DESTANDARDIZIMI – PROCES GJUHËSOR APO POLITIK?

nga Luljeta Aliu

Artikulli “Festival në pyll norvegjez”, i shkruar me shumë finesë dhe stil nga Edon Qesari më intrigoi t’i kthehesha pak gjuhësisë, duke më inspiruar për reflektim rreth tematikës që elaboron. Gjithsesi, janë disa elemente të caktuara që më kanë tërhequr vëmendjen më shumë dhe për të cilat do të shkruaj në vazhdim.

Përqasja që Edoni i bën debatit të zhvilluar në Shqipëri rreth këngës dhe/apo tekstit të Elvana Gjatës përfshin disa tema të ndryshme të ndërlidhura mes vete përmes tri dialektikave. Si dialektikë të parë do ta veçoja dialektikën gjuhë standarde – dialekt. Dialektika e dytë, por që në esencë ka natyrë artificiale është ajo e krijuar mes identitetit kombëtar shqiptar dhe atij kosovar. Dhe dialektika e tretë është ajo e vlerave artistike të muzikës moderne. Duke qenë se nuk jam artiste, do të merrem vetëm me dy pjesët e para.

Nëse e kuptojmë gjuhën si sistem, atëherë dialektet janë pjesë e sistemit të gjuhës. Si pjesë ato mund të përshkruhen kur i vëmë në krahasim me një gjuhë të ngjashme, e cila flitet nga një grup i madh njerëzish, të cilët eventualisht edhe e kanë caktuar një standardizim të gjuhës. Ndërsa kur i analizojmë sipas fonemikës, morfologjisë dhe sintaksës, tri komponentet e gramatikës së një gjuhe, atëherë secili dialekt është gjuhë dhe sistem në vete, pra mund të ekzistojë si sistem gjuhësor edhe pa caktimin e gjuhës standarde.

Edhe në gjuhën shqipe, dialekti i gegërishtes fillimisht mund të kuptohet si gjuhë e mëvetme, meqë i posedon të gjitha elementet e të qenit e tillë, por edhe si pjesë e sistemit të gjuhës standarde shqipe, varësisht prej cilit këndvështrim shikohet. Në rajonet ku flitet dialekti, zakonisht vërehen devijimet në të folurit nga standardi, siç është rasti edhe në pjesët veriore të Shqipërisë. Rreth korpusit të përzgjedhur të rregullave sintaksore dhe vokabularit gjatë caktimit të standardit të shqipes ka pasur prej një kohe të gjatë përplasje, të cilat nuk janë fokusuar vetëm në mbizotërimin e një të folure rajonale toskërishte, por që kishin edhe elemente tjera relevante linguistike për bazë, siç është, ndër tjerash, edhe lënia anash e paskajores (infinitivit) „me“ të ndërlidhur në participin (pjesoren „shku“, „la“, „dërgu“ etj.), e cila si trajtë kishte ngjashmëri më të madhe me përdorimin e infinitivit në gjuhët tjera indoevropiane dhe mbi të gjitha kishte përdorim të shtrirë në një pjesë relativisht të madhe të viseve ku flitet shqipja. Ndërsa forma e zgjedhur për standardin nga toskërishtja e ka caktuar përdorimin e parafjalës „për“ në kombimin me emrin foljor asnjanës të pashquar, psh. „për të shkuar“, „për të larë“ etj.

Qendra dhe periferia e gjuhëve pluricentrike nuk janë të ndërlidhura patjetër gjeografikisht apo të kenë kufij të caktuar nacionalë. Nëse bëhet krahasimi standard-gegërisht, duhet të kihet parasysh se edhe brenda Shqipërisë vërehen dallime domethënëse mes veriut dhe jugut. Së këndejmi kemi pasur një rritje të mobilitetit dhe koncentrim të gjeneratave të reja nga periferia në qytetet e mëdha, duke ndikuar prapë në proceset e destandardizimit. Në përqasjen e tij, Edoni shkruan se për dallim „nga Kosova, ku standardi has probleme me të tanishmen e gjuhës së folur, në Shqipëri ai vazhdon të jetë pjesë e vorbullës më të gjerë të përplasjeve […] në lidhje me mënyrën si u vendos dhe sidomos të raportit asimetrik që standardi diktoi mes dy dialekteve kryesore të vendit“, duke paragjykuar se vetëm në Kosovë ekziston vështirësia e harmonizimit së gjuhës standarde me të folurit. Në të vërtetë, kjo vështirësi vlen për të gjithë pjesën ku banorët nuk e kanë pasur bazë origjinale të folurit e toskërishtes.

Hierarkia gjuhësore është një vendim politik, i cili merret në një hapësirë kohore të caktuar nga një grup i veçuar individësh, të cilët përfaqësojnë pak a shumë grupimet e ndryshme më të vogla me ngjasim relativ mes veti përbrenda një grupi më të madh, i cili dallon nga grupet e tjera të mëdha përreth tij. Nëse si shembull e marrim gjuhën shqipe, atëherë gjuha shqipe përbëhet nga të folurit e disa grupimeve me ngjasim më të madh mes vete sesa që shqipja ka me maqedonishten apo bullgarishten.

Gjuha standarde, për të gjithë popujt është një kompromis. Si i tillë, pasqyron natyrisht edhe emëruesin e përbashkët mes dialekteve të ndryshme, të cilat asnjëherë nuk përfshihen në mënyrë të barabartë në gjuhën standarde. Meqë është vendim politik i një grupi mbizotërues në momentin e caktuar, ai grup rrallëherë merr parasysh kritere, të cilat, parë nga një perspektivë gjuhësore, do të ishin më të dëshiruara, siç janë pasuria morfologjike, fleksibiliteti i sintaksës apo edhe varieteti fonemik. Vendimi, se cilat elemente të cilit dialekt të atij grupi gjuhësh do të formojnë bazën për standardin gjuhësor, është një akt i cili duhet të ndodhë patjetër tek secili popull gjatë procesit apo përpjekjes për të caktuar gjuhën standarde.

Gjuha standarde caktohet zakonisht pasi të jetë krijuar shteti. Krijimi i standardit bëhet për dy arsye, nga njëra anë për arsye funksionale dhe nga ana tjetër për arsye ideologjike. Arsyet funksionale kanë të bëjnë më lehtësimin dhe kursimin gjatë organizimit të arsimimit të brezave. Aspekti ideologjik ka të bëjë me krijimin dhe promovimin e një identiteti të përbashkët. Varësisht se sa është i madh interesi për një të ardhme të përbashkët, aq më intensive do të jetë përpjekja për integrim sa më gjithëpërfshirës të elementeve të dialekteve të ndryshme, sepse gjuha e folur e përbashkët krijon një lidhje të fortë mes njerëzve. Në anën tjetër duhet ditur se gjuha standarde mund të imponohet vetëm deri në njëfarë mase, varësisht se sa ka ngjashmëri apo afërsi me dialektin e caktuar. Por nëse gjuha standarde dhe një dialekt kanë dallime të mëdha, atëherë ekziston rreziku se dikur do të ketë një largim më të thellë të atyre rajoneve, të folurit e të cilave nuk është përfshirë mjaftueshëm.

Caktimi i një standardi gjuhësor nuk duhet të jetë i pandryshueshëm, meqë secila gjuhë është vazhdimisht në evoluim e sipër. Gjuhët standarde të vendeve tjera kalojnë nëpër reforma të ndryshme si në drejtshkrim, poashtu edhe në pasurim me elemente tjera. Meqë kam studiuar ndër të tjera edhe Gjermanistikën në Zyrih, këtë më së miri e di nga gjuha gjermane. Gjermanishtja gjuhë standarde e ka “Hochdeutsch”, me të cilën kanë ngjashmëri më të madhe dialektet e Gjermanisë. Gjermanishtja flitet në Gjermani, Austri dhe në Zvicër. Në të tri vendet gjuha standarde e njëjtë përdoret në shkollë dhe në administratë shtetërore, me të vetmet dallime në shkrim të disa bashkëtingëlloreve, ndonëse dallimi i dialektit të Zvicrës me dialektet e Gjermanisë apo edhe me gjuhën standarde gjermane është përafërsisht sikurse dallimi mes shqipes së njësuar dhe gegërishtes.

Në kuptim të kësaj çfarë diskutuam më lart, homogjeniteti i propaguar i një gjuhe standarde ka qenë dhe është një iluzion, i cili del në pah si i tillë veçanërisht tani, meqë në kohërat e globalizmit tendenca për të ruajtuar identitetin i shndërron gjuhët dhe kulturat rajonale, sociolektet, dialektet në referenca të mirëseardhura identiteti. Sikurse edhe në anglisht, spanjisht dhe gjuhë të tjera, edhe në gjuhën shqipe verëhen proceset e të ashtuquajturit destandardizim. Brenda këtyre zhvillimeve duhet të shihen dhe vlerësohen edhe tendencat për destandardizim të gjuhës shqipe si në Kosovë, poashtu edhe në Shqipëri, e që nuk duhet të ketë motive politike të ndërlidhura me një identitet, i cili do ta konceptonte veten si në rivalitet me identitetin shqiptar. Identiteti kosovar dhe të folurit ndryshe nga standardi ka ekzistuar edhe para se Kosova të bëhej shtet. Mbi të gjitha, identiteti nuk është koncept i ngurtë dhe i normuar gjerësisht dhe secili identitet përbëhet nga identitete të ndryshme. Kësisoji edhe identiteti kosovar nuk e përjashton të definuarit e kosovarëve edhe si shqiptarë.

(c) 2020 Luljeta Aliu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autores.

22 Komente

  1. Brenda këtyre zhvillimeve duhet të shihen dhe vlerësohen edhe tendencat për destandardizim të gjuhës shqipe si në Kosovë, poashtu edhe në Shqipëri, e që nuk duhet të ketë motive politike të ndërlidhura me një identitet, i cili do ta konceptonte veten si në rivalitet me identitetin shqiptar. Identiteti kosovar dhe të folurit ndryshe nga standardi ka ekzistuar edhe para se Kosova të bëhej shtet. Mbi të gjitha, identiteti nuk është koncept i ngurtë dhe i normuar gjerësisht dhe secili identitet përbëhet nga identitete të ndryshme. Kësisoji edhe identiteti kosovar nuk e përjashton të definuarit e kosovarëve edhe si shqiptarë.

    Po më habit! Krijimi i një standardi kosovar të shqipes, pra shkëputja gjuhësore e Kosovës nga standardi i përbashkët i gjuhës, nuk do të ishte akt politik? Një standard kosovar i gjuhës që nuk do të ishte de facto në rivalitet me standardin gjuhësor të Shqipërisë? Një identitet kosovar që në realitet nuk do të konfliktohej me identitetin shqiptar? Këtu ose kemi të bëjmë me naivitet (pardon), ose me justifikim të dobët të një qëllimi thellësisht politik të krijimit të një identiteti kosovar më vete, të ndryshëm nga ai i shqiptarëve të Shqipërisë. Por siç duket, punët në këtë drejtim po shkojnë… (këtë t’ua dimë për nder “elitave” shqiptare këtej dhe përtej kufirit brenda-shqiptar!)

    1. Nwse akademia kosovare e shkencave vendos per nje standart gjuhe jo te njellojte me standartin shqip, ketu nuk ka ndonje sakrilegj dhe blasfemi, as cudi te madhe, po te llogarisim ne fund te fundit qe ai eshte de fakto shtet me vete (shpresojme te behet edhe de jure). Ky standart mund te kete ndryshimet e veta pas 30-40 vjetesh, varet nga shume zhvillime te tjera. Gjithashtu nuk duhet harruar edhe fakti tjeter, qe ne Kosove ka edhe 10-15 % kombesi te tjera, nje faktor ky qe mund te ndikoje edhe ne kete standartizim te gjuhes kosovare (me apo thonjza kjo e fundit).
      Mos te harrojme se te gjithe subjektet, popujt pra gjithashtu, jane edhe procese te caktuara ne fund te fundit. Ne kendveshtrimin metafizik, (pa te cilin nuk bejme dot), kemi popuj te caktuar, keshtu edhe kete shqiptar. Ndersa nen kendveshtrimin dialektik kemi vetem ne nje periudhe te caktuar popull shqiptar. Jo larg, por vetem dy mije vjet me pare te hedhim veshtrimin, kemi luftra te egra midis kesaj popullsie jugore (epiriotet) me kete popullsi veriore (dardanet dhe iliret. kemi kontradikta dhe marrveshje midis epirioteve dhe maqedonve, kemi luftra midis maqedonve dhe disa fiseve ilire, kemi konflikte midis helenve atikas dhe maqedonve, pastaj marrveshje, kemi disa fise ne Shq. e sotme te Mesme qe kalojne sa ne krahun romak aq dhe maqedonas, kemi fise qe dikur luftonin kundra-njeri tjetrin, pas pushtimit romak i shohim te vendosur si tufe e bagetive ne nje grupim, dhe nuk e dime si jane zhvilluar proceset etnike ne shekujt IV-X pas e.s.! Po ta zgjerojme edhe pak me thelle ne histori pamjen, dallojme se shume nga fjalet atikase kane ngjashmeri me shqipen; apo nwse me helenet kuptojme henoret, dhe po si henore kuptojme edhe kaonet, -Bregu i sotem dhe nje pjese e Vlores e mban veten si pasardhes te kaonve- dhe nga ana tjeter kemi dielloret ne veri-lindje, i bie qe kemi bere luftra edhe me njeri-tjetrin! Mirpo edhe kjo “me njeri-tjetrin” na del me pak kuptim per kohra te thella, ku etniteti dhe gjuha jo vetem qe nuk zinin vendin e pare, (ato vinin pas perkatsise fetare), por ne nuk dime edhe ne cilat zonat dhe periudha ka ndodhur me shume perzierje, asimilim (kush, kw), emigrime, ardhje, evolime, ndikime te “huaja”! Ky proces pra, qe i ka afruar kosovaret prane “shqiptarve” ne gjuhe, zakone, mendime, tradita, qellime, etj., vazhdon edhe sot e kesaj dite. Ne kete proces duhet te jemi te perfshire, por jo te bejme kategorizime politike, pasi keto lloj kategorizimesh politike favorizojne -sic po e shohim- vetem njerezit karrieriste dhe qe mendojne vetem per b… e tyre. Jane qindra mijra kosovare te ngulur ne Shq. pergjate tranzicionit, te cilet vetem per shkak te numrit te tyre do te shiheshin tani si pushtues, po te mos kishin qene me pare shqiptaret e zonave veri-lindore te Shq. qe bene gjate kesaj periudhe pushtimin e Shq., per t’mos thene edhe shkaterrimin e pjesshem te saj!

      1. r.th.,
        nuk e di nëse ky koment të shkau pa dashje apo e nise thjesht për satirë. Nëse të shkau dora, kërkoji administratorit të faqes që ta fshijë sa më parë, se është koment OFF komplet; nëse e ke për satirë, atëherë cilësoje hapur si të tillë, që të paktën të qeshim (edhe pse me shumë zor) me këto xhevahire bajate.

        1. Jo, gjilpera, komenti nuk shkau pa dashje! Nwse ti mendon si nazifashistet dhe “komunistet” e dikurshem, se nje mendim jo i pershtatshem me mendimin tend duhet hequr dhe zhdukur, mund t*ia rekomandosh pergjegjesit te faqes ta heqe komentin tim! Nwse ti mendon se kombet dhe gjuhet zbriten nga qielli, si te tilla nuk jane produkt i kohes, si te tilla jane statike, atehere nuk kemi nje pike referimi per te diskutuar! Nwse ti mendon qe gjuhet dhe kombet jane produkt i kohes, si te tilla kane qene dhe jane perhere ne ndryshim, atehere hap librat e historise dhe riperserit mesimet e shkolles, ose lexo librat e autorve antike, meqe komentet e mia nuk te pelqejne.

    2. E paskeni keqkuptuar. Shkrimi nuk thote assesi se duhet te kete nje gjuhe standarde tjeter, larg qofte! As qe duhet te kete identitet te dyte. Por thjesht qarteson se dialekti eshte diçka shume e natyrshme sikur te te gjitha kombet dhe gjuhet tjera dhe se te folurit e dialektit nuk na ben me pak shqiptar. Gjithashtu thekson se te qenit kosovar, apo mirditas, apo shkodran, apo himariot nuk na ben me pak shqiptare. Kaq! Dhe se i gjithe ky diskurs rreth kesaj teme eshte shume neverites, sepse ne fakt ne do te duhej te kerkojme te perbashketat, e jo dallimet.

      1. Faleminderit për përgjigjen, Luljeta. Natyrisht që jam dakort me çfarë shkruani për dialektet, dhe që duhet të kërkojmë të përbashkëtat dhe jo dallimet (e si mund të jem kundër?!). Por atëherë nuk kuptoj përse hyjnë në këtë diskutim standardi dhe, për më tepër, destandardizimi? Standardi është pikërisht ai që na bashkon në gjuhë, përtej – por jo kundër – dialekteve (që i paçim!) dhe që i bën shqiptarët gjuhësisht një komb, pavarësisht se në sa shtete jetojnë apo sa dialekte flasin… Gjithsesi, faleminderit për sqarimin.

        1. Sepse destandardizim quhen proceset gjuhesore me tendence te devijimit nga rigoroziteti i standardit ne secilen gjuhe. Dukuria e destandardizimit eshte rritur sidomos viteve te fundit, ku ne anglisht dhe spanjisht eshte e theksuar, por verehet edhe ne gjermanisht e gjuhe te tjera.

        2. Dhe sepse 1. ka njerez qe duhet ta dine se dialekti nuk dmth se nuk je ne gjendje ta mesosh gjuhen standarde; 2. Te flasesh gegerisht nuk nenkupton se je i trashe nga mendja e ata qe flasin “te folurit e Shqiperise” jane me te mençur, por qe thjeshte eshte e natyrshme. 3. Ne Shqiperi kane pasur fatin te kene arsim te detyrueshem, nderkohe qe te ne eshte dashur te luftojme per te drejten te mesojme gjuhen tone. 4. Sepse kam dashur ta qartesoj se edhe ne gjuhe tjera ka dialekte, por qe folesit nuk ofendohen mes vete sikur te ne, edhe pse ndonjehere as qe e kuptojne njeri-tjetrin.

  2. Qysh ne paragrafin e dyte me doli dicka e paqarte, qe nuk e di nwse autorja apo ndonje tjeter do t’ma e sqaronte! Behet fjale per tre dialekte, apo per tre dialektika (tre kendveshtrime dialektike)? Nwse nuk behet fjale per tre dialekte, por per tre dialektika (?!), a nuk duket ketu se tre kategori te caktuara (gjuha standarte, mesi i identitetit shqiptaro-kosovar, vlera artistike e muzikes moderne) nuk perbejne ne vetvete dialektik(r)a, por tre subjekte te caktuara?! Pasi dialektika nuk eshte subjekt i caktuar, por lloj i kendveshtrimit dhe trajtimit te subjekteve dhe fenomeneve te caktuara! Ne te kundert do te quanim dialektike cilindo subjekt dhe fenomen te caktuar! Atehere do te humbiste kendveshtrimi dhe trajtimi metafizik i subjekteve dhe fenomeneve te ndryshme, (per te cilin gjithashtu kemi nevoje)!
    Tani, duke u marre me infinitivin ne gjuhe te tjera, tek autorja ua ve si nje grup te njejte infinitivit “shqiptar”, do thoja me ato dy gjuhe qe njoh, italishten dhe gjermanishten, se te dyja keto gjuhe indo-europiane kane infinite jo aq te njejta. Duke u ndalur tek forma me gjendur e infinitit ne te dyja gjuhet, p.sh., cantare, singen, infinitin italian nuk e gjejme ne zgjedhime te tjera, ndersa ate gjerm. po: wir singen, Sie/sie singen (ne kendojme, ju kendoni/ ata kendojne).
    Ne fjaline e pare ne paragrafin e katert, (“Qendra dhe periferia e gjuhëve pluricentrike nuk janë të ndërlidhura patjetër gjeografikisht apo të kenë kufij të caktuar nacionalë), nuk e kuptoj c’lidhje ka kjo me shqipen! Aty behet fjale me se shumti per gjuhe te perhapura ne shume nacione dhe forma te shprehuri, si gjuhet sllave, ato gjermanike, ato romane, turkmene, etj., ku kemi nje sere fjalesh jo identike per objekte dhe veprime te njejta. (Qysh tek kjo fjali kuptohet se autorja vjen me kete perfundim nga shkolla e huaj, padiskutim ajo metafizike gjermane, sic pohon dhe vete pak me poshte.) Padiskutim ne mund ta trajtojme edhe shqipen si gjuhe pluricentrike (?), sepse asnje gjuhe nuk ka zbritur nga qielli ne nje vend te caktuar e pastaj eshte perhapur atje-aty-matane! Jo! Por per ta trajtuar si te tille, duhet te kapim shume fjale te saja ne treva dhe kohra te ndryshme, fjale keto qe kane ndryshuar dikur, apo qe ndryshojne ende midis tyre per objekte, koncepte dhe veprime te caktuara (te njejta).
    Hiearkia gjuhesore ka tendenca per te qene e ndikuar nga vendimet politike (dhe fetare dikur), por keto vendime politike nuk ia dalin dot mbane tw vendosin se cila gjuhe do flitet, (sic nuk ia doli perandoria otomane, shteti jugosllav, shteti i E. Hoxhes, etj). Eshte kultura ajo qe e ndikon me shume kete hiearki, sic ndikoi -bie fjala- kultura e jugut shqiptar per gjate shek. XX ne dominimin e saj pergjate atij geg, por jo aq tek dialekti shkodran, nga fakti se ketu kultura e gjithanshme, pra dhe ajo gjuhesore me pasurime e saj, e perballuan (diku-diku gjeti edhe te perbashktat) me dialektin tosk.
    Per t’mos u zgjatur, (se shkrimi ka shume ndikime nga e ashtuquajtura shkolle anglo-saksone, gjera pa vlere pra), ne fund na propagandohet, se “homogjeniteti i propaguar i gjuhes standarte eshte nje iluzion”. Nwse kapim vetem nje periudhe pak-vjecare, natyrisht qe cilido homogjenitet ne bote eshte nje iluzion, si ai gjuhesor, ai stilisor i veshjeve, ai i sjelljeve, ai i modes, ai politik, ai fetar, etj.. Vete ndryshimi i kushteve nga me te ndryshmet e ndryshon pareshtur kete tendence homogjeniteti, aq sa po te bejme krahasimin e nje homogjeniteti te caktuar te vitit 1950, ose 1970 me homogjenitetin e caktuar te vitit 2050, ose 2070, do te veme re se ata nuk jane te njejte. Lwre pastaj te kapim nje periudhe prej 200 ose 300 vjetesh!
    S.d.q., eshte per tu lavderuar, (habine po e le menjane), qe ne fund autorja arrin ne nje perfundim dialektik (hegeleian), ndonese i gjithe trajtimi i probleme te shtruara kalon permes metodes metafizike kantiane, ku perpelitet shkolla e larte gjermane!

    1. Falemnderit per komentin! Dua te pergjigjem ne verejtjet e juaja. Termi “dialektike” nuk perdoret vetem per metoden e trajtimit te nje fenomeni, por pershkruan edhe dy koncepte apo siç e quani ju subjekte, te cilat brenda nje kornize te caktuar vihen ne kundershti mes vete, pra shihen si ne perballje apo antagoni mes vete. Kjo nenkupton se jo çdo koncept, por vetem dy koncepte rivale mes vete mund te perbejne nje dialektike.

      Sa i perket infinitivit, nuk e shoh te nevojshme te shtoj ndonje gje sepse komenti flet per diç tjeter, pra jo per çfare kam shkruar une.

      Shqipja eshte gjuhe pluricentrike, e cila flitet ne Shqiperi, Kosove, Maqedoni dhe Mal te Zi. Toskerishtja ka zene me shume hapesire dhe rendesi ne gjuhen standarde shqipe, por kjo nuk ne kupton se dialektet tjera jane me pak te rendesishme apo inferiore. Dialektet jane pasurim per gjuhen standarde dhe duhet te trajtohen ashtu. Folesit e nje gjuhe me afer standardes nuk duhet ta ndiejne veten me te superiore, sepse fundja gjuha ndryshe nuk nenkupton inteligjence me te madhe. Natyrisht elokuenca e nje personi gjithmone len pershtypje te mire, por vetem kur kombinohet me logjike dhe bonton.

      Hierarkia gjuhesore vendoset me caktim te gjuhes standarde. Toskerishtja ka zene me shume hapesire ne gjuhen standarde shqipe. Shume elemente te shqipes nga viset tjera, sidomoa nga Kosova, nuk jane perfshire. Ndersa sa i perket kultures toske dhe dominimit te saj ndaj kultures gege, ketu nuk mund te them asgje sepse nuk e di per çfare e ke fjalen.

      Me befasoi konstatimi se shkrimi paskesh ndikime nga shkolla anglosaksone dhe qe keto qenkan pa vlere!

      Sa i perket homogjenitetit, dua te theksoj prape se eshte iluzion te mendohet se te “folurit e Shqiperise” eshte homogjen dhe te vihet ne krahasim dhe ballafaqim me gegerishten e Kosoves. Sepse as vete perbrenda Shqiperise nuk ka nje te folur te njejte. Eshte per te ardhur keq dhe per tu meshiruar besimi se jemi te ndryshem vetem pse nuk flasim njesoj ne jeten e perditshme.

      Gjithsesi, falemnderit per analizen qe i beni tekstit. Une, thene te drejten nuk çaj koken se a eshte perfundim hegelian apo kantian. Thjesht e kam thene ate qe mendoj. Pastaj nuk kam folur per metafizike, por per fenomene qe mund te hulumtohen empirikisht, ku metafizika nuk eshte ende e nevojshme.

      1. Me deshire do e vazhdoja edhe pak diskutimin, por e kam te veshtire ne nje koment, sepse shkolla juaj e sotme eshte ne tjeter kostelacion nga shkolla jone e dikurshme, apo e jona nga e juaja! S.d.q., disa perfundime i keni te drejta, nga arsye etike. Suksese!

      2. Luljeta, edhe une pata veshtiresi me togun “tri dialektika” qe eshte njefaresoj i cuditshem. Por thjesht e zevendesova ne koke me dicka qe mendova se ishte term me i qarte dhe i sakte. Une do thoja qe mund te perdorej “tri boshte” ose “tri akse themelore” ose “tri lidhje”. Por edhe ketu s’ka simetri, sepse dy te parat lidhin entitete pak a shume distante (per te mos thene te kunderta), ndersa i treti nuk eshte paralel me to.

        Permbajtja eshte nje veshtrim i pergjithshem mbi dialektet, standardin dhe identitetin (shprehur mes te tjerash edhe ne muzike), dhe s’kam gje per te thene. Une do ndryshoja termat operues qe do permiresonte epistemologjine e pershkrimit.

  3. A Eshte eksploruar hipoteza se dialektet jane formuar si pasoje e moskomunikimit midis pjeseve te kombit per arsye te ndryshme dhe tani ne vakt te internetit e levizjes se lire do te shkojne drejt konvergimit?

    1. Nuk dihet me siguri si janë formuar dialektet e shqipes – ka gjithfarë hipotezash.

      Por prirja është që, me “zvogëlimin” gjeografik të hapësirës, për shkak të komunikimit në rritje, edhe dialektet të zhvendosen nga gjeografia në hapësirën sociale (për t’u shndërruar në sociolekte).

      Gegnishtja e Kosovës spikat jo vetëm sepse është gegnishte përballë standardit, por edhe ngaqë popullsia shqipfolëse në Kosovë është shumë më homogjene se në Shqipëri. Krahaso prejardhjen “dialektore” të banorëve të Tiranës, me atë të banorëve të Prishtinës…

      Në Tiranë të ndodh rëndom që të kesh një komshi nga Puka, dhe një tjetër nga Tepelena, ndërsa vetë të jesh nga Opari; dhe gruan ta kesh nga Shpali i Tiranës, ndërsa shefin në punë nga Dangëllia. Kjo lloj përzierjeje në Kosovë nuk ndodh, të paktën jo në këto përmasa.

      Unë jam rritur në një shtëpi ku gjyshërit më flisnin në dialektin e Gjirokastrës, ndërsa në rrugë flisja të folmen e qytetit të Tiranës; mësuesen në fillore e kisha mirëfilli elbasanllie (edhe në të folur); dhe shkoja shpesh te familja e tezes sime në Shkodër, ku më flisnin shkodranishte.

      Në këto rrethana, e kisha vetvetiu më të lehtë ta pranoja standardin, si një formë kompromisi, përballë kësaj larmie. Kjo ka ndodhur me shumë banorë të qyteteve të mëdha në Shqipëri – sidomos në Tiranë dhe në Durrës.

      Por ende mbaj mend që stërgjyshja ime, analfabete, nuk merrej dot vesh shqip me një komshijen tonë, që ishte katolike nga malësia e Shkodrës. Kjo nuk ndodhte, megjithatë, midis nënës sime dhe të bijës së kësaj komshijes, që gjenin mënyra për ta “thyer” dialektin përkatës, që të mund të flisnin bashkë. Këto përpjekje, të përditshme, ishin edhe baza sociale e shtysës për standardizim.

      Përkundrazi, në qytetet e mëdha të Kosovës jo vetëm që dialekti ka qenë më homogjen (gegnishte verilindore) por edhe shqipja faktor identiteti shumë më i fortë se në Shqipëri (sepse i rrezikuar).

      Tek e fundit, është përzierja e popullsisë që i jep një argument më poshtë nevojës për standardizim; nëse kjo ka munguar në Kosovë, ndoshta edhe nevoja për standardizim është shprehur atje me forma të tjera.

  4. Luljeta,
    standardi është para së gjithash gjuha (e shkruar) e shtetit dhe e institucioneve të tij – sidomos atyre arsimore – por edhe gjuha e sektorit privat: mediave kombëtare, shkollave dhe universiteteve private, kompanive, shoqatave etj. në komunikimin e tyre me shtetin. Në nivel personal, familjar apo social, qytetarët merren vesh me njeri-tjetrin në dialekt ose në standard, sipas dëshirës, komoditetit apo zgjedhjes personale, por komunikimi thjesht privat as është, as mund të jetë i standardizuar, që të destandardizohet (e folura mund t’i largohet standardit, por kjo është temë tjetër, që thërret për masa të tjera, jo për destandardizim; ashtu si katër problemet që keni përmendur më lart – probleme reale, por që nuk kërkojnë destandardizim për t’u zgjidhur).

    Destandardizimi mund të ketë në dy forma: 1. nxjerrje e një rajoni/komuniteti/shteti nga standardi i deritanishëm dhe krijimi i një standardi të ri, më të afërt me dialektin e zonës, që të përdoret zyrtarisht nga ky rajon/komunitet/shtet në institucionet e tij, përfshirë ato arsimore (modeli norvegjez); ose 2. heqja dorë komplet nga standardi brenda një shteti, ku çdo institucion shtetëror apo privat të përdor gjuhën që i teket, ku çdo shkollë dhe mësues gjuhe u mëson fëmijëve dialektin ose gjuhën që i vjen më mbarë atij; as komb, as shtet, madje as komunitet nuk mund të jetë ky, por tribalizëm.

    Modeli norvegjez i destandardizimit – një popull, një shtet, dy standarde gjuhësore-, që merret si shembull, jo vetëm që është unikal deri më sot në Evropë (më korrigjo, të lutem, nëse e kam gabim), por as mund të shërbejë si model për shqiptarët që ende jetojnë në shtete të ndryshme, pa u vendosur më parë (politikisht) konstelacioni politik-shtetëror-social ku duan të jetojnë shqiptarët në të ardhmen, pa rrezikuar që, me iniciativa të nxituara multi-standardesh gjuhësore, në vend që të vemë vetulla, të nxjerrim sytë.

  5. Fakti qe kosovaret flasin e shkruajne me lehtesi shqipen standarde (te pakten nga ato qe le ok ne internet) eshte nje argument ne favor te saj .Me shume fjale te gegerishtes apo gegenishtes duhen perfshire ne shqipen standarde .Gjithashtu edhe disa forma gramatikore te gegerishtes duhen pranuar si shqipe korrekte sidomos ne perkthime letrare .Kur ke dy dialekte e te duhet te zgjedhesh nje si standard gjithmone nje pale do te mbetet e pakenaqur

  6. r.th., ti paske edhe kurajon që të tregosh me gisht mua si nazifashist dhe komunist pasi ke komentuar më parë kështu?!

    Ky proces pra, qe i ka afruar kosovaret prane “shqiptarve” ne gjuhe, zakone, mendime, tradita, qellime, etj., vazhdon edhe sot e kesaj dite. […] Jane qindra mijra kosovare te ngulur ne Shq. pergjate tranzicionit, te cilet vetem per shkak te numrit te tyre do te shiheshin tani si pushtues, po te mos kishin qene me pare shqiptaret e zonave veri-lindore te Shq. qe bene gjate kesaj periudhe pushtimin e Shq., per t’mos thene edhe shkaterrimin e pjesshem te saj!

    Ti ose bën sikur s’kupton, ose s’kupton vërtet, por unë nuk do zbras timen, që të mbush tënden! Kjo është replika ime e fundit me ty.

    1. Jo gjilpera, une nuk tregoj kurre me gisht njerezit se cfare jane dhe cfare nuk jane, pasi nuk me ka interesuar kurre ngjyra kombetare, fetare, politike, estetike e njerit dhe tjetrit. Rendesi ka cfare diskutojne dhe thone per temen ne fjale. Ndersa ti nuk diskuton, por kercenon me ndalime. Cfare don ti te ndalosh? Pikerisht ato mesime dialektike te mesuara ne shkollen tone te dikurshme, nje nga te rallat vepra kjo e diktatures “socialiste”, per te cilen duhet te jemi krenar, -sot ne shkaterrim e siper!
      Edhe citateve qe nxjerr nga teksti im, une u qendroj atyre, sepse jane realiteti, jane fjalet e disa qindra njerezve te tjere. Nwse ne shqiptaret shkaktojme nje realitet te hidhur, sic shkaktuan zbritjet ne tokat e xanuna, une kete e quaj pushtim. Ti zbukuroje dhe quaje po te duash clirim, ose rindertim, ose si te duash. Faktet jane kundra teje, sic ishin edhe ne kohe te fashizmit, edhe ne kohe te “komunizmit”.
      Mosreplikimi eshte e drejta jote; une nga ana ime te rekomandoj te lexosh me shume nga historia, sepse do te te zbutet edhe karakteri “revolucionaro-patriot”, qe shfaq! Ne fund te fundit do te heqesh disa koncepte te ngurta mbi gjuhet dhe kombet!

  7. A.V. : “Por ende mbaj mend që stërgjyshja ime, analfabete, nuk merrej dot vesh shqip me një komshijen tonë, që ishte katolike nga malësia e Shkodrës. Kjo nuk ndodhte, megjithatë, midis nënës sime dhe të bijës së kësaj komshijes, që gjenin mënyra për ta “thyer” dialektin përkatës, që të mund të flisnin bashkë. Këto përpjekje, të përditshme, ishin edhe baza sociale e shtysës për standardizim.”
    Ja nje fakt, “fatkeqesisht” teper i vonet, qe tregon procesin e formimit te kombeve, standartizimit te gjuheve, unifikimit te kulturave. Nwse do te hidhemi disa qindra vjet me thelle ne histori, ndryshimet jane me te medha. Po te hidhemi 1 mije deri 2 mije vjet me pare, veshtire te gjejme te ashtuquajturit Arber apo Yllire si vazhdimesi te njeri-tjetrit ne gjuhe e kulture, apo te vendosur pak a shume ne keto trioje, ku gjinden sot shqip-folesit. Kete gje mund ta themi edhe per te ardhmen, pas 1 mije vjetesh padiskutim qe nuk do te kemi kete panorame te sotme ne gjuhe, kulture, territor, menyre jetese, etj., dhe kjo jo vetem per shqiptaret, por per te gjithe kombet/popujt e sotem.

  8. C’mendojne ekspertet e gjuhesise per te ardhmen e gjuheve ne epoken e perparimit te shpejte teknologjise ?C’do kush me nje smart phone mund te shkarkoje google translate I cili ka nje camera feature me te cilen mund te skanosh faqe libri dhe ti perktheje ne gjuhen qe deshiron.Tani qe flitet per smart glasses ,do te jete plotesisht e mundur qe te kesh nje perkthim te menjehershem ne nje gjuhe te huaj qe s’e di fare .Keto dhe pajisje te tjera qe kryejne perkthime te mahnitshme ,jane vetem fillimi .Mbetet per tu pare efekti qe do te kene ne deshiren e njerezve per te mesuar gjuhe te huaja nese ke nje pajisje qe te perkthen.A do te ndihmoje ne mbijetesen e gjuheve nese njerezit nuk do te kene nevoje per nje lingua franca derisa kane pajisje perkthyese te tilla apo do te pershpetoje nenshtrimin e gjuheve te vogla ndaj atyre te medha ?

    1. Ju lutem, mos dilni nga tema. Po ashtu, ju lutem, mos i jepni vetes rolin e moderatorit të një diskutimi imagjinar, duke shtruar pyetje që kërkojnë përgjigje. Tema nuk ka nevojë për devijime të tilla. Edhe po të kish nevojë, këtë do ta bënte një nga moderatorët.

Lini një Përgjigje te r.th.Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin