EKSPERTI, TRANSPARENCA, VULGU

Fillova ta ndjek pak me vonesë protestën që shoqëroi Festivalin e Këngës 58 dhe zhurmën në rrjetet sociale e në disa media, kundër Mikaela Mingës dhe Rita Petros që, si anëtare të jurisë, nuk i dhanë pikë mjaftueshëm të preferuarës së publikut Elvana Gjata; madje Mingën e akuzuan deri edhe se, duke i dhënë Gjatës votë qëllimisht tejet të ulët, kish mundësuar që fitorja t’i kalonte këngëtares tjetër konkurrente, Arilena Ara. Afshi i marazit që ushqente revoltën e anonimëve online kish të bënte drejtpërdrejt me rolin e jurisë, ose atij grupi ekspertësh të zgjedhur, për të përcaktuar fituesen e festivalit, në kuptimin: “si guxoni ju të dilni kundër popullit”, ose “kush jeni ju…” etj.; shoqëruar edhe me teorinë konspirative përkatëse, se vota e këtyre dy anëtareve ishte manipuluar, për t’ia hequr fitoren nga goja Elvanës (edhe pse deri pak para Festivalit thuhej, nga të njëjtat media dhe zëra, se fitorja e Elvanës ishte vendosur tashmë).

Ende nuk kam arritur ta sqaroj nëse publikimi i fletë-votimeve personale të anëtarëve të jurisë së Festivalit parashikohej apo jo nga kontrata mes entit organizator dhe anëtarëve vetë. Kur kam marrë pjesë unë vetë në juri të ngjashme (për vepra letrare dhe autorë), më kanë siguruar se vota ime nuk do të bëhet publike; sipas një logjike, që më duket e drejtë, se anëtari ekspert i jurisë duhet të votojë i lirë nga trysnia e konformimit me shijet e publikut. Por e kam të qartë se ky kriter nuk është universal.

Prej jurisë të një eventi me valenca kulturore të spikatura, si Festivali i këngës, pritet që, me profesionalizmin dhe integritetin e saj, të kompensojë entuziazmin folklorik të publikut përkatës – p.sh., në rastin e tanishëm, Minga është ndoshta e vetmja specialiste muzikologe në Shqipëri që i ka kartat në rregull (dhe e ka provuar gjerësisht që i ka), për të vlerësuar objektivisht një vepër të muzikës pop; ndërsa Petro ishte thirrur në juri jo si “botuese” (siç e lexova në ca media) por si poete e njohur. Pa u zgjatur më tej në kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve, dua vetëm të vë në dukje se juri të tilla nuk zgjidhen si përfaqësuese të shijeve të publikut, por në bazë të kompetencës profesionale. Ato zgjidhen, por nuk janë organe të zgjedhura; votojnë, por nuk japin llogari për votën e tyre.

Me aq sa munda të shoh, reagimi – në shumë raste brutal, në mos thjesht i pështirë – kundër Mingës dhe Petros i ka rrënjët te perceptimi foshnjor i “demokracisë” së shijeve; ose te moskuptimi, për shkak të padijes, se evente të tilla kombëtare, si Festivali, synojnë jo thjesht dëfrimin e publikut të muzikës pop, por edhe edukimin e tij muzikor; prandaj edhe juria do të përpiqet të shpërblejë jo pritjet e masës së fansave të kësaj apo asaj këngëtareje, por cilësinë mirëfilli artistike të këngëve dhe të interpretimit të tyre në skenë.

Duke lexuar reagimet dhe ofshamat kolektive, të përcjella edhe nga mediat, m’u krijua përshtypja se ka një lebeti ndjekësish të kësaj muzike, që u qasen aktiviteteve si Festivali me bindjen se atje do të konfirmohen edhe pritjet e tyre; dhe, çfarë është edhe më e rëndësishme, duan që ta zgjedhin fituesin me votën e tyre, duke e përjashtuar deri edhe mundësinë që fitorja të përcaktohet edhe me kritere jo-demokratike.

Me këtë lloj mendësie “demokratike” foshnjore dua të bashkëlidh edhe dyshimin e shprehur nga po ato zëra “nga poshtë” se, diçka që ndodh larg a që mbahet larg syve të publikut – si në rastin kur vota individuale e një anëtari të jurisë mbetet e fshehtë – është, ipso facto, e pistë, e manipuluar, e pandershme; dhe se bërja publike e votës individuale garanton “transparencën” e procesit përzgjedhës. Pa çka se i manipuluar në këtë mes më rezulton më shumë publiku vetë.

Çështjen do të doja ta formuloj kështu: Festivali i këngës pop është sa event kulturor, aq edhe spektakël, aktivitet argëtues, për një publik sa më të gjerë; por ndryshe nga ç’ndodh me evente të ngjashme, përfshi këtu edhe Eurosong-un aq të lakmuar (pa harruar konkurset televizive për amatorët dhe talentet), te ky Festival yni procesi i përzgjedhjes së këngës fituese nga juria nuk është pjesë e spektaklit. Publikut i ofrohen për argëtim këngët dhe gjithçka tjetër që ndodh në skenë, përfshi edhe shpalljen e rezultateve (e cila mund të jetë zbavitëse gjithashtu) – por procedura e punës së jurisë duhet të mbetet jashtë skenës.

Nga histeria me të cilën u sulmua, në publik, veçanërisht Minga – e cila m’u duk deri edhe e braktisur nga institucioni që e kish ftuar të merrte pjesë në juri – nga kjo histeri, pra, m’u duk sikur kjo masë anonimësh, që i qaset Festivalit si të ishte ndonjë mishërim i demokracisë dikrekte nëmos palestër e muskujve identitarë dhe patriotikë, nuk ka më lidhje me kulturën, dhe as me traditën muzikore qytetare në Shqipëri. Por kjo nuk mund të kuptohet deri në fund, jashtë kontekstit të dyshimit masiv se çdo ekspert, që ftohet të vendosë për një punë me impakt kolektiv dhe interes masiv, është vetvetiu për shitje; ose vjen me etiketën e çmimit të ngjitur në pallto. Ose të diskreditimit të përgjithshëm institucional, për çka një pjesë të fajit e ka media, e cila gjithnjë akuzon dhe ndot, por rrallëherë arrin të provojë akuzat e veta.

Por, pa dashur të tingëlloj edhe unë konspirativ, nuk rri dot pa përmendur interesat e mëdha ekonomike dhe të imazhit, që i çiftohen konkurrimit të Shqipërisë në Eurosong (sikurse nuk e heq dot nga mendja spektaklin qesharak të votës për këngën fituese të atij eventi tjetër). Dhe pikërisht për këtë arsye, prania e ekspertëve si Minga dhe Petro, në juri, më jep një farë sigurie se, përveç spektaklit dhe cirkut, do të mbetet pak vend, në eventin tonë, edhe për riprodhimin dhe avancimin e kulturës muzikore përkatëse.

Por institucionet, të cilat e organizojnë këtë Festival dhe përfitojnë rëndshëm prej tij, duhet t’u garantojnë dinjitetin dhe integritetin të gjithë atyre ekspertëve, që i ftojnë për t’u bërë pjesë e procedurave përzgjedhëse. Këto dy ditë kam parë në mediat dhe në rrjetet vetëm akuza, kërcënime dhe zgërdhitje kundër Mingës dhe deri diku edhe Petros, por jo ndonjë deklarim a qëndrim dalzotës, dinjitoz, prej kujt dje pati aq nevojë për ekspertizën dhe autoritetin dhe reputacionin e këtyre të dyjave. Efekt afatgjatë i kësaj braktisjeje në mëshirën e turmës linçuese do të jetë – ma merr mendja – që ekspertët, në të ardhmen, do të stepen para se të angazhohen në punë të tilla ingrate; sa kohë që ky shtet dhe këto institucione publike nuk arrijnë dot as të mbrojnë publikisht asetet e veta, ndaj pasioneve të vulgut.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në media të tjera. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.

4 Komente

  1. Unë nuk jam eksperte muzike, por desha vetëm të japë një mendimin tim. Nuk do desha qe krijimtaria muzikore të bëhej brenda kornizës së rregullave, rinia nuk i ka qejf kufizimet. Kënga e Elvanes akoma më rri në mëndje , kurse Shaj aspak. Do desha te fitonte Më tana vetëm se qe gazmore e ritmike pasi kemi nevojë për të fituar energji. Shaj kur e dëgjoj më pezmaton pa mase, dhe pastaj e harroj se nuk dua te merzitem. Me gjithatë urime fitueses, me këngë me të bukura në Festivalin tjetër.

  2. 1. Nuk mendoj se problemi eshte tek perceptimi foshnjor i “demokracisë” së shijeve apo tek edukimi muzikor i publikut: problemi eshte pse fitoi nje kenge po aq e keqe sa “ajo qe donte publiku”, pra nje kenge po aq pak shqiptare (meqe per me teper e kompozuar nga nje autor maqedonas mbi bazen e nje poezie te shkruar ne anglisht : vete kengetarja fituese ka deklaruar ta kete degjaur domo-n e kenges ne ate gjuhe!)
    Sepse:

    2. Keto dite, Zonja Rita Petro, njera nga anetaret shqiptare te jurise eshte shprehur per kete ngjarje ne media me shume se nje here. Po e citoj :
    “E di çfarë ndodhi, se juria e huaj i ka dhënë maksimale kenges se Elvanes, dhe unë mendoj që mundet të ketë vlerësuar motivet orientale dhe mendimi i saj për këngën shqiptare që ne kemi këto motive”.
    Pra siaps zonjes Petro i bie: 3 antaret e huaj te jurise mbyllen veshët gjate festivalit dhe degjuan VETEM kengen e Elvanes! Dhe thane me vete : oh, shqiptaret kendokan si orientalet! Dhe i dhanë maksimumin e pikeve kenges se saj!
    Zonja Petro o i merr lexuesit (shikuesit, publikun…) per budallà, ose nuk di si te mbrohet… .
    Pra:

    3. Që nga ky moment, pra perballe nje ‘mbrojtjeje’ te tille, ndofta nuk jane dhe aq te liga gojet e liga qe thone se Vera Grabocka i ka bere qoken asistentit te saj, Popi Koles, menaxher dhe partner i kengetares fituese (per me shume detaje;: http://www.ekskluzive.al/kush-eshte-bjondi-qe-i-mori-virgjerine-arilena-ara-s/ ) nepermjet njeres prej anetareve te Jurise, pra nepermjet zonjes Minga (dhe dy pikeshit te saj ‘historik’). Shto qe, me sa duket, ky eshte nje konflikt midis dy udheheqeséve artistike te festivalit, pra i zonjave Grabocka dhe Vejsiu (e theksoj: TE DYJA udheheqese artistike).
    Keshtu qe:

    4. Heshtja e institucionit organizator (RTSH) eshte prove e sikletit (malaise) ne te cilin ai ndodhet (konflikti midis dy udheheqeséve artistike te evenimentit, shih piken 3).
    Por ndoshta zgjidhja duhet gjetur pikerisht tek nje tjeter interviste e zonjes Rita Petro, e cila kesaj rradhe thote dicka me mend,
    E citoj perseri :
    “Na vjen keq që na ndanë juria shqiptare, juria e huaj, të bësh ndarjen juria shqiptare nuk janë të zotët, të korruptuar e kam ndjerë veten të fyer. Deri për Eurovizion ka kohë që të analizohen faktet, të hetohet, të ngrihet një juri tjetër.”
    http://top-channel.tv/2019/12/24/2-pikeshi-i-jurise-shqiptare-festivali-i-rtsh-se-reagon-rita-petro-nuk-u-be-llogari-votimi-ishte-i-paster/

    Plotesisht dakort me frazen e fundit te saj : per Eurovizionin, te hetohet. Te analizohen faktet. Te ngrihet nje juri tjeter.

  3. Ironia “notwithstanding”, sekreti eshte te mos reagosh dhe komentosh per disa dite. Keto furtuna interneti qe amplifikohen nga mediat tona pernimen “enemy of the people”, jane po aq kalimtare sa vesa ne bar. Me po aq efekt.
    Nuk besoj se keto zonjat e permendura i detyrohen njeriu shpjegim. As fituesja, as ajo tjetra qe nuk fitoi ( jo humbi).
    Kaq.

  4. Per shijet e mija, kenga e asaj Elvanes as qe duhej kalu ne finale. As kishte muzike, as tekst e as ze. Kengtarja m’u duk se kishte stonuar ne menyre skandaloze naten kualifikuese. U bera kurioz nga zhurma rreth kenges ne komentet per naten e kyalifikuese dhe e kerkova ne youtube, pasi festivalin u bene vite qe s’e ndjek me.Nje gje e shplare pa kurrefare vlere si kenge dhe sic thashe, e kenduara m’u duk skandaloze. Ne lidhje me vlersimet e jurise pastaj, kredibiliteti i atyre qe zgjedhin neper juri te tilla eshte i pargjykuar qe ne fillim, pasi mendsia e gjithe shoqerise tashme eshte se, cdo gje ne kete vend zgjidhet ne baze te korrupsjonit dhe kerkush nuk beson me per zgjedhje te ndershme. E nje shoqeri ku ne cdo lloj veprimtarie, artistike, sportive, politiko shteterore e ku di une, qellimi primare eshte zhvatja e ca eshte e mundur, nuk ka si te kete mirkuptim per gjykimin e znj Minga apo znj Petro.

Lini një Përgjigje te NevilaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin