PERIPATETIZËM MASMEDIATIK

nga Edon Qesari

Riccardo Muti është ndoshta dirigjenti orkestral më i shquar sot në nivel botëror, ndër ata që janë në jetë. Ai ka vite që përballet me autoritetet publike të vendit të tij, Italisë, për shkak të thërrimeve monetare që ato i hedhin sektorit të artit e kulturës. Për maestron, me të drejtë, një trajtim i tillë veç përdhos namin që Italia gëzon për pasurinë e saj monumentale, traditën operistike apo kinematografinë – të cilat dergjen në gjendje të skamur financiare, pikërisht se vëmendja publike shkon tjetërkund. Çka ka shtyrë shumë personalitete të artit dhe të kulturës, mes të cilëve dhe Muti-n vetë, që të ndërpresin marrëdhëniet e vazhdueshme me vendin e tyre e t’i drejtohen shteteve ku përkushtimi në këtë drejtim nuk mungon.

Në një intervistë të dhënë rishtas, Muti lë të kuptohet se mospërfillja ndaj kulturës vjen si pasojë e një dakordësie të heshtur nga ana e atyre që kanë në dorë qeverisjen dhe shpërndarjen e fondeve publike. Këta, thuajse enkas, kanë lënë në mjerim orkestrat dhe muzetë, bibliotekat dhe teatrot, duke e nginjur popullatën, mes të tjerash, me programe televizive të përcipta (konkretisht, Muti përmend emisionet që i kushtohen gatimit – por dhe më shumë do të kishte për të thënë në lidhje me lemerirat që shfaqen pasditeve e darkave, kur personazhe të spektaklit, biba dhe birbo, të cilët nuk shquhen për ndonjë nivel magjepsës kulturor, mbizotërojne mediumet e masës).

Kaq do të mjaftonte për t’i dhënë një shpjegim, deri diku përmbushës, gjendjes po ashtu mjerane të programacionit televiziv në Shqipëri. Kam përshtypjen se nuk përbën risi për askënd – e nuk besoj se do të zgjojë ndonjë kundërshti – pohimi se televizionet shqiptare janë kthyer në imituesit më besnikë të atyre italiane prej dekadash tashmë; e sa më shumë këto të fundit njësohen me një prirje leqëndisëse të nivelit kulturor, e që kapërcen Rubikonin bashkë me kufijtë italianë, të njëjtën rrugë zgjedh dhe programacioni shqiptar.

Këto janë raste kur shumëkush mund të predikojë se një popull ka, veç qeverisë që meriton, edhe televizionin që dëshiron; se industria e mediumeve të masës dhe e atyre socialë është një pasqyrë e nivelit kulturor të masave (spektatorë, telespektatorë dhe/apo ndjekës virtualë); se funksioni pedagogjik i mediumeve të qëmotit është i papërshtatshëm me një kohë si kjo e jona; e se gjuha përmes së cilës këto mediume komunikojnë me masat i ngjan asaj të politikës – në një kohë kur “politikja” nuk sheh më larg se një prag katërvjeçar (në mos dyvjeçar apo më pak), në mbërritje të të cilit qëndrojnë afate elektorale.

Kësisoj, mesazhi duhet të shkojë tek sa më shumë veshë elektoralë, çka e detyron atë jo vetëm të ridimensionohet në përmasa por edhe të thjeshtëzohet, të jetë mesatar (mediocris, thoshin latinët). Pra të banalizohet. E duke qenë se mediumet janë vetvetiu përçues të këtij mesazhi, afërmendsh ata do i përshtaten nivelit të të dy anëve: të dërguesit dhe të marrësit – aq më tepër kur këto role ndodh të jenë të ndërshkëmbyeshëm.

Sepse një shpjegim i cili mjaftohet duke i vendosur tipare laissez faire-i marrëdhënies dërgues-marrës duket se nuk është shumë bindës; lë plot boshllëqe epistemike, të cilat nuk mund të mbushen me thjeshtëzime (që edhe në këtë rast janë banalizme) të llojit “televizioni shfaq atë që publiku kërkon”.

Në këtë kuptim, për shembull, një ekonomiste franceze, Julia Cagé, nga Instituti Science Po, ka korrur goxha vëmendje vitet e fundit me tezën e saj se përqëndrimi i pronësisë mediatike në pak duar – oligarkizmi në këtë sektor, edhe në Francë, lulëzon – ka çuar në një përvetësim të rrugëve për nga përcillet mesazhi. Ato kanë farë pak zotër përgjatë tyre, të cilët janë të ngjashëm në shumëçka me njëri-tjetrin (përfshirë dhe në mënyrën sesi ruajnë mallin e tyre që s’është vetëm mediatik). Me pak fjalë, interesa të caktuara, kryesisht të rrafshit të epërm financiar (e që lidhen me atë politik e mëtheetëthashë) e shfrytëzojnë pronësinë e tyre mbi mediumet më të ndjekura për të imponuar mbi masa edhe një forma mentis të caktuar. Ça va sans dire se budallepsja e dynjasë, që shpenzon neuronet e veta duke ndjekur personazhe të fryrë me steroide dhe likes/followers, mbase nuk ndodh krejt kot. Është dhe një mënyrë për ta bërë atë për vete. Për ta droguar. Për ta mbajtur nën kontroll.

Një proces i tillë mund të zgjojë përfytyrime komplotiste tek shumëkush, ndaj po kursej gracka të ngjashme me ato që mbushin panelet televizive dhe portalet informative. Po e mbyll duke thirrur in causa dikë që nuk i pati njohur mediumet e masave, por që mbase kapi diçka më thelbësore se vetë kuptimi i tyre në jetën moderne.

Tek Aristoteli gjejmë tre mënyra për t’iu qasur dijes: përmes teorisë (θεωρία), e cila na lejon ta njohim realitetin duke e vëzhguar atë, por pa mundur assesi ta ndryshojë; përmes teknikës (τέχνη), që na mundëson ta punojmë/riprodhojmë realitetin nëpërmjet aftësive tona manuale apo mendore; si dhe përmes praktikës (πρᾶξις), që nënkupton njohjen me ndihmë të marrëdhënieve mes njerëzve – e cila, mandej, pëson nëndarje si etika, politika dhe ekonomia. Për filozofin peripatetik (që mbahet se ligjëronte duke shëtitur), procesi tërësor i njohjes së gjithçkaje që na rrethon kalon nga një gërshetim i këtyre tre mënyrave.

Zgjon vërtet kureshti sesi, përgjatë shekujve që çojnë nga Lashtësia klasike në Mesjetën e vonë – atëherë kur opus-i aristotelian merr përmasat e një dogme kulturore në Perëndim – dallimet mes dy kategorive të fundit zbehen, derisa, përmes filozofisë kritike gjermane, teknika dhe praktika njësohen plotësisht. Por nejse, e rëndësishme është që teoria dhe teknika/praktika kurrë s’u pleksën.

Thënë kjo, përfytyroni tani Aristotelin të ftuar në ndonjë emision të së premtes mbrëma. I thuhet se si ai si ndonjë vajzë tërë hire (por vetëm kaq) që i qëndron në krah janë të ftuar në emision pasi është vënë re se publiku i dëshiron; se autorët televizivë janë kufizuar vetëm në konstatimin e kësaj të vërtete. Kësisoj, meqë teknologjia e ka krijuar mundësinë, në praktikë Aristoteli ftohet që të shfaqet gjithmonë e më shpesh para publikut, se publiku këtë do; makar duke e bërë personazh në ndonjë reality show. Do ta hajë atë kokërr ulliri?

Rreth Autorit

Edon Qesari është kërkues shkencor pranë Institutit të Historisë. Pëlqen kuartetet e vona të Beethoven-it, detin Jon në dimër dhe rrëfimet e komisarit Maigret.

Author Archive Page

2 Komente

  1. E kane ngrene disa pop-filozofe: sloterdijk apo zizek (K. Mile me shkon nder mend ne Shqiperi, apo ai i OP, Arlind Qorri). Publiku do sherr e agresion, edhe ate pasivin.

  2. Ose mund te perdoret filozofia e Steve Jobs:jepi publikut dicka qe nuk e di se e do .Nese Henry Ford -vazhdon ai- do te kishte pyetur njerezit se cfare donin ,ata do te pergjigjeshin :nje kale me te shpejte .Publiku pelqen nje dicka te caktuar sepse ndoshta nuk di se ekziston dicka me e mire .

Lini një Përgjigje te AlbaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin