KUNDËRLIGJËRIMI NË POLITIKË

Konceptin e kundërligjërimit (antidiscourse) e kam ndeshur te The Smallest Minority (Regnery Publishing 2019) nga Kevin Williamson – një ese më shumë polemike; por koncepti vetë m’u lexua si tejet i dobishëm për t’u orientuar në komunikimin politik sot, në SHBA, në Shqipëri dhe kudo gjetiu.

Williamson-i i qaset komunikimit politik në kontekstin e mediave sociale dhe të “memeve” – veçanërisht të rithemelimit të Twitter-it si platformë të këtij komunikimi. Ne mendojmë me gjuhë, shkruan ai, por sinjalizojmë me meme. Gjuha është instrument i ligjërimit (discourse). Memet janë instrument i kundërligjërimit (antidiscourse), pra të një komunikimi të dizajnuar dhe të realizuar për të mos lejuar shkëmbimin e informacionit dhe të perspektivave, jo për ta aftësuar atë. Kjo armë e shkatërrimit masiv të intelektit, shkruan Williamson-i, nuk është bisedë rreth politikës, por politikë; është mënyrë për ta mbajtur bisedën të robëruar brenda politikës.

Kundërligjërimi përvijohet kështu si vegël për të ngritur dhe ulur statusin e grupeve të ndryshme sociale ose edhe të individëve, si përfaqësues të atyre grupeve; prandaj edhe sulmet masive në mediat sociale nuk janë argumente, por rituale poshtërimi që kanë për funksion (1) të ulin statusin e një grupi të jashtëm; (2) të ngrenë statusin e sulmuesit brenda grupit të vet dhe (3) të forcojnë ndjesinë e përkatësisë dhe të solidaritetit brenda grupit.

Efekti kryesor i kundërligjërimit – që të pengojë shkëmbimin e ideve dhe të pikëpamjeve – karakterizon komunikimin politik në mediat sociale, vëren Williamson-i. Për ta ilustruar këtë, autori i kthehet, me vëmendjen e një meteorologu të interesuar, stuhisë që ka sjellë në politikën amerikane presidenti Trump. Po të kemi parasysh se politika bëhet për të ngritur dhe ulur statusin e grupeve sociale konkurrente, atëherë do të kuptojmë edhe pse Donald Trump-i – të cilin Williamson-i e quan “kretin dhe injorant, bufon thellësisht i korruptuar, që nuk duron dot të presë as 24 orë pa gënjyer në publik,” arriti të sigurojë fitoren presidenciale.

Trumpi është mjeshtër i poshtërimit shkruan Williamson; dhe këtu qëndron gjenialiteti i tij: kur dikush – një kundërshtar politik ose kushdo tjetër – e sheh veten të poshtëruar rëndë në publik, ka dy mënyra si mund të reagojë, edhe pse të dyja ia ulin pashmangshëm statusin. I fyeri mund të përgjigjet, çfarë e rrit statusin e fyesit, duke e konfirmuar këtë si dikush, opinioneve të së cilit, sado skandaloze, u duhet dhënë përgjigje; teksa e ul statusin e të fyerit, duke e detyruar këtë të merret me fyesin dhe “të bjerë në nivelin e këtij.” Alternativa është ta injorosh fyerjen, çfarë e ul statusin e të fyerit duke provuar se fyesi jo vetëm mund të lëshojë një fyerje, por ka edhe aq autoritet sa ta detyrojë “viktimën” të rrijë dhe të durojë pa bërë gëk. Që e gjitha kjo dinamikë është shenjë axhamillëku, nuk ka nevojë t’i shpjegohet kujt; por axhamillëku, kalamallëku, janë çfarë e bën tërheqës kundërligjërimin, i cili bazohet mbi të njëjtat emocione atavike si edhe bullizmi në oborrin e shkollës.

Kundërligjërimi, vëren Williamson-i, është zhurma që e mbyt sinjalin. Prandaj edhe – siç e ka vënë në dukje një ekspert i ekstremizmit dhe dizinformimit online – të tregosh publikisht se një akuzë është e gënjeshtërt ose një teori komploti është idiotike mbase është e nevojshme, por e amplifikon zhurmën po aq sa ç’amplifikon edhe sinjalin. Përgënjeshtrimi vihet edhe ai në punë për ta shpërndarë më tej informacionin e ndotur.

Këtë e mundëson edhe modeli i tanishëm i biznesit i mediave online, të cilat komunikojnë me një publik jo lexuesish, por përdoruesish të mediave sociale, shkruan Williamson-i. Kjo i vë mediat online në shërbim edhe të kulturës së Internetit, e cila është, për autorin, “tribale, puerile dhe e obsesionuar me statusin.”

Dhe, thekson autori, kjo e bën ligjërimin politik të mirëfilltë të padëshirueshëm, sepse të përfshihesh në shkëmbime serioze dhe të respektueshme me një anëtar të tribusë kundërshtare e rrit statusin relativ të këtij të fundit, gjithë duke ulur statusin tënd dhe të tribusë sate.

Si vegël për të shkaktuar dhunë statusi, kundërligjërimi nuk kufizohet thjesht me retorikën e fushatave elektorale ose të komunikimit në debatet politike. Ai formëson gjithçka që ka të bëjë me bisedën: temën për të cilën po flitet, mënyrën si po flitet, personin që flet, ideologjinë, madje edhe gjatësinë dhe volumin e bisedës. Siç vëren Cowen, një ekonomist i cituar nga Williamson-i: “Një pjesë e madhe e debatit, përfshi debatin politik dhe ekonomik, është për cilët grupe dhe individë meritojnë status më të lartë ose më të ulët.”

Deri këtu Williamson-i. Më duket e tepërt të shtoj se sa më lart mund të shërbejë edhe si model për të kuptuar si funksionon komunikimi politik sot – duke filluar nga betejat epike për statusin dhe deri dhe sidomos për poshtërimin e kundërshtarëve dhe preferencën e batutave ndaj argumentit. Këtu unë do të theksoja edhe se rituali i poshtërimit, shpesh nëpërmjet batutës, jo vetëm ndihmon për t’ia shkatërruar statusin Tjetrit, por edhe e arrin këtë duke e dëfryer turmën, e cila mësohet t’i qaset politikës si të ishte estradë.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. Është e njohur për këdo thënia e Bismarkut, se tre janë periudhat kur gënjeshtra lulëzon: në kohë lufte, pas gjahut dhe para zgjedhjeve. Konditat e paimagjinueshme të komoditetit të përhapjes së gënjeshtrës në botën e sotme, kanë bërë që edhe foshnja në barkun e nënës ta ketë zili. Përdorimi i saj si armë e shkatrrimit në masë nuk është një gjë e re. Tre përcaktimet që bëhen në shkrim në raport me stausin e kundërligjërimit si mjet poshtërimi dhe denigrimi të kundërshtarit, ngritjes së statusit të grupit tënd përfaqësues dhe mbajtjes të bashkuar të po këtij grupi janë rezultatet e dëshiruara që priten prej përdorimit të gënjeshtrës si mjeti kryesor përbërës i korpusit të kundërligjërimit. Por jo kushdo mund ta përdori mjeshtërisht gënjeshtrën si mjet për realizimin e qëllimit. Shumë syresh, të cilët nuk e njohin “ëmbëlsinë e turpit”, kalojnë përtej edhe përcaktimit të domosdoshëm, se “gënjeshtra më e mirë është ajo që i afrohet sa më shumë të vërtetës”. Në këtë rast efekti bumerang është i pritshëm, gjë që e bënë gënjeshtrën jo efikase.
    Mendoj se një aspekt i veçantë i kundërligjërimit është edhe efekti i tij nervo-paralizues, i njëjtë me atë që përdoret në luftë si një armë e shkatrrimit në masë. Parë në aspektin kohor, duke marrë në konsideratë hutimin fillestar që krijon gënjeshtra në kampin kundërshtar, kundërvënia ndaj saj është jo vetëm një gjë e vështirë ( pasi çdo individ beson atë që ka dëshirë të besojë) por sidomos ajo kërkon argumenta për tu hedhur poshtë, pra kërkon një përqëndrim force dhe energjie për tu kunërshtuar nga një individ i arsyeshëm. Por siç thuhet në të tilla raste “sa të mendohet i mënçmi, budallai ka mbaruar punë”. Jo vetëm kaq, por kur ti mendon se ju përgjigje një gënjeshtre, sheh se befas ka mbrritur tjetra, domethënë, kur nuk kanë kaluar “as 24 orë” nga gënjeshtra e mëparshme, atëhere merr vesh se në çfarë breshërie zjarri ke rënë. Por të mos e zgjas…..

Lini një Përgjigje te F.A. Anuloje përgjigjen

Këtë e pëlqejnë %d blogues: