FAKE PRAVDA

Në fund të korrikut 1980, teksa kish nisur në Moskë edicioni aq i kontestuar i 22-të i Lojërave Olimpike të verës, një revistë satirike italiane, 11 male, arriti të kontrabandojë atje mijëra kopje të një numri “fake” të gazetës Pravda, që hapej me lajmin e një putsch-i ushtarak në kryeqytetin sovjetik, që kish çuar në përmbysjen e regjimit, shkëputjen e Rusisë nga BRSS dhe shpalljen e menjëhershme të pavarësisë nga të gjitha republikat e tjera të Bashkimit. Në Bukovsky Archives lexoj se gazeta ish dizajnuar dhe shtypur aq besueshëm, sa nuk dallohej dot nga versioni zyrtar; dhe se për këtë incident shkroi edhe NYT.

Pak vjet më parë, në gusht të vitit 1968, një tjetër edicion “fake” i gazetës Pravda, në rusisht, qarkulloi në Çekosllovakinë e sapo-pushtuar nga trupat e Traktatit të Varshavës, pjesë e protestës kundër ndërhyrjes.

Të dyja herët, bëhej fjalë për një kombinim të aktit rebelues me performancën artistike: Pravda e rreme vepronte më fuqishëm tek ata që e dinin dhe e dallonin se ishte e tillë: një gënjeshtër që i afrohej pikërisht asaj së vërtete (Pravda në rusisht do të thotë “e vërtetë”), të cilën e maskonte organi zyrtar i pushtetit sovjetik, skenë që aftësonte shndërrimin e rrenës në realitet.

Sipas një njoftimi që nuk kam arritur ta verifikoj, në vitin 1942, edhe nazistët shpërndanë në territoret e pushtuara të Bashkimit Sovjetik një edicion “fake” të gazetës Pravda, në rusisht, ku lajmërohej “Një dhuratë nga Adolf Hitler-i për popullin rus”:  fundi i kolkozeve dhe ri-shpërndarja e tokës bujqësore familjeve që e punonin (“dekolektivizimi”). Por në faqen e parë të “Pravdës” naziste, slogani “proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni” ishte zëvendësuar nga “Proletarë të të gjitha vendeve, bashkojuni luftës kundër bolshevizmit.”

Për t’u shënuar se, këtë herë, printimi i një numri të rremë të Pravdës synonte të bindte fshatarët në zonat e pushtuara se nazistët e kishin seriozisht: tek e fundit, Pravda nuk do të gënjente dot, madje edhe kur e botonte pushtuesi.

Deri edhe bolshevikët e orëve të para do të tundoheshin nga forca performative e një edicioni të rremë të gazetës: në vitin 1923, kur Lenini ishte sëmurë, por ende pranohej si arbitër suprem i mosmarrëveshjeve në kokë të pushtetit sovjetik, Byroja Politike diskutoi mundësinë e printimit të një numri të rremë të Pravdës, ekskluzivisht për Leninin – në mënyrë që ky të qetësohej dhe të mos përzihej më në cic-micet e përditshme të politikës. Thuhet se këtë operacion të pashembullt e pengoi, në minutën e fundit, Trocki[1] (Robert Service Trotsky, a Biography, Pan Macmillan 16 Apr 2010, f. 300).

Kësisoj, “e vërteta” e emrit të gazetës do t’i shërbehej veçan liderit të revolucionit botëror; çka do ta shndërronte gazetën vetë nga dritare drejt realitetit, në ekran amortizues të së përditshmes. Ne që kemi jetuar realitetin e Shqipërisë të fillimviteve 1980, do të kujtojmë se Zëri i Popullit, i atyre kohëve, do të botohej – me përparësi – për konsum nga Enveri tashmë edhe ai i sëmurë; ose si pjesë e kujdesit shëndetësor për të; dhe jo një herë vetëm, por praktikisht çdo ditë.

Që udhëheqja e lartë sovjetike kish botuar (kish dashur të botojë) një edicion fals të Pravda-s, ma solli në vëmendje këto ditë një pasazh i romanit Now Wait for Last Year, nga Philip K. Dick; njëri prej personazheve e përmend këtë si diçka që pat ndodhur “vërtet” (ndoshta autori është ngatërruar; ndoshta bota e romanit nuk përkon tërësisht me tonën). Romani i Dick-ut ndërthur intrigën politike me udhëtimet në kohë dhe interferencat nga realitete paralele, prandaj mendova se edhe edicioni “fake” i një gazete si Pravda mund të shërbejë, në fakt, si portal drejt një realiteti paralel ose alternativ.

Të modifikojë realen, duke i nxjerrë përpara një pasqyrë deformuese – ja një funksion i papritur i arkivit.

 

Shënim: imazhi në kopertinë është për ilustrim; nuk i referohet ndonjë edicioni të rremë të Pravda-s.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] I njëjti Trocki që, në 1927, do t’i shkruante kolegut dhe bashkëluftëtarit Orxhonikidze: “Kush u beson fjalëve, është idiot.” Studiuesi Andrea Graziosi, autor i një studimi kritik për burimet arkivore në Bashkimin Sovjetik (The new Soviet archival sources, Hypotheses for a critical assessment, Cahiers du monde russe, 40/1-2, 1999), e sjell këtë citat duke shtuar se “ne [historianët, A.V.] rrezikojmë të jemi njëlloj idiotë, kur u besojmë dokumenteve që, në fakt, janë thjesht fjalë të shkruara.” Ai sjell edhe një citat nga Stalini, të vitit 1931: “Kush, veç burokratëve të pashpresë, mund të mbështetet vetëm në shkresurina? Kush tjetër, veç minjve të arkivave?” Në fakt, edhe pse një regjimi totalitar i duhet, megjithatë, e vërteta për të funksionuar, gjithnjë do të gabojmë po të mos i trajtojmë dokumentet e asaj kohe si fake Pravdas, ose po të mos mbajmë parasysh funksionin performativ të këtyre dokumenteve (forcën e tyre perlokutive, në rastin konkret; ose çfarë synonin të arrinin autorët e tyre). Për fat të keq, mediat në Shqipërinë e pas 1990-ës e kanë shpërfillur krejt këtë aspekt të interpretimit të dokumenteve nga ajo periudhë, duke e gënjyer lexuesin jo më pak se vetë propagandistët dhe aparatçikët e regjimit totalitar, autorë të dokumenteve; shpesh nëpërmjet kriterit pseudo-heuristik, se çdo dokument i mbrojtur me sekret, thotë vetvetiu të vërtetën.

1 Koment

  1. Me botimin e numrave të rreme, pra të falsifikuara të gazetës Pravda janë marrë edhe britanikët. Përmendet një rast i njohur i “edicionit” të datës 28 shkurt 1921, i shtypur në Londër dhe i dërguar dhe shpërndarë ehe në zonat kufitare të ish-B.S.[History of Anglo-Soviet Relations, Vol. I, f. 51, Coates Y& Coates, Londër, 1945]. Çështja është aq e njohur sa është përmendur edhe në debatet kuvendore në House of Commons në legjislaturat e viteve 1930, 1931, 1948, 1966.

Lini një Përgjigje te Agron AlibaliAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin