PËR REZULTATET E PISA 2018

nga Arjan Shahini

Rezultatet e PISA 2018 për herë të parë nuk tregojnë ndonjë përmirësim të dukshëm nga cikli pararendës. Që prej PISA 2000, kur Shqipëria mori pjesë për herë të parë, vendi kishte shënjuar rritje. Por tani progresi duket se është sheshuar dhe me sa duket është arritur maksimumi i ndryshimit. Dallimet e PISA 2018 nga PISA 2015 nuk janë statistikisht domethënëse, edhe pse ka pasur ulje në matematike dhe rritje në shkencë. Kampioni për PISA 2018 ishte 6359 nxënës, më shumë se herët e tjera (që ka peshën e 27 963 nxënësve).

 

Rezultatet e PISA 2018 Shqiperia

Ndryshime pozitive ka pasur ndër grupin e nxënësve të dobët, performanca e të cilëve është rritur sidomos në matematikë (nga 2012 në 2018 është ulur me 18 përqind numri i nxënësve poshtë nivelit të dytë, nga 6 nivele). Por numri i nxënësve me rezultate të larta vazhdon të jetë i ulët në krahasim me vendet e OECD (mbi nivelin 6 në shkencë dhe lexim thuajse nuk ka, dhe rreth 0.32 përqind në matematikë).

Shperndarja e niveleve te PISA 2018

Ndasitë gjinore vazhdojnë ende, sikurse ato ndërmjet fshatit edhe qytetit. Dallimi ndërmjet shkollave që kanë numër të madh nxënësish me status të ulët socio-ekonomik ndaj të tjerave është tepër i theksuar (përllogaritur duke i ndarë shkollat në katër grupe bazuar mbi statusin social të nxënësve). Dallimet më të mëdha vërehen në lexim, ku distanca është e barasvlershme me një vit shkollor.

Dallimet ne rezultatete e PISA 2018

Risia në këtë cikël të PISA është se janë matur disa komponentë të tjerë të aftësive të leximit (fokusi për këtë cikël ishte në lexim), prania e cubllikut (bullying) në shkolla që kanë të bëjnë me klimën e përgjithshme në shkollë, dhe publikohen për herë të parë meta-datat e provimit (p.sh. koha e kryerjes së testit, kohëzgjatja e përgjigjes).

Ndalur te aftësitë e leximit, ku PISA mat sipas renditjes të kuptuarit e tekstit, përdorimin e informacionit, vlerësimin dhe reflektimin, vihet re se nxënësit kanë aftësi të dobëta në pjesën e gjetjes dhe vlerësimit të informacionit (p.sh. mesataret për Shqipërinë janë 394.02 për lokalizimin e informacionit dhe 402.9 për të kuptuarit dhe vlerësimin). Edhe pse në shumë pyetje mbi kompetencat e leximit, sidomos aftësitë e mendimit kritik, nxënësit janë përgjigjur pozitivisht mbi veprimtaritë që zhvillohen në shkallë për këtë komponent.

Mesatarja e rezultateve te PISA 2018 per nxenesit shqiptare neper bote

Në krahasim me shqiptarët e tjerë në Kosovë, Maqedoni Mal të Zi, shqiptarët e Shqipërisë kanë dalë më mirë. Në aftësitë e të lexuarit, pjesa më e madhe e nxënësve në Shqipëri (52%), Kosovë (78.5%), e shqiptarët në Zvicër (72.3%), Mali të Zi (66.5%) dhe Maqedoni (63%) janë nën nivelin e dytë. Vetëm në Greqi (48%) shumica e nxënësve shqiptarë del sipër nivelit të dytë në lexim. Nxënësit në nivelin e dytë janë në gjendje të identifikojnë idenë kryesore në një tekst relativisht të gjatë, të gjejnë informacionin e shprehur, ndoshta edhe paraqitur në mënyrë komplekse, dhe të reflektojnë drejtpërsëdrejti mbi qëllimin e tekstit.

Mesatarja e rezultateve te PISA 2018 per nxenesit shqiptare neper bote per leximin

PISA 2018, Leximi

Dallimet ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë, Greqisë dhe Zvicrës nuk janë domethënëse për leximin dhe shkencën. Dallimet në matematikë ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Greqisë janë domethënëse dhe relativisht të mëdha në krahasim me ata të Kosovës dhe Maqedonisë.

Në krahasim me vendasit, rezultatet nuk janë aspak të kënaqshme. Marrim shembull Greqinë. Shqiptarët në Greqi rezultojnë me pikë më të ulëta (rreth 50 në lexim, dhe 45 matematikë e shkencë) dhe më afër rezultateve të Shqipërisë. Ndërsa në lexim rreth 29 përqind e nxënësve grekë janë nën nivelin e dytë, prej shqiptarëve gjenden 48.6 përqind. Më të mëdha janë dallimet  në shkencë (30% me 52%) dhe në matematikë (34% me 55%). Kjo sa për tu shkundur nga miti se shqiptarët shkëlqejnë jashtë vendit. Në Shqipëri këto shifra janë më pozitive në shkencë dhe matematikë (respektivisht 47% dhe 42%) dhe më të ulëta në lexim (52%).

Më poshtë disa të dhëna tabulare mbi rezultatet.

Rezultatet e përgjithshme të PISA 2018 për të gjitha fushat
Vlerat Leximi Shkenca Matematik Understand Locate_Info Evaluate_Refl Single_txt Multiple_txt
1 MEAN 405.429 416.726 437.222 402.875 394.027 402.904 399.655 402.208
2 SE-MEAN 0.839 1.697 2.622 1.375 1.846 1.199 1.169 1.336
3 STEDV 80.275 74.069 83.111 85.692 85.104 90.136 86.452 85.938
4 SE-STDEV 0.498 0.824 1.068 0.829 0.871 1.267 0.585 0.847

Tabele krahasuese per shqiptaret ne Kosove dhe diaspore, PISA 2018

(c) 2019 Arjan Shahini

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin