RRETH SEKRETIT TË JURISË

Protestat korale kundër Mikaela Mingës – që i dha votë të ulët Elvana Gjatës në Festivalin e Këngës – hapën edhe një temë diskutimi anësore, por që merr vlerë në rrjedhë të kohës: a duhen mbajtur të fshehta vendimet e anëtarëve individualë të një jurie?

Çështja ka natyrë juridike dhe vetëm një jurist mund ta trajtojë me themel. Këtu e më poshtë po jap disa mendime të miat, të mbështetura vetëm në bonsensin; edhe pse, vetë mënyra aq vulgare si u sulmua dhe e bullizua një muzikologe si Minga, vetëm e vetëm se guxoi të shkojë kundër rrymës, do të mjaftonte si argument praktik për sekretin.

Përdorimi i jurive për të vendosur çmime në lëmin e artit, të sportit ose të spektaklit i ka rrënjët në lashtësi; prandaj edhe “sekreti” i deliberacionit dhe i vendimeve individuale lidhet me raportin mes privates dhe publikes në kulturat përkatëse. Në çdo rast, rregullat procedurale të punës së jurive të tilla, në epokën moderne, janë ndikuar edhe nga statutet e jurive “gjyqësore” në vendet e common law (si SHBA).

Nëse vota e një anëtari individual do të bëhet apo jo publike, ose edhe nëse punimet (diskutimet) e një jurie do të jenë apo jo publike, kjo varet nga statusi i anëtarëve dhe mënyra e përzgjedhjes së jurisë. Dua të them: kur anëtarët janë përzgjedhur me votë dhe përfaqësojnë një grup interesash (kulturore) të caktuar – p.sh. një anëtar jurie nga Shqipëria në një Festival të Muzikës Ballkanike – atëherë çdo anëtari mund t’i bashkëlidhet një lloj mandati që ia kanë dhënë “zgjedhësit”. Përkundrazi, kur anëtarët thjesht emërohen nga një institucion, p.sh. Drejtoria e Radiotelevizionit, në rastin e jurisë së Festivalit (nëse nuk gaboj) ose Ministria e Kulturës ose çfarëdo autoriteti tjetër që e organizon kompeticionin ose eventin, atëherë – gjithnjë sipas mendimit tim – anëtarët individualë nuk përfaqësojnë gjë tjetër veç vetes; teksa përfaqësohen nga Kryetari i Jurisë. Në kuptimin që, kur juria është e emëruar, ajo vepron si një person i vetëm, i mishëruar në figurën e Kryetarit të Jurisë; dhe në këtë rast votat individuale të anëtarëve vetëm sa ndihmojnë për të përcaktuar vendimin, i cili shpallet (me akt performativ) nga Kryetari.

Për Festivalin e Këngës, në Shqipëri, që organizohet nga një institucion publik, vendimet individuale të anëtarëve të jurisë duhej të mbeteshin të fshehta, sa kohë edhe që puna e jurisë nuk është pjesë e spektaklit (ndryshe nga çfarë ndodh në disa kompeticione televizive me popullaritet, ku anëtarët e jurisë performojnë njëlloj para kamerave, madje edhe duke aktruar për t’i shprehur në mënyrë teatrale reagimet e tyre). Por edhe për arsyen e thjeshtë, praktike, se anëtarët e jurisë veç e veç janë thirrur atje nga institucioni përkatës, të emëruar në bazë të reputacionit të tyre, dhe institucioni që i ka përzgjedhur, duhet edhe t’i “mbulojë”, duke i mbrojtur nga reperkusionet.

Për fat të keq, kultura e reagimeve publike, në Shqipërinë e rrjeteve sociale, është e tillë që ta imponojë me urgjencë këtë lloj garancie për fshehtësi; përndryshe asnjë ekspert me respekt për veten, nuk do të pranojë të marrë pjesë në juri të tilla; ose, çfarë është edhe më keq, asnjë ekspert që u druhet kokëçarjeve nga vulgu (le të mos i nënvlerësojmë këto, sepse arrijnë deri në kërcënime nga më të ngjethshmet) nuk do të guxojë të dalë kundër rrymës dhe as të anti-konformohet.

Edhe një herë, çështja mund të reduktohet në balancën mes lirisë individuale (përgjegjësisë individuale) dhe demokracisë (që këtu shprehet edhe si transparencë). Nëse duam, mund të gjejmë një formulë për ta kombinuar votën “popullore” në favor të një kënge ose vepre tjetër artistike me votën e ekspertëve; por, mund edhe t’ia lëmë në dorë vendimin publikut, që të votojë me rrugë elektronike, ose me përfaqësues që i ka zgjedhur vetë. Nga ana tjetër, nëse institucioni organizator i eventit (p.sh. Festivalit) dëshiron që zgjedhjen e fituesit t’ia besojë një kolegjiumi profesionistësh, të cilin e emëron ai vetë, atëherë juria është mirë t’i shpallë vendimet si një e vetme (entitet kolektiv) e përfaqësuar nga Kryetari.

© 2019, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

6 Komente

  1. Zonja Minga nuk ka shkuar dhe aq shume kunder rrymes, perderisa ka vleresuar kengen fituese me po aq pike (13) sa dhe tre anetarët e tjeret të jurise (ndersa kolegia e saj shqiptare i ka dhene biles 18)
    Sa për kryetarin e Jurise se festivalit në fjale, ai vetem sa emrin kishte kryetar, sepse me të gjitha gjasat eshte abuzuar dukshem me sinqeritetin e tij: në fund të nates se dyte, ai beri publike listen e 12 finalisteve, perzgjedhur nga 20 konkuruesit. Lista jo vetem qe nuk ishte sipas rendit alfabetik, por ishte fiks sipas numrit të pikeve të grumbulluara nga 12 finalistet dhe pothuaj (me nje ndryshim të vogel) identike me ate në fund të festivalit!
    Dhe thone pastaj qe djalli, larg qofte, fshihet tek detajet.

    1. Pashë një koment tëndin te Peshku pa Ujë që më la shije shumë të keqe: një përpjekje për interpretim të këtyre tre shkrimeve që kanë dalë te Peizazhet për temën. Vërtet mendon se dora e gjatë e Vera (Grabockës) ka arritur deri tek ne këtu?

      1. Siç shkruaja ne një koment tjeter, erdhi nje president jurie nga Suedia dhe u keqperdor. Keshtu qe ku po i dihet… .
        Por betimet ‘à priori’ se gjithcka në kete histori eshte e paster si fildishi, nuk me bindin. Argumentet, po.

    2. Kjo Minga si anetare jurie, cfare kontributi ka ne muziken shqiptare dhe aq me teper ne kengen e muzikes se lehte? Nje muzikologe si ajo mund te gjykoj per nje kenge, aq sa nje dentist mund të pohoj se jam kardiolog! Aq me teper ju nuk u takon fare te jeni avokati i saj se je ne konflkt interesi si mik i saj dhe i “peisazhe te fjales”. Na dolet ekepert te gjithe!

      1. I apologize for the lack of Albanian, but I have written in great detail on the ordeal at ESCtakeover (in English – am using Google Translate and linguistics experience).

        If I may: https://esctakeover.com/2020/01/07/2020-towards-a-more-united-community-an-editorial/

        I read the article about “thashetheme” this morning – it was published two years ago:
        https://peizazhe.com/2018/02/19/thashetheme/

        I find it extremely relevant to discussions here. As long as the air is as toxic as it is, the tyranny of public outrage will reign over facts and genuine concern for each other as humans.

Lini një Përgjigje te Ardian VehbiuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin