TË DËGJOSH MBRËMJEN

Ascolta, si fa sera, thoshte zëri pak si mallëngjyer i folësit, për të lajmëruar fillimin e rubrikës së përnatshme fetare në Radio Rai. Pesë minuta ka zgjatur, aq sa për të përcjellë një mësim të shkurtër, një parabolë, një histori, një exemplum; të nxjerrë nga tekstet e shenjta, nga letërsia, nga librat fetarë, nga jetëshkrimet e papëve, nga folklori. Nuk di si pata filluar ta dëgjoj: mbase në krye ngaqë vinte fill pas “Tutto il calcio minuto per minuto”, por më pas edhe ngaqë më pëlqente: ato që rrëfeheshin, por edhe toni i zërit, që mua më tingëllonte aq hipnotik: joshës por jo detyrues. Zakonisht ai që fliste ishte prift (më të rrallë rabin); dhe priftërinjtë në Shqipërinë e atyre viteve nuk i dëgjoje dot gjëkundi më, përveçse si personazhe negative në teatër dhe në filmin e Kinostudios. Nuk dija si do të tingëllonte prifti im shqip. Më pëlqente fjala e tij italisht. Meqë sa kisha dalë nga fëmijëria, mbase ngaqë më kujtonte njëfarësoj zërin e përrallëtarit. Nuk mbaj mend sa i kuptoja dhe si, ato që dëgjoja. Emisionin do të kem nisur ta dëgjoj dikur nga viti 1974; nuk është se e kërkoja, por sikur më dilte përpara. Ascolta, si fa sera. Katër fjalë që më thërrasin në mendje trishtimin e mbrëmjeve të vjeshtës në Tiranë. Kjo ishte sera për mua, e ndryshme nga mbrëmja në shqip, dhe aq më tepër nga evening e anglishtes; ftesë për të dëgjuar. Më shoqërohet edhe me një imazh tjetër, atë nga një poezi enigmatike e Salvatore Quasimodo-s:

Ognuno sta solo sul cuor della terra
trafitto da un raggio di sole:
ed è subito sera.

Ky ishte edhe momenti ku të dëgjuarit, ascoltare, do të vinte si ngushëllim: pak a shumë në të njëjtën orë transmetonte Tirana edhe radiopërrallën për fëmijë; mbase fëmija që kish mbetur tek unë, e kërkonte rrëfimin në mbrëmje. Nuk kam pasur përvoja mirëfilli religjioze, në atë kohë; por një farë misticizmi e ndieja dhe e ndiej, të nderur midis mbrëmjes (sera) dhe fjalës të shtrupëzuar të radios. Një fjalë që duhej dëgjuar – ascoltare – duke iu bashkuar edhe ti shtrupëzimit. Gati si një farë eksperience out-of-body; privilegj që ta sjell vetëm zëri.

Vitet 1970 ishin ende të zërit; imazhi mbetej i i përtejmë, i kushtueshëm, edhe kur nuk ishte intim, ekskluziv; shpesh bardhezi. Më pëlqente ta mendoja ditën si të syve, ndërsa natën si të veshëve: ditën për t’ia kushtuar të vështruarit, natën të dëgjuarit. Shtëpitë ende s’i kish marrë në dorëzim televizioni; kur kthehesha në darkë (darkat ishin të kthimit), shpesh më kapte melankolia e një radioje që më shoqëronte nga ndonjë dritare në rrugë. Nata u përkiste edhe valëve të shkurtra, që “zbarkonin” mbi radiot si parashuta diversantësh e desantësh: Zëri i Amerikës, Radio Europa Libera, Radio Vatikani, Radio Londra, Radio Moska… Qytetet radhë-radhë në “fasadat” e radiove tona shndërroheshin befas në stacione të largëta: ascolta, si fa sera.

Vitet 1970 ishin të totalitarizmit – dhe totalitarizmin asgjë nuk e mishëron më mirë se altoparlanti, që përcjell live fjalimin e “shefit” në një shesh me gungë. Lideri flet por nuk duket; flet gati për së brendshmi, si super-egoja. Në shqipe të dëgjosh do të thotë edhe të bindesh; pak a shumë si në anglishte: to listen. Italishtja udire dhe obbedire janë etimologjikisht të lidhura. Përkundrazi, ascoltare vjen nga latinishtja auscultare, folje denominale, nga ausis (auris) – vesh; të përdorësh veshin, pra, duke marrë pjesë ti vetë në dëgjim.

Për ne që jetonim në Shqipëri, e vetmja formulë mbijetese ishte të dëgjonim (ubbidire) gjatë ditës dhe pastaj të dëgjonim tjetërlloj (ascoltare) gjatë natës; me mbrëmjen (sera) që shënjonte kalimin nga një modus i ekzistencës në tjetrin. Që këtej: ascolta, si fa sera

Mbrëmja të bën të ndihesh vetëm, në zemër të dheut (“ognuno sta solo sul cuor della terra”); vetmi që për mua i bashkohet pamjes blu pastaj mavi të Dajtit, nga ballkoni i shtëpisë; një pauzë, një hiatus, një kthim i faqes së qiellit, që njeriu mund edhe ta dëgjojë: por zhurmat dhe zërat duhet t’i vijnë të përtejme. Veshi yt e ka aftësinë për t’i rrokur të gjitha njëherësh, simfonikisht – mjaft të jesh gati.

Por frustrimi i ditës, në Tiranën e rinisë sime, nuk të linte shumë vend për dëshpërimin ekzistencial, frikën përballë universit, çastit magjik dhe të pakapshëm kur fillojnë të ndizen yjet. Atë çast e identifikoja me fjalën muzg, në anglishte dusk – por jo me italishten crepuscolo, që më lidhet me Nietzsche-n dhe me Götterdämmerung-un e Wagner-it. Veç dusk, anglishtja ka edhe twilight: ja një fjalë që do të doja ta kisha ditur, madje njohur, kur dëgjoja mbrëmjen asokohe.

Edhe pse në vitet 1970 Tirana ishte e elektrifikuar, madje e super-elektrifikuar deri në konvulsion, unë i mbaj mend njerëzit rreth meje që ta përjetonin ende mbrëmjen si aktin e fundit të ditës, ose lajmërim të uljes së perdes. Uleshim aso kohe të hanim darkë në tryeza përballë njëri-tjetrit, qoftë edhe pa folur; televizori ende nuk ish bërë “i shtëpisë”, edhe për ato shtëpi që e kishin. Pas darke, mund të dëgjoje pak radio – qoftë edhe në valët e shkurtra, një pandemonium zërash herë ndjellës herë kërcënues herë autoritarë herë dinakë (por prapë, krejt i ndryshëm nga ai i sotmi i bandës FM: valët e shkurtra ishin xhungla, në krahasim me zoo-n e tanishëm të stacioneve lokale). Vetë radioja e ndezur natën përcillte ndjesinë e një distance të pakapërcyeshme, gati kozmike, midis botës dhe teje. Ku çuditërisht nuk ishte bota, që të dukej e largët; por vetja.

Radios i shkonte gjuha e huaj – si për të kompensuar pamundësinë tonë, të dëgjuesve, për t’iu përgjigjur. Jepte një justifikim praktik për jetërsimin. Njëlloj si filmat, në kinematë ku shkonim për ta mbyllur ndonjëherë ditën: salla ishte shqip, por ekrani i madh fliste në gjuhë tjetër: epoka e filmit shqiptar me batuta katartike nuk ia kish behur ende.

Ascolta, si fa sera i shkonte tangent realitetit tonë të de-realizuar, ku zëri i shtrupëzuar i padronit (la voce del padrone) nga altoparlantët e shesheve, po ia merrte frymën zërit të brendshëm, po aq të shtrupëzuar, të monologut të subjektit; ose të asaj çfarë bëjmë, kur ia rrëfejmë e ia ri-rrëfejmë vetes, në heshtje e në vetmi, narrativën personale. Një tjetër thënie italishte, që e mbaj mend mirë nga ajo kohë: La notte porta consiglio, “nata të këshillon”. Sa herë më ka qëlluar ta përshëndes ikjen e ditës, mu për këtë arsye; sepse ditën mund të isha vërtet ushtar i shtetit, por natën kthehesha te vetja dhe mund të provoja të rebelohesha, duke ia ngritur volumin monologut të brendshëm.

Ja që ndodhte ndonjëherë, kur radioja – ky medium që e rithemeloi komunikimin publik në shekullin XX dhe i pasivizoi dëgjuesit deri në paralizë – të na mësonte edhe si të flisnim. Qoftë edhe duke dëgjuar tjetërlloj: ascoltare zërin që të vjen nga larg, duke depërtuar në sera: hapësirën e ngushtë mes ditës dhe natës.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.

6 Komente

  1. Ka pas qene nje program me hit songs qe fillonte me nje countdown aty nga ora 1 pa dhjete e drekes.Mesimi mbaronte aty nga 12:30 ,mbaj mend si vraponim per ne shtepi te kapnim l’italiano te Totò cotugnos.Radioja duhet te kete qene fenomen kulturor edhe per talianet se ai kishte nje varg ne ate kenge qe thoshte :con una radio della mano destra .

    1. Teksti i këngës së Cutugno-s ishte kështu:

      Con l’autoradio sempre nella mano destra
      E un canarino sopra la finestra

      Çfarë ishte kjo ‘autoradio’ në dorën e djathtë? Në vitet 1980 makinave të parkuara, në qytetet e mëdha të Italisë, ua vidhnin shpesh radiot, prandaj italianët kur dilnin nga makina e hiqnin radion nga vendi dhe e merrnin me vete, si një valixhe të vogël.

      1. Kjo traditë fisnike e marrjes së autoradios në dorën e djathtë vijon edhe në ditët e sotshme në Tiranën fisnike. Vetëm se tani asaj autoradios (kasetofonit, në zhargon) i hiqet koka, dhe është si të mbash në dorë ndonjë vizore peçikllazi. Kanarina s’kemi, për të vërtetuar faktin se kanarinat vdesin kur galeria e minierës nuk ka më oksigjen…

  2. Faleminderit per korrektesimin .Shpjegimi qe dhashe ishte dicka qe me kishte mbetur ne mendje vite me pare nga nje perkthim ne internet (qe ne driten e shpjegimeve te mesiperme duket se nuk ishte korrekt) ku vargu ne fjale pretendohej te ilustronte fenomenin e radiove portative me tranzistor .Si kemi patur dikur tipa ne shqiperi qe bridhnin ne plazh me radio Iliria ne vesh .
    As iron sharpens iron,
    so one person sharpens another.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: