund të jetë vetëm rastësore. Gabimi i Barthes është se ai e ngatërroi shkrimtarin me autorin.

§

Barthes: një vepër nuk shpreh individin e veçuar, por gjuhën e përgjithshme. Kjo pikëpamje përmban brenda vetes një të vërtetë dhe një gënjeshtër.

§

Ka një përfytyrim të përhapur dhe naiv për veprën letrare, ku ajo shihet si shprehje e botës së brendshme të shkrimtarit. Por ja që kjo botë e brendshme mund të shprehet vetëm me gjëra të jashtme që nuk i përkasin individit, por një komuniteti të tërë: vetëm nëpërmjet gjuhës. Këtu lind kundërthënia.

§

Fjala “dashuri” nuk shpreh dashurinë e individit, por dashurinë si një kuptim të përgjithshëm brenda gjuhës. Ajo që e përcakton kuptimin e fjalës është fjalori metaforik i vetë gjuhës, pasi unë lexoj fjalën “dashuri” dhe jo një mendim të fshehur brenda kokës së shkrimtarit. Fjala “dashuri” nuk mund të shprehë botën e brendshme të shkrimtarit: sado i vendosur të jetë shkrimtari për të shprehur ndjenjat e tij.

§

Nëse vepra afërmendsh do të ishte shprehja e botës së brendshme të shkrimtarit, atëherë ajo do të ishte e pakuptueshme.

§

Në të njëjtën kohë: nuk mund të thuhet se vepra është vetëm shprehje e gjuhës. Pasi nëse kjo është e vërtetë, atëherë çfarë e dallon veprën “Kronikë në gur” nga “Darka e gabuar”? A nuk janë ato shprehëse të së njëjtës gjuhë?

§

Dikush mund të thoshte: jo, pasi vepra “Kronikë në gur” shpreh një gjuhë tjetër nga “Darka e gabuar”. Por, a nuk do na çonte kjo qasje drejt një vetëkundërshtimi të pakuptimtë ku secila vepër shpreh një gjuhë tjetër dhe të re? Po sikur Kadareja ta ribotojë “Kronikë në gur” dhe t’i ndryshojë vetëm një fjalë nga botimi i kaluar, sipas kësaj pikëpamje, vepra shpreh një gjuhë të re tani?

§

Nëse çdo vepër do shprehte një gjuhë të re, atëherë ajo nuk do mund të ishte më një gjuhë, por vetëm një shprehje, pasi gjuha parakupton një komunitet që flasin, dëgjojnë dhe kuptojnë njëri-tjetrin.

§

Por, nëse veprat letrare nuk shprehin botën e brendshme të shkrimtarit dhe as nuk janë vetëm shprehje të një gjuhe, atëherë çfarë shprehin ato? Kjo është kundërthënia e veprës letrare.

§

Këtë mund ta themi me siguri: veprat letrare nuk mund të shprehen pa gjuhën, por nuk janë vetëm shprehje të gjuhës.

§

Këtë mund ta përfytyrojmë si një shpjegim të nevojshëm: një kohëshpallje e fshehtë e përmbledh gjuhën në një zë të vetëm. Por kjo kohëshpallje nuk është rrëfimtari, pasi rrëfimtari është zëri që rrëfen, ndërsa kohëshpallja është përmbledhja fillestare që lejon zërin e rrëfimtarit.

§

Shkrimtari: shkaku lëvizës i veprës.

Rrëfimtari: zëri gjuhësor i veprës.

Autori: kohëshpallja që bashkon veprën.

§

Personazhet janë bimë që lindin në dheun e autorit. Shkrimtari është ujitësi.

§

Shkrimtari është lindësi i veprës. Autori është përplotësimi përfundimtar i veprës.

§

Shkrimtari i mirëfilltë mund te përfytyrohet si një Shën Mari e virgjër: dikush që lind diçka të pabesueshme, hyjnore dhe tërësisht të ndryshme nga vetja nëpërmjet ardhjes së frymës. Shkrimtari i dobët është një Mari e rreme: gjithçka që lind ajo është trupore dhe vetjake.

§

Dashuria e pafundme e shëlbon jetën e njeriut: ajo e shndërron dashurinë nga një pjesë e jetës në qëllimin përfundimtar të jetës. Vetë jeta kthehet në një vërvitje të vazhdueshme rreth dashurisë së pafundme: ndonjëherë edhe duke e cekur. Kështu edhe autori e shëlbon veprën.

§

Hapësira dhe koha nuk krijohet bashkë me veprën, ajo parakuptohet.

§

Hapësira dhe koha brenda veprës janë të pandashme. Gjithçka që rrjedh, rrjedh në hapësirë. Gjithçka që shpaloset në hapësirë, shpaloset brenda kohës.

§

Autori është mishërimi i kohëshpalosjes brenda një vepre. Kohëshpalosja është trajta e pashmangshme në të cilën rrjedh një vepër. Çdo vepër letrare përmban një parakuptim të caktuar të kohëshpalosjes: pasi është e pamundur që teksti të mos ketë një diçka që ka ndodhur më përpara dhe më pas.

§

Kohëshpalosja mund të jetë fizike ose shpirtërore. Koha fizike në vepër është rrjedhja e ngjarjeve nga çasti në çast. Koha shpirtërore është koha si një tërësi e përmbushur.

§

Termi kohë-hapësirë, në kuptimin e fizikës bashkëkohore, është një kuptim pragmatik që rrjedh si pasojë e marrëdhënies shkencore me gjithësinë. Me termin kohëshpalosje dua të jap kuptimin poetiko-mitologjik të kohës dhe hapësirës si diçka të pandërgjegjshme dhe të paarsyetueshme: si diçka që të jepet, të dhurohet.

§

Përfytyro disa persona që kundërshtojnë njëri-tjetrin. Brenda një vepre këto kundërshtime janë të bashkuara, nuk janë më vetëm shfaqje të vullneteve tërësisht te ndryshme. Brenda një vepre artistike këto kundërshtime krijojnë një njëjtësi brenda shumëtrajtshmërisë.

§

Njëjtësia është e pashmangshme brenda një vepre. Ajo që e bashkon veprën është kohëshpalosja.

§

Një vepër mund të ketë shumëtrajtshmëri të ndryshme. Këto trajta të ndryshme të veprës dallohen nga trajta të ndryshme të kohës: koha si një përsëritje e përjetshme, koha si një rikthim i përhershëm, koha si një zhvillim i pasosur, koha si një ballafaqim i të kundërtave, koha si një shfaqje.

§

E keqja e deritanishme është se ne kemi pasur përgjithësisht një kuptim shumë të ngushtë të njëjtësisë: si një njëtrajtshmëri drejtvizore me një fillim, një zhvillim dhe një fund. Ose një njëtrajtësi qerthullore me një fillim, një zhvillim dhe një rikthim.

§

Ka ende një pafundësi njëjtësish që ende po presin të zhvillohen në veprat e ardhshme.

§

Parimet e Poetikes së Aristotelit nuk duhen mohuar, por zhvilluar: ngjizja letrare mund të jetë e shumëllojshme. E prapëseprapë, veprat letrare janë të papërfytyrueshme pa një ngjizje organike. Nëse një vepër letrare nuk ka asnjë bashkim, atëherë ajo shndërrohet në diçka të pakuptueshme: në zhurmë.

§

Trajta dhe përmbajtja janë të paveçueshme, por zakonisht të dallueshme.

§

Në veprat e përkryera trajta dhe përmbajtja nuk janë të dallueshme.

§

Vepra letrare bashkon. Vepra e përkryer bashkon plotësisht.

§

Qëllimi i shkrimtarit duhet shmangur, por qëllimi i veprës është i pashmangshëm. Çdo vepër përmban një teologji të sajën. Mund të thuhet se një vepër kryhet për të përligjur vetveten, por jo për hir të vetvetes: përndryshe ajo do të ishte po aq e pakuptimtë sa dikush që përsërit të njëjtën pasthirrmë. Qëllimi mund të jetë i pandërgjegjshëm ose i pakuptueshëm, por jo i papranishëm.

§

Teleologjia e veprës artistike është si teleologjia e natyrës tek Aristoteli: telosi është vetë brenda qenies, jo jashtë saj. Rrjedha e veprës ka një fund të paracaktuar brenda vetë veprës.

§

Përfytyrimet e ndryshme të veprës: vepra si një zgjatim i shkrimtarit (autobiografi), vepra si një lindje e lexuesit (interpretimet e shumëllojshme të veprës nëpërmjet teorive të ndryshme), vepra si një send (diçka e ngurtë, dhe e pajetë që mund të shqyrtohet në mënyrë shkencore), vepra si një ringjallje e autorit (një marrëdhënie mistike me veprën, një lloj shqyrtimi poetiko-fetar i të pathënshmes që e bashkon veprën në një të vetme).

§

Koha shfaq Hyun: trajtën e padukshme që i jep kuptim rrëmujës. Prandaj, duke shqyrtuar zhvillimin e kohës brenda një vepre, ne jemi duke shqyrtuar parimin hyjnor që lidh veprën.

§

Është e pamundur që dëshira jonë për të kuptuar veprën të mos ketë parakuptimet e veta: ne përherë zhytemi të pagëzuar brenda një vepre. E tërë fusha e hermeneutikës mund të thjeshtohej vetëm në këtë parim të pakundërshtueshëm.

§

Parakuptimet nuk janë të barasvlershme, pasi disa parakuptime janë të papërshtatshme. Rrugëdalja drejt detit nuk gjendet duke u rrotulluar pafundësisht rreth një peme në pyll.

§

Dera për të hyrë në shtëpinë e tjetrit të hapet vetëm nëse je veshur dhe troket në një mënyrë të caktuar. Vetëm kështu mund të hyjmë edhe në veprat letrare: ne futemi brenda tyre me kuptime dhe nënkuptime paraprake.

§

Nëse ti godet me grushte derën e fqinjit, duke ulëritur me sa ke në kokë se do ta vrasësh, dera e asaj shtëpie me shumë gjasa nuk do të të hapet. Ti mund të përpiqesh të hysh me zor, ndofta duke thyer dritaren por, nëse e bën diçka të tillë, në atë moment ti sapo ke shkatërruar veprën.

§

Vepra e ka një dëshmi paraprake dhe të pashmangshme të njëjtësisë: ajo ka një fillim dhe një fund të përmbledhur. Prandaj futja me parakuptimin se vepra nuk ka asnjë njëjtësi është e papërshtatshme dhe do gjejë vetëm atë që kërkon: shkatërrimin e veprës në personazhe të ndryshme.

§

Besimet e mia kur kam qenë fëmijë mund të kenë qenë tërësisht të ndryshme nga ato që kam tani. Ashtu edhe një vepër mund të përfundojë krejtësisht ndryshe nga ç’filloi. Ajo që i bashkon këto nuk është një besim i gjithëpranishëm, por koha dhe hapësira e bashkuar në një trajtë.

§

Vepra në tërësinë e saj mund të përfytyrohet si një fjalë e vetme: një fjalë e pashprehshme.

§

Detyra e lexuesit të mirëfilltë është të hyjë në kuptimin e pashprehshëm të veprës nëpërmjet ritualit të fshehtë të t’lexuarit.

§

Kjo është një nga misteret më të fshehta të jetës: të kuptuarit e tjetrit. Kjo gjë e pamundur arrihet vetëm nëpërmjet një rituali fetar: leximit. Të lexuarit në kuptimin e gjerë të fjalës: leximit pamor, gjuhësor dhe metafizik.

§

Hyrja drejt Autorit kërkon një kryengritje kundër zdërhalljes së pasosur rreth e rrotull vetes.

§

Për të hyrë tek tjetri, duhet të çlirohesh nga pasqyrimi i vetvetes.

§

Feja është mishërimi i poezisë në rituale.

§

Thelbi i fesë është përjetimi poetik i gjithësisë. Tani ky thelb është tharë në ligje dhe arsyetime të kota.

§

Ti duhet të shkatërrosh përkohësisht botëkuptimin tënd për t’u nisur drejt botës së tjetrit. Nëse vepra është hyjnore, shkatërrimi është përfundimtar: lexuesi nuk mund të kthehet më mbrapsht.

§

Veprat e këqija janë ato vepra që mundësojnë shkatërrimin e botëkuptimit tënd, pa të dhuruar një botëkuptim ku ti dëshiron me tërë qenien tënde të banosh. E përsëris: ku ti dëshiron me tërë qenien tënde të banosh, jo ku ti mund apo duhet të banosh.

§

Ai që lexon i nxitur nga kërshëria, lexon për të kuptuar vetveten. Ai që lexon i shtyrë nga dashuria, lexon për të kuptuar tjetrin.

§

Vetja nuk është një gjendje e njëjtë ku ne gënjejmë veten se është apo nuk është e pranishme gjithkund. Aspak: vetja është vetë trajta e tërë ndryshimeve në kohë dhe hapësirë.

§

Është e vërtete që ne nuk jemi më te njëjtë me atë çka kemi qenë më përpara, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Por a do të thotë kjo se nuk ka një un të përbashkët, ashtu siç pranon budizmi, Hume, Pirandello, Borges-i e shumë të tjerë? Aspak. Pasi kjo është e pamohueshme: ndryshimi dhe kalimi nga një gjende në një tjetër ka një trajtë të caktuar. Kjo trajtë e ndryshimit është thelbi i unit dhe autorit.

§

Autori është uni në njësinë e përkryer.

§

Nuk janë personazhet e shumtë që krijojnë iluzionin e autorit, por autori që shëlbon iluzionin e personazheve.

§

Shkrimtari nuk e krijon autorin, ashtu siç ai nuk e krijon as gjuhën.

§

Koha nuk e shpërbën njëjtësinë e autorit, por e vërteton atë.

§

Edhe nëse autori ka vdekur, do të ishte e domosdoshme që ai të ringjallej.

 

(c) 2020, Erlind Sulko. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin