TIRONA SI NOSTALGJI REFLEKTIVE

nga Eda Derhemi

Përdorimet e fjalës ‘nostalgji’ në shqipen e viteve të fundit janë rritur lirshëm. Në shumicën e rasteve tendencat e fundit ideologjike të folësve kanë futur në kuptim përbërës negativë: “nostalgji për diktatorin” “këta nostalgjikët e komunizmit” ose “nostalgji pa lidhje”, negativitet që ngelet edhe kur fjala përdoret më vete pa elementët shoqërues si ‘diktator’, ‘komunizëm’ ose ‘pa lidhje’.  Ajo kryesisht përdoret si “ndjenjë a përpjekje për të parë me sy të mirë ose mbajtur gjallë/rikthyer çka s’duhet të jetojë më sepse e keqe ose e vjetëruar; mall për të”. Forma mbiemërore ‘nostalgjik/e’ është po aq e përdorur, sidomos nëpër diskurset e qyteteve. Gjithsesi, është gjallë ende përdorimi i mëparshëm kryesisht pozitiv në kuptimin ‘ndjeshmëri e madhe ndaj episodeve/objekteve të së kaluarës’, sidomos në togje si “kam nostalgji” “shkruar me nostalgji”, “më sjell nostalgji”[i]. Shkencat interpretative shoqërore dhe kulturore nuk kanë vënë kurrë në dyshim rëndësinë e kësaj dukurie në jetën njerëzore. Por qëndrimi akademik ndaj saj ka ndryshuar me kohë dhe në varësi kushtesh të përcaktuara historike, që edhe kanë ngjallur reagime periodike shumë specifike. Ka ndodhur tamam kështu edhe në Shqipëri. Konceptin e nostalgjisë do e trajtoj përsëri në vazhdim të këtij cikli, por këtu do përcaktoj rolet bazë të saj që informojnë përdorimin e termit prej meje. Ndryshe nga trajtimi i saj i mëparshëm si sëmundje (mal du siècle, maladie du pays apo tuberkuloz) ose, më vonë, si forcë regresive reaksionare, si escapeizëm (tendencë për t’iu shmangur realitetit duke u fshehur në të kaluarën), nostalgjia sot trajtohet mbi bazën e një aparati ndërdisiplinor teorik me analiza komplekse të kushteve the efekteve të nostalgjisë. Shkenca e dhjetëvjeçarëve të fundit i ka kthyer sytë nga nostalgjia si dukuri prospektive e jo retrospektive. Nostalgjia sot shihet si forcë për të ndërtuar të ardhmen, ose u mëshohet atyre aspekteve të saj që e transformojnë në një forcë të tillë. Sipas Svetlana Boym[ii], një prej më të mprehtave studiuese në fushën e nostalgjisë dhe memories historike, e ndan nostalgjinë në dy tipa, jo gjithnjë qartësisht të veçuar, sido qoftë: njëra është nostalgjia restorative, tjetra ajo reflektive. Nostalgjia restorative do të ndërtojë obsesivisht të vjetrën e zhdukur. Kjo është forca që shtyn lëvizjet nacionaliste dhe fondamentaliste. E dyta, ajo reflektive, kapet pas gjurmësh dhe fragmentesh të së shkuarës, është skeptike dhe ironike, dhe nuk përcakton një kohë apo vend të veçantë në të shkuarën që kërkon ta rikthejë. Ajo i drejtohet së shkuarës me humor e pa shumë shpresë, është kritike dhe plot kontradikta. Në fjalët e saj e para është e lidhur më fort me ‘nostos’ – shtëpinë, ndërsa e dyta me ‘algos’ – mallin. Ky shkrim për Tiranën tironase, ashtu si edhe të mëparshmit, i konceptoj si nostalgji reflektive, dhe ju ftoj t’i përmbaheni këtij syri e mendimi.

Në pjesën e parë të këtij shkrimi për Tironën dhe nostalgjinë, trajtoj dy rima të thjeshta fëmijënore të një kohe kulturore relativisht të largët, që paradoksalisht nuk është aq larg si kohë fizike. Linja logjike që ndjek kjo narrativë tironase është se kultura e qytetit në thjeshtësinë njerëzore dhe lidhjen me natyrën rrethanore që e ka mbarsur përgjatë shekullit të fundit, ka pasur një unitet të natyrshëm me Tironën, si  dhe ambientin natyror dhe të ndërtuar të qytetit. Shekulli i 21-të në mungesën totale të një planifikimi urban afatgjatë, human dhe historikisht të ndjeshëm, shkatërroi sistematikisht si ambientin natyror, si atë të ndërtuar, duke vrarë hapësirat njerëzore komunitare tradicionale, gjelbërimin brenda qytetit, qendrën si njësi me fytyrë lokale, dhe vijën qiellore qytetase (skyline), ndoshta përgjithmonë. Bërja e viktimës nuk është qëllim i shkrimit; konsiderimi deliberativ i gjendjes dhe përmirësimi i saj, janë. Në copa të shkëputura e detaje të imëta Tirane, mos lexoni simbole: në to nuk ka krenari, as turp, as venerim, as tallje. Një dimension tjetër i shfaqet lexuesit prej tyre, ai funksional e kulturor, që njerëzit prodhonin dhe konsumonin duke endur njerëzoren e vet në kohë që janë fshehur por që s’kanë ikur. Por asnjë interpretim kulturor i gjendjes dhe shkëputjeve të mëdha nuk është i plotë pa analzë politike të gjendjes.

Pjesa e parë: Gugu-ja dhe kom-kom tunga tironase

Oborr tiranas me fruta e gjelbërim, ende e i paprekur

Oborr tiranas me fruta e gjelbërim, ende e i paprekur

Guguu-gù
Feree-xhè
Hatii-xhè
Sulaaj-mon
Me gaaj-ton
A t’çil?

Kujtoj këtë kantilenë tiranase që nona ua kendonte të vegjëlve në familje kur luanin kokamçeftas[iii]. Besoj përcillte kujtimin si luante ajo vetë kur ishte e vogël. Ne kuptohet që kishim një tjetër model po aq “pa kuptim”: “Hapa dollapa, kush ësht mrapa…”. Gjithsesi, kjo, fort më transparente sesa vargu tjetër fëmijënor i të shtimes “kompanjeshti 40-pleshti”. Dukuri normale këto të këtyre vargëzimeve, që, në gjithë botën, shpesh janë të pakuptimta. Tri vargjet e para të “gugusë” tironase janë fjalë trirrokëshe me theks fundor, që recitohen në formë kantilene, duke ua kënduar rrokjet veç e veç dhe zvarritshëm, me rrokjen e dytë më të gjatë, siç i kam transkriptuar (rrokjesuar) lart. Ka shumë mundësi që ky lloj ritmi përsëritës me fjalë njëshe  të njohura nga i gjithë grupi, të zëvendësonte atë që ne e bënim duke numëruar kur “kishim mbyllur” ose “ishim rrasur”. Vargu i fundit është i shpejtë, e thuhet me një frymë dhe papritmas. Aty pritet përgjigja nga ata që janë duke u fshehur, besoj. Por vazhdimin e historisë nuk e di, teksa i takon një tjetër kohe që unë e jetova thjesht si dëgjuese pasive e kantilenës marrë jashtë kontekstit të vet ritual.

Që në të parin varg takojmë kumriet e Tiranës, formësuese të atmosferës tiranase dhe një ambiance audio të momentit kur një tufë kalamajsh vraponin si të çmendur nohi m’nohi. Luhej nëpër oborre e mes tyre, e nëpër kthina shtëpish tiranase me mure ndarës jo të ulëta, rrugica, pemë, e bimë gjithëllojesh. Guguja e kumrieve është një tingull edhe sot po aq i pranishëm nëpër lagjet tiranase, qoftë edhe ato me pallate. Guguja i rezistoi shndërrimit total. Kumriet u adaptuan, duket. Unë jo. Një tingull që më shoqëronte kur rrija në dritaren e katit të dytë të shtëpisë, në dhomën ku kisha shtratin, duke iu kënaqur vetmisë në pasdrekën e vapës verore me sytë tretur nga kodrat e Tiranës në mes të të cilave dukej qartë monumenti i Nënës Shqipëri. Dhe hardhinë e bukur shpërvarur poshtë meje… duhet të isha 8 ose 9 vjeç. Kur mermeri i bardhë gjigant m’u shfaq papritmas atje në 1971, ma sakëlldisi pamjen e përditshme nga dritarja në mes të Tiranës. Por pastaj shkova e pashë ç’qe e përse ishte, dhe më është dukur gjithnjë me kuptim pastaj. Pasdreket e verës ke aborri i nonës ku ajo kishte lulet e veta që i ujiste e krasiste për lezet, si kur eglendisesha, si kur mësoja për provime të ndryshme, kanë qenë gjithnjë të përpira e të mbështjella nga gugu-të e kumrieve. Rretherreth ishin plot shtëpi të tjera me aborre mufat me gugu si një copë bukë gruri zhytur në verë të kuqe.

‘Ferexheja’ në vargun e dytë, instinktivisht më bën të reagoj; ndaj saj vazhdoj të kem sensitivitet të lartë me empati komplekse dhe jo të pakritikueshme prej gruaje të pambuluar. Ferexheja është ajo mbulesë që sot quhet nikab. Kam parë foto tiranase të Pazarit të Vjetër me gra të mbuluara me ferexhe. Nuk di pse, pikërisht ato gra nëpër foto dhe jo të tjera? Nuk di cilit sekt i takonin a nga vinin!  Por më dhemb t’i shoh ashtu, siç më dhemb sot kur më kalojnë pranë pa mundësinë që të shohin ku hedhin këmbën, me rreze shikimi aq të vogël. Edhe sikur të kenë zgjedhur të vishen kështu, sa ka prapa ajo zgjedhje! Por e di se një gjykim si imi, konsiderohet një gjykim nga lart, nga dikush që mendon se i di dhe i ndjen gjërat më mirë se të tjerët. E di, siç e di se Tiranën time e dua pa ferexhe; pa ferexhe, për edhe një grua të vetme.

Nonën time tironase s’e kam parë kurrë me ferexhe… I ka mbuluar gjithnjë flokët me kryqen e bardhë prej nape. Kur dilte për vizita vishej gjithnjë bukur e hijshëm dhe vinte një vello të zezë transparente që e hidhte pas koke lidhur shtërnguar pas veshëve, që linte t’i dukej fytyra e bukur. Nuk e pashë kurrë të dalë për vizita pa kostum, çorape transparente dhe këpucë gjithnjë të mbajtura me kujdes. E gjitha e zezë. Për vizitat nëpër komshi kishte kryqen e thjeshtë; për të shkuar tek dyqani, mërhamonin prej majaje. Për të dalë vizita, vellon e zezë. Veç kur lahej dhe dilte në diell në oborr të krihte flokët e gjatë të bardhë, mund t’ia shihnim. Sapunin e flokëve, capoin, e krijonte vetë, se atyre gjërave që përdornim ne, nuk u zinte besë… Të tjera forma mbulimi i kuptoj më mirë si simbole të një besimi fetar a jetësor. Por ferexheja më duket tepër agresive; totalitare; misogjine. Tërhiqem, por me bindjen që është një pritë antigrua edhe kjo tërheqje. Por është një luftë që thjesht e lë ta luftoj një herë tjetër. Patriarkaliteti tiranas ka qenë aty në forma të ndryshme. Por gratë qejflie e duararta tiranase kanë qenë gjithashtu aty: ato që për festa i vishnin me aq hije dimitët e mermerit bërë me taftànë e bukur, dhe gjerdanët e florinjve mbi ballë, dhe që ishin gjithë sheqer e butësi mikroborgjeze në mënyrën si gatuanin, servirnin, bojshin ojna, ngrifeshin për sebepe, prisnin nuset e reja në shtëpi, dhe si rrisnin e mësonin mbesat. Gatimet, sajdisja dhe qokat e tyre ishin shumë qytetare. A ishin të varura nga burrat? Sa t’dush! – do thuhej në dialektin tironc (jo tironas). Ishin të varura dhe të keqtrajtuara si kudo tjetër nëpër Shqipëri dhe jo vetëm.

Nona me kryqe dhe bikini, dhe halla ime bukuroshe. (Verë, 1964 - Plazhi i Durrësit)

Nona me kryqe dhe bikini, dhe halla ime bukuroshe. (Verë, 1964 – Plazhi i Durrësit)

Hatixhè  dhe Sulajman – dy vargjet e tjera.  Tyrbja e Dervish Hatixhesë ishte shumë e veneruar në Tiranë. Më trazonte kur isha e vogël gjinia gramatikore: pse ishte edhe mashkull (Dervish) edhe femër (Hatixhè). Kopshti ku ndenja për dy muaj, derisa një ditë u arratisa dhe nuk u ktheva më kurrë, ishte aty afër. Edhe shkolla ku jepte rusisht mami, që më çonte në kopsht rrugës për në shkollën e vet. Hatixheja, bashkëshorte e profetit Muhamed dhe nëna e Fatimes, thuhet se ishte “e venerueme prej grave shtatzana sidomos në Tiranë[iv]” (Dizdari, p. 370). Mirë Hatixheja, po Sulajmani ç’të jetë? Dhe pse SulAjman (forma e emrit nga arabishtja [robi i paqes]) dhe jo SulEjman që është forma prej turqishtes, siç edhe ishte emri i përdorur në Tiranë? S’besoj që Sulltani i madhërishëm turk dhe as mali i famshëm i Kirgistanit të kenë ndonjë lidhje me këtë. Mendoj se, ose kënga është një huazim nga nuk di çfarë rryme orientale e momentit prej një tjetër vendi a shkolle, ose emrat janë krejt të rastësishëm, si emra të zakonshëm fëmijësh që, duke luajtuar, vraponin të fshiheshin. Ndërsa ferexheja mund të jetë thjesht element rimues ose edhe simboli i fshehjes (gjatë lojës). Çfarëdo qoftë origjina e tyre, nuk ka dyshim që forca e fesë muslimane dhe e orientalizmave në Tiranën e para-Çlirimit ka qenë e fuqishme, dhe mbeti gjithnjë e tillë në sferat private të tironasve të vjetër. Por besoj se ka pasur gjithnjë një distancë të tironasve nga të qenët fanatikë ekstremë, gjë që ma vërteton edhe një foto e nonës në plazh me kryqe dhe bikini, ndërkohë që si ajo, si i shoqi, babagjyshi im, një burrë patriarkal por që pranoi pa problem që i biri të merrte një kaurreshë dhe që kur mori vesh se prindët më kishin vënë emrin Eda në maternitet (“Emër pa kuptim!”), FOLI se në familje e lagje do isha Elira (ose Lila, siç më mbeti); si më thërrisnin në shkollë, nuk ishte puna e tij!… pra, nisa të thoja para këtij digresioni, se, si nona, si babagjyshi ishin pa shkollë e prapë bartnin e praktikonin një fe joekstreme.

Në vargun që ndjek – “me gajton”, kush e ka gajtonin? Sulajmoni, apo dikush tjetër, apo askush? Gajtani, prapë sipas Dizdarit “sixhim mëndafshi që i vishej nje cohe në formë bordure që të mos dilte fijesh” përdorej shpesh në veshjet elegante të Tiranës dhe ishte shenjë prestigji po ta kishe në veshën tënde. Këtu besoj ishte thjesht për rimë, sido që prania e saj në poezi tregon se fjala dhe elementi kulturor lidhur me të, ishin mjaftueshëm në përdorim. Vargu i fundit ku ai që “është brenda” më në fund bën pyetjen finale – A t’i hap sytë? – del me ‘i’ dhe jo ‘e’, një tjetër shfaqje e çuditshme kjo që më bën të mendoj se kantilena vinte nga tjetër kund. Tirona përdor në dëftore të tashme formën me ‘e’. “Ju çel faqja sa i dhom haberin e mir.”, “çelën tronafilat”, veç vetës së dytë shumës “çilni”. Por në urdhërore dhe habitore, folja del me ‘i’: “Çile portën!”, “Si u çilka porta pa çelsa?!”. Ndoshta është bartje fëmijënore nga urdhërorja: kur fëmijët bërtisnin që ai me sy mbyllur t’i hapte, thoshin “Çil, çil!” Dhe rrjedhimisht -analogjia si ndikim do ishte krejt e pranueshme këtu- ai që do hapte pyeste: “A t’çil?”

 

***

Kom kom tunga
Shkojm ke nunga
Hajm buk e petlla
Petlla s’na boni
Hani buk e mos bëzoni
Se ju rraf me shufra moni
urullullullu

Kantilena tjetër që kujtoj nga nona është “kom-kom tunga”, kantilenë thellësisht tiranase kjo, në gjuhë e atmosferë.  Paraqet të përditshmen e thjeshtë, marrëdhëniet, kërcënimet e vogla, dëshirat dhe pamundësitë, ku gra e fëmijë komunikojnë së bashku me natyrshmëri elegante. U këndohej të vegjëlve fare. Nona thoshte ishte ushtrim që u forconte muskujt e këmbëve dhe i ndihmonte të nisnin të ecnin ose ta fuqizonin ecjen. E mbaj mend që nona i rrinte ulur para këmbëve vëllait tim të vogël të shtrirë në minder, i kapte shputat, ia përplaste lehtë dy herë me njëra-tjetrën (kom-kom), pastaj ia kryqëzonte këmbët (tun-ga), e pastaj përsëriste veprimin, derisa në fund të këngës ia mbështeste këmbët e përthyera në gjunjë mbi bark, dhe bënte urullullullu. Këtu fëmija gudulisej dhe shkrihej së qeshuri. Pasi ajo bënte lojën me vëllain, kuptohet që ime motër dhe unë donim të njëjtën gjë, pavarësisht nga mosha që kishim. Dhe nona nuk lodhej kurrë nga kom-kom tungat. As ne.

Si duket e sotmja për shtëpinë tiranase qe s’do të jepet.

Nuk i kujtoja vazhdimin kësaj kënge dhe m’u desh të pyes gjymës Tirone ta gjeja. Me gëzim të madh e gjeta nga një grua tironase me mbiemrat Bermema/Tafaj së cilës i kujtohej e plotë. E falënderoj me gjithë zemër! Kënga siç shihet ka shqipe krejt të papërzier me orientalizma, dhe atmosfera e saj është shtëpiake. Për jotiranasit, fjala “kom” është “këmbë”. Fjala ‘tunga’ mua nuk më thotë asgjë. Pyeta ku munda, e s’ramë dakord. Them se mund të jetë një onomatope krijuar si imitim i zhurmës kur dy këmbë lakuriqe fëmije përplasen ndaj njëra-tjetrës “tung” e pastaj “tunga”, që, pa shiko çfarë fati, na rimoka edhe me “nunga” në vargun tjetër. Problemi është që as nunga nuk e dimë çfarë ishte. Ka gjasë të madhe të ketë qenë një fjalë për ‘nun’ në femërore. Në Fjalorin e Shqipes[v] (Toena, 2002) e gjej si ‘nunël-nunla’ – gjyshe nga ana e nënës, por pa shpjegime për origjinën krahinore. Ndërkaq dihet që petllat bëheshin për kalamajtë sidomos tek nondaja, kur shkojshin me bujt, – nondaja që gjithashtu do të thotë pikërisht “gjyshja nga ana e nënës, ose gjyshja që që rri me dajën” në Tironë. A nuk është edhe shprehja “petlla ke daja”? Jo. Është në fakt “qofte ke daja”, kjo e fundit me kuptimin “qyl”, “pa merituar”, “tepër kollaj”. Por mund të kishte qenë fare mirë edhe petlla. Hamendja për nungën nuk është pa gjë. Ke nunga fëmijët domosdo prisnin të hanin petlla, por jo pa buk, kuptohet. Se si do ngopeshin i tuf (i qerre) me kalamoj veç me petlla?! Fjala ‘buk’ rri përpara togut ashtu si në modelin e ngulitur: buk e gjath, buk e voj, buk e tlyn, pra edhe… buk e petlla. Pak a shumë, si të haje sot buk e makarona ose buk e pilav. Po nunga kësaj radhe nuk kishte miell, dhe nuk na boni petlla, dhe kur ne u ankuam boni sikur na u hakërry: “hani buk e mos bëzoni!” Bile, edhe deshi me na trem që mos i kërkojshim prap petlla: “se ju rraf me shufra moni”! Kantilena ka nota humoristike e dashuri, dhe verbalizon marrëdhënie intime familjare gati si në një performancë rituale; çdo element është i mbushur me konotacione të forta Tirone, që nga fonetika e rimave[vi], deri tek fjalët petlla, mon dhe shufra moni[vii] të lidhura me ambientin dhe jetesën venalie.

Në një prej episodeve të fundit në filmat pa zë të familjes që kapin periudhën nga vera e vitit 1969 deri më 1990, shoh në një moment time motër që ia këndon këtë këngë sime bije; e shoh, por nuk e dëgjoj. Duhet të ishte viti 1989, pak para Ikjes së Madhe. E kisha harruar që kënga kish vazhduar dhe kapur edhe vajzën time të parë, dhe pastaj ish hedhur në greminën pa fund të harresës nga të gjithë ne.

U rikthehem këtyre dy shembujve prej një fondi qindramijërafytyrash të elementëve të jetesës së përditshme, jo për të thënë se duhen ringjallur (sido që nuk duhen humbur), por për të dhënë dy shembuj të disa rrethanave kulturore që ishin në bazën e përditshmërisë qytetase deri vonë. Kështu ishin këngët, lloji i bisedës, interesat, ëndrrat, shoqëritë dhe dashuritë. Kishin të gjitha copa gugu-shë kumriesh, llafe në dialektin tironas, xhiro në bulevard, shegë tek Pazari, kafe te Flora, bakllava për Vit të Ri, qingj për Bajram, dashuri nga Liqeni, tifozllëk ekstrem për Tironën ose Partizanin, “A ka mundësi një minutë?”, mona të bardhë e caraca, dasma në baçe, filma te Kinema 17 Nëntori e Republika, mëlçi me qepë, opera e balete, Dervish Hatixhe, Teatër dhe Ansambël Popullor. Këto që numëroj nuk ishin veç për tironasit; ishin për të gjithë ata që Tirana i përfshiu dhe së cilës i takonin. Kjo lloj jetese ekzistonte si ekologji shumë komplekse dhe e ngjizur mirë ku përfshiheshin edhe ndërtesat. Copë-copë ishte Tirana e socializmit, me drita të dobëta e dhoma ku mërdhifje keq, por qytetari dhe qyteti nuk kishin ndërprerje, ishin një cope. Besoj se një arsye që familja dhe miqësitë nuk u shfarosën nga egërsia e komunizmit si rend është edhe fakti se gjuha, rutinat, ritualet dhe ambienti i ndërtuar (built environment) vazhduan të mbeteshin pjesë e një ekologjie të natyrshme dhe organike të Tiranës. Tirana ishte jo veç qytet, por një komunitet.

Kur Tirana ndryshoi sikur të ishte hedhur në erë si qytet, e pastaj  rindërtuar shpejt dhe pa plan e pa lidhje me të shkuarin, si qytet pa kujtesë historike, u shpërfillën njerëzit e saj që patën qenë bërthama e dikurshme rreth së cilës shtresohej gradualisht një Tiranë e re, e ndryshme por e pashkëputur nga e mëparshmja. Tirona dhe Tirana, dikur në një lidhje e marrëdhënie organike me tensionet e veta sidomos politike e kulturore, tani u shkëputën. U harrua çka e bënte Tiranën qytet unik dhe të njësuar të njerëzve. Tirana u katërfishua, por në këtë proces ia zhdukën bërthamën. Ekologjitë jetësore të ndërtuara gradualisht, që vuajtën tensionet ideologjike të komunizmit por që rezistuan gjithsesi, u shkërmoqën në pak kohë. U harrua që kultura e përditshme dhe produktet e saj nuk zhduken e zëvendësohen aq kollaj sa ndërtesat, pa krijuar trauma dhe grisje të cohës shoqërore që prishin stabilitetin social-psikologjik të shoqërisë dhe familjes. Ky është një lloj kërcimi katapultues që u është bërë qytetarëve dhe qytetit në më pak se tridhjetë vjet. Shndërrimi gjigant e, traumatik për breza të caktuar, për ata që emigruan nga Tirana, ishte padyshim i jashtëzakonshëm, por i pritur dhe i perceptueshëm. Për ata që ndenjën në Tiranë ishte i papritur e i paevitueshëm. Për pjesën më të madhe të popullsisë ekuilibrat e prishur nuk mund të racionalizoheshin; ata u gëlltitën instinktivisht. Banori i qytetit, si ai i Tironës, si ai i Tiranës së vitit 2000, e shohin veten njëlloj të pafuqishëm sot para zonave qendrore ku janë ndërtuar ose planifikohen shumëkatësh që lartësojnë interesa të papastër ndërtimi e politike, ku derë për qytetarin nuk ka.

 

 

[i] Është logjike edhe që kuptimi i parë për ‘nostalgji’ – negativ – shfaqet më shpesh në lidhje me vetën e tretë, ndërsa ai i dyti – pozitiv – në vetën e parë.

[ii] Svetlana Boym. 2001. The future of Nostalgia. New York: Basic Books.

[iii] Tirana vetë dhe Shqipëria ka me dhjetëra forma të emrit të kësaj loje universale.

[iv] Tahir Dizdari. Fjalor i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe. Ribotuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam. Shtypshkronja “Mileniumi i Ri” – [data e ribotimit aq të nevojshëm të kësaj vepre 1200 faqëshe u ka shpëtuar pa vënë botuesve – ED]

[v] Fjalor i Shqipes së Sotme. 2002. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Botimet Toena.

[vi] Nona ime nuk kishte hundorësi në tironçen e vet. Por jam e sigurtë që kantilena ka fonetikë (ndoshta edhe leksik) që varion në zona të ndryshme të së folmes.

[vii] Nona ime tironase shoqe të ngushtë kishte gjyshen time kolonjare. Qanin hallet, ankoheshin që s’u vinte veshin kush, kujdeseshin për njëra-tjetrën. Kur nona këndonte kom-kom tungën e vet, gjyshja nga Kolonja shtoi versionin tjetër, aq të ngjashëm, kolonjar:

Këmbë këmbë
Peçulëngë (?)
Shko moj çupë te jot ëmë
Pa t’i ruaj unë dhëntë
As t’i ruaj, as t’i ngas
Marr çekanin t’i çukas
urullullullu

 

© 2020, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa lejen e një administratori të revistës.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

25 Komente

  1. Dervishe Hatixheja ka qene njeri i gjalle, le e rrit m’Tirone, mu ke ajo shpija. Nuk ishte gruja e Muhamedit.
    Kur ka ra panuklla n’Tirone i here vaftit, kjo ka nimu robt pa u rujt per veten-pranej ja vune Dervishe (jo dervish).
    Plus qe vorri i vet bonte mrekullina. As Partia nuk guxoi me e prish, aty ka qene gjithnji. Ke dhoma e ulet me hatlla.
    Pasardhsit e vet, rrojne hala aty bile edhe n’kohe t’komunizmit e qitshin no i lek nga robt qe vishin aty per hall.
    Shume po m’habit qe s’e dike ket’.

    1. Kjo eshte spekullim, por nese femija luante kukamcefti, ndoshta Hatixhe ishte mehalla e Dervishe Hatixhese kurse Sulajmon ishte mehalla Sulejman Pasha – lagje qe fillonte mu n’Pazar te Vjeter dhe ngjitej lart.
      Pra femijet permendnin emrat e vendeve ku gja’ mcifeshin?

    2. Nuk them se Hatixheja qe ishte Dervish ishte gruaja e Muhametit, Vendet! Por diskutoj mundesi te ndryshme pse Hatixheja ishte ne kantilene. E di qe ka qene gjithnje aty. Nona shkonte atje, dhe njiheshin me familjen. Po s’e kuptoj perse te eshte duk sikur s’e kam dit. Thashe qe kur isha e vogel nuk kuptoja si ishte edhe Dervish edhe grua.

    3. Nuk them se Hatixheja qe ishte Dervish ishte gruaja e Muhametit, Vendet! Por diskutoj mundesi te ndryshme pse Hatixheja ishte ne kantilene. E di qe ka qene gjithnje aty. Nona shkonte atje, dhe njiheshin me familjen. Po s’e kuptoj perse te eshte duk sikur s’e kam dit. Thashe qe kur isha e vogel nuk kuptoja si ishte edhe Dervish edhe grua.

  2. Eda, shprehjen “petlla ke daja” tironsit në mëhallën time e kanë pasë “qofte ke daja.” Ndërsa ajo “kompanjeshti”, te formula e “të shtimes” duhet të jetë vllahisht. Enigmatik “Dyzetpleshti” – po të kish Tirana ndonjë Stephen King, Dyzetpleshti do të ishte i përshtatshëm si demoni rezident.

    1. Shume interesant kjo ideja e vlleheve! Morfologjikisht shume e justifikueshme me rumanishten. I love 40-pleshti! Kte mos ma nakatos me kingat!
      Besoj ke te drejte ti. Mund te jete loder e kujteses sime. Tani edhe mua ‘qofte ke daja’ me duket forma e sakte; kjo s’do te thote qe s’kishte edhe ‘petlla ke daja’. Sido qofte, kur ke nondaja boheshin si rregull gjona te mira.

  3. Ju pergezoj per shkrimin. Varianti qe i knojn hala tezet e mija cunit te vogel eshte: “kom kom tuni shkojm te nuni”, pra ben sens ne kuptimin levizi kembet te shkojme tek nuni. Nga ana tjeter, eshte interesant fakti i fjales “nunga” lidhur me nondajen ne rrolin e nunit. Nuni eshte me shume nje koncept kristjan gjate pagezimit megjithate per mua nun ka qene nondaja qe me ka pre floket edhe pse familja ka qene myslymone per aq sa mund te ishin ne vitet 80. Per me teper ne fjalorin shqip-shqip gjendet fjala “nunel” me kuptimin nena e nenes, ndoshta ne dialektin tirons mer formen nunga.

    1. Kujtim! Aq i cmuar komenti yt per variantin me “tuni”! Mund ta shtoj ne shkrim? Kjo me jep nje ide te re edhe per formen “tunga”.
      Nuni ekzistonte ne Tirane. Nuni priste floket dhe ishte njeri i afert i familjes ose mik shume i afert. Ata qe do kujdeseshin per rritjen, edukimin dhe daljen ne jete te femijes sidomos nese prinderit vdisnin (gje qe nuk ishte aq e pazakonte atyre viteve). Per kuptimin e fjales “nunel” ne fjalor kam folur ne shkrim. E mendoj edhe une ashtu.

      1. Eda, tek ajo “urullullullu” unë shoh një ngjashmëri me ULLULLÁ, fjalë që Fjalori i 1954-ës dhe ai i 1980-ës e japin me kuptimin “ninullë”. Në fakt, Dizdari këtë fjalë e cilëson “çfisnim të turqishtes uğur olá”, dhe e jep për Beratin, duke shtuar edhe se e ka dëgjuar si këngë djepi në krahinën e Petrelës. Po Dizdari regjistron ORULLÁ për shumë krahina të Shqipërisë, duke vërejtur që “ndigjohet gjithnji ndër kangëza djepi si shprehje ledhatimi dhe uratë shëndeti për foshnjën”; në Dibër edhe si UGUROLLÁ.

        1. shume interesante! Ne fakt ndihem ne faj, sepse e transkriptova une si “urulla” ate “finale” te rimes. Kuptohet qe kengen s’e kam pare kurre te shkruar. Eshte nje tingull qe behet duke rrotulluar gjuhen ne rrahje te alveolave dhe dhembeve te siperm teksa buzet formesohen fort drejt nje o-je te mbyllur, ndersa leshohet me force nga laringu rryme ajri.

    2. Po kthehem një çast te fjala nunga: pedanteri, por në komentet mund t’ia lejojmë vetes. Shqipen nun, me kuptimin “kumtër, kumbarë” e nxjerrin nga latinishtja nonnus (khs. ita nonno), drejtpërdrejt ose me ndërmjetësinë e greqishtes bizantine. Kjo nunga mund të jetë edhe një nunka, me prapashtesën zvogëluese -kë, që është e sllavishtes. Në të folmen e Tiranës mbase ka hyrë nga vllahishtja. Për këto arsye: (1) i referohet njëfarësoj kulturës së krishterë; (2) nuk më rezulton që prapashtesa zvogëluese -kë të ketë qenë aktive në të folmen e qytetit; (3) vetë kalimi nga nunkanunga tregon se folësit nuk e ndienin -kë si prapashtesë, te kjo fjalë; (4) duke jetuar tironsit gjatë në bashkëjetesë të ngushtë me vllehët, gjuha e këtyre, ose “llacifacja”, ka shërbyer si magazinë fjalësh të fshehta, magjike (“kompanjeshti”) ose alternative (që përdoren shpesh në këngë të tilla rituale), prandaj s’është çudi që të ketë hyrë që andej edhe nunka/nunga. Por nuk jam në gjendje të verifikoj nëse kjo fjalë ka qenë përdorur vërtet në vllahishten e Tironës, si nunca; di vetëm që nun dhe femërorja nună dalin në rumanishte, me kuptime si të shqipes dhe me etimologji të ngjashme.

  4. Eda e dashur, unë nuk jam tironse denbabaden. Kjo do të thotë që unë nuk e kam mbiemrin Kaceli, Stërmasi, apo Derhemi. Amá kam në varrezat e Sharrës dy prej stërgjyshërve, të katër gjyshërit, stërgjyshërit e vajzës sime, një varg hallash, dajash e xhaxhallarësh, si edhe shoqe, prindër të miqve të mi, kushërinj të komshinjve dhe komshinj të kushërinjve, mësuesen e klasës së parë dhe profesoreshën kujdestare të fakultetit.
    Kam lindur në një apartament prej dritares së të cilit shikohej Skënderbeu mbi kalë, dhe qysh asokohe ndërrova shtatë herë vendbanimet nëpër Tiranë. Jetova në lagjet e vjetra e të reja të Tiranës. Asistova e hutuar shpërthimin e ish-Komitetit Ekzekutiv në zemër të Tiranës, pashë me dhimbje shembjen e rrugicave të vogla, çesmave te qoshet e rrugicave e kopshteve me mana e hurma nëpër lagjet e vjetra rreth rrugës së Fortuzit dhe njoha lagjet e reja, pallatet me tulla silikate dhe ato parafabrikate ku të hynte ngrica në palcë. Luajta me cingla nëpër sheshet e improvizuara mes pallatesh të reja dhe bashkëjetova me kampet rome të periferisë së Tiranës, ku Majlinda dhe Rushani, që të dy bashkënxënës të mi të klasës së katërt, u martuan e pushuan së shfaquri në shkollën e vjetër e të dashur “Migjeni”.
    E jetova Tiranën para ndryshimeve klimatike. Kur shkoja në shkollë rruga ishte mbushur me pellgje të veckël uji të grirë nëpër të cilët shkelnim gjithë qejf që të “pëllcisnim ak’llin”, paçka se këpucët e qepura disa herë të këpucari fusnin uje nga të katër anët.
    I jetova Tiranës edhe xhiron e bulevardit (ç’kotësi të thuaje “e bulevardit”. A thua se kishte xhiro jo të bulevardit). Aty provova liritë e para, liritë që të shihje e të të shihnin, që të dërgoje e merrje mesazhe dashurie përmes shoqesh e shokësh dashamirë ose qejflinj të qerelesit, që të flisje kundra e të tymosje një cigare fshehtazi, që të shihje Kadarenë e t’i qepeshe pas me shpresën që ca nga grimcat e famës së tij do të binin shtruar edhe mbi supet e tua.
    Prej të gjitha këtyre rrënjët e mia tironse janë shumë të thella e të shtrira. E ndaj, ndonëse mbiemri im tradhton prejardhjen time nga krahina të tjera të Shqipërisë, Tirana ime është e vetmja fole’ ku unë vë kokën dhe ndihem në shtëpi. Dhe sinqerisht besoj që Tirana nuk do të ishte kjo Tirana që na jep kaq nostalgji pa ne të ardhurit, pa ne që i jemi mirënjohës tironsve denbabaden për mikpritjen e bujarinë me të cilën ndanë me jabanxhinjtë lagjet, rrugët, diellin dhe ajrin e Tiranës.
    Të lexoj me dëshirë dhe – ta them pa turp – me lot në sy.

    1. Sophie: falemnderit per kete rrefim te vertete e te bukur! Edhe une ashtu besoj. I thoja te njejten gje nje komentueseje ne fb (AR) qe bente te njejten verejtje si ti: Tirona dhe Tirana, te dyja te verteta, nuk kishin kuptim pa te ardhurit, per te cilet dua te shkruaj me pas. Ata ishin pjese e saj dhe e benin ate, sepse nuk ishin me te ardhur. Mami im, me ca perjashtime te vogla tingujsh te vecante, flet si venalie, megjithese ka ardhe nga Kolonja kur ishte 20 vjec. Them edhe ne shkrim: Tirana ishte e njerezve dhe njerezit ishin te saj dikur. Tashme nuk i takojne me njeri-tjetrit, dhe kjo jo vec per numrat dhe proporcionet e popullates.

  5. Eda fotoja ne plazh eshte gjeniale, fantastike. Te dyja brezat kane linja perfekte dhe shamia ne koke eshte elementi me i bukur

  6. Varianti që më është kënduar mua i kantilenës duhet të ketë qenë i njëjti që kam dëgjuar t’i këndohej dhe vëllait tim pas disa vitesh dhe e kujtojmë me gaz aq shpesh sa s’harrohet – me babin, se ky na e këngëzonte. Ndonëse edhe ky i fundit nuk është tiranas tamam, po këtij i ra të na e transmetojë, meqë mami nuk i kishte dëgjuar ndonjëherë këto rima (dallimi është se kjo kishte vetëm babën tiranas, im atë vetëm nënën).

    Pra:

    Kom-kom tuna

    Shkojm’ ke nuna

    Nunat m’trat’

    Hajn buk’ e djath’

    Nunat m’tjeg’lla

    Hajn buk’ (m)e jevga

    Urullullulluuu

    Fakti që kjo i këndohej një fëmije nga lart-poshtë, duke e masazhuar në shputa, bëhej shumë i bukur e filmik meqë nuna gjithashtu ishte hipur mbi tra, bile pak rreshta më pas mbi tjegulla, duke ngrënë aty bukë me jevgat.

    Rreshti i fundit ku tingujt hallakaten si tjegullat në stuhi, shoqërohej me kapjen e beftë të fëmijës nga kycet e këmbëve duke e rrëkëllyer kollotumba.

  7. Diku aty jo larg xhammlikut, na thuhej se kishin qene varrezat e (vjetra te) Bamit; dhe tek nje apartament i nje pallati te ndertuar siper ketyre varrezave (te cvarrosura, por duket jo mire -flitej) familja banuese iku pas disa muajsh banimi, e po keshtu cdo familje qe vinte tek ky apartament i katit te pare, pasi u dilnin ne ender fantazma, thuhej, kishte zhurme te mistershme naten. Dikush sqarontej se poshte ishte varri i Hatixhese. Kush Hatixhe? Ka qene nje e mire, vazhdonte sqaruesi, dhe ky emer hyri ne jeten tone, por u harrua vjete me pas, per tu kujtuar tani serish.

  8. Përshëndetje Eda,
    Mama ime, vajzë nga dera e Kërçikve, e këndon edhe sot kantilenën që ju përmendi,për stërmbesën e saj në variantin e mëposhtëm:

    Kom kom tunga
    Hajde shkojmë te nona
    Hajm buk e djathë
    Zogu në drrasë
    Boni nji glasë
    Urullullullu

    Sa për shprehjen “petlla ke daja” ne e kemi mësu që të vogla në variantin “s’ka qofte te daja”.

    Urime për shkrimin e mësipërm!

    1. Falemnderit, Gentiana! Per kete shkrim jam me fat te kem variante me vlere per kete rime qe me vijne nga ti dhe te tjere.Do i rifus ne shkrim sapo ta ripunoj.

Lini një Përgjigje te Vendet TonaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin