FIL

Siç rrëfen Henry A. Davidson, te A Short History of Chess (Greenberg Publisher, 1949), ajo figurë e shahut që ne sot e njohim me emrin fil ka pasur më shumë emra dhe kuptime simbolike se çdo figurë tjetër. Në versionin e lashtë indian të lojës, e quanin gaja ose hasti, të dyja me kuptimin “elefant,” duke qenë elefanti element madhor i formacionit luftarak të kohës në Indi. Persianët e përkthyen këtë gaja në gjuhën e tyre, si pīl; dhe pastaj arabët e morën nga persianët dhe e bënë al fil, sërish me kuptimin “elefant”. Prej arabëve, fjala kaloi në gjuhët europiane si alfil (kështu sot e kësaj dite në spanishte), duke u përçudnuar në italishte më parë si delfino, dhe pastaj duke u identifikuar me alfiere – që në atë gjuhë ka kuptimin “flamurtar” dhe që e shpjegojnë si nga spanjishtja alférez, e cila nga ana e vet prej arabishtes al-fāris “kalorës”.

Nga ana e tyre, edhe të diturit mes shahistëve-filologë në Europën mesjetare nuk i jepnin dot dum konceptit të “elefantit” për figurën në fjalë, sepse në oborret mbretërore të kohës dhe në fushën e betejës kish vërtet mbretër e mbretëresha, kala dhe kuaj, ushtarë dhe oficerë – por jo elefantë. Nga kjo përpjekje për t’i dhënë një interpretim këtij al-fili, francezët e deformuan fjalën në fol dhe pastaj në fou (fjalë e njëjtë me fool të anglishtes), duke shënjuar kështu lolon e oborrit mbretëror. Ndërkohë, në anglishte, dhëmbët e elefantit që kish figura në kokë u interpretuan si mitra e një peshkopi; dhe kështu figura filloi të quhej bishop, çfarë nuk binte ndesh me praninë e përhershme të klerikëve të lartë në oborret mbretërore dhe në komandat ushtarake të Europës mesjetare, mu në krah të mbretit a të mbretëreshës. Në gjuhë të tjera, si gjermanishtja, figura u quajt Laufer (“vrapues” dhe pastaj edhe “kalorës” dhe sidomos “kasnec, lajmëtar”), dhe me këtë kuptim u përhap emri i saj edhe në gjuhë të tjera europiane si ato skandinave, sllave e ndonjë tjetër. Nga gjuhët e tjera europiane, vetëm rusishtja e ruajti konceptin indian-persian të elefantit, dhe vazhdon të përdorë sot e kësaj dite emrin слон (me kuptimin “elefant”). Shqipja fil vjen nga turqishtja fil; por në shqipe, ndryshe nga në turqishte, lidhja mes kësaj fjale dhe elefantit sot pak a shumë ka humbur, sidomos në brezat e rinj që preferojnë elefant (por fjalori i 1980-ës e ka, edhe me kuptimin “elefant”); pa çka se tema fil rishfaqet në fjalën fildish. Fili i shahut ka në shqipe edhe një emër tjetër, oficer; sikurse edhe në ndonjë gjuhë tjetër të Ballkanit, p.sh. në bullgarishte dhe si kalk edhe në greqishte (αξιωματικός), sidoqë në greqishte përdoret rrallë e tek edhe τρελός, kalk (huazim semantik) i frëngjishtes fou. Për t’u shënuar se kjo oficer në shqip, për filin, nuk ka zënë vend mirë, meqë shahistët preferojnë idiomatiken fil.

Siç ma konfirmuan edhe dy kolegë në FB – Sait Saiti dhe Florian Xhamia – fjala fil në shqipe, me kuptimin “elefant” ka një histori filologjike të meritueshme, meqë e kanë përdorur edhe Mustafa Greblleshi te përkthimi i përrallave arabe, edhe Samiu te një skicë për fëmijë dhe del deri edhe te Pjetër Bogdani te Cuneus Prophetarum[1] (me sa kam mundur të verifikoj, ky është më i hershmi). Kolec Topalli, në Fjalorin Etimologjik, vëren se fjala përdoret kryesisht në folklor (por gabon kur thotë se spanjishtja e ka marrë nga turqishtja; në fakt, në spanjishte fjala është huazim nga arabishtja, dhe ka hyrë që në shekullin XIII në spanjishten e Al-Andalus-it, si alfil, nga al-fil e arabishtes, që vjen nga persishtja pīl). Megjithatë, siç e pata shënuar, fil sot nuk njihet më nga brezat e rinj me këtë kuptim, “elefant”, dhe mbijeton kryesisht si term i specializuar në shah, ku lojtarët e preferojnë ndaj vernakulares oficer.[2]

Natyrisht, nuk ka ndonjë arsye pse leksiku të pranojë dy sinonime absolute, fil dhe elefant, për të shënjuar një objekt kaq jo-ekuivok, si elefanti; dhe sikurse nuk ka arsye për t’i diferencuar këto fjalë stilistikisht. Shqipja i ka pasur të dyja për një kohë, për shkak të kontakteve të pamjaftueshme mes folësve – në kuptimin që disa komunitete kanë përdorur fil, të tjera elefant; dhe kjo në kontekstin ku elefanti nuk ishte pjesë e jetës së përditshme, por vinte gjithnjë i ndërmjetësuar kulturorisht; aq sa mund ta quajmë fjalë kulture. Tek e fundit, e tillë është fjala edhe në perëndim, elefante, elephant etj., të gjitha këto nga latinishtja elephantus dhe kjo nga greqishtja elephas, fjalë që del që në greqishten e Mikenës si e-re-pa me kuptimin edhe “elefant”, edhe “fildish”, dhe me gjasë huazim në greqishte nga një gjuhë jo-indoeuropiane.[3]

Shqipja shpesh ka përfunduar si arenë për këto rivalitete kulturore – dhe fakti që elefant e ka fituar luftën e përditshmërisë ndaj fil nuk ndahet dot nga ri-orientimi i kulturës shqiptare ndaj perëndimit. Tek e fundit, elefanti si qenie është një në raport me kafshët e tjera dhe e padallueshme brenda sojit të vet; prandaj ta quash me të njëjtën fjalë si turqishtja, përkatësisht si gjuhët perëndimore, do të thotë të marrësh pjesë në këtë apo atë bashkësi kulturore, që përftohet dhe ripërtërihet nëpërmjet edhe riprodhimit të emrave; madje jo vetëm të marrësh pjesë, por edhe të identifikohesh në bashkësinë kulturore përkatëse[4]. Aq më tepër që, edhe leksikisht, kjo elefant i përket një fushe tematike të kafshëve të vendeve të nxehta, duke u grupuar me hipopotamin, rinocerontin dhe më tej me luanin, tigrin, leopardin, jaguarin, gorillën e më tej akoma antilopën, zebrën, hienën, krokodilin, e më në fund balenën, kashalotin, delfinin, pelikanin, fokën, pinguinin etj. madje pa lënë jashtë as dinosaurin, të cilat shqipja e sotme i ka marrë si grup nga gjuhët e Europës perëndimore (ndoshta me përjashtim të luan, që është huazim i vjetër dhe i pasqaruar mirë etimologjikisht, por që ka mbijetuar edhe ngaqë ka mbetur fonetikisht i afërt me ita. leone, fr. dhe angl. lion, etj.; ose ngaqë ka qenë i pranishëm në heraldikën mesjetare); dhe që janë të gjitha, në analizë të fundit, fjalë kulture; tejet të pranishme, mes të tjerash, edhe në botën e përrallave, librave, filmave dhe lojërave për fëmijë.

Megjithatë, “luftën” ndaj turqizmave në shqipe e ka ndihmuar edhe një farë dukshmërie fonetike e këtyre fjalëve, në krahasim me jo-turqizmat – p.sh. shumë shqipfolës do t’i identifikonin fjalë si kallaballëk, salltanet, ose karabina si turqizma, pa ditur turqisht. Kjo intuitë gjuhësore përafërsuese, që nuk funksionon vetëm pjesërisht, ka çuar ndonjëherë në identifikime të gabuara – p.sh. sihariq, që vjen në fakt nga greqishtja. Është fakt i njohur që disa turqizma, si zarf, bast, rast, bilbil, setër, zyrë ose xhep kanë mbijetuar thjesht ngaqë nuk janë “ndier” si të tillë nga folësit, përndryshe të vetëdijshëm se turqizmat duhen shmangur në komunikimin të paktën publik. Këtu unë do të futja edhe fil, e cila nuk dallohet si fjalë turqishte, përveçse nga një filolog ose gjuhëtar; prandaj unë nuk do ta quaja mënjanimin e kësaj fjale, me kuptimin “elefant”, pasojë të purizmit ose të përpjekjes për mënjanimin dhe zëvendësimin e turqizmave në shqipen gjatë shekullit XX. Është konkurrenca leksikore me elefant që e ka nxjerrë nga përdorimi, në kontekstin e monosemantizmit të një fjale të tillë kulture.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Anila Omari, Leksiku i veprës së Pjetër Bogdanit, botim i QSA, Tiranë 2016.

[2] Diçka e ngjashme duket sikur ka ndodhur në terminologjinë shqipe të shahut edhe me damë vs. mbretëreshë dhe torrë vs. kala, meqë edhe në këto çifte, shahistët e rregullt preferojnë gjymtyrët e para, si më specifike (idiomatike).

[3] Gjuhët sllave e quajnë elefantin me variante të ndryshme të proto-slavonishtes slonъ, si rusishtja слон, sllavishtja e vjetër kishtare слонъ, serbo-kroatishtja slȍn, polonishtja słoń dhe çekishtja slon; këtë fjalë e kanë nxjerrë nga turqishtja aslan, me kuptimin “luan”, që pat hyrë edhe në shqipe si asllan dhe si emër i përveçëm Asllan. Këto deformime dhe kontaminime semantike ndodhin rëndom me emrat e kafshëve, aq më tepër kafshëve të rralla ose jo-endemike. Nga ana tjetër, mes gjuhëve sllave, vetëm rusishtja më rezulton që ta përdorë këtë слон për të quajtur edhe figurën përkatëse në shah.

[4] Shembull pikant, edhe pse jashtë teme, do të ishte përdorimi i disa ndërkombëtarizmave në format ideollog, psikollog, kllasë, kollos, etj., në vend të formave ideolog, psikolog, klasë, kolos, etj.; pra me një ll (velare) në vend të l-së; format me ll- i referoheshin (dhe konotonin) kulturën dhe dijen lindore, si rregull sovjetike, por jo vetëm. Njëlloj ndodh edhe sot përplasja mes formave ortodoks dhe orthodhoks, e cila rimerr, në miniaturë, konfliktin kulturor mes dy kishave të mëdha në histori, duke e rekrutuar në shërbim të ri-organizimeve identitare.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin