FELIKSI I TRE QYTETEVE

Ngjarje e jetuar

Prifti ndalonte që të shihte mirë ku i hidhte këmbët, pastaj nxitonte të arrinte varrëmihësit. Unë ndiqja priftin dhe përfitoja nga ndalesat e tij për të lexuar emrat e gdhëndur në gurëvarret e dy anëve të rruginës nga kalonim. Më kishin thënë se Feliksi do të varrosej në Gropën e përbashkët, gjë që më kishte turbulluar fort, por po i afroheshim murit të vjetër rrethues të varrezave dhe ende nuk e shihja vendin që u ishte rezervuar atyre që vdisnin në rrugë. Diku jo larg prej aty, prifti do të lexonte diçka nga librat e shenjtë, diçka të zgjedhur për të na kujtuar rëndësinë e dorës së dytë që kishte kalimi ynë në këtë botë, pastaj do të zhvendosej ca që t’u linte radhën varrmihësve. Pa e fshehur padurimin për t’u kthyer sa më parë te birraria më e afërt, ata do të nxitonin të shtynin trupin e Feliksit në Gropën e përbashkët.

Te një fik i egër që kishte mbirë në të çarat e murit rrethues, dolën disa hardhuca që vrapuan kuturu nga frika. Ndihesha më mirë të vështroja ato se të çoroditesha duke u përpjekur të kuptoj ku ndodhej ajo Gropa e përbashkët, që nuk më shqitej mëndjeje. Kur varrmihësit ndaluan, pashë se ishte fjala për një parcelë si të gjitha të tjerat, edhe pse në fund të varrezave. U ndjeva më mirë. Nga Mesjeta do të kishte trashëguar emrin dhe bashkë me te edhe me imazhin e zorshëm të varrimit të gjysmës së qytetit në një gropë të madhe, pas një epidemie kolere. Ajo që dija më mirë ishte se tani aty varroseshin njerzit e braktisur, ata të cilëve nuk kishte kush t’u paguante shërbimet e rastit. Nuk ishte fort e mirëmbajtur dhe nuk shihje gjëkundi pllaka mermeri, por aty secili prehej në qoshen e tij. Feliksi nuk do të kishte nevojë ta ndante varrin me të tjerë. Madje, si për të gjithë ata që vdisnin rrugëve, bashkia e qytetit financonte edhe një kryq druri ku qe shënuar emri i tij, që shumë shpejt do të kalbej dhe mbi varr nuk do të kishte më asnjë shenjë, sikundër në ato të fqinjëve të tij.

Varrëmihësit ikën tutje të ndiznin çibukët e tyre elektronikë dhe prifti nxori nga xhepi një copë letër me emrin e Feliksit, që ia kisha shkruar me kërkesën e tij. E afroi para syve, ta lexonte mirë dhe u kthye nga unë për të më kujtuar përse ishim mbledhur aty, pra se ishin mbledhur me rastin e trishtueshëm të varrimit të… Feliksit. E futi në xhep copën e letrës dhe nisi të lexojë nëpër faqet e një libri të vogël që mbante në dorë. Bënte ndërprerje të gjata, ngatërrohej, fillonte nga e para. Pastaj ndalonte fare, sikur priste dikë tjetër të vazhdonte ceremonialin mortor, gjë që më bëri të dyshoj për njê fillim alzheimeri. Dikur kujtohej se ishte ai vetë që duhej ta shpinte gjithçka deri në fund dhe para se të rifillonte kthente vështrimin nga unë, që të sigurohej se kishte dikë që po e dëgjonte.

Kur ishim njohur në hyrje të varrezave, pak çaste më parë, më kishte thënë se ishte shumë i kënaqur nga prania ime. Në dhjetëra ceremoni të tilla, që i merrte përsipër vullnetarisht, ai ishte i vetmi që përcillte në banesën e fundit mjaft prej atyre fatkeqve të cilët mbase atë vend e kishin edhe banesën e tyre të parë.

Duhej të qe e vërtetë, se nuk kisha njohur ndokënd si Feliksi, që të donte aq shumë të kishte një shtëpi. Jo, një shtëpi ku të banonte vetëm, kjo nuk i pëlqente, por një shtëpi me vëllezër e motra. Më ishte lutur disa herë ta adoptoja dhe ta merrja në shtëpinë time. Për herë të fundit vetëm pak ditë më parë. Më kapte gjithnjë e qeshura. Ai më tërhiqte nga xhaketa dhe këmbëngulte të në tijën. Pastaj edhe ai qeshte duke më pyetur mua përse qeshja.

Kur e pashë së pari të hynte te dera bujtinës sonë sociale, Feliksi me trupin e tij prej mastodonti më ishte dukur si mishërimi i vërtetë i përçmimit, përbuzjes dhe inatit ndaj gjithë botës, gjë që përpiqej ta vinte sa më mirë në dukje. Ah, Feliksi i tre qyteteve, ia bënë kolegët e mi dhe çanë e ikën duke shtuar se qe tip i vështirë, se sado që të punoje me të, nuk arrije gjëkundi. Ajo shpërveshja shpërfillëse e cepit të buzës së tij, pas avullimit të kolegëve të mi, dukej se kishte mbetur personalisht për mua që e shihja për herë të parë. Sidoqoftë, bëri sikur më dëgjoi tek i shpjegova disa rregulla që duhej të respektonte aty, por gjatë gjithë kohës nuk i hoqi nga veshët një palë kufje.

Duke i dhënë çelësin e dhomës së tij, këmbëngula të kuptonte mirë se aty nuk ishte një hotel. Në këmbim të gjithçkaje që i ofrohej, fjetje e ushqim falas, ne kishim nevojë për bashkëpunimin e tij që ta ndihmonim t’i kthehej jetës normale. Aq më mirë po qe se do të na thoshte vetë se çfarë priste prej nesh, çfarë ndihme kërkonte, dëshironte të kthehej në shkollë apo parapëlqente të mësonte ndonjë zanat…

Pa mbaruar fjalët e mia, ai ma rrëmbeu nga dora çelësin e dhomës dhe më tha se priste vetëm një gjë: Ta lija të qetë, të mos i çaja kokën! Pastaj deshi të hapë menjëherë derën e dhomës e të zhdukej pas saj. Pikërisht kjo nuk qe aq e lehtë për të. Duart i dridheshin dhe nisi të shajë.

– Feliks, a ke punuar ndonjëherë në jetën tënde me këto duar? – e pyeta duke ia marrë përsëri çelësin, me të cilën ia hapa vetë derën e dhomës.

– Vetëm në burg më japin ndonjëherë punë, – tha duke u zhdukur pas derës.

U ktheva në zyrë për të hedhur në dosjen që do t’u paraqisja shefave, ato pak gjëra që mësova për të.

Të nesërmen në mëngjes, në regjistrin e transmetimit të shërbimit lexova se Feliksi ishte ngritur në mesnatë dhe kishte ndenjur jashtë deri afër mëngjesit. Ndërsa përgatitej të ikte dikush nga ekipi i natës më tha se nuk i pëlqente hiç fytyra e atij njeriu. I thashë se edhe mua nuk më pëlqente ajo vula e përhershme e përbuzjes në fytyrë. Nuk është përbuzje, më tha, është urrejtje, ai njeri urren gjithë botën. Ruaju prej tij.

Dërgova menjëherë dikë ta thërrasë. Feliksi hyri në zyrë dhe fare pa iu përgjigjur përshëndetjes sime, shkoi e u ul drejt e në vendin tim, pas tavolinës së punës. Nga kufjet që mbante në dorë, kuptova më së fundi se muzika që dëgjonte ishte një lloj pop-i mandarin.

– Për çfarë do të bisedojmë? – më pyeti, me zërin e dikujt që nuk ka shumë kohë të presë.

Shkova të mbyll derën që kishte lënë hapur dhe duke qëndruar në këmbë para tij e pyeta nëse më jepte leje të ulesha në ndonjë karrige që gjendej në zyrën e tij.

Për herë të parë në fytyrën e tij pashë të shfaqej gjësendi që me pak optimizëm mund të merrej për buzëqeshje.

Me një lloj të foluri shpërfillës e me duar në ajër, duke bërë gjeste rapisti, Feliksi nisi të më shpjegojë se nëse e kisha thirrur për ikjen natën pa leje, unë duhej ta dija se ai nuk mund të linte pa shkuar të takojë miqtë e shumtë që kishte. As unë e as ndonjë tjetër nuk mund ta ndalonte të shkonte te nuni i tij Jean-Gabriel që e kishte ftuar për ditëlindje. Pastaj më foli për një gjyshe, të quajtur Leontinë, te e cila ishte kthyer ta pyeste nëse i kishte marrë ilaçet, por pastaj kishte patur frikë të ikte se ajo nuk ndihej mirë.

E lashë të fliste sa deshte, duke i dhënë të kuptonte se e besoja në gjithçka. Në fund i shpjegova se askush nuk e pengonte t’u përgjigjej të gjitha ftesave që merrte, edhe asaj të Dalaj Lamës. Vetëm se duhej të lajmëronte personelin e shërbimit kur vendoste të kalonte natën jashtë. Ishte e vetmja gjë që kërkoja.

Siç e prisja, fjalët e mia nuk i bënë shumë përshtypje. U ngrit të ikë duke më vënë dorën në sup, si për të thënë se atë ditë duhej të kënaqesha me aq sa më kishte treguar.

Ndihesha pothuaj entuziast edhe për lidhjet e tij familjare. Ata që zbresin drejt ferrit, te porta e tij zakonisht gjenden fillikat. Kështu të paktën thuhet, ndërkohë që nga përvoja në një profesion të tillë e kisha kuptuar prej kohësh se njerëzit gjendeshin një ditë te porta e ferrit sepse më parë i kishin braktisur të gjithë. Shpresoja se Feliksi nuk delironte kur fliste për lidhjet e tij të shumta familjare.

Në bazën e të dhënave të Urgjencës sociale të metropolit nuk gjeta informacion të bollshëm për të. Feliksi nuk ishte i panjohur për ta, por nuk dihej shumë për jetën e tij. E dhëna që më tërhoqi më shumë ishte se ai qarkullonte  periodikisht në bujtinat sociale në qyteteve Lille, Roubaix e Tourcoing, tre qytete që përbënin metropolin evropian më të rëndësishëm verior të vendit. Në çdonjërin prej tyre qëndronte pak javë dhe pastaj zhdukej papritur. Isha më i qartë përse kolegët e mi më të vjetër e quanin Feliksi i tre qyteteve.

Të nesërmen në mëngjes e ndjeva që larg mërinë e njërit prej rojeve të natës, që po më priste në parkingun e bujtinës majë motorit të tij të fuqishëm, me kaskën në kokë. Feliksi përsëri kishte ikur pas mesnatës dhe ishte kthyer në mëngjes.

U drejtova menjëherë në dhomën e tij. Dukej se vërtet e kishte marrë bujtinën tonë për hotel. Sapo hapa derën, në fytyrë m’u përplas shija e athët dhe era e kokainës së karamelizuar. U turbullova. Qe një shpërfillje e hapur e rregullave tona, për të cilën ndëshkoheshe. Në anë të shtratit ishte hedhur një fletë alumini e përcëlluar dhe një çakmak. Isha më i qartë për qëllimimin e vërtetë të inkursioneve të tij nokturne.

– Feliks, i thashë, i bindur se më dëgjonte, ka dy ditë që po të pres të flasim për problemet e tua.

– Do iki vetë, sa të bjerë nata, – foli mbytur, duke zhytur më thellë kokën nën batanije.

E kapa nga supet dhe e ktheva me forcë ta shihja në sy.

– Dua që kurrë të mos drogohesh këtu! – i thashë duke bërtitur sa nuk e njoha as zërin tim, – dhe dua të ndërrosh reflekset e tua prej bufi. Dua të dalësh ditën dhe të flesh natën.

M’i nguli sytë si të bindej nëse i flisja seriozisht.

– Nuk do më përzësh?-pyeti.

– Jo. Të paktën, jo sot!

– Nuk mund të dal ditën, – më tha, sikur po më besonte diçka të rëndësishme, në këmbim të mospërzënies, siç e donte rregullorja, – Më njohin të gjithë. Ndalojnë në rrugë dhe më thonë se jam fëlliqësirë.

Nuk po kuptoja asgjë.

– Dalin edhe në dritaret e shtëpive të më thonë se jam fëlliqësirë e madhe,- përsëriti.

Fytyra i qe rrudhosur nga dëshpërimi i thellë dhe nisi të dridhet. M’u duk si një shpirt i vogël që endej gjithë tmerr e frikë brenda atij trupi të madh. Vetëm sytë e përlotur i kishin të përbashkët.

Ajo që desha ta marr si delir i zakonshëm i një toksikomani që nis e zbret ngadalë në puset e ankthit dhe dhimbjes për shkak të mungesës në gjak të atyre kompozantëve kimikë aktivë që i turbullonin komunikimin neuronal, nuk dukej të qe gjësendi tamam e tillë. Kisha menduar si fillim t’i propozoja disa seanca psikoterapie për një vlerësim më të madh të vetes, por me atë që dëgjova duhej menduar gjithçka nga e para. Mbase fillimisht  duhej t’i organizoja një vizitë te psikiatri. Ato zërat që i dukej se dëgjonte rrugëve nuk mund të ishin thjesht pasojë e përdorimit të gjatë të drogës.

Gjithsesi, kur lashë punën dhe mbërrita në shtëpi, u kujtova t’i telefonoj rojës dhe t’ i them se Feliksi kishte lejen time, po qe se donte të dilte natën jashtë bujtinës. Para çdo gjëje, kisha nevojë të fitoja besimin e tij.

Të nesërmen ai më priste te dera e zyrës. Më kërkoi t’i jap çelësin me të cilën më hapi derën dhe ndërsa unë po hiqja xhupin tim e dëgjova të më thotë se ruante kujtime të një fëmijnie të lumtur. U ula gati si i frikësuar se mos bëja zhurmë. Nuk është se prindërit rrinin shumë me mua, tha, por isha i kënaqur kur i shihja. Ata udhëtonin shumë dhe ai e kalonte ditën me dadon e tij. Kujtonte veçanërisht çastet kur shihte nga dritarja makinën e tyre dhe zbriste me vrap shkallët për t’i përqafuar në oborr.

Pastaj një ditë e ëma qe kthyer vetëm. Ai zbriti poshtë por ajo nuk vrapoi ta ngrinte në krahë. Shkoi drejt e në dhomën e saj dhe u mbyll të qante aty. Ai nuk e kuptonte pse nuk e donte më. Për të atin ajo i tha se nuk do të vinte më. Asnjë fjalë më shumë.

Nga lartësia e moshës së tij kishte menduar se nëse për të qenë e lumtur një grua ka nevojë të ketë një burrë pranë, ai do të gjente një të tillë për të ëmën.

Çdo të diel nga ballkoni i shtëpisë shihte gra të veshura me të bardha që dilnin nga kisha me një burrë prej krahu. I bindur se e mësoi ku gjendeshin burrat ai kishte nisur t’i kërkojë së ëmës të shkonin në meshën e së dielës. Por gjithnjë ndodhte që burrat më të mirë e më të bukur i merrnin gratë e tjera. E ëma nuk lëvizte vendit, si të qe prej druri. Dhe pastaj i kujtohej dita kur ajo e kishte pritur te dera e shkollës. Së bashku shkuan në një dyqan, ku blenë një kostum të bukur dhe pastaj hynë në një ëmbëltore, ku pritën deri sa në tavolinën e tyre erdhi të ulej një burrë që atij i pëlqeu. Ai prekte të ëmën nga duart dhe qeshte shumë. Porosiste gota pijesh të ndryshme dhe vazhdonte të qeshte. Madje, gjithnjë e më shumë, sa të gjithë kthenin kokën nga ata.

Ditën e martesës Feliksi kishte ndenjur gjithë kohën pranë çiftit. Edhe në tavolinën e madhe të darkës, ishte midis tyre, duke u kujdesur të mbante të pastër kostumin e tij të ri. Burri i ri nënës kishte filluar të qeshte me zë të lartë dhe dikur e tërhoqi pothuaj me zor të ëmën nga krahu dhe shkuan e u mbyllën në dhomën ngjitur. Kur dolën të dy ishin me rroba jo aq të rregulluara. Mamasë nuk i ikte e skuqura nga fytyra dhe deri në fund nuk i ngriti sytë. Kur ikën edhe të ftuarit e fundit, atë e harruan në tavolinë dhe të dy nxituan të mbyllen përsëri në dhomën e tyre.  Megjithatë Feliksi ndihej i lumtur.

Diçka nisi të ndryshojë atë natë kur u zgjua i trembur nga një zhurmë të fortë. Një shishe që u thye dhe një britmë që e ngjethi. Vrapoi të dalë te dera e dhomës së tij. Aty pa kalimthi të ëmën që nxitoi me trup të përkulur, drejt banjës. Fytyrën e mbulonte me pëllëmbë. I shkoi asaj nga pas por nuk i foli sa kohë ajo lante gjakun që i kullonte nga një e çarë mbi faqe. Kur ngriti kryet, ai i zgjati peshqirin dhe i kërkoi falje që i kishte kërkuar të martohej. Ajo i tha se kishte dashur vetë të martohej. I tha se ishte mirë që ai të rritej me një burrë pranë, të mësonte të sillej si një burrë i vërtetë. Eshtë faji im, kishte ulëritur ai për herë të parë.

Ajo skenë masakruese përsëritej gjithnjë e më shpesh, por ata nuk u ndanë kurrë. Kur u rrit ca ai kishte nisur të dyshonte se ajo ushqente një pasion shkatërrues për burrin që kishte gjetur. Dhe që atëherë Feliksit i pëlqente të rrinte më shumë në rrugë se sa të shihte të ëmën të përgjakur. Por ajo kishte nisur t’i lutej gjithnjë e më shpesh të mos e linte vetëm. Ai qe i vëmendshëm ndaj saj dhe sa herë që mundej, kthehej të flinte në shtëpi. Nuk ishte përleshur ndonjëherë me burrin e saj, por ai sillej ndryshe në prani të tij, nuk guxonte ta prekte me dorë. Kthente gota pareshtur dhe në fund niste e përtypte edhe xhamin e tyre me dhëmbë, duke i parë ata të dy në sy.

Atë ditë ajo i ishte dukur më e shqetësuar se kurrë dhe i kërkoi të kthehej herët në shtëpi. I qe lutur.  Tamam atë natë, me dy shokë të bandës së tij ai do të tërhiqte me makinë automatin e shpërndarjes së kartëmonedhave në qendër të qytetit. Kishte llogaritur gjithçka me minuta dhe para mesnatës do të ishte në shtëpi. Por asgjë nuk shkoi ashtu siç ishte parashikuar. Kur dolën nga makina,  dhe po përgatiteshin të shpërthenin kasafortën e automatit, në periferi të qytetit, ata e panë veten të rrethuar nga një mur policësh të armatosur.

Ishte nata kur e ëma kishte marrë fillimisht një goditje leve në qafë. Ajo kishte mundur të dilte në korridor dhe i qe afruar kreut të shkallëve. Aty kishte thirrur fort. Fqinjët i thanë më pas se ishte hera e parë që e kishin dëgjuar ta kërkonte atë me emër. Pastaj ajo ishte rrokullisur nëpër shkallë. Nga koka e hapur i qe zbrazur i gjithë gjaku. Mjeku ligjor nuk kishte mundur ta përcaktonte me saktësi nëse ajo e çara ne kokë ishte pasojë e nje goditjeje të dytë me levë apo e perplasjes ne tehun prej betoni të një shkallëze.

Kur po tregonte për çastet e fundit të së ëmës, Feliksi dukej i qetë, por i lodhur për vdekje.

– Të gjithë e dinë se e lashë vetëm atë natë, –  më tha duke vënë përsëri në fytyrë atë maskën e tij të shpërfilljes me të cilën mendonte se fshihte gjithçka.

E falënderova për gjithçka më besoi dhe e shoqërova deri në dhomën e tij, duke i premtuar se nga ai çast kurrë nuk duhej të mendonte se ishte vetëm, se do të bëja gjithçka për të.

Disa minuta më vonë ai u shfaq te dera e zyrës. E mbylli me forcë dhe u mbështet pas saj, duke më vështruar me ngulm në sy. I thashë të ulej. Nuk pranoi. E pyeta nëse donte të ulej në tavolinën time. Përsëri nuk pranoi.

-Ti nuk mund të bësh asgjë për mua! – tha me zë të mbytur.

– Jam formuar për këtë punë, e di se për çfarë flas, Feliks, – ia bëra me zë të qetë, – Kthehu në dhomë dhe kur të jesh gati, eja të bisedojmë përsëri.

– Ti je formuar të heshtësh!  – më tha egërsisht, – përndryshe do më thoje si të gjithë të tjerët se jam fëlliqësirë që ika dhe e lashë vetëm atë natë!

– Që sot do t’i dorëzoj shefes të gjitha dosjet e tjera dhe do të merrem vetëm me ty, – i thashë,- Së pari do të shkojmë të shohim një mjek, që e kam mik.

Ndonëse isha kujdesur të mos i thoja se askush nuk do t’ia dijë për ty kur ecën rrugëve të qytetit, se askush nuk të shan fëlliqësirë, se gjithçka ndodh në kokën tënde, ndonëse i fola për mjek dhe jo për psikiatër, megjithtë, ai kishte pritur të vinte mesnata dhe ishte larguar. Nuk u kthye as të nesërmen, as në ditët në vijim.

Isha i sigurt se do të kishte shkuar në ndonjë nga qytetet e tjera të metropolit tonë dhe do të rrinte deri sa t’i dukej se edhe aty e njihnin të gjithë cili ishte. Veçse kjo nuk më qetësoi fare. Duke qëndruar ashtu në natyrë pa asnjë lloj mjekimi edhe në fund të botës po të shkonte ai nuk do t’i shpëtonte dot overdozës shkatërruese të vetëfajësimit. Por nëse kthehej përsëri atëhere isha mjaft më i qartë se çfarë duhej të bëja për të.

Dhe tamam kur prisja të ndodhte një gjë të tillë më kërkuan në telefon nga spitali. Një mjeke më shpjegoi se shërbimet ambulatore të urgjencës e kishin shpënë Feliksin në spital gjysmë të vdekur, për shkak të intoksikimit me një droge të fortë, por për shkak të sekretit mjeksor, nuk pranoi të më thotë përse ishte fjala. Më siguroi se tani ndihej më mirë dhe se ishte vetë Feliksi që i kishte dhënë emrin tim dhe donte të dinte nëse mund të kthehej përsëri te ne.

Spitali e solli me autoambulancën e tij. Kur i dola përpara ta përshëndes, vërejta se në anë të buzëve të tij ishin shfaqur flluska djegieje. Nuk pata më dyshim se ai tani konsumonte crack. Flluskat ishin pasojë e pipës së shkurtër prej xhami, me të cilën gëlltiteshin avujt e saj. Forma kristaline që i kishin dhënë kokainës toksikomanët e Karaibeve në vitet shtatëdhjetë, e kishte shndërruar Feliksin në një shpirt pa trup. Crack-u e kishte zhveshur nga mishi. Ecte me vështirësi, si një merimangë që ka rënë në një pellg të ndotur.

Kur e shoqërova në dhomë duke e mbajtur prej krahu, mendova se do të ishte më mirë të mos i flisja për nevojën e ndonjë kure detoksifikimi. Të paktën jo në fillim. Por ndërsa u ktheva në tavolinën e punës, Feliksi u shfaq te dera e hapur e zyrës sime.

– Më adopto, – më tha.

– Feliks, i thashë, ti ma sjell majë hundës këtu, e jo më të kem edhe në shtëpi.

– E shikon, pra? Edhe ti mendon se jam fëlliqësirë!

Më hodhi atë vështrimin e tij të vjetër gjithë përçmim dhe u kthye në dhomën e tij.

Kur mbeta vetëm e ndjeva se me ardhjen e tij, diçka kishte ndryshuar. Ndihesha i stresuar dhe shfaqja mungesë durimi të dëgjoja të tjerët. Crack-u qe një drogë të cilës shumë vetë i rrinin larg. Kisha punuar mjaft vite me heroinomanë që drogoheshin gjatë me të njëjtën substancë, por sapo kalonin në crack, e shkurtonin shume historinë e jetës së tyre.

Pas vaktit të drekës shkova ta takoj me qëllim që t’i propozoja të zhvendosej në një dhomë dyshe. Të paktën të kishte pranë ndokënd që mund të na njoftonte në rast urgjence. Më kishte qëlluar shpesh herë t’i gjeja të vdekur kur shkoja në mengjes t’i takoja në dhomat e tyre.

E gjeta të ulur mbi shtrat. Më buzëqeshi dhe më tha se po më priste, gjë që më habiti pak.

– Ti ke të drejtë, – më tha, – Unë jam i pafajshëm. Nëna ime kishte zgjedhur burrin që nuk duhej.

E dëgjoja dhe më dukej se më bënin veshët. Më tha se po mendonte seriozisht që të dilte edhe ditën nëpër qytet. Do t’u thoshte të vërtetën të gjithëve. Do t’i linte ta quanin “fëlliqësirë” dhe pastaj me durim do t’u shpjegonte si ishte puna.  Njerëzit do ta kuptonin.

Desha të hap dritaren dhe të thërras: më në fund!

E megjithatë, kisha ende një lloj frike. Nga përvoja e dija se njerëz të tillë kurrë nuk duhen lënë në boshllëk, prandaj e pyeta se çfarë dëshirash kishte, çfarë i pëlqente të bënte në atë çast të jetës së tij.

– Të bëhem djali yt, – më tha.

-Tjetër, tjetër!

– Të kem një qen dhe një barakë për të shitur patate të skuqura.

M’u duk vetja se po ëndërroja. Feliksi ishte para meje, i qetë, me humor të mirë, dhe me plane për të ardhmen. Kisha nisur ta përfytyroj tek mbyllte barakën e tij ku kishte fërguar patate tërë ditën dhe para se të kthehej në shtëpi dilte të bënte një shëtitje rrugëve me një karrocë përpara ku flinte fëmija i tij, me një gruan që e shtrëngonte nga krahu duke tymosur cigare dhe qenin që i ndiqte pas. Qe një imazh që e ndeshja aq shpesh rrugëve dhe nuk e kuptoja në emër të cilit ligj Feliksit mund t’i ndalohej një gjë e tillë.

Me të tilla ide në kokë, mendova ta takoj edhe një herë në darkë,  para se të lija punën. Po ta gjeja ende në një zonë të mirë do t’i përmendja kalimthi nevojën e një kure detoksifikimi. Ishte hapi i parë i domosdoshëm, paradhoma e të gjitha projekteve të jetës se tij.

E gjeta aty ku e kisha lënë, i ulur mbi shtrat me një pozicion prej bude dhe me kufje në veshë nga vinin tingujt e pop-it të tij  mandarin. Veçse këtë herë nuk e ngriti fare kokën të më shohë.

– I kërkova unë të martohet! – bërtiti, duke u ngritur menjëherë në këmbë, – Po të mos i isha lutur unë ajo kurrë nuk do të martohej me alkoolikun e parë që njohu.

Ndodhej me hundë ngjitur me mua kur më tha këto fjalë, por e pata të vështirë ta njoh. Sikur nga gjoksi i kishte dalë një fytyrë tjetër, me një bardhësi e ngurtësi kufome.

– Mos e tepro, – ia bëra, duke e ndjerë se më zuri paniku, – Ajo ishte ende e re, do të martohej.

-Isha unë që i kërkova të martohet!  – ulëriu, prapë, – I kërkova të martohet dhe pastaj e lashë vetëm atë natë!

U ndjeva fort i zhgënjyer e i dëshpëruar. Duke mos patur asnjë zgjidhje tjetër nisa t’i flas për të afërmit e tij, veçanërisht për gjyshen, të cilën ma kishte përmendur vetë dikur. Po qe se donte unë mund ta merrja me makinën time dhe të shkonim t’i bënim një vizitë, që atë çast. Isha i bindur se do t’i bënte mirë. Kisha parë shumë vetë që me gjithë problemet që kishin, ndiheshin mjaft më mirë në praninë e dikujt më të dobët, që kishte nevojë për ta.

Në fytyrën e tij u shfaq një shprehje moskuptimi të thellë. Dukej e kishte të vështirë të orjentohej se për çfarë po i flisja. Pastaj ajo që munda të kuptoj ishte se gjyshja e tij qe aksidentuar dhe kishte vdekur po atë ditë që e kishin njoftuar se e bija gjendej në morgun e spitalit. M’u kujtua nuni i tij dhe një kushërirë me emrin Berta, por nuk e hapa më gojën, duke dyshuar edhe në ekzistencën e tyre.

Kur u ktheva në shtëpi isha ende i hutuar. Megjithatë u kujtova t’i telefonoja ekipit të natës dhe i porosita që ta ndalonin Feliksin të dilte jashtë, qoftë edhe duke përdorur forcën. Por ajo që mësova nuk qe fort ngushëlluese. Feliksi sapo kishte dalë në qytet.

Polici që u paraqit të nesërmen në mëngjes në qendrën tonë, deshi të dinte nëse në raportin e tij mund të shënonte se Feliksi kishte banuar  te ne ose të paktën këtu kishte qenë banesa e tij e fundit. Se nga informacionet që kishte emri i tij i dilte ne tre qytete të ndryshme. Shpresova se qe fjala për arrestimin e tij të radhës për konsumim droge (substancash të ndaluara, ishte termi zyrtar) në vendet publike, por polici, pa e ngritur fare kokën nga blloku i i tij i shënimeve, më tha se “ky person” kishte vdekur. Trupi i tij ishte gjetur jo larg stacionit të trenit. Aty ku kalonte netët e tij.

U ngjita në zyrë dhe tek mbështeta kohën në pëllëmbët e mia, pashë se dosjen e tij e kisha ende të hapur mbi tavolinën time. Ato pak shënime që kisha hedhur aty, ishin të vetmet gjurmë të kalimit të Feliksit në këtë botë. Diku, në një shënim vërejta se vdekja e së ëmës kishte ndodhur një fillim qershori. Sipas llogaritjeve të mia atë natë duhej të kishte qenë një përvjetor i vdekjes së saj…

– Si quhej? – më pyeti përsëri prifti, që nuk po e gjente ku e kishte futur atë copën e letrës.

– Nuk ka nevojë, atë, – i thashë me zë të ulët në vesh, – Jam i vetmi këtu dhe ia di emrin. Varrmihësve nuk u intereson shumë…

– E kam për atë lart, – më tha ai me zë po aq të ulët sa edhe unë, por duke ngritur njërin sy nga qielli.

– Ah,  ke të drejtë, –  i thashë, – quhej Feliks. E quanin edhe Feliksi i tre qyteteve.

Në murin e vjetër rrethues të varrezave, kishte një copë herë që hardhucat nuk rendnin më kuturu dhe mbanin re nga ne, deri në çastin që trupi i Feliksit preku fundin e Gropës së përbashkët.

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: