GËZUAR 2020!

Të dashur lexues, miq dhe dashamirës të revistës “Peizazhe të fjalës”,

Viti që sapo u mbyll, si kurorëzim për mirë dhe për keq i një dhjetëvjeçari, ishte i mbarë për revistën tonë dhe leximtarinë e saj, por jo aq i mbarë për kulturën, e së cilës jemi pjesë dhe së cilës i shërbejmë.

Në rrjedhë të prirjeve karakteristike të dekadës, 2019-a e rrafshoi edhe më komunikimin publik: pushtetet synuan ta forcojnë kontrollin nëpërmjet populizmit.

Përballë degradimit të marrëdhënies së mediave me të vërtetën, në kontekstin e një konflikti mes pushtetit politik dhe mediave elektronike dhe instalimit të megafonëve të qeverisë në rrjetet sociale, revista jonë “Peizazhe të fjalës” e ka parë veten njëherësh të rrezikuar, dhe të fuqizuar.

Sot, kur çdo burim informacioni në Internet vetëshpallet “portal” dhe emri “portal” po merr konotacionet e padëshiruara të një vatre të qelbëzuar lajmesh të rreme, shantazhesh, përgojimesh dhe gjobash, shpesh me financime të dyshimta, “Peizazhe të fjalës” po kërkon të profilohet si alternativë e portaleve. Numri i madh i vizitave në faqen tonë dhe interesimi i madh i lexuesve, nga e gjithë bota shqipfolëse, për temat dhe trajtimet, na japin shpresë për përpjekjet tona.

Ne nuk japim lajme, as përcjellim lajme të marra nga të tjerët; por duam të reflektojmë, nga një këndvështrim kulturor, për realitetin e sotëm të komunikimit publik mes shqiptarëve.

Vështirësia jonë, por edhe sfida jonë madhore, është që të orientohemi qartë në një kënetë të këllirtë informacioni, ku mungojnë në mënyrë flagrante garancitë e integritetit të fjalës.

Përballë reduktimit të komunikimit publik në një të ashtuquajtur spektakël “dialogu” mes liderëve politikë dhe masës së rrjeteve sociale, të ndërmjetësuar nga pak zhonglerë të super-privilegjiuar (dhe multi-milionerë të mediave), ne i mbetemi bindjes se pluralizmi, edhe i fjalës së lirë, nuk shprehet në mizërinë shurdhuese të  “portaleve”, por në pasurinë e temave dhe të këndvështrimeve.

Për shkak të debateve të fundit për paketën anti-shpifje dhe konfliktin mes pushtetit politik dhe mediave, po duket sikur rreziku kryesor për komunikimin publik është censura nga lart; megjithatë, ne besojmë se synimi kryesor i pushtetit politik, sot, është ta kontrollojë komunikimin nëpërmjet censurës nga poshtë: kakofonisë, trollimit të organizuar në mediat sociale dhe rrafshimit të vlerave kulturore.

Prandaj edhe duam që “Peizazhe të fjalës” të vazhdojë të ofrojë, për të gjithë ju, një alternativë ndaj këtij korruptimi të qëllimshëm të fjalës publike, që po ndodh mu nën sytë tanë.

Gjatë vitit 2019, ne u kemi dhënë lexuesve 320 shkrime, ese, opinione dhe studime origjinale; pa llogaritur mijëra shkrime të tjera, që janë në dispozicion të kujtdo, nga arkivi – dhe që shfrytëzohen intensivisht, duke e shndërruar revistën tonë në një bibliotekë të besuar online, veçanërisht për çështje të kulturës, të gjuhës shqipe, të antropologjisë dhe të historisë.

I kemi ofruar të gjitha këto, së bashku me qindra orë punë editoriale për revistën, jo vetëm ngaqë mundemi, por edhe ngaqë duhet. Gjithsekush ka mënyrën e vet për t’i shërbyer publikut – ne kemi zgjedhur atë që mendojmë se mund ta bëjmë më mirë.

Por mbajtja gjallë e një faqeje të tillë si “Peizazhet”, me këtë intensitet botimesh origjinale, komentariati dhe interesi të shtuar nga lexuesi, ka kosto të konsiderueshme – madje edhe pa llogaritur shpenzimet teknike të mirëmbajtjes së faqes.

“Peizazhet” nuk merr as financime dhe as grante nga institucione publike a private; dhe as përfiton financiarisht nga reklamat. Jemi veç ne, të redaksisë, përballë autorëve nga njëra anë, dhe lexuesve nga ana tjetër. Ëndrra jonë është që, jo vetëm të vazhdojmë t’i shërbejmë publikut dhe kulturës, por edhe të provojmë se, në mes të komercializimit të egër të mediave dhe të manipulimit, është ende e mundshme të mbahet në këmbë një media si “Peizazhet”, përmes një ekonomie të dhurimit dhe të bashkëndarjes.

Këtë duam ta realizojmë me simpatinë, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj.

Me këtë rast, mirënjohja dhe falënderimet tona u shkojnë veçanërisht të gjithë atyre që kanë kontribuar, me shkrimet e tyre, për revistën tonë; me shpresën dhe urimin që nuk do t’u ndalet hovi as këtë vit që po vjen dhe që të tjerë kolegë do të nxiten të na dërgojnë shkrime, në pajtim edhe me natyrën dhe regjistrin e faqes.

Gëzuar Vitin e Ri 2020: le të gatitemi për të kaluar së bashku edhe një vit tjetër.

Ardian Vehbiu dhe Elona Pira

Peizazhe të fjalës

DHURONI KËTU

 

 

2 Komente

  1. Gezuar dhe Faleminderit per perpjekjet qe beni per kulturen shqiptare si dhe per ti mbajtur bashkekombasit te informuar dhe ne kontakt me njeri tjetrin .Shpesh here ne lexuesit i marrim keto revista ne internet si te mireqena dhe harrojme apo nuk vleresojme sa duhet punen e palodhur dhe pa interes te administratoreve te tyre .
    “It is not the critic who counts; not the man who points out how the strong man stumbles, or where the doer of deeds could have done them better. The credit belongs to the man who is actually in the arena, whose face is marred by dust and sweat and blood; who strives valiantly; who errs, who comes short again and again, because there is no effort without error and shortcoming; but who does actually strive to do the deeds; who knows great enthusiasms, the great devotions; who spends himself in a worthy cause; who at the best knows in the end the triumph of high achievement, and who at the worst, if he fails, at least fails while daring greatly, so that his place shall never be with those cold and timid souls who neither know victory nor defeat.”

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin